fbpx

Kushtetuta në konflikt me pandeminë

Svetomir Shkariq

COVID-19

E Vërteta

04.11.20

Прегледи

Prof. Dr. Svetomir Shkariq

svetomir skarik 200x250Pandemia teston qëndrueshmërinë e së drejtës dhe cilësinë e tij, ndryshon mënyrën e funksionimit të autoriteteve qendrore dhe lokale dhe ngre të drejtën për jetë në nivel më të lartë se e drejta për liri, e drejta për privatësi dhe e drejta për religjion.

Gjendja e jashtëzakonshme disa mujore (mars-qershor 2020) nuk është përdorur si duhet - për të marrë masa për eliminimin e disa dukurive të këqija nga periudha e mëparshme, as nuk janë nxjerrë mësime të dobishme për të ardhmen e vendit. Nuk tregohet edhe gatishmëri e organeve të sapoformuara për sigurimin e vazhdimësisë midis masave të ndërmarra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe masave të ndërmarra pas ndërprerjes zyrtare të saj.

Mundësitë e humbura

Qeveria dështoi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të bëjë atë që Kuvendi nuk dëshiron ta bëjë në gjendje normale. Kishte mundësi me urdhëresat me fuqi ligji të zgjidhte çështje të shumta që e kanë rënduar shoqërinë maqedonase që nga pavarësia e shtetit maqedonas. Si organ ligjvënës, mund të ndërhynte në përmbajtjen e një numri të madh të ligjeve dhe t'i përshtatë të njëjtit me gjendjen e jashtëzakonshme, t'i pastrojë nga dispozitat iracionale dhe në kolizion dhe t'i përshtatë ato me kushtet e reja. Me urdhëresat me fuqi ligji, mund tu mundësonte gjykatave të funksionojnë online, para pandemisë t'i vendosë gjykatat në izolim. Gjithashtu mund të zgjeronte bazat e gjykimit, duke hapur mundësi për gjykim në bazë të drejtësisë, duke krijuar kështu drejtësi gjyqësore më të gjerë (ligj intuitiv).

Qeveria gjithashtu shmangu të anulojë edhe privilegjet e padurueshme në kushte të pandemisë. E dinte se cilat privilegje gëzonin presidentët e mëparshëm të Republikës, relativisht të rinj dhe të aftë për punë. Njërin e mbron partia në pushtet, ndërsa tjetrin opozita. Gjykata Kushtetuese gjithashtu i mbron, me atë që eviton të prononcohet për iniciativën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për të drejtat e Presidentit dhe familjes së tij të vitit 2004, i mbi ndërtuar me privilegje në vitin 2006. Kuvendi gjithashtu refuzon të shqyrtojë kërkesën e aktivistëve anti-korrupsion për shfuqizimin e ligjit në fjalë.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk është përdorur as për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve në organet shtetërore. Nuk është zvogëluar as numri i agjencive dhe komisioneve, numrin e të cilave askush nuk e di. Nuk janë hequr as privilegjet e anëtarëve të bordeve drejtuese të ndërmarrjeve publike, të rekrutuar nga radhët e partisë. Gjendja e jashtëzakonshme nuk preku as paratë e buxhetit të destinuara për financimin e instituteve partiake. Është lënë këtë ta bëjë dikush tjetër, pas ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Nuk janë nxjerrë as mësime të domosdoshme nga gjendja e jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme është vazhduar pesë herë, ndërkaq për këtë nuk ka as analizë as raport. Nuk është shkruar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet të ketë ndodhur. Publiku di pak për këtë. Kuvendi i ri nuk dëshiron madje as të diskutojë vendimet e kreut të shtetit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai madje nuk diskuton as për urdhëresat me fuqi ligji të Qeverisë, sikur ato të mos ekzistojnë. Kuvendi është i obliguar të debatojë, pavarësisht nga rezultati i votimit.

Urdhëresat me fuqi ligji edhe më tutje vlejnë, pavarësisht se gjendja e jashtëzakonshme është hequr. Ato do të jenë në fuqi derisa Kuvendi t'i shfuqizojë si akte ligjore. Befasues është fakti që qeveria e re nuk insiston në vazhdimësi, ajo heq dorë vullnetarisht prej tyre, megjithëse nuk duhet ta bëjë këtë. Opozita duhet ta thërrasë atë në përgjegjësi, për këtë. Ky do të ishte kontribut i rëndësishëm në forcimin e parimit të sundimit të së drejtës, në kushte kur gjendja e jashtëzakonshme zgjat si gjendje faktike dhe kur gjendja e tillë ka mbulim normativ në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ustavot vo sudir so pandemijataBurimi: sdk.mk

Kushtetuta ndryshon në kohë pandemie

Kushtetuta mund të mbetet e paprekur, siç është shkruar, por pëson ndryshime faktike, gradualisht duke u shndërruar në "kushtetutë faktike". Ndryshim faktik tashmë pësojnë vlerat themelore të rendit kushtetues - parimi i ndarjes së pushteteve dhe të drejtave dhe lirive të njeriut. Diskutohet parimi i dytë, por jo i pari, megjithëse përmbajtja dhe qëllimi i parimit të dytë varen kryesisht nga parimi i parë.

Në kushte pandemie, forcohet pushteti ekzekutiv. Kjo nuk duhet të na habisë. Pandemia nuk toleron diskutim pa veprim. Aktvendimi kundër dominimit të pushtetit ekzekutiv duhet të kërkohet në forcimin e rolit të Kuvendit në gjendje të jashtëzakonshme, siç parashikohet me Kushtetutë (neni 125). Duhet të parashihet edhe obligimi i Kuvendit të konfirmojë ose të refuzojë urdhëresat me fuqi ligji të Qeverisë. Kjo çështje nuk rregullohet me Kushtetutë. Ndoshta për shkak të kësaj, urdhëresat me fuqi ligji nuk mund të kalojnë rrugën deri në Kuvend.

Pandemia gjithashtu çrregullon ekuilibrin e brishtë midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Bilanci mund të përmirësohet përmes Ligjit për gjendje të jashtëzakonshme, nëse kontrolli parlamentar mbi Qeverinë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme rregullohet në mënyrë më të detajuar. Ligji duhet të miratohet sipas shembullit të Ligjit për gjendje të jashtëzakonshme të Mbretërisë së Bashkuar së Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore të vitit 2020.

Kufizime të reja

Kufizime gjithashtu vuajnë disa liri dhe të drejta, përmes vendosjes së obligimeve të reja. Kufizimet bëhen me Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, të miratuar nën presionin e valës së dytë të pandemisë. Ligji vendos obligimin për mbajtjen e maskës në ambient të hapur, mbajtjes së distancës, ndalimin e grupimit në shtëpi dhe në vende publike dhe izolimin e detyrueshëm të personit nga momenti i testimit deri në marrjen e rezultatit nga autoritetet shëndetësore. Kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe pacenueshmërisë së shtëpisë mbulohen nga Kushtetuta, në dispozitat të cilat parashikojnë të drejtën e ligjvënësit të kufizojë lëvizjen e njerëzve dhe të ndërhyjë në shtëpi nëse këtë e kërkon mbrojtja e shëndetit të njeriut (neni 26 dhe 27).

Ndalimi për grupime familjare është i diskutueshëm

Ndalimi i grupimit familjar mund të jetë i diskutueshëm. Një gjë është pacenueshmëria e shtëpisë, ndërsa diçka tjetër është pacenueshmëria e privatësisë së jetës familjare. Në rastin e parë, dikush mund të hyjë në shtëpinë e dikujt tjetër nëse këtë e imponon mbrojtja e shëndetit ose nëse duhet të zbulohet ose parandalohet vepër penale. Në rastin e dytë, Kushtetuta nuk parashikon një mundësi të tillë për ligjvënësin. Pandemia zbulon më qartë kolizionin midis dispozitave kushtetuese të përmendura, sesa që e bën këtë shkenca juridike.

Ligjvënësi nuk mund të kufizojë as lirinë e njeriut. Kushtetuta e kufizon lirinë vetëm në rastin e paraburgimit, dhe vetëm me vendim të gjykatës. Kushtetuta rregullon paraburgimin në detaje, sepse lirinë e njeriut e trajton si vlerë të paprekshme (neni 12). Ndërsa izolimi është kufizim i lirisë, që i ngjan paraburgimit. Për shkak të kësaj, kushtetutshmëria e saj mund të problematizohet. Në lidhje me këtë, mund të problematizohet edhe çështja se kush është përgjegjës për përcaktimin e izolimit - organ administrativ ose gjykata?

Edhe Kushtetuta është gjenerator i pandemisë. Në kundërshtim me Konventën Evropiane, lirinë për përkatësi fetare e trajton si nivel absolut, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel me të drejtën për jetë, ndalimin e torturës, trajtimin çnjerëzor dhe degradues dhe dënimin, si dhe natyrën ligjore të veprave penale dhe dënimeve.

Kuvendi duhet të punojë online

Kuvendi lehtë mund të përfundojë në karantinë nëse seancat nuk i mban online. Edhe nëse ka shumicë më të madhe, nuk do të funksionojë më, nëse kryetari i Kuvendit merr aktvendim nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, për izolim. Pa kryetar, Kuvendi nuk mund të funksionojë. Kushtetuta është e qartë - vetëm Presidenti konvokon seancat e Kuvendit.

Nuk ka pengesa kushtetuese që Kuvendi të punojë online. Kushtetuta nuk përmend praninë fizike të deputetëve. Madje nuk përmend as sallën plenare të Kuvendit. Flet për seancat e Kuvendit, pa specifikuar se ku mbahen ato (neni 66). Kuvendi mund të mbajë seanca jashtë ndërtesës së Kuvendit në Shkup, nëse këtë e imponojnë gjendja ushtarake ose gjendja e jashtëzakonshme. Mund të mbajë seanca edhe jashtë vendit, siç ishte rasti me parlamentet e disa vendeve gjatë Luftës së Parë Botërore.

Dy persona janë thelbësorë për mbajtjen e seancave online - Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Kryetari i Kuvendit. I pari autorizohet me Rregulloren e Kuvendit të miratojë akt për rregullimin teknik të online seancave të Kuvendit, ndërsa të dytin e autorizon Kushtetuta me aktin e tij të rregullojë mënyrën e informimit të publikut për punën e online - seancave. Ata gjithashtu kanë në dispozicion edhe Kanalin e Kuvendit në RTM. Krejtësisht e mjaftueshme që Kuvendi të mbrohet nga pasojat e pandemisë dhe të mos pushojë së punuari, siçndodhi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Në online seanca duhet të kalojnë edhe organet të tjera kolegiale në nivel qendror dhe lokal. Gjykatat mund të kalojnë pjesërisht, derisa të ndryshohen ligjet procedurale. Online gjykimi u përpunua në detaje në Konferencën e Ministrave të Drejtësisë të Këshillit të Evropës, mbajtur në Londër në vitin 2000. Që atëherë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim në Maqedoni, megjithëse Ministri Maqedonas i Drejtësisë gjithashtu mori pjesë në Konferencë.

Askush nuk e di se kur do të marrë fund pandemia. Nuk dihet edhe sa kohë do të duhet për të kapërcyer pasojat e pandemisë. E vetmja gjë që dihet është se bota po ndryshon, në një drejtim të panjohur. Flitet shumë për postmeridiumin - post-demokraci, post-parlamentarizëm dhe post-kapitalizëm. Nuk dëgjohet vetëm fjala më e dëshiruar - "postpandemi".

Derisa kjo fjalë të dëgjohet me zë të lartë - do të jetojmë me frikë për jetën dhe shëndetin tonë. Deri atëherë "Mbretëria e ligjit" e Ronald Dvorkin do të kërcënohet plotësisht nga "Perandoria e vrasësit të padukshëm". Në vend të "subjekte të së drejtës" dhe "jetë në drejtësi dhe me ndërmjetësim të së drejtës" bëhemi peng i pandemisë, të dënuar në izolim dhe karantinë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Svetomir Shkariq

Prof. Dr. Svetomir Shkariq lindi në Dojran në vitin 1941, në një familje fshatare. Shkollimin fillor e ka mbaruar në Dojran dhe në Gjevgjeli, dhe shkollën e mesme në Strumicë. Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, dhe mori gradën master dhe atë të doktoraturës në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, nën mentorimin e prof. Jovan Gjorgjeviq. Ai u zgjodh asistent i prof. Evgeni Dimitrov, dhe më pas si asistent profesor dhe profesor i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup. Ai ka qenë për vizitë studimore në Grenobël, Saporo dhe Tokio dhe ka zhvilluar një vizitë si profesor në Bordo. Ai ka dhënë leskione 15 vjet në Shkollën Politike “Josip Broz Tito” në Kumrovec, së bashku me Kiro Gligorov, Predrag Vranicki, Muhamed Filipoviq, Miat Shukoviq, Milojko Druloviq dhe Slavoj Zhizhek. Ai ka marrë pjesë në disa kongrese të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtën Kushtetues (L'AIDC), të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave Politike (IPSA) dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve për Paqen (IPRA). Punimet e paraqitura janë botuar në librin "Maqedonia në të gjitha kontinentet" (2000). Është autor i librave: Law, Force and Peace - Macedonia and Kosovo (2002), Democratic Elections in Macedonia 1990-2002 (2005), Interpretimi Shkencor - Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (2014) dhe E Drejta Kushtetuese, Botimi i tetë (2015). Ai për një kohë të gjatë ka punuar për librat shkollorë: "Teoritë politike - një epokë e re" dhe "E drejta kushtetuese e Bashkimit Evropian". Ai është duke përgatitur njëzet ese me rastin e 70 vjetorit të ekzistencës së Fakultetit të Drejtësisë "Justiniani i Parë " në Shkup (1951-2021). Përmes blogjeve, të drejtën kushtetuese e sjell më afër qytetarëve, pozitës dhe opozitës.