fbpx

A erdhi koha e Trump-it?

Svetlana Jovanovska

Politika

30.12.24

Прегледи

Amerika e Trump-it është një Amerikë me liri pa kufij në tregti dhe me taksa të larta të vendeve që duan t'i shesin Shteteve të Bashkuara. Kjo vlen edhe për vendet evropiane. Ideja e Trump-it është të çrregullojë Amerikën dhe të rivendosë udhëheqjen amerikane duke rivendosur identitetin amerikan dhe duke i dhënë fund emigracionit dhe duke deportuar miliona emigrantë që nuk kanë dokumente.

“Nuk ka asgjë të keqe me politikën e mbrojtjes së jashtme të Amerikës që nuk mund të kurohet me pak guxim. Amerika duhet të ndalojë së paguari për të mbrojtur vendet që mund të përballojnë të mbrojnë veten."

Këto fjalë janë shkruar në vitin 1987 në “New York Times”, nga 41-vjeçari i atëhershëm Donald Trump, një miliarder, i cili edhe në atë kohë shpallte në mënyrë diskrete ambiciet e tij politike, e pse jo edhe presidenciale. Ai lishte paguar 100,000 dollarë për këtë shkrim. Edhe në atë kohë, Trump besonte se bota liberale nuk ishte e drejtë ndaj Shteteve të Bashkuara. Për të, do të ishte më mirë që Shtetet e Bashkuara të çliroheshin nga detyrimet e tyre ndërkombëtare, të ndalonin angazhimin ushtarak në botë dhe t'i përkushtoheshin vetes.

Por ajo kohë nuk ishte koha e Trump-it. Për ata që janë të bindur se Trump nuk ka një axhendë reale dhe se dëshira e tij e vetme është të jetë në pushtet, këto fjalë të tij duhet të sjellin një dritë të re në analizat botërore. Trump e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe atij i duhet një mandat i dytë për të zbatuar politikat e tij.

Në intervistat e tij të mëparshme, në vitet '90, si dhe në një rubrikë në "New York Times", Trump përmendi me emër ato për të cilat Amerika nuk duhet të paguajë: Japoninë, Korenë e Jugut apo Kuvajtin. Në një intervistë  me Oprah Winfrey, ai thotë se Kuvajti duhet të paguajë 25 për qind të të ardhurave nga nafta, sepse falë Shteteve të Bashkuara, Kuvajti mund ta shesë atë. Shkurt, këto vende përdorin Amerikën dhe kjo nuk u kushton asgjë. "Taksoni vendet e pasura, jo Amerikën," thotë ai.

„Tarifa, është një fjalë aq e bukur“

Trumpi i ri nuk i ka harruar këto kërkesa apo dëshira, por dëshiron që Amerika të jetë e fuqishme (me sloganin e tij “America First”) në një mënyrë tjetër. Jo me bomba, por me tregti. “Tarifa është një fjalë kaq e bukur”, ndoshta ju kujtohet kur kishte thënë Trump gjatë fushatës. Ai nuk ka ndërmend të dërgojë gjeneralët dhe ushtarët në shtëpi. Sipas politikës së tij, ndërhyrjet ushtarake amerikane në botë, si ato në Afganistan apo Irak, duhet të hyjnë në histori, por ushtria duhet të mbetet aktive. Nëse është e nevojshme.

Strategjia e Trump-it është proteksionizmi ekonomik dhe nuk duhet pretenduar se kjo është një surprizë për askënd. Kjo do të thotë se administrata Trump do të vendosë tarifa të mëdha për mallrat e importuara. Plani i tij i propozuar përfshin tarifa prej 10-20% për të gjitha importet dhe 60% (dhe ndoshta më shumë) për mallrat kineze. Qëllimi është të zvogëlohet deficiti tregtar i SHBA-së dhe të nxitet prodhimi vendas.

Amerika e Trump-it është një Amerikë me liri pa kufij në tregti dhe taksa të larta të vendeve që duan t'i shesin SHBA-së. Kjo vlen edhe për vendet evropiane, për shembull, makinat gjermane të shitura në SHBA. Ideja e Trump-it është të bëjë derregullimin e Amerikës dhe të rivendosë udhëheqjen amerikane. Duke rivendosur identitetin amerikan dhe duke i dhënë fund emigracionit duke deportuar miliona emigrantë që nuk posedojnë dokumente.

Plani i ri tarifor i Trump-it për Evropën do të thotë se mallrat evropiane do të jenë më të shtrenjta dhe, me kalimin e kohës, importet e tyre në SHBA do të ulen. BE-ja pretendon se do të hakmerret dhe kjo do të çojë në një lloj lufte tregtare midis Kinës, SHBA-së dhe BE-së. Në atë luftë, Evropa do të duhet të gjejë vendin e saj dhe të mos ndahet mes lidhjeve ekonomike me Kinën dhe tensionit me Shtetet e Bashkuara.

Pyetja është nëse me kalimin e kohës çmimet do të përshtaten me ekonomitë lokale apo do të mbeten të larta. A do të ketë mungesë sigurie ekonomike në Evropë dhe a do të duhet të vuajë pasojat kolaterale të luftës tregtare globale? Këto janë pyetjet për të cilat Europa aktualisht nuk ka përgjigje dhe liderët e saj aktualisht nuk po tregojnë asnjë shenjë se do të përveshin mëngët për të mbrojtur kontinentin nga këto sfida.

Komisioni Evropian (KE), në Sekretariatin e Përgjithshëm, krijoi një grup të quajtur jozyrtarisht „Task Forca e Trump-it“ për të përgatitur, mbi të gjitha, nga pikëpamja tregtare, për ardhjen e presidentit të ri amerikan.

NATO

Trump nuk i ka harruar as aleatët evropianë dhe qysh në vitin 1987 ai vuri në dyshim pse Gjermania nuk po paguante sa duhet dhe pse Amerika duhet të ishte në krye të mbrojtjes evropiane.

Burimi: pixabay.com

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e uroi Trumpin për fitoren e merituar.

„ Kur presidenti i zgjedhur Trump të kthehet në detyrë më 20 janar, ai do të përshëndetet dhe kirëpritet nga një Aleancë më e fortë, më e gjerë dhe më e bashkuar. Dy të tretat e aleatëve tani shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre në mbrojtje, kurse shpenzimet dhe prodhimi i mbrojtjes po rriten në të gjithë Aleancën“, thotë Rutte në mesazhin e tij të urimit, sikur donte t`i thoshte Trump-it se situata është shumë më e mirë se sa ishte në mandatin e tij të parë në vitin 2016.

Në çdo rast, frika se Amerika e Trump-it do të largohet nga NATO nuk është shumë e besueshme, edhe kur Trump i përmend ato. Por ka shumë të ngjarë një lloj reforme në NATO, në të cilën, thënë thjesht, ata që paguajnë do të kenë më shumë mbështetje nga SHBA-ja.

Politiko“ citon Elbridge Colby, autor i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes së Trump, të ketë thënë se SHBA nuk mund të bëjë më shumë„10 herë më shumë se çfarë bëjnë gjermanët dhe ne duhet të jemi të përgatitur të jemi të ashpër me ta„“ dhe shton se është mirë që NATO të mbetet aktive, por ky institucion duhet të udhëheqë Evropën.

Shteti i së drejtës (sundimi i ligjit)

Ajo që duhet të na shqetësojë është përfundimi që shpall Trump në kontrollin e shtetit të së drejtës. Trump nuk ka hyrë ende në Shtëpinë e Bardhë dhe ne tashmë kemi një shembull elokuent se si do të dukej ndërhyrja amerikane në fushën e sundimit të ligjit. Shembulli vjen nga ministri i ri i Efiçencës së Qeverisë, Elon Musk.

Një gjykatë në Romë i ka dhënë një goditje strategjisë së diskutueshme të kryeministres italiane Giorgia Meloni për të zhvendosur emigrantët në Shqipëri. Përpjekja e parë, në tetor, përfshiu 12 emigrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti për t'u dërguar në Shqipëri, por u refuzua shpejt nga një gjykatë në Romë lidhur me përkufizimin e Italisë për vendet "të sigurta". Ligji italian lejon që emigrantë të caktuar të dërgohen në Shqipëri vetëm nëse vijnë nga vende “të sigurta”. Më pas, të hënën, më 11 nëntor, drejtësia italiane refuzoi ndalimin e 7 personave në qendrat e emigrantëve në Shqipëri dhe dërgoi çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Për herë të parë, gjyqtarët u përballën me një “tweet” të Meloni, e cila premtoi se do të bënte gjithçka për të përmbushur premtimin e dhënë ndaj votuesve. Por herën e dytë ka pasur një reagim nga ana tjetër e Atlantikut, nga ministri i ri i “efiçencës së qeverisë” të Donald Trump-it – Elon Musk. ipas tij, siç ka shkruar në platformën X – “Kjo është e papranueshme”. Musk pyeti gjithashtu nëse "populli i Italisë jeton në një demokraci apo një autokraci e pazgjedhur i merr vendimet?"

Për këtë ndërhyrje në politikën e brendshme kishte reaguar më 13 nëntor edhe presidenti italian Sergio Mattarella. “Kushdo – veçanërisht nëse po përgatitet, siç është paralajmëruar – të marrë një rol të rëndësishëm në qeverisjen e një vendi mik dhe aleat – duhet të respektojë sovranitetin) dhe nuk mund të japë mësime”, thuhet në mesazhin e Mattarella.

A duhet të shqetësohen BE-ja apo Maqedonia për ardhjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë? Shembulli i Italisë i jep një përgjigje pozitive kësaj pyetjeje. Ndërhyrja e Musk në shtetin e së drejtës në Itali është, me pak fjalë, e frikshme dhe e pazakontë.

Ballkani

Vendimet e Trump në dosjet e tjera botërore mund të sjellin ndryshime edhe në rajonin tonë. Dhe ata mund të forcojnë udhëheqësit nacionalistë të Ballkanit.

Në Serbi pati një shpërthim gëzimi mes mbështetësve të Vuçiqit për lajmin se Trump do të ulet në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas analizës së Këshillit Evropian të Punëve të Jashtme, administrata e re Trump-it do të ndryshojë qëndrimin amerikan ndaj rajonit në promovimin e interesave amerikane.

Kështu, Qeveria e Serbisë do të përpiqet të bashkëpunojë me administratën e re të Trump-it, me shpresën se do të ketë sukses në realizimin e planeve të Aleksandër Vuçiqit për shkëmbimin e territoreve me komunat serbe të Kosovës. Analiza kujton se kërcënimet nga Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani dhe i dërguari special i mandatit të parë të Trump në Kosovë, për tërheqjen e kontingjentit amerikan në forcën paqeruajtëse të KFOR-it ndihmuan gjithashtu në rrëzimin e qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020.

Analistët besojnë se Serbia mund të marrë "mbështetje të qartë politike“. Këtu mund të ndihmojë hungarezi Viktor Orban, i cili është partner i ngushtë i Serbisë dhe i afërt me Trump. Orbán mund të ushtrojë presion në Bruksel për të përshpejtuar procesin e pranimit të Serbisë, edhe pa përparim në dialogun me Kosovën. Heshtja e BE-së dhe SHBA-së ndaj protestave aktuale në Serbi mund të jetë një tregues i lëvizjeve të ardhshme të Trump në rajon.

Richard Grenell ka një firmë, së bashku me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, dhe ka në plan për një kompleks hotelesh luksoze në Beograd në vendin e Ministrisë së vjetër të Mbrojtjes Jugosllave.  Gjatë një vizite në Beograd në maj të vitit 2024, Kushner njoftoi zyrtarisht pjesëmarrjen e tij në projekt dhe u takua me Vuçiqin për të diskutuar planet e rizhvillimit. Këto përfshijnë një monument "kushtuar viktimave të agresionit të NATO-s".

Shqipëria ka miratuar dy projekte të vajzës dhe dhëndrit të Trump, në rajonin e Vjosa Nartës, për projekte të pasurive të paluajtshme luksoze me vlerë rreth 1.5 miliardë dollarë. Është një ishull në detin Mesdhe dhe Sazan, një ish-bazë ushtarake. Ambientalistët shqiptarë janë të shqetësuar dhe thonë se këto plane do të shkatërrojnë strehët e shpendëve dhe zonat ranore ku rriten dhe folezojnë breshkat e detit.

Në korrik, nacionalistët serbë në Bosnje dhe Hercegovinë miratuan Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb, me të cilën ata kërkojnë të anulojnë marrëveshjen e pas Dejtonit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të konfirmojnë Kosovën si të pandashme. pjesë e Serbisë.

Tani për tani, ne nuk shohim se Trump ka plane për Maqedoninë e Veriut. Politikanët tanë, përfshirë liderin e opozitës Venko Filipçe, i dërguan urime të përzemërta Trump pas zgjedhjes së tij.

Kështu, kryetarja Gordana Siljanovska Davkova shprehu besimin se "në periudhën e ardhshme partneriteti ynë strategjik do të përmirësohet dhe pasurohet dhe se SHBA-të do të ndihmojnë në përmbushjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë".

Kryeministri Kristijan Mickoski ka shkruar se fitorja e Trump është konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ai pret një thellim të partneritetit dhe bashkëpunimit tonë të fortë, veçanërisht në fushën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformave demokratike.

Pyetja kryesore për të cilën ende nuk ka përgjigje është nëse administrata e re e SHBA-së do të përfshihet në zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sipas intervistës për MIA të ish-ambasadorit të Maqedonisë në Uashington, Vasko Naumovski, synimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është stabilizimi i plotë i Ballkanit dhe integrimi i tij në BE, dhe të gjitha çështjet lidhur me këtë temë sigurisht që mund të jenë pjesë e lëvizjeve që do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara në këtë rajon në periudhën e ardhshme.

Me pak fjalë, administrata e Biden-it ndoshta ia doli të parandalonte kolapsin e shtetit boshnjak dhe një përshkallëzim të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës, që pa dyshim do të kishte një ndikim të madh edhe këtu. Megjithatë, me mandatin e ri të Trump në detyrë, kjo situatë e brishtë mund të përkeqësohet. Nga BE-ja pritet një angazhim më aktiv për stabilizimin përfundimtar të këtij rajoni dhe përshpejtimin e integrimit në BE të shteteve të Ballkanit. BE-ja nuk mund të vazhdojë të përsërisë se si zgjerimi është prioritet për të, pa ndërmarrë hapa konkretë.

Nuk ka dyshim se Ballkani nuk do të jetë prioritet i administratës së Donald Trump. Problemet me Kinën, Ukrainën apo Lindjen e Mesme do të hedhin hije mbi Ballkanin. Ky ishte rasti gjatë mandatit të mëparshëm të Trump, dhe deri më tani, nuk ka indikacione se kjo mund të ndryshojë.

Svetlana Jovanovska

Svetlana Jovanovska është gazetare dhe ka qenë korrespondente për një kohë të gjatë nga Brukseli për "Dnevnik" (1999-2011), "Deutsche Welle" (1994-2002), "Zëri i Amerikës" (2002-2007) dhe për ueb. portali "Nova TV" (2013 -2019). Jovanovska ishte edhe zëdhënëse e Misionit të Maqedonisë së Veriut në BE në Bruksel (2019-2022). Karrierën gazetareske e filloi në “Nova Makedonija” në vitin 1984 në Shkup, deri në vitin 1999 kur e vazhdoi karrierën në “Dnevnik”, gazeta e parë e pavarur në Maqedoni. Ajo është autore e analizave për disa organizata si Instituti i Maqedonisë për Shoqëri të Hapur, Raportimi i Institutit për Luftë dhe Paqe dhe portalin WAZ/EU Observer për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Jovanovska është fituese e Çmimit Special të Delegacionit të Komisionit Evropian për raportim nga institucionet evropiane nga Brukseli.