Teknologjia luan rol të rëndësishëm në përhapjen e informacioneve, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për ngritje të vetëdijes publike apo thirrje për aksion. Tani, për dallim prej para dhjetë apo njëzet vitesh, është shumë më e lehtë të ndahet informacioni me një grup më të madh përmes postës elektronike apo Twitter-it, të grumbullohen njerëz në ngjarje përmes Facebook-ut apo të nënshkruhet peticion në change.org. Mjetet digjitale në disponim (internet, telefonat celularë, mediet sociale etj.) ofrojnë mundësi pothuajse të pakufizuara për tu përfshirë aktivistët në proceset e ndryshimeve sociale dhe/ose politike, respektivisht për të ashtuquajturin aktivizëm digjital.
Përse të përdorni mjete digjitale?
Mjetet digjitale kanë një sërë avantazhe, por ja 7 arsyeje se për çfarë ti përdorni në aksionin tuaj të radhës për ndryshim:
1. Dokumentim dhe kombinim
Mundësia më themelore e teknologjisë digjitale është të dokumentojë, respektivisht ta shndërrojë informacionin në format digjital, nga i cili mund të bëhet numër i pakufizuar i kopjeve. Krijimi i përmbajtjes, pa marrë parasysh a është ajo tekst, video, audio, përmbajtje vizuale etj. dhe përmirësimi dhe adaptimi i saj është i lehtësuar, dhe merr shumë më pak kohë dhe para.
Përveç kësaj, aplikacionet digjitale kanë aftësi ti orientojnë informacionet e papërpunuara në formë më të dobishme përmes grupimit ose ndërlidhjes me informacione të tjera në format të quajtur “mashup”.
2. Organizim/ rekrutim dhe ndërlidhje
Mjetet digjitale ndihmojnë për organizim më të mire të brendshëm përmes lehtësimit të komunikacionit. Ofrojnë mundësi për komunikim individual dhe në grup dhe i ulin harxhimet dhe kohën për regrutimin e ndjekësve të rinj dhe mbajtjen e atyre ekzistues. Mundësojnë lidhje dhe organizim jashtë kufijve të shtetit, e gjatë kësaj mund të krijohen rrjete edhe më të mëdha të përkrahësve.
3. Ko-krijim
Krijimi i planeve apo produkteve në të cilat janë të përfshirë një numër më i madh i individëve ose grupeve është i lehtësuar me shfrytëzimin e mjeteve digjitale. Proceset e këtilla kërkojnë shkëmbim të vazhdueshëm të informacioneve, aprovim dhe plotësim. Individë, të cilët ndodhen në pika të ndryshme gjeografike vështirë do të kishin mundur të punojnë në projekt apo aktivitet të njejtë pa përdorimin e internetit apo mjeteve digjitale.
4. Shkëmbimi i resurseve
Dërgimi dhe pranimi i informacioneve dhe/ose resurseve (parave) është tejet më i thjeshtë dhe më i shpejtë me përdorimin e teknologjisë digjitale. Largësia fizike tani më nuk është pengesë, e poashtu edhe koha e pritjes është reduktuar në mënyrë drastike. Grumbullimi i mjeteve për përkrahje të një aksioni të caktuar mundësohet duke falënderuar platformat e ndryshme për “crowdsourcing”.
5. Diskutim/ debat
Përfshirja e mendimeve të ndryshme dhe hapja e debatit për një çështje të caktuar është posaçërisht e rëndësishme gjatë përfaqësimit të ndryshimeve. Mediet sociale, për shembull, ofrojnë mundësi për përfshirje në debate dhe diskutime për çështje të caktuara, e gjatë kësaj mundësojnë qe mendimet e ndryshme të jenë të dëgjuara/shikuara nga palët e interesuara.
6. Shpërndarje në kohë reale
Mundësia për shpërndarje të informacionit në kohë reale është veçanërisht e rëndësishme gjatë organizimit të aktiviteteve për ndryshime sociale dhe/ose politike. Me ndihmën e teknologjisë dhe mjeteve teknologjike çdo individ ka mundësi të transmetojë informacion/ fotografi/ video nga një vend i caktuar në kohë reale.
7. Mbrojtje
Teknologjia digjitale jo vetëm që u ndihmon aktivistëve të punojnë së bashku, por edhe mund tu shërbejë si mbrojtje, duke u mundësuar ta anashkalojnë censurën apo ti shmangen mbikëqyrjes dhe ndjekjes.