fbpx
 

Defekte të politikës rurale në Maqedoni

Prof. d-r Jorde Jaqimovski

Jorde Jakimovski 200x250Bujqësia ende është një burim i vetëm i të hyrave, i cili nuk mund ta mbajë mikrosistemin dhe nevojat e ndryshme të popullsisë fshatare, madhësia e pronësisë së tokës zvogëlohet, bie fuqia vitale e fermave familjare, numri i kooperativave është i pamjaftueshëm, infrastruktura e tregut në shërbim të bujqve është e pamjaftueshme, rezultatet sa u përket mjeteve të caktuara për investime në infrastrukturë për përmirësimin e cilësisë në mjediset rurale janë dëshpëruese.

Në fshatrat në Maqedoni, si rezultat i zhvillimit të deritanishëm ndodhin procese intensive negative: në kuptim material, në sferën demografike, sociale, kulturore. Ato procese janë dinamike, të ndërlidhura dhe të varura në mënyrë të ndërsjellë nga njëri-tjetri, shprehen në mënyrë të diferencuar varësisht nga një numër i madh faktorësh, ndërsa shpesh herë karakterizohen me kundërthënie të theksuara. Ekonomitë familjare bujqësore në fshat, janë jashtëzakonisht heterogjene në karakteristikat demografike (në to kryesisht jetojnë bujq të cilën nuk kanë mund të kalojnë në profesione tjera dhe veprimtari tjera), arsimore dhe ekonomike.

Mospasja e një politike të qartë zhvillimore ndaj fshatit rezulton në ngecje të shumë rajoneve fshatare, (posaçërisht ato të cilat kanë ruajtur veçori agrare, ndërsa ndodhen jashtë zonave të gravitimit kah mjediset urbane). Kjo rezulton në shpopullim të fuqishëm ndërsa diku edhe në depresion social dhe demografik. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë fshatare i braktisin shtëpitë ku kanë lindur jo vetëm për shkaqe ekonomike por edhe për shkak të mundësive më të mëdha infrastrukturore të mjediseve urbane, për shkak të nevojës për shkollim të fëmijëve të vetë, për shkak të nevojës për mbrojtje shëndetësore, për shkak të shpresës se do të fitojnë vende pune në të ardhmen, etj. Koncentrimi i punësimit në bujqësi është shpjegimi kryesor i rritjes së varfërisë në fshat. Çdo e dyta amvisëri në fshat (50 përqind në rajonin lindor) konsideron se nuk ka kushte për punësim dhe nuk mund të sigurojë mjete për ushqim.

Situata e migrimit fshat-qytet është alarmante

Statistika tregon se vetëm gjatë periudhës midis viteve 2013-2017 numri i personave të cilët janë shpërngulur nga mjediset rurale në ato urbane shënon 9954 persona. Dy vitet e fundit (2016 dhe 2017), karakterizohen me migracion të shpejtuar (4455). Grupi më i madh demografik i cili është shpërngulur nga fshati në qytet i përket moshës prej 15-29 vjeçare (53%). Arsyeja e vërtetë për rritjen e migrimit nga rajonet rurale në ato urbane është ekonomia e pazhvilluar dhe infrastruktura e pa ndërtuar. Mbajtja e popullsisë mundëson vitalitet ekonomik, e në disa raste edhe mbijetesë të komunitetit.

Fuqia vitale e fermave familjare është në rënie

Në strukturën e personave të angazhuar në fermat familjare, në sajë të moshës pjesëmarrja e personave deri 34 vjeç është zvogëluar edhe atë nga 25% në vitin 2013, në 22% në vitin 2016. Ndërkaq, pjesëmarrja e anëtarëve të angazhuar në fermat familjare në moshë mbi 55 vjeçare është rritur nga 39% në vitin 2013 në 42% në vitin 2016.

 Lëvizjet demografike të fshatit, posaçërisht proceset e plakjes gjithnjë e më intensive të popullsisë fshatare dhe zbrazja demografike në disa rajone flet për një dukuri shumë të rëndësishme për jetën në fshat. Pa marrë parasysh rrethanat të cilat e kanë kushtëzuar gjenden e këtillë, qëndron e vërteta se një numër tejet i madh i popullsisë së fshatit në fshatrat e largëta e ka të pamundur të furnizohet me nevojat e veta të përditshme për mall të ndryshëm kolonial.

Mesatarisht, në nivel të shtetit madhësia e pronësisë së tokës vazhdon të imtësohet. Në vitin 2016, në krahasim me vitin 2013 kategoria deri në 1 ha është rritur për 4% ndërsa madhësia mesatare e fermave individuale bujqësore është zvogëluar për 6%. Në vitin 2016 madhësia mesatare e tokës së fermave familjare është 1,5 ha nga sipërfaqja e punueshme, që është për 9,4 herë më e vogël se ajo në BE. Rritja e numrit të bizneseve individuale bujqësore në kushte të plakjes së popullsisë fshatare dhe shpopullimit të fshatrave, shpie në faktin se situata aktuale e politikës rurale ndodhet në një fazë jocilësore të zhvillimit.

Ende mbetet e paqartë se si do të aftësohet ky sektor i pronësisë së vogël për bujqësi efikase dhe të orientuar ndaj kërkesave të tregut. Nuk ka kapital për furnizim me mekanizim dhe pajisje moderne, ose ai është tepër i shtrenjtë. Nuk është ndërtuar infrastrukturë e tregut në shërbim të prodhuesve të vegjël, si dhe parakushte tjera për zhvillim.

Subjektet e reja komerciale në bujqësi, ndërmarrjet përpunuese, dhe integruesit tjerë në prodhimtarinë bujqësore kryesisht tentojnë të promovojnë interesat e veta, përfitimet dhe profitin e vet, ndërsa gjithçka jashtë kësaj nuk është brengë e tyre, por interesa të huaja, për të cilat duhet dikush tjetër të kujdeset. Raportet ndaj bujqve janë jo-korrekte, shpeshherë ndërpriten, pagesat jo vetëm që vonohen por edhe prolongohen e jo të rralla janë edhe mashtrimet ndaj bujkut. Për këtë shkak, fermerët shpesh herë kërkojnë ndihmë nga shteti, i cili është i pafuqishëm, ose gjithçka mbetet vetëm kritikë dhe gjykim paushall nga lobistë të ndryshëm, e nga kjo bujqit fitojnë pak, apo nuk kanë fare dobi. Në konstelacion të tillë të interesave, pozita e bujkut dhe e popullatës fshatare keqësohet.

Kooperativat nuk u jetësuan

Në të gjitha vendet me ekonomi të zhvilluar të tregut ekzistojnë lloje të ndryshme të kooperativave dhe lëvizje të zhvilluar të kooperativave të cilat e avancojnë prodhimtarinë në aspektin e teknologjisë dhe marketingut. Për fermerët e vegjël të cilët dominojnë në Maqedoni, kooperativizmi është levë e rëndësishme zhvillimore. Blerja e përbashkët e mekanizimit dhe pajisjes e cila është tepër e shtrenjtë për fermerin individual, përpunimi dhe procedimi i prodhimeve bujqësore, shitja dhe promovimi i prodhimeve bujqësore, kursimi dhe kreditimi – paraqesin funksione klasike të kooperativizmit të cilat mund ta ndihmojnë avancimin dhe lehtësimin e prodhimtarisë së fermerëve të vegjël.

Kooperativat ekzistuese janë të vogla, me rreth dhjetë kooperativistë në një kooperativë bujqësore dhe pa mjaftueshëm të pajisur në aspektin kadrovik për kryerje të detyrës themelore. Mesatarisht në Republikën, në një kooperativë bujqësore përkasin rreth 50 vendbanime fshati ose 5230 biznese individuale bujqësore që është hapësirë e madhe për zhvillim të suksesshëm të bujqësisë dhe fshatit. Kjo tregon faktin se numri ekzistues i kooperativave është larg nga të qenit i mjaftueshëm për ti kënaqur nevojat e duhura për popullatën fshatare.

Disa faktorë të rëndësishëm të pranishëm në zhvillimin tonë e kontestojnë zhvillimin e kooperativizmit të cilët duhet menjëherë të zgjidhen e të cilët janë jashtë fushëveprimit të ndikimit të vetë pjesëmarrësve në kooperativa. Nëse dëshirohet një gjallërim thelbësor i kooperativizmit si institucion themelor për zhvillimin e bujqësisë dhe fshatit, atëherë është e nevojshme të bëhet ndryshimi i Ligjit për kooperativat dhe Ligjit për kooperativat bujqësore.

E para, në mënyrë të pashmangshme imponohet nevoja për kooperativa të cilat do të themelohen dhe operojnë në pajtueshmëri me parimet themelore të kooperativizmit: transparencë e plotë; menaxhim demokratik; shpërndarje e rezultateve nga operimi në sajë të pjesëmarrjes për krijimin e tyre; autonomi dhe pavarësi; dhe kujdes për komunitetin.

Burim: balojani.com.mk

E dyta, rritja e mekanizmit kontrollues të shtetit e pamundëson zhvillimin e kooperativizmit. Kooperativa është organizatë autonome dhe demokratike e cila funksionon në sajë të parimit të ndihmës vetakane dhe kontrollit nga ana e anëtarëve të saj, ndërsa shteti është ai i cili duhet ti përcaktojë zgjidhjet ligjore në të cilat funksionojnë kooperativat.

Nuk ndërtohen rrugë, ujësjellës, kanalizime

Programi kombëtar për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural për periudhën nga 2018-2022 tregon se thelbi, karakteri dhe rëndësia e zhvillimit të fshatrave është e paqartë, ndërsa në disa aspekte as që njihet. Metodologjia e ri-vitalizmit të këtyre hapësirave nuk njihet mjaftueshëm, ndërsa pa analiza dhe informacione cilësore nuk ka as ide për realizimin e saj. Në shumicën e rasteve qasja është e dizajnuar nga një procedurë jofunksionale, të skematizuar dhe krejtësisht joprofesionale dhe burokratike.

Nga mjetet e planifikuara (afërsisht 35,000.000 euro) për përkrahje financiare të zhvillimit rural për vitin 2019, 60% janë të dedikuara për pagesa të pambuluara nga realizimi i projekteve të viteve të kaluara. Pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për projekte të reja janë të parapara në masën 124 „investime në infrastrukturën për zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë dhe administrimit të ujit“ (18%), dhe për masën 121 „investime për modernizimin e bizneseve bujqësore“ (17%). Ndërkaq vetëm rreth 500.000 euro apo 3,6% janë mjete të planifikuara për masën 322 „ripërtërije dhe zhvillim i fshatit“ respektivisht më pak se 45% në krahasim me vitin 2018.

Fshatarët të pakënaqur nga pushteti lokal

Problemet në mjediset rurale në Maqedoni janë larg nevojave të qytetarëve, me çka një pjesë e madhe e popullsisë fshatare punën e pushtetit lokal e vlerëson si të pasuksesshme. Një pjesë e madhe e popullatës me status të ulët shoqëror është e koncentruar në rajonet jo mjaftë të zhvilluara dhe komunat rurale. Gjendja në fshatrat të cilat kanë larg shitore, shkollë, ambulancë është shumë më e ndryshme, që kontribuon ndaj krijimit të një forme karakteristike të ekskluzionit social, e cila është ende më e theksuar në ato fshatra tek të cilat nuk mund të arrihet për shkak të rrugës jo të mirë dhe të cilat nuk kanë qasje në transport publik.

Ndikimi i pushtetit lokal ndaj ngritjes dhe zgjidhjes së drejtpërdrejtë të problemeve vitale dhe nevojave të njerëzve në fshat është i vogël, respektivisht nuk janë arritur rezultate të konsiderueshme. Mesatarisht, popullsia e fshatit është më shumë e pakënaqur nga puna e pushtetit lokal në aspektin e krijimit të vendeve të reja të punës (52%). Ekziston ndërlidhje e fuqishme midis përkatësisë rajonale dhe zgjidhjes së problemeve lokale. Në rajonin verilindor mbi 82% të popullsisë së anketuar fshatare janë të pakënaqur nga puna e pushtetit lokal për gjetjen e zgjidhjeve për punësime të reja dhe sigurimit të qasjes në shërbime sociale (shkolla, çerdhe, ambulanca, shitore).

Çdo i treti nga qytetarët e anketuar në fshat (34%) nuk është aspak i përfshirë në zgjidhjen e problemeve, ndërsa 47% janë pjesërisht të përfshirë. Kjo tregon se popullsia fshatare ka qëndrim mjaftë vetëkritik në lidhje me pjesëmarrjen në zgjidhjen e problemeve të përditshme. Popullsia fshatare është e dëshpëruar, gjegjësisht kur i shpalosin problemet tek pushteti lokal ata nuk fitojnë ndihmë dhe shpesh i kaplon ndjenja e të qenit pashpresë dhe pa ndihmë. Që të jenë qytetarët të motivuar dhe të inkurajuar për pjesëmarrje ata duhet të fitojnë ndjenjën se ata mund të ndikojnë ndaj situatave dhe rrjedhës së aktiviteteve në nivelin lokal. Atyre duhet tu sigurohet mundësia ti shpalosin problemet të cilat i mundojnë dhe të njëjtat të trajtohen me kujdes.

Vetëm me angazhim – raport aktiv, popullsia fshatare mund të sigurojë pjesëmarrje të vërtetë në shprehjen demokratike dhe përmbushjen e interesave dhe nevojave të veta.

Nevojitet të formohen komuna të vogla

Maqedonisë i nevojitet politike e re rurale, si një pako gjithëpërfshirëse masash, me çka do të mund të krijohen kushte për një rikthim zhvillimor jo vetëm të fshatit por edhe tërë shoqërisë së Maqedonisë. Të gjitha masat e politikës rurale duhet të jenë të sinkronizuara në atë mënyrë që të mund të sigurojnë interesin ekonomik dhe social të popullatës fshatare.

Investimi në infrastrukturën fizike – ndërtimi i rrugëve rajonale dhe lokale, ndërtimi i sistemeve lokale për furnizim me ujë, kanalizimin dhe mbeturinat, përmirësimi i sistemit për furnizim me energji elektrike dhe telekomunikimet do ti bëjë mjediset rurale më tërheqëse për biznes, do ta ngrenë vlerën e tokës dhe do ta përmirësojnë cilësinë e jetesës në përgjithësi. Për këto investime autoritetet lokale duhet së pari tu japin përparësi nevojave lokale e pastaj të kërkojnë mënyrën se si të sillet investimi në komunitetin e tyre lokal dhe atë sa më shpejtë që është e mundur.

Jeta në mjediset rurale mund të përmirësohet nëse ekziston lidhje me mjediset urbane. Duhet të identifikohen rajonet e varfra në nivel lokal dhe të sigurohen mjete të posaçme për të njëjtat, me qëllim që të zhduket izolimi social.

Bartësit themelorë të zhvillimit të fshatit të periudhën vijuese duhet të jenë kooperativat, biznesi familjar i fshatit dhe popullata që jeton në fshat të jetë e organizuar në bashkësitë lokale dhe vetëqeverisje të vogla lokale.

Për tu mundësuar qëndrueshmëria demografike dhe sociale, duhet të ngritet iniciativa për zgjerimin institucional të kompetencave të komuniteteve lokale fshatare dhe formimin e komunave të vogla në rajonet kodrinorë-malore dhe ato kufitare.

Nevojitet, sipas Kushtetutës që të rishqyrtohen të gjitha zgjidhjet dhe masat sistematike të politikës ekonomike dhe sociale dhe të përcaktohen zgjidhjet specifike dhe masat e diferencuara në pajtim me kushtet konkrete në rajonet e veçanta rurale, llojet e vendbanimeve dhe llojet e amvisërive.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose ta merrni përmbajtjen.
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozitat e Institutit për studime komunikologjike e as të donatorit.

Како да се препознаат депресивните адолесценти?
Дефекти на руралната политика во Македонија
 

Коментари

Моментално нема коментари. Биди прв со својот коменат!
Анонимен
Петок, 24 Мај 2019
  • Блогирај +

    Приклучете се кон тимот соработници и предложете тема или испратeте текст, со Ваша фотографија и куса биографија на info@iks.edu.mk.Повеќе

  • Насоки +

    Текстовите треба да имаат помеѓу 900 и 1300 зборови и да бидат напишани во куси пасуси, во разбирлив и неформален стил. Повеќе

  • Преземи +

    Содржината на блогот е слободна за споделување и читателите можат да оставаат разумни и конструктивни коментари на блоговите. Повеќе

  • 1

Следете не