Ndërtimi i Interkoneksionit Jugor të gazit dhe paralajmërimet gjithnjë e më serioze se kompanitë amerikane mund të marrin përsipër disa projekte kyçe të infrastrukturës, siç janë pjesët e autostradës 5C, përfaqësojnë ndryshimin më të thellë gjeopolitik në Bosnjë dhe Hercegovinë në dhjetë vitet e fundit.
Në qendër të këtij procesi është pyetja se sa do të reduktohet ndikimi rus në Bosnjë dhe Hercegovinë kur vendi të marrë një burim alternativ gazi dhe kur kapitali amerikan të bëhet i pranishëm në infrastrukturën strategjike.
Bosnja dhe Hercegovina është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, i cili hyn në vend nëpërmjet tubacionit TurkStream dhe Serbisë. Kjo varësi ka qenë një instrument kyç i ndikimit rus në Bosnjë dhe Hercegovinë për vite me radhë, veçanërisht në strukturat politike që mbajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën. Sipas Institutit të Energjisë së Evropës Juglindore, Bosnja dhe Hercegovina kishte importuar 225.48 milionë metra kub gaz në vitin 2023, 100% nga Rusia.
Siç paralajmëron eksperti i energjisë Almir Beçarevië, Bosnja dhe Hercegovina është në një pozicion jashtëzakonisht të cenueshëm sepse ka “vetëm një interkoneksion, asnjë magazinim dhe asnjë mundësi për ridrejtim urgjent në burime të tjera”. Ai thekson se gazi “sigurisht që ekziston, por me çfarë çmimi”, dhe se çdo kufizim në blerjet nëpërmjet TurkStream do ta vendoste Bosnjën dhe Hercegovinën në pozicionin e “fundit në radhë”, gjë që do të çonte në rritje të reja të çmimeve.
Bosnja dhe Hercegovina një nga pikat më të cenueshme në Evropë
Sipas një analize ndërkombëtare nga Pipeline Technology Journal, Bosnja dhe Hercegovina është një nga vendet e pakta evropiane që nuk i diversifikoi burimet e saj pas pushtimit rus të Ukrainës, gjë që “i mundësoi Rusisë të ruante monopolin e saj të gazit në këtë vend”.
Kjo është arsyeja pse ekspertët ndërkombëtarë të energjisë kanë paralajmëruar prej vitesh se Bosnja dhe Hercegovina është një nga pikat më të cenueshme në Evropë kur bëhet fjalë për presionin energjetik nga Moska. Politokologu Hamza Karçiç thekson se Interkoneksioni Jugor do të “zvogëlonte varësinë energjetike nga Rusia dhe cenueshmërinë e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ndaj presionit politik nga Republika Srpska” dhe se projekti përfaqëson “një përgjigje strategjike amerikane ndaj ndikimit rus në rajon”.
Ambasada e SHBA-së në Sarajevë ka deklaruar hapur se Interkoneksioni Jugor është i vetmi projekt realist që mund ta nxjerrë Bosnjë dhe Hercegovinë nga varësia e saj e plotë nga gazi rus. Deklarata zyrtare nga Ambasada thotë se Interkoneksioni Jugor është “i vetmi projekt aktualisht i realizueshëm që do t’i mundësonte vendit t’i jepte fund varësisë së saj të plotë nga një burim i vetëm – Rusia” dhe se do të sillte “mijëra vende të reja pune dhe siguri afatgjatë energjitike”.
Diplomati amerikan John Ginkel paralajmëroi më tej se Bosnja dhe Hercegovina po hyn në një periudhë kritike.
“Bosnja dhe Hercegovina varet 100 për qind nga gazi rus dhe ky furnizim nuk është i besueshëm. BE-ja e ndalon gazin rus, Bullgaria e ndalon kalimin e tij deri në vitin 2028. Bosnja dhe Hercegovina do të ketë nevojë për një burim të ri gazi, kurse Interkoneksioni Jugor është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.”
Burimi: envato
Këto mesazhe tregojnë qartë se Uashingtoni e konsideron projektin strategjik, jo vetëm ekonomik. Sekretari i Energjisë i SHBA-së, Chris Wright, theksoi se investimi në Interkoneksionin Jugor është “çelësi për sigurinë afatgjatë të energjisë dhe për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus”, një nga deklaratat më të drejtpërdrejta nga një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me Bosnjën dhe Hercegovinën në kontekstin e ndikimit rus.
Në konferencën P TEC në Athinë, ministrat amerikanë Doug Burgum dhe Chris Wright paralajmëruan se “çdo ditë vonesë në Interkoneksionin Jugor rrit rrezikun për sigurinë energjetike të Bosnjës dhe Hercegovinës” dhe se “është koha për të arritur një kompromis dhe për të nisur projektin pa bllokime të mëtejshme”.
Goditje gjeopolitike ndaj ndikimit rus
Interkoneksioni Jugor është një goditje gjeopolitike ndaj ndikimit rus për disa arsye. Së pari, vendi do të fitonte akses në terminalin e LNG-së në Krk, që do të thotë se gazi nuk ka më pse të jetë rus – mund të jetë amerikan, katarian, algjerian ose norvegjez. Së dyti, kompanitë amerikane marrin një rol kyç në zhvillimin dhe menaxhimin e projektit, që do të thotë një prani afatgjatë amerikane në sektorin e energjisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe një zvogëlim të hapësirës për interesat energjetike ruse dhe serbe. Së treti, zvogëlimi i varësisë nga energjia zvogëlon automatikisht ndikimin politik të Moskës, e cila e ka përdorur gazin si një instrument presioni për vite me radhë, veçanërisht përmes strukturave në Republikën Srpska.
Pipeline Technology Journal rikujton se koncepti i Interkoneksionit Jugor u krijua pas ndërprerjes së furnizimit nga Rusia në vitin 2009, kur 100,000 familje në Bosnjë dhe Hercegovinë mbetën pa ngrohje për dy javë – gjë që tregoi se sa i ndjeshëm është vendi ndaj vendimeve ruse për energjinë.
Edhe pse më pak e përmendur në publik, përfshirja e mundshme e kompanive amerikane në ndërtimin e autostradës 5C në Bosnjë dhe Hercegovinë ka rëndësi të ngjashme gjeopolitike me tubacionin e gazit. Infrastruktura është një instrument ndikimi afatgjatë – kushdo që e ndërton atë, qëndron. Kompanitë amerikane si Bechtel janë tashmë thellësisht të përfshira në projektet e infrastrukturës në rajon, nga Kroacia deri në Maqedoninë e Veriut. Hyrja e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë do të thoshte një prani ekonomike afatgjatë për Shtetet e Bashkuara, duke forcuar lidhjet politike dhe duke zvogëluar hapësirën për investime kineze dhe ruse.
Rusia, qysh më parë ka paralajmëruar se do të “reagojë negativisht” ndaj përpjekjeve për të zvogëluar ndikimin e saj në energji në rajon. Ndërsa nuk priten masa të drejtpërdrejta, Moska mund të rrisë mbështetjen politike për aktorët e Bosnjës dhe Hercegovinës që kundërshtojnë Interkoneksionin Jugor, të përdorë kanalet mediatike dhe të propagandës për të destabilizuar projektin ose të ofrojë çmime më të favorshme të gazit për të ruajtur tregun. Megjithatë, në planin afatgjatë, humbja e një monopoli energjie është një goditje nga e cila është e vështirë të rikuperohet.
Rezistenca më e madhe ndaj projektit vjen nga strukturat politike që kanë marrëdhënie të ngushta me Moskën. Pipeline Technology Journal pohon se “kroatët e Bosnjës e kanë bllokuar projektin për vite me radhë, duke kërkuar një kompani të re me seli në Mostar”, e cila, sipas të njëjtit burim, “është kritikuar nga SHBA-të dhe BE-ja për kërcënimin e drejtpërdrejtë të sigurisë energjetike të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ruajtjen e monopolit rus”.
Zhdukja e monopolit rus
Administrata amerikane, sipas burimeve diplomatike, ushtroi presion të fortë për të miratuar ligjin, gjë që ndodhi në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025. Kjo tregon se Uashingtoni nuk dëshiron më që projektet strategjike të varen nga bllokimet politike lokale dhe se është gati të ndërhyjë drejtpërdrejt kur bëhet fjalë për çështje që i konsideron thelbësore për stabilitetin e rajonit.
Në afat të shkurtër, ndikimi rus në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të zhduket. Moska ende ka lidhje të forta politike në entitetin boshnjak të Republika Srpska, ndikim mediatik dhe interesa ekonomike në rajon. Megjithatë, në afat të mesëm dhe të gjatë, ndërtimi i Interkoenskionit Jugor dhe hyrja e kompanive amerikane në projekte infrastrukturore do ta zvogëlojë ndjeshëm ndikimin rus.
Kur gazi fillon të rrjedhë nëpër Kroaci, monopoli i energjisë i Rusisë zhduket, dhe bashkë me të edhe një instrument kyç i presionit politik. Nëse kompanitë amerikane marrin përsipër edhe autostradën, Bosnja dhe Hercegovina do të gjendet në një situatë ku SHBA-të ndërtojnë infrastrukturë kyçe të energjisë dhe transportit, ndërsa BE-ja financon shumicën e projekteve të tjera strategjike. Në një mjedis të tillë, ndikimi rus do të reduktohej në mesazhe simbolike dhe aleatë politikë, pa instrumente reale të presionit.
Ky proces nuk do të jetë i menjëhershëm, por do të jetë i pashmangshëm. Diversifikimi i energjisë dhe prania e infrastrukturës amerikane përfaqësojnë një ndryshim tektonik në ekuilibrin gjeopolitik në Bosnjë, kurse Rusia do ta ketë të vështirë të përshtatet me një realitet të ri në të cilin nuk mban më leva kyçe të fuqisë.
