fbpx
 

Vetëm një kandidat i pavarur mund të jetë president i suksesshëm

prof. d-r Svetomir Shkariq

svetomir skarik 200x250Pavarësia e kandidatit është parakusht për kryerjen e suksesshme të funksionit të presidentit. Ajo është në vend të parë ndërsa në vend të dytë janë dituria dhe përvoja politike e kandidatit. Pavarësia duhet të jetë së paku në nivelin e presidentit Kiro Gligorov, nëse dëshirojmë të kemi shef të dobishëm të shtetit në periudhën vijuese. Dhe anasjelltas, pa shkallë të tillë të pavarësisë, kandidati i zgjedhur mund të shndërrohet lehtë në aktivist partiak, me gatishmëri të futet në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, gjithmonë kur atë do t’ia imponojë partia e cila i ka dhënë përkrahje në zgjedhje. Kjo është e qartë në mënyrë të kristaltë nga mandati dhjetëvjeçar i presidentit aktual, nga keqbërjet e të cilit vështirë se do të mund të dilet në fund për një kohë të gjatë.

Të gjitha partitë dëshirojnë që kandidatët e pavarur t’i vënë nën kontrollin e vet, në qoftë se ata zyrtarisht kërkojnë përkrahje partiake. Prandaj i promovojnë në mënyrë glamuroze si kandidatë të vetë nëpër kongrese apo konventa partiake, duke dashur t’ia bëjnë me dije opinionit se bëhet fjalë për kandidat të tyre, pa marrë parasysh që kandidati ka mbledhur edhe numrin e nevojshëm të nënshkrimeve nga qytetarët. Pa rezervë përfshihen në fushatën zgjedhore me tërë potencialin kadrovik dhe nuk zgjedhin mjete për fitore të kandidatit të tyre. Pas zgjedhjes, kandidati bëhet peng i tyre në funksionin presidencial, pa mundësi që t’i shmanget shtrëngimit partiak dhe rrethimit partiak. Në vend të parë është partia, ndërsa në të dytin kandidati.

Çdo parti dëshiron ta vë kandidatin nën kontrollin e vet

Ndodh një dramë e vërtetë midis partisë nga njëra, dhe kandidatit që dëshiron të jetë personalitet i pavarur, nga ana tjetër. Ajo është e dukshme nga biseda midis Kiro Gligorovit dhe Stojan Andovit, të bërë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1994. “Mjaft e kam më nga ai përvetësim i çuditshëm të drejtuar ndaj meje, posaçërisht nga udhëheqësia e LSDM-së. Të të them haptazi, disa gjëra nuk mund ti duroj më. Në vitin 1992, kur përgatitesha për atë samitin e njohur të Bashkësisë Evropiane (BE) në Lisbonë, i munduar nga shumë pasiguri, dëgjoj në radio se çfarë ka thënë Branko Cërvenkovski në ndonjë tubim në Shtip. Ai, domethënë, paska thënë se presidenti Gligorov është investimi më i madh i LSDM-së. Ajo thellë më ka fyer. Mendova në vete: çfarë investimi mund të jem unë në moshën 72 vjeçare? Çfarë më tepër duhet unë të mësoj të re nga ata? Atë deklaratë e përbiva disi, edhe pse mendoja se është e thënë që të më bëhet me dije se unë jam investim i dikujt dhe duhet të mbaj llogari për atë, respektivisht të jem i dëgjueshëm“ thotë Stojan Andov për atë në librin e vet „Deri në atentatin dhe pas tij“.

Ky është një shembull i rrallë ku kandidati dëshiron ta mbrojë pavarësinë e vet dhe kur më shumë llogarit në vetveten, se sa për funksionin e presidentit. Në momente kyç, pavarësi treguan edhe Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski. I pari gjatë konfliktit luftarak të vitit 2001, ndërsa i dyti gjatë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2005. E shfrytëzuan edhe të drejtën e vetos suspenduese kundër ligjeve të miratuara nga deputetët të cilat ishin të zgjedhura në sajë të propozimit të partive të tyre. Rasti me pavarësinë e presidentit aktual është tragjikomik. Gjatë fushatës për mandatin e parë të vitit 2009, para opinionit deklarohej si kandidat i pavarur, ndërsa pas zgjedhjes për kryetar menjëherë u shkri në partinë. Hoqi dorë nga ekipi i këshilltarëve, Kabinetin tërësisht ia la në dorë partisë dhe nuk përdori asnjë veto për një periudhë prej tetë vitesh, edhe pse u miratuan shumë ligje jo-kushtetuese. Ndjehej i kënaqur që është president sipas masës së partisë dhe që përmes keqpërdorimit të funksionit mund ti mbrojë krimet e saj, në konflikt me ligjet dhe opozitën. Gjatë mandatit të tij të dytë vendi mbeti edhe pa shtet edhe pa president.

Xhonatan Svift ka të drejtë kur pohon se vlerat morale të kandidatëve të cilët garojnë për funksione publike janë më të rëndësishme se sa shkalla e arsimimit të tyre dhe përvoja e fituar. Ajo duhet të kihet parasysh kur vlerësohet pavarësia e kandidatëve aktual për funksionin e presidentit: “Gabimet që bëhen me motive të ndershme nga mosdija, kurrë nuk kanë pasoja aq fatale për të mirën e përgjithshme, siç ka dinakëria e një shkapërderdhës i cili disponon me mundësi të gjera që ti kryejë, ti shumëzojë dhe ti mbrojë keqbërjet e veta“.

Presidenti duhet të qëndrojë mbi partitë

Presidenti është një institucion i sofistikuar i cili zë vendin e vet edhe në qeverisjen shtetërore edhe në shoqërinë civile. Përmes tij vijnë në shprehje edhe uniteti i shtetit edhe uniteti i kombit. Për atë shkak, të drejtat dhe obligimet e presidentit kanë karakter ligjor, politik dhe moral. Ka edhe rol arbitrar kur trazohen raportet midis organeve të shtetit dhe kur shoqëria bie në krizë më të thellë.

Bëhet fjalë për një specifikë “pushtet presidencial” i cili nuk mund të futet tërësisht në kornizat e ndarjes së pushtetit në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ai nuk i përket vetëm njërit prej tyre, e as nuk lidhet vetëm me një lëmi të shoqërisë. Është prezent në të tri degët e pushtetit, e më shumë në atë ekzekutiv, për shkak të karakterit individual të funksionit presidencial. Me të tria degët e pushtetit nuk garon, por edhe nuk e kufizon punën e tyre. Përkundrazi, me to bashkëpunon dhe në tërësi i respekton autorizimet e tyre. Është e gabuar kur pushteti presidencial trajtohet ekskluzivisht si pjesë e pushtetit ekzekutiv. Trajtimi i tillë është i papranueshëm, posaçërisht kur bëhet fjalë për republikë parlamentare.

Pushteti presidencial mund të kontrollohet nga pushtetet tjera sipas formulës së Monteskjesë, por edhe ai mund ti ndalojë ato dhe të ndikojë ndaj punës së tyre. Kjo bëhet me veto suspenduese dhe me një varg instrumente të tjera të cilat i ka në dispozicion. Është shumë e rëndësishme që ndalja të realizohet në një mënyrë e cila nuk krijon përshtypje se pushteti presidencial përzihet në pushtetet tjera apo se dëshiron ti barazojë me zero. Presidenti nuk është i nënshtruar asnjërit nga pushteteve, por as nuk qëndron mbi to si tutor.

Ajo që është me rëndësi të veçantë për funksionin e presidentit është “roli arbitrar” i presidentit, i cili nuk është prerazi e shënuar në Kushtetutën, por nuk është as në kundërshtim me të. Nëse është autoritet i pakontestueshëm, atëherë ai mund të ndikojë ndaj të tre pushteteve, ta balancojë punën e tyre, ti qetësojë pasionet e tyre dhe të ndikojë që kontestet ti zgjidhin me mjete ligjore, e jo me arbitraritet. Atë mund ta bëjë në mënyrë të suksesshme vetëm në qoftë se pushteti i tij është „neutral“, respektivisht nëse pozicionohet mbi partitë, nëse vepron në sajë të paanshmërisë dhe nëse nuk është pjesë e trazirave politike në shoqërinë. Nëse pozicionohet në atë mënyrë, atëherë pushteti presidencial mund të jetë „moderator“, respektivisht pushtet i cili bashkon dhe i cili mundëson që funksioni i presidentit të ngritet në nivel të “kryeveprës së rregullimit politik“.

Pushteti neutral është i mundur vetëm në qoftë se presidenti ka integritet moral të pakontestueshëm, nëse disponon me përvojë të pasur politike dhe nëse shpreh tolerancë ndaj opozitës. Personaliteti i tillë nuk e do mashtrimin, nuk e duron gënjeshtrën dhe nuk shërbehet me hipokrizi. Nuk pranon të bëhet rishtar i asnjë faktori nga vendi apo nga jashtë. Më të rëndësishme e ka të mirën publike, sesa privilegjet të cilat ia ofron funksioni i presidentit.

Deri të një profil të tillë të presidenti arrihet vështirë. Megjithatë, mund të arrihet, në qoftë se ndiqet shembulli i Zhelu Zhelevit, i zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta në vitin 1992 për president të Bullgarisë. Ai e pranoi kandidaturën nën kushte të caktuara, të vendosura nga ai personalisht. Ajo shihet nga Letra e hapur që e dërgoi deri tek organet e Aleancës së forcave demokratike të cilat vendosën ta kandidojnë për president të Bullgarisë në zgjedhjet e drejtpërdrejta në Janar të vitit 1992.

Në letrën kërkoi që pas zgjedhjes të jetë personalitet i pavarur dhe të mos jetë peng i partisë politike e cila e përkrah gjatë zgjedhjeve: „Kandidat për president mund të promovojë ndonjë organizatë politike, por menjëherë pas zgjedhjes ai është i detyruar ti shpreh interesat e tërë popullit. Është absurde që secila kërkesë e kandidatit të obligohet apo ti premtojë një partie të caktuar politike se do ta përkrahë vetëm atë, se do të jetë peng i saj dhe se ndaj të tjerave do të sillet i ndaj elementeve të huaja. Askush që e konsideron veten për njeri nuk mund atë ta pranojë “.

Letra është dërguar 45 ditë para fillimit të zgjedhjeve presidenciale, si ultimatum për partinë e cila e propozon. Në raundin e dytë, të mbajtur më 19 Janar të vitit 1992, Zhelu Zhelev zgjidhet si president i Bullgarisë me 44,63 përqind të votave përballë 30,44 përqind të Velko Vëllkanovit kandidat i Partisë socialiste bullgare. Tërhoqi numër më të madh votash pasi që para zgjedhjeve ka kërkuar nga partia ta trajtojnë si kandidat të pavarur, duke refuzuar të jetë nëpunës i thjeshtë shtetëror, si Akakie Akakieviç, njeriu i cili është ndjerë si shërbyes në tregimin “Shinellla” e Nikollaj Vasileviç Gogolit.

Do të kishte qenë e dëshirueshme që kandidatët e tanishëm për funksionin presidencial të veprojnë ngjashëm me Zhelevin. Le të urdhërojnë publikisht të obligohen se pas zgjedhjes do të jenë persona të pavarur dhe se nuk do të jenë rishtarë partiakë, si presidenti aktual. Ajo mund të jetë e dobishme me kusht që të mos shërbehen me mashtrim të trupit votues. Banorët e Liliput-it e kanë konsideruar mashtrimin për vepër më të rëndë se vjedhja dhe kanë parashikuar dënim me vdekje për mashtruesit. E kanë ditur se ndershmëria në shoqëri nuk mund të mbrohet nëse funksionarët publikë janë mashtrues apo njerëz tinëzarë.

Presidenti është funksionar i zgjedhur, e jo përfaqësues i qytetarëve

Presidenti është shef i shtetit. Nga ajo pozitë kujdeset për qytetarët, ka qasje në punën e institucioneve publike, komandon me forcat e armatosura dhe mban llogari për sigurinë e shtetit. Në mënyrë simbolike konsiderohet si baba apo nënë e kombit. Ajo është e trashëguar nga e kaluara, nga koha e monarkisë absolute, kur monarku ka qenë njëkohësisht edhe Zot edhe mbret edhe baba (Un Dieu, Un roi, Un pere). Vallë a nuk është kjo vërejtje serioze kur dikush vendos të garojë për funksionin e presidentit.

Duhet të dihet se është funksionari i parë shtetëror dhe „fytyrë“ e shtetit në vend edhe jashtë tij. Pushteti i tij është i personalizuar, në suaza të kushtetutës dhe ligjeve. Prandaj lë ose nuk lë shenjë personale gjatë kohës së qeverisjes së tij. Ai është gjithmonë president, pavarësisht a është shfaqet publikisht apo privatisht. Ai asnjëherë nuk vepron inkognito.

Ai nuk është përfaqësues i qytetarëve, por është bartës i zgjedhur i funksionit shtetëror. E përfaqëson shtetin, e jo qytetarët e tij. Fakti që zgjedhjet nga qytetarët nuk e bën të jetë përfaqësues i tyre, pasi me zgjedhje të drejtpërdrejtë nuk ndryshohet karakteri i funksionit të tij, e as nuk ndryshohen kuptimi dhe qëllimet e ingerencave të tij. Prandaj, nuk është e rëndësishme se a e zgjedhin qytetarët apo deputetët e Kuvendit.

Përfaqësues i vetëm i qytetarëve është shtëpia ligjdhënëse. Në të janë të përfaqësuar të gjithë qytetarët, përmes deputetëve të shumicës parlamentare dhe të opozitës. Kuvendi është përfaqësues i tërë trupit votues. Ai është shprehje e tërë interesave të qytetarëve. Pas presidentit qëndron vullneti i vetëm një pjese të trupit votues. Sipas kësaj, presidenti aktual gabon kur e matë legjitimitetin e tij në Kuvend, duke e potencuar faktin se në zgjedhjet e fundit presidenciale ka fituar 535.000 vota.

Ka gabuar edhe Napoleon Bonaparta kur në vitin 1814 para kuvendit francez ka pohuar se ka legjitimitet më të fortë se legjitimiteti i deputetëve: „A jeni ju përfaqësues të popullit? Jo. Unë katër herë e kam thirrur kombin dhe katër herë i kam fituar votat e katër milionë njerëzve. Unë e kam titullarin e legjitimitetit, ndërsa ju nuk e keni. Ju jeni vetëm përfaqësues të departamenteve të perandorisë“.

Fryma e Napoleonit sundon edhe në Pallatin në Vodno. Në vend se të veprojë si funksionar i zgjedhur shtetëror, presidenti sillet si përfaqësues i qytetarëve. Garon me Kuvendin dhe e kufizon veprimtarinë e tij. Si rezultat i asaj, veton suspenduese e transformon në veto absolute. E bën atë që nuk e bëjnë monarkët, e as presidentët më të pushtetshëm se ai. Mbi së gjithash, nuk i nënshkruan as dekretet e ligjeve të cilat miratohen me shumicën prej dy të tretave të votave për të cilat Kushtetuta nuk parashikon veto.

Në këtë rast, arbitraritetin e presidentit mund ta ndal vetëm Kuvendi. Pas përmbushjes së kushteve për nënshkrimin e dekretit nga ana e presidentit, Kuvendi ka të drejtë „të sjellë vendim që ligjet e tilla të pezulluara të shpallen vetëm me nënshkrimin e kryetarit të shtëpisë ligjdhënëse“.

Vendimin për shpalljen e ligjeve të tilla duhet ta sjellë Kuvendi në seancë plenare, e jo folësi i kuvendit. Bëhet fjalë për mbrojtje të nevojshme të pushtetit ligjvënës, në kushte kur Gjykata kushtetuese nuk mund ta mbrojë shtëpinë ligjvënëse nga veprimet antikushtetuese dhe aktet e presidentit. Pushtetin personal të presidentit, Gjykata kushtetuese nuk mund ta ndërpresë me mjetet ligjore të cilat tani i ka në dispozicion, dhe as nuk mund t’i asgjësojë/anulojë pasojat e saj. Lëshimi nga viti 1991 mund të kompensohet vetëm me ndryshime të reja kushtetuese me të cilat të gjitha veprimet dhe aktet ligjore të presidentit do të vihen nën kontroll kushtetues-gjyqësor. Duhet të veprohet në mënyrë të njëjtë siç është vepruar me kontrollin kushtetues – gjyqësor të pushtetit presidencial në Bullgari.

Nëse, megjithatë nuk sigurohet census për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në atë rast duhet të krijohet bazë e re kushtetuese për zgjedhje të presidentit në Kuvend, me shumicën prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Me zgjedhje të atillë nuk do të ndryshojë karakteri i funksionit të presidentit. Modeli i tanishëm është bërë në sajë të propozimit të presidentit Gligorov. Pas largimit të tij modeli u bë joproduktiv, e kohëve të fundit edhe i padurueshëm për qytetarët dhe për demokracinë parlamentare.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i pasqyron pozitat e Institutit për studime të komunikimit e as të donatorit.

Мобингот како појава во македонското општество
Само независен кандидат може да биде успешен претс...
 

Коментари

Моментално нема коментари. Биди прв со својот коменат!
Анонимен
Недела, 21 Април 2019
  • Блогирај +

    Приклучете се кон тимот соработници и предложете тема или испратeте текст, со Ваша фотографија и куса биографија на info@iks.edu.mk.Повеќе

  • Насоки +

    Текстовите треба да имаат помеѓу 900 и 1300 зборови и да бидат напишани во куси пасуси, во разбирлив и неформален стил. Повеќе

  • Преземи +

    Содржината на блогот е слободна за споделување и читателите можат да оставаат разумни и конструктивни коментари на блоговите. Повеќе

  • 1

Следете не