fbpx
 

Kriza e “multilateralizmit” dhe Ballkani Perëndimor

МК  SR

d-r Alfred Marleku

Shkëndijat e fundit në rendin ndërkombëtar e bëjnë të paqartë agjendën për integrime euroatlantike të rajonit e cila paraqet kusht tejet të rëndësishëm për stabilitet afatgjatë të Ballkanit Perëndimor. Pa marrë parasysh faktin se kohëve të fundit u manifestuan shenja pozitive, siç është zgjidhja e kontestit me emrin të Maqedonisë, kjo prapëseprapë nuk do të thotë se është tejkaluar ngërçi në të cilin gjendet rajoni.

Në një intervistë për revistën “Der Spiegel” ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass, flet hapur për domosdoshmërinë e ndërtimit të një “aleance të re të multilateralistëve”. Kjo aleancë duhet të ketë për qëllim primar mbrojtën dhe avancimin e rendit liberal ndërkombëtar, kornizat e të cilit janë etabluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Zgjerimi i tij, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ishte një arritje historike. Mirëpo, ky rend sot po minohet nga shumë shtete. Refuzimi i parimeve që e mirëmbajnë atë është bërë qëndrim konstant nga shtete si Kina dhe Rusia të cilat insistojnë në rishikimin e tij. 

Krijimi i këtij rendi ka qenë rezultat ekskluziv i politikës së jashtme amerikane. Krijimi i shtyllave bazike të tij mundësuan promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, ekonomisë së tregut, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive të vendeve me përcaktim demokratik. Motivi për afirmim i këtyre aspiratave të përbashkëta ndikoi në ndërtimin e një sërë institucionesh multilaterale si: NATO, UE etj. Strukturën bazike të këtij rendi e karakterizonte veprimi i mbështetur në rregullat e përbashkëta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. 

Integrimi në kuadër të kësaj ombrelle institucionale ofronte përfitime të shumëfishta për shtetet anëtare. Bie fjala, rindërtimi i shumë prej shteteve të Evropës paraqet vetëm disa nga shembujt e mundësive historike që posedon operimi sipas parimeve të përbashkëta demokratike dhe liberale. Sipas revistës së njohur, “The Foreign Affairs”, thelbi i kësaj doktrine bazohej në afirmimin e vlerës së “kooperimit mbi atë të konkurrencës”.

Mirëpo, aktualisht ajo që paraqet një traumë serioze, sipas Ministrit të Jashtëm Gjerman, është gatishmëria e Presidentit Trump për të abdikuar nga përgjegjësia për mbrojtën e këtij rendi ndërkombëtar multilateral. Në këtë drejtim, “për Trump-in, ShBA-të nuk janë më fuqi udhëheqëse në mesin e demokracive liberale. Ai më shumë përfaqëson unilateralizimin. Andaj, përgjigja jonë e vetme është një Evropë e bashkuar dhe sovrane me më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet”.

Në këtë frymë ishte edhe Kancelarja Angela Merkel kur pati deklaruar se ka kaluar koha kur evropianët bazoheshin në të tjerët për sigurinë e tyre, prandaj ka ardhur koha që “ne evropianët ta marrim fatin në duart tona”. Natyrisht, ky vullnet politik i Gjermanisë për të garantuar stabilitetin e UE-së kushtëzohet edhe nga dinamikat ekonomike të këtij shteti. Ekonomia e tij e zhvilluar është e varur më shumë se asnjë shteti tjetër në eksporte. Andaj, asgjë nuk shkakton më shumë kokëçarje për Berlinin se sa potencialet për destabilitet të UE-së. Frika është shtuar sidomos pas BREXIT, sepse Britania përbën tregun e katërt të prodhimeve gjermane.

Domosdoshmëria për të menaxhuar si tensionet e brendshme, politike, sociale dhe ekonomike të nxitura nga forcimi i lëvizjeve populiste mbi premisa të një nacionalizimi nativist që po intensifikohen gjatë viteve të fundit në vendet e BE-së, është bërë burim i paqartësive dhe konfuzionit të përgjithshëm. Kjo situatë ka ndikuar që të shtohen përpjekjet për kompletimin e infrastrukturës së sigurisë në nivel evropian. Në funksion të kësaj objektive kanë nisur një sërë iniciativash që kanë për qëllim formimin e bazave të një ushtrie të ardhshme evropiane. Për të konfirmuar seriozitetin evropian ndaj “euroskeptimzimit britanik dhe atlanticizimit amerikan”, me 10 janar 2019 Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, deklaroj se “ushtria e Evropës tashmë është duke marr formë”. Kurse më 22 janar Gjermania dhe Franca nënshkrua traktatin e Aachen-it, duke premtuar “zhvillimin, koherencën dhe kredibilitetin e Evropës në sferën ushtarake”. A do të kenë sukses këto iniciativa mbetet të shihet. Deri më tani, siç ka potencuar prestigjiozja britanike, “The Ekonomist”, “mjerisht evropianet duken më të mirë në prodhimin e burokracive se sa të batalioneve”.

Burim: nrt24.ru

Ambiciet e këtij projekti, siç e thekson Ministri i Jashtëm Gjerman, duhet të jenë globale. Shtetet si Gjermania, Franca dhe Kanadaja, të braktisura nga roli udhëheqës i SHBA-së, duhet ta kompensojnë këtë vakum dhe t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në kuadër të një aleance të re, e cila vazhdon ta çmoj ende fuqinë e ligjit dhe rregullat e përbashkëta, kundër një skene ndërkombëtare që më shumë mbështetet në marrjen e vendimeve bazuar në fuqi dhe unilateralizëm.

Integrimi i paqartë i Ballkanit Perëndimor

Kjo “ndarje e perëndimit” mund të ketë implikime serioze politike në zona fragjile gjeopolitike sikur se është rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja integruese euroatlantike e gjashtë shteteve të kësaj hapësire që përfshinë: Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. 

Këto vende, meqë aspirojnë të jenë pjesë e këtij rendi, janë kushtëzuar të ndërmarrin një sërë reformash institucionale me qëllim që të integrohen në kuadër të mekanizmave multilateral si: NATO dhe UE. Natyrisht këto procese janë të ndara, por politikisht prodhojnë efekt unik. Fillimisht ka ndodhur integrimi në NATO, si hap i mëvonshëm për integrim në UE. Duke u bazuar në këtë logjikë ka ndodhur integrimi në NATO i Shqipërisë, Malit të Zi, tani edhe nënshkrimi i protokollit për Maqedoninë. Deri ne tani jashtë këtij procesi kanë mbetur vetëm Serbia, Bosnja dhe Kosova.

Mirëpo, fërkimet e fundit në rendin ndërkombëtar në mes të ShBA-ve dhe aleatëve perëndimor, që kryesisht lidhen me kërkesën nga Presidenti Trump që secili shtet të paguaj pjesën kërkuar për sigurinë që merr nga mekanizmat multilateral të sigurisë, e bëjnë të paqartë agjendën integruese euroatlantike të rajonit gjë e cila paraqet një kusht të domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë në rajon. Andaj edhe mbetet e paqartë se ka po shkon rajoni.

Pa marrë parasysh se disa shenja pozitive u manifestuan kohëve e fundit, sikur se është zgjidhja e kontestit për emrin e Maqedonisë. Prapëseprapë kjo nuk do të thotë se është tejkaluar ngërçi ku ndodhet rajoni. Njëra prej temave më të nxehta vazhdon mbetet domosdoshmëria e arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ta përmbyllur ciklin e konfliktit ndërmjet dy vendeve. Çdo stagnim në këtë drejtim, e stopon procesin integrues të tyre.

Strategjia e BE-së për zgjerim e definon qartë obligimin që kanë Kosova dhe Serbia për të arritur një marrëveshje obligative ligjore si kusht për procesin e mëtutjeshëm të integrimit. Ndërkohë, tensionet e fundit ndërmjet dy vendeve që lidhen me mos-heqjen e taksës 100% nga ana e Kosovës për mallrat e importuara nga Serbia, janë duke vështirësuar tej mase perspektiven e një marrëveshje të tillë. Arritja e një marrëveshje në mes të këtyre vendeve bëhet edhe më e komplikuar kur kihet parasysh se ky është vit zgjedhor në UE dhe, si rezultat, të gjitha palët janë në presion kohor.

Edhe pse bartëse e këtij procesi është UE-ja, po bëhet gjithnjë e më qartë së këtij mekanizmi i mungojnë potencialet e plota për ta shtyrë këtë agjendë përpara për shkak të mos-pajtueshmërisë në mes të shteteve të UE-së për modalitetin e arritjes së marrëveshjes potenciale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në njërën anë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbështet idenë që të arrihet një marrëveshje me çdo kusht, qoftë edhe nëse në të përfshihet ndryshimi i territoreve. Mirëpo, në anën tjetër, shteti më i fuqishëm brenda UE-së, Gjermania, konsideron se arritja e një marrëveshjeje është e preferueshme, por ndryshimi potencial i territoreve do të përbente rrezik dhe cenim të sigurisë për tërë rajonin. Fatkeqësisht këto tensione po ndodhin në kohën kur janë intensifikuar edhe negociatat për zgjidhjen e çështjes së njohjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, shihet hapur se nëse mungon një reagim koherent politik dhe diplomatik i vendeve perëndimore në mbështetje të këtij procesi, atëherë në vend të zgjidhjes dinamikat politike mund të kenë karakter prapakthyes për rajonin. Sot rajoni ka mbetur ndërmjet retorikës për integrim nga zyrtarët e UE-së dhe mungesës së masave konkrete për përshpejtim të këtij synimi.

SHBA-të ka kohë që janë të zëna me vatra tjera të krizave ndërkombëtare. Kurse UE-ja nuk është duke demonstruar vullnet adekuat për ta përshpejtuar rrugëtimin e këtyre vendeve drejt saj. Gjermania, nëpërmjet Kancelarës Merkel, që kohë më parë kishte inauguruar “Procesin e Berlinit” – si një iniciativë diplomatike dhe ekonomike për stimuluar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet reformave të brendshme – duket sikur është zmbrapsur nga kjo ambicie. Kurse, Franca e ka bërë të qartë se është kundër politikës së zgjerimit të UE-së përderisa ky entitetet nuk i zgjidh problemet e veta të brendshme. Ndërkaq, Britania, një faktor deri më tani vendimtar për rajonin, është zhytur në krizë politike për shkak të BREXIT-it.

Rruga e shndërrimit të UE-së në faktor serioz global dëshmohet edhe nga aftësia e saj për ta trajtuar me seriozitet perspektiven integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse ajo do të dështoj në këtë drejtim, atëherë retorika vendeve kryesore të UE-së për t’u shndërruar në bartëse të rendit multilateral do të jetë vetëm iluzion. Duke i mbajtur në pritje të pafund gjashtë vendet e rajonit para dyerve të saj, kjo hapësirë mund të bëhen cak i aktorëve tjerë gjeopolitik si Rusia dhe Kina, që do të kishin mundësi ta sfidonin UE-në para dyerve të saj duke e shtrirë ndikimin dhe prezencën e tyre eventuale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.

Kriza „multilateralizma“ i Zapadni Balkan
Криза на „мултилатерализмот“ и Западниот Балкан
 

Коментари

Моментално нема коментари. Биди прв со својот коменат!
Анонимен
Среда, 21 Август 2019
  • Блогирај +

    Приклучете се кон тимот соработници и предложете тема или испратeте текст, со Ваша фотографија и куса биографија на info@iks.edu.mk.Повеќе

  • Насоки +

    Текстовите треба да имаат помеѓу 900 и 1300 зборови и да бидат напишани во куси пасуси, во разбирлив и неформален стил. Повеќе

  • Преземи +

    Содржината на блогот е слободна за споделување и читателите можат да оставаат разумни и конструктивни коментари на блоговите. Повеќе

  • 1

Следете не