fbpx

Çështjet lidhur me rolin e Bashkimit Evropian në botë në të ardhmen

Sabin Selimi

sabin selimi photo

MKD ENG

Nëse shtetet anëtare nuk mund të mbështeten tek njëri-tjetri për t’u koordinuar në përpjekje për të luftuar përhapjen e sëmundjes, si do të përgjigjet BE-ja në rast të një krize edhe më shkatërruese sesa pandemia e tanishme?

Goditja më e fortë mbi rolin e  Bashkimit Evropian si aktor botëror pati ndodhur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi gjatë viteve të 90-ta, ku kufizimet e fuqisë së saj të butë (soft power) u patën dal në pah si kurrë më parë. Që atëherë, BE-ja ka përjetuar një seri krizash. E para ishte kriza financiare në vitin 2008, e cila nxiti pakënaqësi të konsiderueshme mes shteteve anëtare kreditore dhe debitore. E dyta ishte kriza e refugjatëve në 2015, e cila ndau bllokun edhe më tej dhe zbuloi “çarjet” në sipërfaqen e tij. E treta erdhi nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar, pasojat e plota të së cilës nuk do të jenë të dukshme për një të ardhme të shkurtë.. E fundit është kriza e refugjatëve në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë, e ndjekur nga shpërthimi i koronavirusit të ri.

Nëse kërkoni "Evropa" dhe "kriza" në Google, do të ju shfaqen një miliard rezultate. Me çdo krizë të re në BE, këto dy terma paraqiten së bashku dhe  duken sikur përbëjnë një kompozitë. emb. Problemet me të cilat po përballet blloku shkojnë përtej këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit. Ato shtrojnë pyetje serioze lidhur me rolin e BE-së si aktor botëror në të ardhmen.

Problemi strukturor

Përveç negociatave tregtare, ku BE-ja zakonisht flet me një zë, gjegjësisht është unanime, blloku nuk është i aftë të hartojë  një politikë të përbashkët për çështjet kryesore strategjike. Koherenca dhe konsistenca ishin dy nga forcat kryesore lëvizëse që çuan drejt Traktatit të Lisbonës të nënshkruar në vitin 2007, i cili ndryshoi Traktatin e Mastrihtit (1993) dhe Traktatin e Romës (1957), duke formuar bazën kushtetuese të BE-së. Sidoqoftë, traktati i fundit lë përshtypjen se bën shumë pak ndryshime në terren, duke përjashtuar këtu disa përmirësime të vogla si zvogëlimi i numrit të zyrtarëve që flasin në emër të një koleksioni të shteteve sovrane, interesat kombëtar të të cilëve shpesh ndryshojnë. Përfaqësuesi i lartë që merret me politikën e jashtme të BE-së, i cili në të vërtetë vepron si një kuazi-ministër i jashtëm i bllokut, nuk ka ingirenca që  të bëjë më shumë sesa të mbajë takime dhe të japë fjalime.

Ta marrim si shembull çështjen e Libisë. Anarkia e vazhdueshme në Libi është problem serioz për BE-në. Samiti në Berlin, i thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, rezultoi me një marrëveshje armëpushimi mes fraksioneve në Libi, marrëveshje kjo që pati një jetë shumë te shkurt. Ta marrim si shembull edhe politikën e BE-së ndaj Rusisë. Presidenti francez Emmanuel Macron është i shqetësuar për afrimin e Moskës me Pekinin, dhe ai jep shenja se do të mbajë Rusinë larg Kinës. Sidoqoftë, një qasje e tillë është alarmante për vendet anëtare në Evropën Lindore. Ose të marrim procesin e ngecur të zgjerimit të BE-së drejtë shteteve të Ballkanit. Si mund të ketë BE-ja një politikë të përbashkët për çështje të jashtme dhe të sigurisë kur nuk mund të pajtohet për qasjen e saj ndaj një rajoni strategjik e të rëndësishëm në pragun e saj si që është Ballkani?

Pas Brexitit, BE-ja do të ketë më pak peshë sesa kur Mbretëria e Bashkuar ishte anëtare. Londra vepronte si një lloj ekuilibri pragmatik mes dy poleve evropiane, Parisit dhe Berlinit. Largimi i Mbretërisë së Bashkuar do të bëjë që disa prej ndarjeve brenda BE-së të bëhen edhe më të dukshme dhe do të dobësojë edhe më tej kohezionin e tij, duke ndryshuar ekuilibrin brenda bllokut dhe duke krijuar një vakum të fuqisë. Kjo mund të nënçmojë aftësinë e BE-së për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur dhe të humbasë besueshmërinë mbi BE-në  edhe më tej në skenën botërore.

Kriza demografike afatgjate

BE-ja po përballet gjithashtu me një krizë demografike afatgjate. Evropa tani është kontinenti më i vjetër në botë. Në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropën Lindore, ky problem është shtuar nga “brain drain”, apo ikja e trurit, ku të rinjtë e aftë emigrojnë drejt perëndimit në kërkim të mundësive të punës dhe standardeve më të mira të jetesës. Kroatët, me hyrjen e tyre në BE në 2013, filluan të largohen nga vendi i tyre në një numër të madh. Më pak të rinj do të thotë rritje ekonomike më e ngadaltë.

 

eu bavno se dvizhi kon razedinuvanje blog

Burim: schengenvisainfo.com

Pra, cila do të ishte zgjidhja për krizën demografike të BE-së? Inkurajimi i imigrimit më të madh nga vendet e tjera të botës. Sidoqoftë, siç sugjeron kriza e refugjatëve në 2015, një zgjidhje si kjo mund të ketë pasoja politike të paparashikueshme. Kishte shtete anëtare që refuzonin të pranonin refugjatë sipas një skeme solidariteti. Duke pasur parasysh kundërshtimin e qartë të imigrimit nga nacionalistët ksenofobë, është e vështirë të shihet ky problem si një rregullim i lehtë, veçanërisht tani që bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit mund të legjitimonin potencialisht retorikën nacionaliste rreth mbylljen e kufijve me mure, qoftë fizike apo virtuale.

Kriza e koronavirusit

Kriza e koronavirusit është e ngjashme me krizën e refugjatëve pasi vendet që nuk preken menjëherë nga virusi kanë më pak të ngjarë të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë të tjerët. Instinkti i parë i udhëheqësve ishte të mbyllnin kufijtë e tyre. Egoizmi i tillë është moralisht i dhimbshëm. Reagimi i shteteve anëtare ndaj krizës vërteton pikëpamjen e tyre hobeziane për botën. Një shtet në vështirësi si Italia ka zvarritur të tjerët, duke filluar me ekonomitë e tyre të ndërlidhura. Me mungesën e solidaritetit aktual, BE-ja mund të humbasë dashamirësinë e shumë prej vendeve anëtare të saj, për të mos përmendur ata që presin në holl për t'u bashkuar me bllokun—Ballkani. Kina e ka mundësinë ta plotësojë atë boshllëk.

Kur shpërtheu virusi në Wuhan, opinioni kryesor në BE zgjodhi të vëzhgojë krizën me injorancë. Kjo ndryshoi kur Italia u gjend me më shumë se një mijë raste dhe dhjetëra të vdekur. Me rastet e përditshme të infeksioneve në Kinë duke u zvogëluar, Pekini ka ngritur një ofensivë diplomatike për të dërguar ndihmë për vendet anëtare të BE-së që përpiqen të kontrollojnë pandeminë. "Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e Kinës," tha në rrjetin social Twitter presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Një shtet i Ballkanit jo-anëtar i BE-së, Serbia, bëri thirrje për ndihmë jo nga BE-ja, e cila kufizoi eksportin e pajisjeve të nevojshme mjekësore, por nga Kina. "Solidariteti evropian nuk ekziston," tha Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kur njoftoi për gjendjen e jashtëzakonshme në shtetin e tij. Ky është momenti kur Kina ripozicionohet jo vetëm në Evropë, por edhe në arenën ndërkombëtare, si një udhëheqëse përgjegjëse botërore në kohën e urgjencës së shëndetit publik.

Shumë shtete anëtare ndjehen të vetme në krizën e koronavirusit. Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë, një perceptim i tillë nënçmon solidaritetin, i cili tregon për një problem më të madh. Nëse shtetet anëtare nuk mund të mbështeten tek njëri-tjetri për t’u koordinuar në përpjekje për të luftuar përhapjen e sëmundjes, si do të përgjigjet BE-ja në rast të një krize edhe më shkatërruese sesa pandemia e tanishme?

Problemi thelbësor

Problemi thelbësor është se në kohën kur është themeluar projekti evropian, themeluesit menduan se mund të ecin përpara pa ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. Gjatë Luftës së Ftohtë, kufizimet e kësaj qasjeje u kamufluan nga roli i fuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. BE-ja nuk kishte nevojë për një qasje koherente në çështjet botërore, sepse çështjet që kishin të bënin me sigurinë evropiane u trajtuan nga NATO, udhëhequr nga SHBA.

Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, BE-ja shpejt vendosi që fuqia civile do ishte e mjaftueshme, për sa kohë që SHBA-ja është ende e gatshme të jetë në vijat e para të mbrojtjes evropiane. Shumë shtete anëtare, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, nuk e përmbushin targetin prej 2% të NATO-s. Shpenzimet e mbrojtjes amerikane kanë qenë gjithmonë më të larta se buxhetet e anëtarëve të tjerë që nga themelimi i NATO-s, por dallimi u rrit edhe më shumë pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001. E gjithë kjo shtron pyetjen se si ndryshimet në kontinent do të ndikojnë në sigurinë e atkitekturës së BE-së.

Ka një perceptim në rritje mes evropianëve se vëmendja strategjike e Uashingtonit është larguar nga Evropa dhe është duke i parë sfidat e tyre kryesore të sigurisë në Azi, duke marrë parasysh se ekuilibri i fuqisë botërore është duke u zhvendosur në atë drejtim. Zgjidhja sipas kancelares gjermane Angela Merkel është "më shumë Evropë", pra thellim i integrimit. Sidoqoftë, asnjë nga shtetet anëtare nuk është me peshë në skenën botërore. Pozicioni i tyre relativ në arenën ndërkombëtare do të dobësohet edhe më tej nëse nuk do të jenë në gjendje të luajnë rolin kyç në rajonin fiqnjë si Ballkani, e lëre më të fitojnë aftësitë e nevojshme për t'u rezistuar fuqive më të forta si Kina.

Nëse BE-ja do të bëhej më e aftë, dinamike dhe kohezive, SHBA-ja dhe aleatët e tjerë pa dyshim që do ta shihnin atë si një partner më të vlefshëm. Një aktore botërore si Kina do ta shihte BE-në si një forcë për t’u pajtuar. Me fjalë të tjera, një BE e dobët, e ndarë dhe e paralizuar nuk ia vlen të harxhosh shumë kohë apo të merresh me të.

 

 

Me transparencë kundër lojërave të pandershme në k...
Inteligjenca artificiale do të ketë ndikim të thel...
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E mërkurë, 05 Gusht 2020

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq