fbpx

Bllokimi bullgar – „njësh në dhjetëshe“ për nacionalizmin maqedonas

Kristijan Fidanovski

Kristijan Fidanovski 400x500Shumica e kombeve e shohin veten moralisht më superiorë: ose në shprehjen e fuqisë së tyre ose në pranimin e pafuqisë së tyre. Çdoherë kur një komb me krenari i pranon vuajtjet e tij, ndërsa automatikisht i shpall ato më të mëdha dhe më të padrejta se të kombeve të tjera, ai komb në të vërtetë praktikon - nacionalizëm.

Rrallë herë një komb e pranon që ka një problem me nacionalizmin. Në vetë-perceptimin maqedonas, një nga mitet rrënjësisht të thella është ai për pajtimin e pretenduar të "maqedonasit", i cili sipas kësaj logjike ka pikërisht të metën e kundërt: ndjenjën kombëtare jo mjaft të zhvilluar.

Mirëpo, nacionalizmi mund të paraqitet në forma të ndryshme. Si çdo identitet kombëtar, ashtu edhe yni, përfshi edhe mitin kryesor të "maqedonasit", nuk është krijuar në një vakum, por në bashkëveprim të vazhdueshëm me kombet e tjera. Fqinjësia historikisht me kombe të rinj, të brishtë dhe të pasigurt (kurse më të fuqishëm), si dhe marrëdhëniet e trazuara fqinjësore që kanë rezultuar prej saj, kanë prodhuar ndër vite ndjenja (kryesisht të kuptueshme) të padrejtësisë, poshtërimit dhe - në formën më të keqe – kompleksitetit kolektiv.

Nacionalizmi ka një milion përkufizime, por të gjitha fillojnë nga e njëjta ide themelore: kombi "ynë" mbi të gjithë të tjerët. Ajo që është e rëndësishme është që një hierarki e tillë nuk duhet të shprehet përmes një lloj rrahjeje gjoksi ose valëvitjes së simboleve irredentiste. Një komb mund ta përjetojë veten si moralisht superior në shprehjen e fuqisë së tij, por edhe në pranimin e pafuqisë së tij.

Morali i „skllavërisë“ së Niçes në shoqërinë maqedonase

Në fakt, Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche) kishte veçuar dy lloje morali: „skllavopronarësh“ (Herrenmoral) dhe „skllevërish“ (Sklavenmoral). Sipas tij, moraliteti nuk është një kategori dikotomike (ose je i moralshëm ose nuk je), por ajo që është e moralishme për "skllavopronarët" është "skllevërisht" e pamoralshme - dhe anasjelltas. Kjo sepse morali i skllavopronarëve bazohet në moralitetin e pasojave të sjelljes sonë, ndërsa morali i skllavit bazohet në moralitetin e qëllimeve prapa tij.

Kështu, busulla morale e një individi (ose e një kombi) nuk përcaktohet domosdoshmërisht nga statusi i tij në shoqëri (ose nga statusi i kombit në botë). Morali i skllavit është një gjendje shpirtërore ( e mendjes), jo një pasqyrë e ndonjë pozicioni vartës (objektiv), ashtu si morali i skllavopronarit nuk ka pse të lindë nga një pozicion i privilegjuar. Sidoqoftë, rrethanat historiko-politike rrisin gjasat që një komb i caktuar të aspirojë më shumë drejt njërës prej këtyre dy kornizave morale sesa tek tjetra.

Ku jemi ne këtu? Të marrim për shembull mosmarrëveshjen për emrin. Ngurrimi i politikanëve tanë për tridhjetë vjet për të pranuar një kompromis për këtë mosmarrëveshje tregonte fuqimisht për një kornizë morale "skllavi". Duke marrë parasysh se qëllimet e tyre ishin morale (e drejta e vetëvendosjes), sjellja që rezultoi prej tyre u perceptua gjithashtu si morale, pavarësisht nga disavantazhi i rezultatit (bllokimi i integrimit ndërkombëtar). Duke pasur parasysh që opinioni publik qëndroi deri në fund (të paktën) i ndarë rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjes, mund të konkludohet se korniza morale e „skllavit“, të paktën në raport me këtë çështje të rëndësishme politike, dominoi dhe dominon në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës është një kthesë e rrallë drejt kornizës morale të skllavopronarit. Në të, individi luan rolin e një "skllavopronari", i cili refuzon çdo parim të fiksuar moral, respektivisht ai vetë i (ri) ndërton ato në përputhje me moralitetin nga rezultati i sjelljes së tij.

Por çfarë lidhje ka e gjithë kjo me nacionalizmin? Pra, nëse nacionalizmi nënkupton një hierarki morale midis kombit të vet dhe kombeve të tjera, atëherë ajo hierarki mund të bazohet në secilën prej dy kornizave morale (të kundërta) të Niçes. Madje edhe një komb që praktikon moralin e skllavit mund të karakterizohet nga nacionalizmi për sa kohë që është i bindur se vetëm ai e praktikon këtë moral, ose se e praktikon gjithmonë më mirë se të tjerët.

Niçe nuk e pëlqente moralin e skllavit sepse nuk mund ta kuptonte pse një individ do të praktikonte një sjellje kur e dinte se do të çonte në një rezultat të padëshirueshëm. Në kontekstin origjinal të analizës së tij, Niçe kishte parë një dozë të caktuar “mazohizmi” te skllevërit, të cilët besonte se kënaqeshin në vuajtjet e tyre, sepse një status i tillë i viktimës ishte e vetmja gjë që i dallonte ata nga sunduesit (skllavopronarët) e tyre, dhe kështu burimi i vetëm i epërsisë së tyre morale. Nëse është më e rëndësishme që skllevërit të ndihen të moralshëm, sesa të jetojnë më mirë, atëherë për ta liria është jo vetëm e paarritshme, por edhe e padëshirueshme. Ata sigurisht nuk do të dëshironin ta ushtronin atë liri më vete, pasi kjo do të rezultonte me një veprim "imoral" të dhunës. Pyetja e vërtetë është nëse ata do ta donin atë edhe nëse sunduesit e tyre do të kishin mëshirë për ta dhe do t'i lironin vullnetarisht. Sipas Niçes, nuk do ta dëshironin atë as atëherë, sepse me vetë ndërprerjen e vuajtjeve të tyre do të përfundonte edhe epërsia e tyre morale.

Por çfarë do të thotë e gjithë kjo për mosmarrëveshjen maqedono-bullgare? Duke supozuar se opinioni publik është edhe më i mbyllur për (çdo!) kompromis me palën bullgare sesa ishte rasti në mosmarrëveshjen për emrin, duket se morali i skllavit vazhdon të formësojë të menduarit dhe sjelljen tonë. Në të njëjtën kohë, ai shërben gjithashtu si një bazë e përsosur për një nacionalizëm të ri, më të butë dhe më të ndjeshëm, por qartë një nacionalizëm i dukshëm maqedonas.

Bugarskata blokada kec na desetka za makedonskiot nacionalizamBurimi: bloomberg.com

Revoltë ndaj Bullgarisë apo një kokëfortësi ndaj të ardhmes së vet?

Me kalimin e viteve, katalizatori më i fortë për moralin e skllavit në politikën maqedonase ishte vetoja greke mbi anëtarësimin tonë në NATO në vitin 2008. "Kthesa e papritur përbrenda" e qeverisë së atëhershme ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e një padrejtësie të madhe të politikës së jashtme, por edhe një kornize tashmë të njohur të moralit të skllavit, dhe jo vetëm te politikanët në pushtet, por edhe te elektorati i tyre. Mungesa e gatishmërisë për të mbajtur një qëndrim konstruktiv ndaj negociatave me Greqinë si dukej kishte dalë nga makthet më të këqija të Niçes. Në kornizën morale të skllavit, madje edhe kompromisi më i butë me Greqinë do të ishte një kapitullim, ndërsa kokëfortësia ("Shkupi 2014") perceptohej si akti më i lartë moral, pavarësisht - ose pikërisht për shkak të - ndikimit të tij negativ në pozicionin ndërkombëtar të vendit.

Kjo na çon në pyetjen kryesore sot: a do të pasqyrohet zhgënjimi ynë kolektiv i bllokimit bullgar si një revoltë kundër Bullgarisë, një zhgënjim nga Bashkimin Evropian, apo thjesht si një kokëfortësi drejt të ardhmes sonë? Thirrjet e intensifikuara nga shumica e analistëve vendas për "kthesën përbrenda " janë disi të mirëseardhura. Bllokada bullgare është reale, ashtu siç është reale edhe rezistenca e konsiderueshme ndaj zgjerimit në shumë vende anëtare (me ndikim) të BE-së. Realizimi se anëtarësimi në BE nuk do të vijë shpejt dhe as nuk do të sjellë një të ardhme më të mirë brenda natës është më se e nevojshme për vendin tonë. Megjithatë, ajo që duhet të na frikësojë është se, në vitin 2008, përpjekja për të "sjellë Evropën në shtëpi" nuk na solli demokraci më të konsoliduar dhe një ekonomi më të fortë. Na solli vetëm më shumë nacionalizëm.

Për fat të keq, indikacionet fillestare janë se asgjë nuk do të jetë ndryshe as kësaj here. Ashtu si në vitin 2008, ndjenja e lënduar kombëtare si rezultat i padrejtësisë ndërkombëtare nuk do të thotë nacionalizëm. Problemi është se kufiri midis patriotizmit konstruktiv dhe nacionalizmit të hapur mund të jetë shumë i ngushtë.

Fransis Fukujama (Francis Fukuyama), për shembull, dallon dy reagime (shpesh të njëpasnjëshme) njerëzore ndaj një situate të lëndimit të dinjitetit. I pari është „izotomia“, që paraqet një aspiratë për të forcuar statusin e vet (pavarësisht nëse bëhet fjalë për individ apo për komb) deri në shkallën e barazimit me rrethinën/fqinjët. Reagimi i dytë, nga ana tjetër, është "megalotimia", i cili nënkupton një pretendim për të provuar një status superior në raport me rrethinën/fqinjët. Fukuyama i zhgënjyer konkludon se në botën moderne izotimia - herët apo vonë - përfundon pothuajse kudo si megalotimi.

Tri veçoritë e nacionalzmittë rimaqedonas

Në shikim të parë, dëshira jonë për të "sjellë Evropën në shtëpi" është rezultat i një izotimie, që është, një aspiratë e ligjshme kah një standardi më të lartë të jetesës, që ekziston tashmë diku tjetër. Fatkeqësisht, izotimia nga fillimi i kësaj "kthese të dytë maqedonase përbrenda" dukshëm po i hap rrugën megalotimisë.

Idealizimi i së kaluarës socialiste

Ndoshta pasoja e parë e bllokadës bullgare është glorifikimi në rritje i diskursit publik për Jugosllavinë socialiste, përparësitë (e padiskutueshme) e së cilës theksohen në mënyrë selektive, dhe të metat e të cilës (një-partiake) realativizohen në mënyrë jo kritike përmes kontekstit të trazuar historiko-politik, ose shpërfillen plotësisht. Në fund të fundit, edhe nëse ai vend është me të vërtetë një Eldorado, vetë fakti që një nga elementët e parë të kthesës sonë përbrenda vjen nga e kaluara, ngre dyshimin se megjithatë po bëhet fjalë për një kthesë mbrapa.

Një formë e tillë e vrazhdë, e dhunshme dhe e instrumentalizuar politikisht e “jugonostalgjisë” mund vetëm të dëmtojë ndjenjën autentike “jugonostalgjike” në vend. Në fund të fundit, kjo nuk paraqet asgjë tjetër, por nacionalizëm. Një nga veçoritë kryesore të nacionalizmit është pikërisht orientimi kah e kaluara. Ithtarët e një nostalgjie kinse jugosllave duhet të shpjegojnë se si pohimi arrogant (dhe kryesisht i pambështetur) se Bashkimi Evropian vetëm mund të "ëndërrojë" se mund të arrijë idealet e Jugosllavisë na ndihmon "të ngrejmë mëngët" për një jetë më të mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020. Tani për tani, kjo arrogancë tingëllon shumë më shumë si "kush janë ata që të na tregojnë, ne atë e kemi pasur që moti " sesa "nuk kemi nevojë për dikë nga jashtë të na tregojë, ne do ta arrijmë atë vetë".

Esencializmi historik

Karakteristika e dytë e kthesës përbrenda deri tani edhe më fortë ka një “aromë” nacionalzmi. Çdo hierarki nacionaliste mbështetet jo vetëm në glorifikimin e kombit të vet, por edhe në minimin e të tjerëve - në këtë rast, Bullgarinë në veçanti. Këtu del në pah një veçori tjetër klasike e nacionalizmit: prezantimi i një situate të caktuar faktike me të cilën përballet një komb i caktuar në një periudhë të caktuar historike si një realitet i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

Diskursi maqedonas në këtë periudhë është vërshuar (shpesh të ekzagjeruar) në theksimin e varfërisë ekonomike në Bullgari gjatë Luftës së Ftohtë - shpesh në kontrast të qartë duke glorifikuar si më lartë Jugosllavinë. Në të njëjtën kohë, vështirë se dikush vë re ironinë se në një vend të vogël në (pas) tranzicion si Maqedonia dominon një esencializëm të tillë - një mjet diskursiv që, ndër të tjera, shërben pikërisht për të "bindur" vendet e vogla se ato do të mbeten të vogla përgjithmonë. Është harruar gjithashtu se kur esencializmi përdoret kundër Maqedonisë, ai zakonisht merr formën e „ballkanizmit“: një seri stereotipesh historikë për kombet e Ballkanit. Ironia kulmon në faktin se ky koncept është prezantuar në shkencën botërore nga historiania Marija Todorova, një bullgare e cila u rrit në të njëjtën Bullgari "staliniste", për të cilën kushdo që ndjek ligjërimin publik maqedonas do të mendonte se ka kaluar fëmijërinë e saj në një shpellë.

Partikularizmi (specifikimi) gjuhësor

Më në fund, elementi i tretë më i dukshëm i nacionalizmit në kontekstin e bllokadës bullgare ka të bëjë me gjuhën - një nga simbolet më të ndjeshme të çdo kombi, dhe kështu një pjesë integrale e çdo nacionalizmi. Ka qenë prej kohësh e qartë se politikanët bullgarë nuk e kuptojnë që gjuha është shprehje e vetëvendosjes, respektivisht një kategori subjektive, dhe jo rezultat i kufijve të saktë shkencorë midis gjuhëve dhe dialekteve. Mirëpo, ajo që është edhe më e pakuptueshme është se një pjesë e madhe e opinionit maqedonas pranon këmbënguljen absurde bullgare për një përkufizim objektiv, i cili pa dyshim shkon në favor të palës bullgare.

Në fakt, në shkencën e gjuhësisë ekziston një konsensus se asnjë dy forma të të folurit, folësit natyrorë të të cilëve kanë kuptim të ndërsjellë (ang. mutual intelligibility) prej të paktën 70%, nga perspektiva shkencore nuk duhet të konsiderohen si gjyhë të ndryshme. Këtë kusht e plotësojnë të gjitha format e të folurit që mundësojnë shumëgjuhësi receptive/pranuese: kur dy folës kanë komunikim të pandërprerë, edhe pse nuk flasin njësoj. Megjithëse secili prej nesh që ka qenë në kontakt me një bashkëbisedues bullgar ka provuar shumëgjuhësinë pranuese/receptive midis gjuhës bullgare dhe maqedone, një pjesë e opinionit vazhdon të këmbëngulë se këto janë gjuhë të veçanta, jo vetëm nga një perspektivë politike (e padiskutueshme), por gjithashtu edhe nga ajo shkencore. Për më tepër, ky nacionalizëm gjuhësor kulmon me një seri tekstesh të çuditshme gazetareske, të cilat "vërtetojnë" se gjuha maqedonase dhe vetëm ajo maqedonase është pasardhëse e vërtetë e gjuhës së vjetër sllave, duke i dhënë kështu vetëm municion akuzave të Sofjes për ekskluzivitetin historik në vetëdijen kolektive maqedonase.

Bllokim i përkohshëm, nacionalizëm i përhershëm

Nëse ndokush ishte i shqetësuar, bllokimi bullgare tregoi pa mëdyshje se ndjenja kombëtare maqedonase është mjaft e gjallë. Nga perspektiva e sotme, pjesa më impresionuese e "kthesës përbrenda " në vitin 2008 është se sa ajo kthesë nuk kishte të bënte me shkaktuesin e saj: Greqinë. Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të tensionuara edhe më parë, kurse marrëdhëniet midis dy kombeve fqinjë kanë mbetur normale që nga ajo kohë. Vetëm ne kemi ndryshuar. Bllokimi bullgar, herët apo vonë, do të hiqet. Kur do të ndalemi duke e bllokuar veten?

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Të ruajmë shëndetin mendor të më të rinjve tanë!
(Dez)Integrimi i BH-së në Bashkimin Evropian
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E martë, 20 Prill 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq