fbpx

Amandamentet „qesharake“ janë një shuplakë për demokracinë parlamentare

Prof. Dr. Svetomir Shkariq

Svetomir Skaric 400x500Pushteti legjislativ ka bllokuar miratimin e njëzet ligjeve përmes mijëra amandamenteve të parashtruara nga ana e opozitës. Nuk është çështja e pengimit të procesit legjislativ (filibustering), siç po prtendojnë, por e një bllokade të procedurave për miratimin e ligjeve (blockade), e panjohur në demokracinë parlamentare.

Bllokada e procesit legjislativ është një kategori antikushtetuese, me një potencial që të bëhet e njëjtë si me ngjarjet e "24 dhjetorit" dhe "27 prillit". Bëhet fjalë për një bllokadë të imonuar nga ana e një pakice që ka ambicie për të dominuar mbi shumicën parlamentare. Heqja e bllokadës është një detyrim kushtetues i shumicës parlamentare dhe Kryetarit të Kuvendit. Kuvendi përmes rrugës gjyqësore ka detyrimin të kërkojë kompensim dëmi nga parashtruesit e amandamenteve të paarsyeshme.

Bllokada nuk është pengesë (opstruksion)

Bllokada është një shkatërrim i demokracisë parlamentare, shndërrimi i saj nga një demokraci elektorale në një demokraci autoritare. Ajo e minon shumicën parlamentare dhe i bën zgjedhjet parlamentare të pakuptimta. Qeveria kot dërgon në Kuvend projektligjet, përfaqësuesit dhe administratorët e saj. Pakica e zhvlerëson atë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zgjidhje të mira apo të këqija ligjore. Është një "tirani e pakicës" që bën abuzim me ligjin, duke u udhëhequr nga pasioni, e jo nga arsyeja.

Pengesa (opstruksioni) është diçka tjetër. Edhe kjo çon në një bllokadë, por nuk mund të shkojë deri në fund. Përmes fjalimeve të gjata ose mjeteve të tjera të pengimit, ai ndërlikon procesin legjislativ, por nuk mund të rrezikojë miratimin e ligjeve. Qëllimi i pengesës është të përmirësojë ligjet e propozuara dhe një rivlerësim më të gjerë të pasojave të tyre të mundshme. Arritet përmes kohëzgjatjes së pakufizuar të diskutimeve të deputetëve, shumicës së kualifikuar për miratimin e ligjeve, përdorimit të vetos presidenciale, ngritjes së interpelancave kundër ministrave dhe votimit të (mos)besimit të qeverisë. Pengesa (opstruksioni) është një proces i rregulluar dhe jo kaotik. Është një fenomen i shëndetshëm sepse nga kjo varet "e ardhmja e të gjitha qeverive parlamentare".

Bllokada është përtej historisë së demokracisë parlamentare. Ajo i përket monarkive absolute në të cilat monarku kishte të drejtën e vetos absolute. Në të kundërt, pengesa ndodh paralelisht me demokracinë parlamentare, me forma konkrete që në shekullin e XVIII. Por rrënjët e saj janë edhe më të thella. Katoni ishte i pari që mori të drejtën e diskutimit të pakufizuar në Senatin Romak në mënyrë që të parandalonte emërimin e Jul Çezarit (Julius Caesar) si Konsull të Republikës Romake. Ai foli për një kohë të gjatë por nuk arriti të ndalonte emërimin e tij si konsull. Opozita angleze fitoi të drejtën për diskutim të pakufizuar gjatë Revolucionit të Lavdishëm, kurse senatorët amerikanë këtë e fituan në vitin 1806.

Pengesat (opstruksionet) kohët e fundit janë bërë më të përhapura në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shtetin e parë përdoret më së shumti kur miratohen ligjet mbi taksat, kurse në shtetin e dytë kur mbrohen interesat e shteteve më të vogla federale të ShBA-ve. Përdoren mjete të ndryshme - parashtrimi i propozimeve për çështjen e trajtuar, kërkesa për verifikimin e kuorumit ose votim individual, propozimi për shtyrjen e seancës, largimi nga salla plenare, leximi i dokumenteve "të rëndësishme", pjesë të Biblës ose libra të tjerë. Janë arritur rekorde sa i përket diskutimeve të tilla si debati prej 24 orësh dhe 19 minutësh në Senatin Amerikan, ose debati prej 42 orësh e 33 minutësh në Senatin e Teksasit.

Pengesat nuk mund të rriten në një bllokadë të shtëpive të Kongresit Amerikan. Rregullat e Senatit Amerikan parashikojnë mundësinë me 2/3 e shumicës së votave që debati të vendoset me norma të veçanta, në mënyrë që ta shkurtojnë atë, kurse rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve ofrojnë disa mënyra për të përfunduar debatin. Marrëveshja midis republikanëve dhe demokratëve për të miratuar ligjet më të rëndësishme në Senatin e SHBA-ve me 60 vota në vend të 51 konsiderohet gjithashtu një pengesë. Me këtë rregull, senatorët republikanë sot po pengojnë politikat e Presidentit Xho Bajden (Joe Biden).

Edhe demokracia parlamentare maqedonase gjithashtu njeh shembuj të pengesave. Shembulli i parë është nga viti 2006 kur një deputete e VMRO-NP, një profesoreshë universiteti e mjekësisë, ka diskutuar për 6 orë e 30 minuta në mënyrë që të parandalonte miratimin e Ligjit për Policinë. ky është fjalimi më i gjatë i mbajtur në Kuvend që nga vendosja e demokracisë parlamentare. Format e tjera të pengesave përfshijnë ligjet që duhet miratuar me shumicën e dy të tretave të votave, interpelancën kundër ministrave dhe votëbesimin e qeverisë. Kushtetuta nuk lejon që pengesat të rriten në një bllokadë të pushtetit legjislativ. Bllokada është një fenomen antikushtetues i llojit më të rëndë sepse mund të rrëzojë Kuvendin si një organ qendror i demokracisë parlamentare.

Bazat juridike të bllokadës

Arsyet ligjore për bllokadën kërkohen në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Dispozitat e këtij akti përcaktojnë shprehimisht që çdo anëtar i Kuvendit, grupi parlamentar dhe trupi punues gjatë leximit të dytë të projektligjit kanë të drejtë të parashtrojnë amandamente, pa kufizuar numrin e tyre. Amandamenti parashtrohet te Kryetari i Kuvendit me shkrim dhe duhet të arsyetohet dhe nënshkruhet nga ana e propozuesit të tij.

Qëllimi i amandamenteve është të përmirësojnë tekstin ligjor, e jo të pengojnë dhe ndalojnë procesin legjislativ. Dorëzimi i qindra ose mijëra amandamenteve nuk mund të përdoret për të përmirësuar legjislacionin e propozuar. Pra, një numër i madhh i amandamenteve të tilla mund të përdoren vetëm në funksion të luftës politike, veçanërisht nëse askush nuk i ka konsideruar ato më parë ose ka vlerësuar kontributin e tyre në përmirësimin e asaj që po propozohet. As Kryetari i Kuvendit dhe as shërbimet profesionale në Kuvend nuk e bëjnë atë. Kjo konsiderohet e papranueshme ose goditje e integritetit të deputetit dhe lirisë së tij të veprimit. Ekziston një mendim se deputeti mund të bëjë atë që dëshiron pa qenë përgjegjës për asgjë, madje as për dëmin material që shkakton nga parashtimi i numrit të madh të amandamenteve.

Majtap amandmanite se slakanica za parlamentarnata demokratijaBurimi: vlada.mk

Në rrethana të tilla, e drejta për të parashtruar amandamente keqpërdoret gjerësisht për qëllime politike që kanë pasoja serioze për pozicionin dhe integritetin e Kuvendit. Atë që opozita nuk mund të arrijë përmes luftës politike në zgjedhjet parlamentare arrihet përmes bllokimit të procesit legjislativ - parandalon shumicën parlamentare të krijojë norma të reja dhe të realizojë qëllimet e programit, të verifikuara në zgjedhjet parlamentare.

Ajo e arrin këtë në një mënyrë të lehtë, pa e prekur ndërgjegja, duke parashtruar amandamente që nuk kanë asnjë shpjegim dhe arsyetim, nuk kanë asnjë nënshkrim të propozuesit, dhe as që kanë ndonjë lidhje me tekstin e propozuar ligjor. Kërkohet fshirja e neneve inekzistente në projektligj, termat e saktë zëvendësohen qëllimisht me fjalë të paqarta, e njëjta çështje dominon në një numër të madh amandamentesh të parashtruara nga i njëjti propozues, futet qëllimisht në tekstin ligjor konfuzioni në mënyrë që ligji të jetë i pakuptueshëm dhe i pazbatueshëm. Kërkohet gjithashtu edhe shtyrja e zbatimit të ligjit për dhjetë vjet.

Rregullorja e Punës së Kuvendit përdoret si bazë për bllokimin e procesit legjislativ, duke mos marrë parasysh pozicionin dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit. Rregullorja e Punës vendoset para Kushtetutës, edhe pse është një akt me peshë më të vogël juridike. Kuvendi e ka toleruar këtë për një dekadë, megjithëse ishte paralajmëruar nga ekspertët e BE-së në vitin 2012 që të mos e bënte atë. Shembulli i parë i bllokadës së Kuvendit daton në vitin 2012 kur opozita e atëhershme, e udhëhequr nga LSDM-ja, vendosi që me 1225 amandamente të bllokojë miratimin e Buxhetit për vitin 2013. Pra, një numër aq i madh amandamentesh nuk mund të rishikoheshin objektivisht nga Komisioni i Financave dhe Buxhetit para skadimit të vitit buxhetor.

Bllokada u thye me dhunë nga ana e shumicës parlamentare, me dëbimin fizik të deputetëve opozitarë dhe gazetarëve nga salla plenare e Kuvendit më 24 dhjetor 2012. Daniel Tarcus, një ekspert i BE-së për demokracinë parlamentare, nuk u befasua nga ajo që ndodhi. Sipas tij, metoda me të cilën u miratua buxheti në atë kohë, me një numër të madh amandamentesh, garanton një "recetë për katastrofë": "Katastrofa që ndodhi nuk është aq e çuditshme, pyes veten se si nuk kishte ndodhur më parë".

Bllokada e dytë ka të bëjë me miratimin e Ligjit për Veteranët të propozuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së në vitin 2013. Ligji u bllokua nga koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, duke parashtruar mijëra amandamente sepse projektligji nuk mbulonte edhe anëtarët e UÇK-së. Pas dhjetë ditësh fjalimesh të gjata, duke lexuar poezi, heshtje në seancat e trupit përkatës, bllokada arriti të ndalonte miratimin e ligjit të propozuar. Kjo çështje është referuar nga opozita e sotme, me shpjegimin se ajo që ka bërë për dy vitet e fundit nuk është e panjohur. Bën atë që kryetari aktual i Kuvendit ka bërë më parë. Në të njëjtën kohë, ata harrojnë se ish-deputeti tani është Kryetar i Kuvendit dhe se tani si kryetar ai ka një detyrim më të madh për të mbrojtur Kushtetutën dhe dinjitetin e Kuvendit sesa në vitin 2013.

Bllokada e tretë është duke u zhvilluar, duke mbuluar një periudhë kohore nga viti 2019 deri në vitin 2021. Kjo bllokadë prek mbi njëzet ligje në fushën e shëndetësisë, mbrojtjes sociale, politikës tatimore, financave publike, ushtrisë, policisë, dokumenteve personale, tregtisë së eksplozivëve, ndjekjes së komunikimeve, ruajtjes dhe mbrojtjes të lëngjeve dhe gazrave të ndezshëm, prodhimit dhe tregtisë së mallrave ushtarake, fondit të sigurimit të depozitave, planifikimit urban dhe përdorimit të ndihmës së para-aderimit të BE-së (IPA). Janë bllokuar sfera të gjera të veprimtarisë legjislative të Kuvendit. Me një shtrirje të tillë, qëllimi është që Kuvendi të shndërrohet në një institucion virtual, i ekspozuar ndaj talljeve dhe turpit.

Ndërprerja e bllokadës

Bllokada duhet të ndalet menjëherë nga shumica parlamentare dhe Kryetari i Kuvendit. Për këtë i obligon Kushtetuta si një akt më i lartë juridik sesa Rregullorja e Punës së Kuvendit. Të gjithë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën dhe të gjitha rregulloret e tjera duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Kurse Rregullorja e Punës së Kuvendit është një akt dhe duhet të jetë në funksion të Kushtetutës. Rregullorja e Punës nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për arritjen e qëllimeve të Kushtetutës.

Qëndrimi indiferent i shumicës parlamentare ndaj numrit të madh të amandamenteve nënkupton pajtimin e saj me bllokadën e pushtetit legjislativ, respektivisht dakordimin që Kuvendi të ekzistojë pa mundësinë për të kryer veprimtarinë e tij legjislativ. Është e papranueshme që ai të tolerojë në heshtje diçka që nuk duhet ta tolerojë - që Kuvendi të shpronësohet nga ana e pakicës. Kuvendi duhet të refuzojë amandamentet "boshe" dhe "majtap/joserioze" - qesharake edhe për parashtruesit e tyre.

Drejtuesi i luftës kundër abuzimit me të drejtën për të parashtruar amandamente duhet të jetë Kryetari i Kuvendit. Bazuar në mendimin e shërbimeve profesionale, ai ka të drejtë të ndërtojë mendimin e tij mbi pranueshmërinë e amandamenteve të propozuara. Ai gjithashtu ka të drejtë të refuzojë edhe ata që nuk kanë një arsyetim, nënshkrimin e propozuesit ose nëse ata kanë gabime teknike. Kjo është arsyeja pse amendamentet i paraqiten atij, dhe jo dikujt tjetër. Ai ka të drejtë të "qartësojë" (interpretojë) amandamentet. Kjo e drejtë i është dhënë atij nga Rregullorja e Punës së Kuvendit (neni 60).

Kryetari duhet të ndërmarrë një hap tjetër që komuniteti shkencor pret prej tij për një kohë të gjatë. Përmes rrugës gjyqësore, ai duhet të kërkojë dëmshpërblim nga ata aktorë që me amandamente të paarsyeshme dëmtojnë jashtëzakonisht buxhetin e shtetit. Një hap i tillë do të bënte të vetëdijshëm parashtruesit e paskrupullt të amandamenteve, kurse Kuvendi do të paraqitej në sytë e publikut si një organ i përgjegjshëm, i cili kujdeset për financat publike. Publiku i gjerë do ta mirëpriste këtë në të njëjtën mënyrë sikur Parlamenti Evropian më 28 qershor 2021 në Samitin e Kryetarëve të „PE-BP“ në Bruksel kur mirëpriti rolin e Kuvendit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ("role model").

Profesorët e së drejtës romake - autorë të amandamenteve "majtap" duhet t'u kërkojnë falje studentëve të tyre për talljen me teknikën ligjore në pushtetin legjislativ. Të veprojë në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin qëllim si Horaci pas fitores ndaj Vëllezërve Kurjak (Curiaces) nga Alba. Horaci nuk i kërkoi Jupiterit një shpërblim për fitoren e tij mbi vëllezërit, por një pastrim shpirtëror, respektivisht lustracion (lustrum).

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

"Zhurma" e madhe në lidhje me rezolutën për Srebre...
Treni i fundit për perspektivën evropiane të Ballk...
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E premte, 24 Shtator 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq