fbpx

Kundërpërgjigja e nacionazmit të vaksinave

Sabin Selimi

COVID-19

Politika

17.05.21

Прегледи

Sabin Selimi

Sabin Selimi 400x500Nga ana tjetër, qeveritë priren të ndjekin interesat e tyre në vend që të ndjekin një qasje më të koordinuar globalisht.

Të gjithë në mbarë botën janë prekur thellësisht nga pandemia KOVID-19, e cila ka bërë kërdi. Qindra mijëra njerëz kanë humbur jetët e tyre. Dëmi ekonomik ka qenë po aq tragjik, duke lënë një numër të madh njerëzish të papunë dhe me mundësi për të shtyrë më shumë se 70 milion njerëz në varfëri ekstreme. Ekonomia botërore u gjunjëzua, duke krijuar një situatë që do ta ndjejmë për vite me radhë në të ardhmen.

Me zbulimin e vaksinave kundër KOVID-19 në një kohë rekord, ne menduam se përfundimisht po i shihet fundi pandemisë dhe në të vërtetë ishte një arsye për të festuar. Megjithatë, duke pasur parasysh se vendet e zhvilluara kanë marrë pjesën më të madhe të dozave për vendet e tyre, shumica e popullsisë së botës nuk do të ketë gjasë të imunizohet në vitin 2021, duke zgjatur kështu pasojat e KOVID-19.

Për njerëzit e vendeve të pasura, pyetja nuk është nëse ata do të marrin vaksinën, por cilën vaksinë dhe kur. Asnjë vend tjetër i Evropës nuk ka aq nevojë për vaksina sa kanë vendet e Ballkanit, përveç Serbisë. Përqindja e popullsisë që ka marrë vaksina në Serbi është ndër më të lartat në kontinent, me më shumë se një milion doza të siguruara nga Rusia dhe Kina. Është një avantazh për një vend kandidat për anëtarësim në BE, i cili në të njëjtën kohë është edhe një aleat historik i Rusisë dhe Kinës.

Vendet e tjera të Ballkanit vendosën të prisnin vaksinat dhe të mbështeteshin në solidaritetin e premtuar të BE-së, por që atëherë janë zhgënjyer. Do të duhen vite për të vaksinuar njerëzit që jetojnë në vendet në zhvillim. Kjo jo vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës për shpërndarjen e vaksinave. Por gjithashtu për shkak të mungesës së burimeve për të negociuar blerjen e vaksinave, e cila, nga ana tjetër, rrit pabarazitë socio-ekonomike dhe ato shëndetësore.

Por, a është një fenomen i ri nacionalizmi i vaksinave? Shkurt, jo.

Nacionalizmi i vaksinave nuk është i ri. Ai ka qenë pjesë e pabarazive prej kohësh në sistemin ndërkombëtar.

Por, çfarë është nacionalzmi i vaksinave?

Pandemia tashmë ka aktualizuar shprehje të reja që janë përdorur rrallë më parë në gjuhët tona: "distancimi social", "përputhja/barazimi i kurbës" dhe shumë të tjera. Tani ka një shprehje të re në përdorim: "nacionalizmi i vaksinave".

Nacionalizmi i vaksinave ndodh kur vendet nënshkruajnë marrëveshje me kompanitë farmaceutike për të furnizuar qytetarët e tyre me vaksina, përpara se ato të bëhen të disponueshme për pjesën tjetër të botës.

Shumë mbrapa në vitin 1996, barnat antivirale revolucionarizuan trajtimin e HIV/AIDS në botën e zhvilluar, duke shpëtuar shumë jetë. Sidoqoftë, u desh gati një dekadë që ilaçet të ishin në dispozicion gjerësisht në pjesët e tjera të botës si Afrika, kontinenti më i goditur. Gjithashtu, përvoja nga pandemia e gripit H1N1 në vitin 2009, fruthit dhe poliomelitit dhe shfaqja e koronavirusit të ri na mëson se duke iu përgjigjur krizave të tilla të shëndetit publik, qeveritë në të gjithë botën priren të ndjekin interesat e tyre kombëtarë në vend që të ndjekin një qasje më të koordinuar në përmasa globale.

Vakcinalniot nacionalizam go vozvraka udarotBurimi: ft.com

Ligjet që vendet e pasura hartojnë, ose përdorin, janë instrumente të përkeqësimit dhe rritjes së pabarazive globale - qofshin ato në tregti, ndryshime klimatike ose qasjen në kujdesin shëndetësor. Për shembull, vendet e pasura kanë refuzuar iniciativat në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për të hequr dorë nga mbrojtja tradicionale e pronës intelektuale për vendet në zhvillim për të bërë versione me çmime më të përballueshme të vaksinave. Ky është një qëndrim për të monopolizuar gjetjet/zbulimet nga kërkimet.

Pra, çfarë duhet bërë?

COVID-19 ka hedhur në sipërfaqe dy kontradikta. Nga njëra anë, njerëzimi është i ndërlidhur, dhe se gjithçka që ndodh në një vend ka lidhje me tërë njerëzimin. Nga ana tjetër, qeveritë priren të ndjekin interesat e tyre në vend që të ndjekin një qasje më të koordinuar globalisht.

Për virusin ka një ilaç, por a ka nacionalizëm për vaksinat?

Ka përpjekje si mekanizmi COVID-19 Vaccine Global Access Facility (COVAX) që përqendrohet në shpërndarjen e shpejtë, të drejtë dhe të barabartë të vaksinave. Këto janë nisma inkurajuese për të minimizuar nacionalizmin e vaksinave që të mos bëhet një pengesë për të luftuar KOVID-19, për shembull, përmes parandalimit thjesht të shitjes së vaksinave ofertuesit më të lartë.

Përtej domosdoshmërisë morale, burimet e pakta dhe fuqia negociuese do të zgjasin KOVID-19. Pandemia nuk do të kontrollohet derisa të kontrollohet kudo. Rreziqet shëndetësore në nivel global nënvlerësojnë nevojën për një veprim global kolektiv. Ky është një rrezik i madh për arritjet e jashtëzakonshme në uljen e varfërisë dhe promovimin e drejtësisë sociale në të gjithë globin gjatë dekadave të fundit.

Mes nacionalizmit që rreh gjoksin, rregulloret dhe masat e distancimit fizik do të vazhdojnë të ndikojnë negativisht në sektorët kryesorë të ekonomive në zhvillim, duke marrë parasysh se shumica e tyre mbështeten në distancën e afërt fizike midis njerëzve.

Gjithashtu, shumë nga kufizimet e udhëtimit që të gjithë do të donim të mos i shihnim më, si duket do të duhet të mbeten në fuqi. Tregtia globale do të vazhdojë të vuajë, me shumë vende që shohin interesat e brendshme duke mbajtur kufijtë e tyre të mbyllur. Disa nga vendet do të mbeten të pasigurta për të udhëtuar. Për t'i dhënë fund sagës pandemike dhe për të zbutur kaskadën e krizave me të, vaksinat duhet të jenë të disponueshme kudo, jo vetëm në ato vende që mund t'i sigurojnë.

Për më tepër, thirrja për qasje të barabartë shkon përtej barazisë midis vendeve. Fjala është gjithashtu për barazinë brenda vendeve. Vaksinat duhet t'u jepen së pari atyre që kanë më së shumti nevojë për to, respektivisht të moshuarve, punonjësve më të ekspozuar dhe punonjësve shëndetësorë, dhe njerëzve me probleme shëndetësore kronike dhe sëmundje të tjera të rënda. Vaksinat duhet të shkojnë atje ku është e nevojshme.

Investimi në qasje të drejtë për vaksina është ekonomikisht i dobishëm në planin afatgjatë pasi ka më shumë kuptim afarist dhe mund të formojë një bazë për rritjen e bashkëpunimit global. Një studim i Fondacionit për Kërkim të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) ka zbuluar se ekonomia globale do të humbasë deri në 9.2 trilionë dollarë nëse qeveritë nuk arrijnë t'ju sigurojnë ekonomive në zhvillimin qasjen në vaksinat kundër KOVID-19. Gjithashtu, vlerësimet tregojnë se kostoja e sigurimit të një vaksine për të gjithë është më pak se 1 përqind e kostos së parashikuar të pandemisë mbi ekonominë globale.

Dhe për ta mbajtur këtë të qëndrueshme, nevojiten korniza të zbatueshme për zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave. Në këtë mënyrë, vendet do të jenë të lidhura me një marrëveshje që do të menaxhohen nga forume të themeluara ndërkombëtare.

Për të qenë të qartë, ndërsa diskutimi për vaksinat duket se është e vetmja shpresë për t'u rikuperuar nga pandemia, ne nuk duhet të harrojmë masat po aq të rëndësishme - nga masat bazë të higjienës te përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe sistemet e mbështetjes sociale.

Nxitimi për të furnizuar me vaksina gjithashtu ka tendencë të konfirmojë perceptimet e vendeve në zhvillim sa i përket rendit global - domethënë, çdo vend lufton për vete, kurse institucionet ndërkombëtare janë të dobëta. Kjo rrezikon të minojë solidaritetin e mëtejshëm global kundër një krize globale dhe e bën të vështirë zbatimin e kornizave të përmendura më parë.

Përgjigja më e mundshme dhe me të vërtetë e arsyeshme ndaj pandemisë është shpëtimi i jetës dhe zbatimi i shumë masave të nevojshme ad hoc për të trajtuar pasojat ekonomike dhe sociale nga virusi. Sidoqoftë, sfida shpesh është mungesë e vëmendjes ndaj një krize në një mënyrë më sistematike në një perspektivë afatmesme dhe afatgjatë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sabin Selimi

Sabin Selimi punon për organizatën zvicerane të zhvillimit, Helvetas, si menaxher i komunikimit në programin rajonal të quajtur RECONOMY, financuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim. Më parë, ai ka punuar në role këshilluese komunikimi në sektorin publik dhe projekte të financuara ndërkombëtarisht, me përvojë në Ballkan. Si një studiues Chevening, ai mori një Master Shkencor në Politikën Publike Ndërkombëtare nga University College London. Si përfitues i Bursave Presidenciale, ai mori një diplomë bachelor në Ekonomi dhe Studime Ndërkombëtare nga Universiteti Amerikan në Uashington, DC.