fbpx
 

Eksplorimi i hapësirës si “domosdoshmëri strategjike”

Alfred Marleku

alfred marleku200x250Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit teknologjike dhe potencialin konkret të shteteve dhe kompanive private, duket se politik-bërësit, shtetet dhe studiuesit e së drejtës ndërkombëtare të hapësirës duhet ta konsiderojnë si domosdoshmëri strategjike dhe nevojë imediate përditësimin dhe avancimin e kësaj fushe të së drejtës me qëllim që hapësira të vazhdoj të konsiderohet si potencial zhvillimor për të gjithë njerëzimin edhe në 50 vjetet e ardhshme.

Avancimet në shkencë dhe teknologji çdo herë janë përdorur nga shtetet si mjete për të shtrirë ndikimin dhe promovuar interesat tyre, duke eksploruar dhe eksploatuar territore të reja me qëllim të konsolidimit të sovranitetit dhe rritjes së potencialit për të projektuar fuqi. Nga e drejta ndërkombëtare dihet se shtetet nuk e ushtrojnë sovranitetin vetëm në territorin e tyre tokësor dhe ujor, por edhe hapësira ajrore është pjesë territoriale e shtetit. Mirëpo, sa më shumë janë rritur kapacitetet teknologjike, shtetet kanë rritur aftësitë e tyre për të eksploruar dhe shfrytëzuar hapësirën. Pika kulminante ishte arritur me shkuarjen e njeriut në hënë, më 1969, që në të njëjtën kohë shënon edhe avantazhin teknologjik dhe ideologjik të ShBA-së kundër BRSS. Sot, 51 vjet pas kësaj ngjarje, ka filluar një epokë e re e eksplorimit të hapësirës. Ajo po shihet si fushëbeteja e së ardhmes së afërt. Por, kësaj radhe nuk janë vetëm aktorët shtetëror që kanë pretendime, por edhe ata jo shtetëror nga sektori privat synojnë të luajnë rolin e vet.

Përdorimi kryesor i hapësirës në këto 51 vjetet e fundit është fokusuar, kryesisht, për nevoja të komunikimit, krijimit të mundësive të transmetimit dhe navigimit. Kjo është realizuar përmes lansimit dhe përdorimit të satelitëve të ndryshëm. Vlerësohet se aktualisht në hapësirë operojnë mbi 2,000 satelitë të ndryshëm. Mirëpo, kohëve të fundit, hapësira po rikthehen në skenën politike, duke u konsideruar si një nga fushat ku shtetet e zhvilluara ekonomikisht, me ndikim në nivel global, duan të investojnë. Në këtë drejtim, Presidenti Trup kishte deklaruar se ShBA-të dhe NASA nuk duhet të shohim vetëm mundësitë që, deri më 2024, thjeshtë të rikthehen në Hënë, por të fokusohen në gjëra më të mëdha ku përfshihet edhe shkuarja në planetë tjera si Marsi. Kurse, në anën tjetër, autoritetet kineze janë duke planifikuar se deri më 2035 të dërgojnë njerëz në Hënë.

Hapësira si potencial ushtarak i shteteve

Përveç kësaj, çfarë është më e rëndësishme, hapësira po shihet nga shtetet e zhvilluara si potencial ushtarak i përshtatshmen. Presidenti amerikan, Donald Trump, disa herë kishte shpjeguar planet e tij për të themeluar “Forcat Hapësinore” (Space Force). Në fund të vitit 2019 ai konkretizoj këtë projekt duke nënshkruar “Aktin e Autorizuar të Sigurisë Kombëtare 2020” (2020 National Defense Authorization Act), ku sugjerohet konkretisht që të themelohen Forcat Hapësinore Amerikane (US Space Force – USSF), si degën e gjashtë e forcave të armatosura. Ai këtë veprim e konsideroj të rëndësisë jetike për të ardhmen e shtetit amerikan, për këtë arsyeje e definoj edhe si “domosdoshmëri strategjike”.

Një gjë të ngjashme e kishte shprehur edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili në paradën ushtarake, të mbajtur me 14 korrik 2019, kishte shpallur formimin e një komande të re të hapësirës. Sipas tij, për t’i dhënë substancë kësaj doktrine dhe në mënyrë që të garantojmë konsolidimin e kapaciteteve tona hapësinore, fillimisht do të krijohet një komandë hapësinore në mënyrë që pastaj kjo të transformohet në “Forca Hapësinore dhe Ajrore”. As Kina, apo edhe India, nuk dëshirojnë të mbesin prapa në këtë drejtim. Edhe këto shtete janë duke investuar resurse të konsiderueshme financiare, teknologjike dhe humane për të ndërtuar dhe lansuar në hapësirë satelitë me funksione dhe qëllime ushtarake. Vetëm gjatë vitit 2018 Kina kishte realizuar 25 lansime të suksesshme në hapësirë. Se sa e rëndësishme konsiderohet hapësira për Kinën dëshmon edhe definimi të cilin kësaj të fundit ja japin në “Strategjinë Ushtarake të Kinës”. Aty hapësira konceptohet si potencial i jashtëzakonshëm që do të mundësonte shtetit Kinez “lartësi të reja komanduese në një konkurrencë strategjike”.

Burim: new.asgsr.org

Hapësira si mundësi biznesi për sektorin privat

Mirëpo, zhvillmi më interesant, sa i përket hapësirës si mundësi për eksplorimi, është investimi i sektorit privat në këtë fushë. Duket se hapësira sot shihet edhe si mundësi biznesi e përfitimi, përveç se potencial ushtarak e strategjik. Të dhënat tregojnë se nga viti 1959 deri më 2009 gati të gjitha shpenzimet dhe eksplorimet e bëra në hapësirë janë realizuar nga institucionet shtetërore, kryesisht ato amerikane. Është me rendësi të theksohet se, në 10 vjetet e fundit, investimet nga sektori privat në projekte hapësinore janë rritur dukshëm, duke përberë 15% të të gjithë investimeve që sot realizohen në hapësirë. Në këtë drejtim, projekti i Elon Musk, SpaceX, vetëm vitin e fundit (2019) ka realizuar 21 lansime të suksesshme të satelitëve në vlerë prej 33 miliard dollar. E themeluar në 2002, misioni i SpaceX është t’ju mundësoj njerëzve të bëhen një civilizim hapësinor dhe specie multi-planetare duke ndërtuar një qytet të vetë-qëndrueshëm në planetin Mars. Në lexim të parë tingëllon si fanta-shkencë. Por, në fakt, ky nuk është projekti i vetëm në këtë fushë që ndërmerret nga një iniciativë dhe kompani private. Një multi-miliarder tjetër i mirënjohur, themelues i kompanisë Amazon, Jeff Bezos, në baza vjetore ndan nga pasuria e tij rreth 1 miliard dollar dhe i investon ato në projektin e tij hapësinor Blue Origin. Vizioni i këtij projekti është që, në të ardhmen, t’ju mundësoj njerëzve që të jetojnë dhe të punojnë në hapësirë.

Domosdoshmëria e avancimit të së drejtës ndërkombëtare të hapësirës

Mbështetur në këto të dhëna, duket se hapësira për disa kompani private paraqet një mundësi të mirë për investim dhe për përfitim, duke krijuar kështu një industri të tërë hapësinore. Në anën tjetër, vëmendja e shteteve për eksplorime të reja është rritur gjithashtu. Por, derisa iniciativat private synojnë të shfrytëzojnë mundësinë, kryesisht, për t’ju mundësuar njerëzve të pasur të udhëtojnë në hapësirë, shtetet e shohin atë si mundësi për të avancuar kapacitetet ushtarake, përmes së cilës do të mund të projektonin fuqinë e tyre, jo vetëm në tokë por edhe përtej saj. Andaj, duke u përballë më këto zhvillime, konsiderohet e domosdoshme normimi i kësaj fushe me qëllim të krijimit të një infrastrukture të përshtatshme dhe të përditësuar ligjore që do të rregullonte operimin në hapësirë. Aktualisht kjo fushë rregullohet përmes “Traktatit të Hapësirës” (The Outer Space Treaty), i cili ka hyrë në fuqi në vitin 1967 dhe shërben si një kornizë bazike duke ofruar disa parime themelore për të drejtën ndërkombëtare të hapësirës si: eksplorimi dhe përdorimi i hapësirës duhet të bëhet për benefit dhe interes të të gjitha shteteve dhe duhet të jetë provincë e të gjithë njerëzimit; hapësira duhet të jetë e lirë për eksplorim dhe përdorim për të gjitha shtetet; hapësira nuk mund të jetë subjekt i përvetësimit nacional duke pretenduar sovranitet dhe duke përdorur mjetet për ta pushtuar atë; shtetet duhet të jenë përgjegjëse për aktivitetet hapësinore nacionale, qofshin ato të kryera nga institucione qeveritare ose edhe joqeveritare; shtetet do të jenë përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga objektet e tyre hapësinore; dhe shtetet duhet të shmangin ndotjen e dëmshme të hapësirës dhe trupave tjerë qiellorë. Siç edhe mund të shihet, të gjitha këto parime fokusin kryesor e kanë në rregullimin e sjelljes së shteteve në operimet e tyre që i kanë, apo potencialisht i ndërmarrin, në eksplorimin e hapësirës. Por, këto parime nuk trajtojnë aspekte sa i përket normimit dhe rregullimit të sjelljeve të cilat kompanitë private mund t’i ndërmarrin në hapësirë. Është e qartë, këto parime do të mund të adaptoheshin dhe zbatoheshin edhe për këto kompani, sidomos ato që fokusohen në eksplorimin hapësinor në të mirë dhe për përfitim të të gjithë njerëzimit, megjithatë duket se ekziston vakum evident në këtë drejtim.

Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit teknologjike dhe potencialin konkret të shteteve dhe kompanive private, duket se politik-bërësit, shtetet dhe studiuesit e së drejtës ndërkombëtare të hapësirës duhet ta konsiderojnë si domosdoshmëri strategjike dhe nevojë imediate përditësimin dhe avancimin e kësaj fushe të së drejtës me qëllim që hapësira të vazhdoj të konsiderohet si potencial zhvillimor për të gjithë njerëzimin edhe në 50 vjetet e ardhshme.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose para se të merrni përmbajtjen
Vërejtje: Mendimet dhe qëndrimet e këtij shkrimi janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozicionet e Institutit për studime komunikuese e as të donatorit.

Пластична кеса? Не, благодарам!
Истражувањето на вселената како „стратешка неопход...
 

Коментари

Моментално нема коментари. Биди прв со својот коменат!
Анонимен
Петок, 03 Април 2020
  • Блогирај +

    Приклучете се кон тимот соработници и предложете тема или испратeте текст, со Ваша фотографија и куса биографија на info@iks.edu.mk.Повеќе

  • Насоки +

    Текстовите треба да имаат помеѓу 900 и 1300 зборови и да бидат напишани во куси пасуси, во разбирлив и неформален стил. Повеќе

  • Преземи +

    Содржината на блогот е слободна за споделување и читателите можат да оставаат разумни и конструктивни коментари на блоговите. Повеќе

  • 1

Следете не