Në një rajon ku konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha është intensifikuar, pasiviteti evropian përkthehet në rrezik gjeopolitik dhe në zvogëlim të peshës strategjike të BE-së.
Tashmë është fakt i ditur se sistemi ndërkombëtar po ndryshon me shpejtësi. Fuqitë e mëdha po rivendosin zonat e tyre të kontrollit dhe ndikimit, duke sfiduar rendin liberal ndërkombëtar që ishte karakteristikë e raporteve ndër-shtetërore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Koncepti dhe institucionalizimi i “sferave të influencës”
Koncepti i “sferës së influencës” nënkupton përpjekjen e një shteti, që zakonisht është fuqi e madhe, për të shpallur një hapësirë gjeografike si zonë ekskluzive, mbi të cilën ai shtet synon të ushtroj ndikim të konsiderueshëm politik, ekonomik apo ushtarak. Ky ndikim jo rrallë aplikohet në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus ndërkombëtar.
Ky koncept ka rrënjë të thella historike. Në Kongresin e Vjenës (1815), fuqitë evropiane krijuan një balancë për të ruajtur paqen pas rënies së Napoleonit, duke ndarë në mënyrë joformale territoret në zona ndikimi. Më vonë, gjatë rënies së Perandorisë Osmane, këto fuqi i konsideruan territoret osmane si hapësira që mund të ndaheshin mes tyre sipas interesave, shpesh duke injoruar vullnetin e popujve vendas. Mirëpo, koncepti i “sferave të influencës” u definua formalisht gjatë Konferencës së Berlinit (1884–1885), ku fuqitë koloniale evropiane ndanë Afrikën pa konsultuar aspak popujt afrikanë. Megjithatë, ky koncept ishte prezent në marrëdhëniet ndërkombëtare edhe më parë, veçanërisht që nga viti 1823, kur ShBA-ja adoptoi si pjesë të politikës së saj të jashtme “Doktrinën Monroe”, e cila dënonte çdo ndërhyrje koloniale evropiane në Amerikën Latine dhe në Amerikën e Veriut.
Kjo doktrinë u bë praktikë e zakonshme e shteteve të fuqishme gjatë Luftës së Ftohtë. Bota u nda në dy blloqe antagoniste. Në njërën anë rreshtoheshin shtetet kapitaliste të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kurse në anën tjetër ishin vendet komuniste që drejtoheshin nga Bashkimi Sovjetik. Ndërhyrjet që në atë periudhë ndodhën në disa vende të globit, si ajo e ish-BRSS-së në Hungari (1956) dhe Çekosllovaki (1968), apo e ShBA-së në Grenada (1983) dhe Panama (1989), ishin pasojë direkte e logjikës së ruajtjes së sferave përkatëse të interesit nga dy superfuqitë e asaj kohe. Në këtë periudhë, sovraniteti i vendeve të vogla ishte shpesh thjesht një formalitet.
Burimi: freepik.com
Pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik pati një optimizëm naiv se bota po hynte në një periudhë post-hegjemonike, në përputhje me parashikimin e Francis Fukuyama-s për “fundin e historisë”, ku demokracia liberale dhe kapitalizmi perëndimor do të përfaqësonin modelin përfundimtar të rendit botëror dhe ku institucionet si Kombet e Bashkuara, NATO-ja, Organizata Botërore e Tregtisë, Bashkimi Evropian apo Banka Botërore do të siguronin një sistem të qëndrueshëm bashkëpunimi dhe integrimi. Megjithatë, ngjarjet e dy dekadave të fundit tregojnë se kjo shpresë nuk u realizua plotësisht.
Efekti Trump në rikthimin e “sferave të influencës”
Rikthimi i Donald Trump solli një qasje krejtësisht tjetër në politikën ndërkombëtare amerikane. Ai, duke u mbështetur në një politikë të jashtme të inspiruar nga parimi “Amerika e Para”, largoi ShBA-në nga disa institucione multilaterale dhe përdori një gjuhë të ashpër transaksionale në marrëdhëniet me aleatët. Deklaratat e tij për blerjen e ishullit të Grenlandës, pretendimi për “rikthimin” e Kanalit të Panamasë nën kontrollin amerikan apo besimi se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i ShBA-së, tregojnë për rikthimin e konceptit të “sferave të influencës” si një mekanizëm legjitim të politikës së jashtme të shteteve.
Ky ndryshim dramatik në politikën e jashtme të një shteti demokratik si ShBA-të ka krijuar një precedent duke inkurajuar edhe shtete të tjera, sidomos ato jo demokratike dhe me ambicie revizioniste, si Rusia dhe Kina, të rrisin ndikimin e tyre në rajone të ndryshme. Kjo gjë ka nxitur një garë të re për dominim rajonal dhe rikthimin e logjikës së sferave të influencës në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos ndërmjet superfuqive globale.
Në këtë kontekst, aneksimi i Krimesë (2014), ndërhyrja në Gjeorgji (2008) dhe pushtimi i Ukrainës (2022) dëshmojnë se Putin e sheh hapësirën postsovjetike si pjesë të natyrshme të influencës së Rusisë. Duke përdorur konceptin “Russkiy Mir” (Botës Ruse), ai legjitimon përdorimin e forcës për të bashkuar territorialisht një komunitet të përcaktuar nga gjuha dhe historia e përbashkët.
Për Putinin, ky projekt nuk është vetëm strategjik, por edhe ideologjik dhe kulturor. Ai përpiqet të paraqesë Rusinë si një fuqi civilizuese e cila ka misionin të mbroj rusët etnikë dhe folësit e gjuhës ruse jashtë kufijve të saj aktual. Kjo narrativë justifikon ndërhyrje të armatosura dhe destabilizim të rajoneve fqinje, duke minuar tërësinë territoriale të shteteve sovrane dhe duke sfiduar rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë. Për më tepër, përdorimi i mjeteve hibride – si dezinformimi, lufta kibernetike dhe ndikimi përmes elitave politike – e bën strategjinë ruse edhe më të sofistikuar dhe të rrezikshme për stabilitetin e përgjithshëm në kontinentin europian.
Në anën tjetër, Kina nën Presidentin Xi Jinping ka ndjekur një strategji më sistematike dhe afatgjatë. Nisma “Një rrip, Një rrugë” ka krijuar një varësi ekonomike përmes investimeve infrastrukturore në më shumë se 150 vende të botës. Përveç kësaj, Kina ka shtuar praninë ushtarake në Detin e Kinës Jugore dhe ka rritur presionin mbi Tajvanin, duke e konsideruar atë pjesë të domosdoshme të territorit kinez. Ky ndikim ekonomik ka prodhuar një varësi të dukshme edhe në rajone periferike si Ballkani.
Ballkani në qendër të vëmendjes
Ky rikthim në logjikën e sferave të influencës është shenjë e krizës së rendit liberal ndërkombëtar duke krijuar një klimë pasigurie dhe paqartësie të madhe gjeopolitike. Në këtë kontekst, rajoni i Ballkanit, i vendosur në një pikë strategjike mes Lindjes dhe Perëndimit, po shndërrohet në një zonë sensitive midis fuqive globale që kërkojnë të zgjerojnë sferat e tyre të influencës. Rusia përdor lidhjet historike, fetare dhe kulturore me Serbinë për të ruajtur një prani të qëndrueshme në rajon, përmes mediave, kishës ortodokse dhe strukturave të tjera. Kina, në anën tjetër, ka intensifikuar angazhimin ekonomik përmes investimeve të mëdha infrastrukturore dhe dhënies së kredive të buta që krijojnë varësi të ndërsjellë, siç u pa në rastin e Malit të Zi me projektin e autostradës që rrezikoi falimentimin e shtetit. Gjithashtu, Turqia ka thelluar ndikimin e saj përmes Diyanet-it, projekteve të bashkëpunimit kulturor dhe rolit të saj në çështjet religjioze në vendet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Në kontrast me këto dinamika ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, megjithëse në parim përkrah integrimin e Ballkanit Perëndimor, ka dhënë sinjale të përziera dhe e ka zvarritur procesin e zgjerimit. Kjo e ka bërë BE-në të duket e pavendosur dhe jo gjithmonë e besueshme në sytë e vendeve të rajonit. Proceset burokratike të stërzgjatura dhe mungesa e angazhimit strategjik kanë lënë hapësirë për aktorë të tjerë të huaj që të rrisin ndikimin e tyre. Në një rajon ku konkurrenca ndërmjet fuqive të mëdha është intensifikuar, pasiviteti evropian përkthehet në rrezik gjeopolitik dhe në zvogëlim të peshës strategjike të BE-së.
Një rend i ri i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm
Rikthimi i doktrinës gjeopolitike ku zgjerimi i sferave të interesit konsiderohet jetik për shtetet e fuqishme shënon një kthim në një botë më të polarizuar, më të rrezikshme dhe më pak të parashikueshme. Me politikën e tyre të jashtme, si Presidenti i SHBA-së Trump, ashtu edhe liderët e Kinës dhe Rusisë, kanë vënë në lëvizje një mekanizëm rivalitetesh ku marrëdhëniet ndërmjet shteteve përkufizohen më shumë nga konkurrenca për dominim dhe më pak nga bashkëpunimi.
Ky ndryshim po e shtyn sistemin ndërkombëtar drejt një forme më të decentralizuar, ku fuqitë e mëdha veprojnë në mënyrë unilaterale për të garantuar interesat e tyre strategjike, shpesh në dëm të stabilitetit dhe sovranitetit të vendeve më të vogla.
