fbpx

Drejtësia më në fund duhet të qëndrojë në mbrojtjen e personave transgjinorë

Biljana Ginova, Lila Miliq

Ginova MilicPavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, por edhe detyrimi që rrjedh nga vendim gjyqësor të cilin një burrë transgjinor e fitoi kundër vendit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka miratuar zgjidhje ligjore që do të mundësojë njohjen ligjore të gjinisë, me çka vazhdon të prodhojë transfobi dhe dhunë strukturore mbi njerëzit transgjinorë.

Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) është një nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës që ngec prapa në sigurimin e procedurës së qartë dhe të thjeshtë për njohjen ligjore të gjinisë. Personat transgjinorë aktualisht përdorin katër ligje të ndryshme në mënyrë që t'i qasen njohjes ligjore të gjinisë: Ligjin për emrin personal, Ligjin për letërnjoftim, Ligjin për dokumentet e udhëtimit dhe Ligjin për evidencën amë. Asnjë nga këto ligje nuk përfshin procedurë të qartë ligjore për harmonizimin e gjinisë në dokumentet e identifikimit personal. Dykuptimësia ligjore që rezulton nga kjo, si dhe procedurat e shumta dhe të gjata administrative që kërkohen aktualisht që një person të harmonizojë dokumentet e tij, krijojnë pasiguri ligjore për personat transgjinorë.

Një labirint ligjor për personat transgjinorë

Edhe pse me Kushtetutën e RMV-së, lejohet gjithçka që nuk është e ndaluar me Kushtetutë ose me ligji, megjithatë pa procedurë të qartë ligjore, praktika reduktohet në interpretimin personal dhe plotësimin e vakumit ligjor bazuar në bindjet personale të nëpunësit në detyrë. Kështu, personat transgjinorë privohen nga mundësia të harmonizojnë dokumentet e tyre për identifikim personal, ndërsa me këtë edhe të gëzojnë plotësisht të drejtat dhe liritë e tyre. Në kushte të vakumit ligjor siç ekziston në vend, sistemi shtetëror njeh vetëm cisgjininë (identifikimin e identitetit gjinor të personit me seksin e caktuar gjatë lindjes) si normë dhe si mundësi e vetme për ekzistim, dhe përjashton të gjithë ata që nuk përshtaten në këtë normë.

Në këtë mënyrë, shteti prodhon transfobinë e cila më vonë integrohet thellë në të gjitha sferat e jetës. Sipas të dhënave në dispozicion TransFormA, arsyeja më e zakonshme e ngacmimit, diskriminimit dhe dhunës ndaj personave transgjinorë në vend, është jo harmonizimi i dokumenteve për identifikim personal. Përvojat përfshijnë ngacmim, diskriminim dhe stigmatizim gjatë qasjes në arsim, banim, punësim, shëndetësi, transport publik, jetën private dhe të gjitha shërbimet e tjera publike. Për shkak të një sërë rastesh të dokumentuara të ngacmimeve në pikat kufitare nga nëpunësit policor, personat transgjinorë zgjedhin të mos udhëtojnë jashtë vendit. Ata përmenden publikisht nga nëpunësit në bankat dhe institucionet publike, nuk kanë mundësi të marrin kredi bankare ose të nënshkruajnë marrëveshje për marrjen me qira të ndonjë banese.

Në intervistë me autorët, një grua transgjinore nga Shkupi ndau disa përvoja të pakëndshme, të cilat i përjeton çdo ditë pikërisht për shkak të mosrespektimit të shënimit për gjininë në dokumentet e saj. „Kur më kërkuan dokumentet e identifikimit që të lidh marrëveshje për të marrë me qira një banesë, unë u trondita, isha nën stres vetëm për faktin se më duhej të dërgoja letërnjoftimin tim me shënimin e pa harmonizuar për gjininë. Megjithëse agjenti nuk tha asgjë në lidhje me këtë, më duhej shumë kohë derisa ajo frikë të largohej nga trupi im. Kjo është frika me të cilën përballem çdo ditë." Ajo, si edhe shumë transgjinorë që kanë ndarë përvojat e tyre në TransFormA, jeton në frikë dhe pasiguri të vazhdueshme për shkak të dokumenteve personale joadekuate.

Në kushtet ligjore që ekzistojnë në vend, vetëm katër persona arritën të harmonizojnë dokumentet për identifikim personal me identitetin e tyre gjinor. Njëri nga këta persona, në mënyrë që përfundimisht të fitojë njohjen ligjore të gjinisë u detyrua të bëjë betejë juridike me dekadë dhe megjithatë, madje edhe pas fitimit të çështjes kundër shtetit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka pritur më shumë se një vit deri në ekzekutimin përfundimtar të aktgjykimit. Ajo që është shqetësuese është fakti që të gjithë njerëzit që arritën të harmonizojnë dokumentet e tyre, kjo u është aprovuar vetëm pas përfundimit të një pjese ose të të gjitha ndërhyrjeve mjekësore për konfirmimin e gjinisë.

Në këtë mënyrë, sistemet e fuqisë i rregullojnë dhe disiplinojnë njerëzit transgjinorë në dy kategori: të pranueshme dhe të papranueshme. Ata që zgjedhin ose janë të gatshëm të sakrifikojnë vetveten dhe përshtatin trupin e tyre dhe shprehjen gjinore me interpretimin binar normues të gjinive janë të pranueshëm, ndërsa të gjithë të tjerët që nuk përshtaten në ato kategori të standardizuara konsiderohen të papranueshëm dhe të përjashtuar nga mbrojtja ligjore. Menaxhimi i gjinisë në këtë mënyrë, krijon sisteme të dhunshme të kontrollit mbi jetën e njerëzve.

Pravoto mora konecno da zastane vo odbrana na transrodovite licaBurimi: sdk.mk

Paqartësia ligjore dhe dështimi i shtetit për të mbrojtur të drejtat e personave transgjinorë kontribuojnë në forcimin e kuptimit binar të gjinisë, policisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore. Njerëzit me identitet gjinor jashtë kuptimit binar të gjinisë, ende ngelin të (pa)dukshëm në të gjitha sferat e jetës. Mungesa e procedurës administrative lehtësisht të arritshme për njohjen ligjore të gjinisë, është pjesë e sistemit më të gjerë të kontrollit, rregullimit dhe disiplinës mbi popullatën dhe kontribuon në forcimin e dhunës strukturore ndaj personave transgjinorë.

Dhunën strukturore si koncept e prezantoi Johann Galtung që në vitin 1969. Ai e përkufizon si "pengimin e nevojës themelore njerëzore" e cila mund të shmanget, duke theksuar se dhuna strukturore krijohet atëherë kur një dëmtim ekzistues mund, por nuk shmanget. Së këndejmi, në shqyrtimin e dhunës strukturore me qëllim të kuptohet dhe zgjidhet, fokusi duhet të vendoset mbi ndikimin që kjo dhunë e ka te njerëzit.

Dhuna strukturore nuk është aq e dukshme sa dhuna e drejtpërdrejtë fizike, sepse bazohet në normalizimin e pozicioneve të pabarabarta të pushtetit. Bazohet mbi jetën e përditshme. Gjuha, kultura dhe ritualet prodhojnë cisgjininë si normë mbizotëruese, si tregues sipas së cilit të gjithë të tjerët duhet të verifikohen. Të gjithë që nuk përshtatet në atë "normalitet" margjinalizohen dhe fshihen nga diskursi publik. Me këtë rregullim hierarkik dhe sistemet e padukshme të pushtetit që veprojnë në jetën e përditshme, dhuna strukturore (ri)prodhohet vazhdimisht.

Për të njohur dhunën strukturore, duhet të rishikohet se si sistemet e pushtetit krijojnë pasiguri strukturore për njerëzit transgjinorë. Pamundësia për njohje ligjore të gjinisë, i parandalon njerëzit transgjinorë dhe jo-binarë, të jetojnë jetën e tyre me dinjitet dhe pa dhunë. Ato rregullohen përmes transfobisë së ngulitur thellë e cila normalizon pozicionet e pabarabarta të pushtetit, rrit dhe thellon pabarazinë midis njerëzve transgjinorë dhe të cisgjinorë, dhe kontribuon në krijimin e shoqërisë së padrejtë.

Dhuna strukturore ndaj personave transgjinorë dhe jo-binarë është pengesë për realizimin e tyre si anëtarë të shoqërisë me të drejta të plota. Kontribuon në margjinalizimin, përjashtimin, stigmatizimin dhe, në fund, në dhunë fizike të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Personat transgjinorë në vend, dëshmojnë për pabarazitë strukturore që i pengojnë ata të realizojnë potencialin e tyre të plotë. Të gjithë të anketuarit në hulumtimin të kryer në Maqedoninë e Veriut, kanë përjetuar një formë të dhunës për shkak të identitetit të tyre gjinor dhe / ose shprehjes gjinore, ndërsa si problem më të zakonshëm me të cilin përballen është mos harmonizimi i dokumenteve për identifikim personal me identitetin dhe shprehjen e tyre gjinore, që kontribuon në rritjen e mëtejshme të dhunës ndaj tyre.

Një grua transgjinore nga Shkupi dëshmon për problemet me të cilat u përball gjatë procesit të harmonizimit të dokumenteve të saj. Përveç faktit që të punësuarit në Drejtorinë për Mbajtjen e Evidencës Amë në mënyrë të paarsyeshme kanë prolonguar procesin e marrjes së certifikatës së re të lindjes, ajo gjithashtu u përball me stigmatizim të drejtpërdrejtë kur drejtori thirri të gjithë nëpunësit e sporteleve, dhe ju tregoi atyre letërnjoftimin e saj duke qeshur me zë të lartë për mospërputhjen e emrit të saj dhe pamjes me gjininë e shënuar. „Në atë moment ndjeva turp dhe frikë, por edhe stres dhe ankth. Vendosa të paraqes ankesa te Ministria e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit. Një muaj më vonë, mora përgjigje nga Drejtësia, në mënyrë evidente duke mbrojtur nëpunësit e tyre, se nuk ka pasur shkelje të të drejtave të mia. Ndërsa Avokati i Popullit as që u prononcua me ndonjë mendim". - tha ajo në bisedë me autorët.

Aktgjykimi i dhënë nga GJEDNJ-ja në rastin e burrit transgjinor kundër RMV-së, përveç që e detyron shtetin të harmonizojë dokumentet e tij, imponon detyrim dhe të miratojë zgjidhje ligjore me të cilën do të mundësohet qasje drejt njohjes ligjore të gjinisë mbi parimin e vetë përcaktimit dhe pa ndërhyrje mjekësore të detyrueshme. Praktikat pozitive të vendeve të Evropës dhe botës, tregojnë rritje të vazhdueshme të numrit të vendeve që rregullojnë procedurën për harmonizimin e emrit dhe mbiemrit, shenjës gjinore dhe numrit amë në bazë të vetëvendosjes. Argjentina ishte vendi i parë në botë që e bëri këtë, pasuar nga Danimarka, Norvegjia, Malta dhe Irlanda. Për momentin, shumica e vendeve evropiane tashmë kanë rregulluar procedurat për njohjen ligjore të gjinisë.

Malta është vendi udhëheqës në avancimin e të drejtave të njeriut të personave transgjinorë. Në vitin 2013, Qeveria e Maltës themeloi Këshillin konsultativ ku janë anëtarë njerëz dhe LGBTQI organizata (lezbike, homoseksuale, biseksuale, transeksuale, ndër-seksuale dhe kuir), në mënyrë që të këshillojnë Qeverinë për avancimin e të drejtave të tyre. Si rezultat i kësaj, përveç zgjidhjeve të tjera ligjore, Malta në vitin 2015 miratoi Ligjin për identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe karakteristikat gjinore i cili mundëson njohjen ligjore të gjinisë bazuar në vetëvendosje në lidhje me të drejtën e autonomisë fizike dhe integritetit fizik. Është e rëndësishme të theksohet se menjëherë pas miratimit të këtij ligji, Malta gjithashtu përmirësoi strategjinë e saj arsimore duke përfshirë Politika për nxënësit trans, jo binarë dhe ndër-seksualë, në mënyrë që të sigurojë mjedis të sigurt dhe gjithëpërfshirës shkollor për të gjithë nxënësit pavarësisht nga orientimi i tyre seksual, identiteti gjinor, shprehja gjinore dhe / ose karakteristikat gjinore.

Njohja dhe trajtimi i dhunës strukturore ndaj personave transgjinorë mund të ndihmojë në zvogëlimin e dhunës së drejtpërdrejtë që ata përjetojnë çdo ditë, si dhe të vendosë bazat për ndryshime politike, kulturore dhe sociale për tejkalimin e pabarazitë shoqërore. Në këtë drejtim, përmirësimi i kornizës ligjore për evidencën amë në kuptim të mundësimit të procedurës së shpejtë dhe të lehtë administrative për njohjen ligjore të gjinisë, organizimin e trajnimeve të vazhdueshme për nëpunësit shtetëror, si dhe fushatat e informimit publik, mund të kontribuojnë ndjeshëm në zhdukjen e dhunës strukturore në institucionet si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave transgjinorë. Me këtë do të mundësohet që të jetojnë jetën e tyre me dinjitet, pa presionet e përditshme, kërcënime, dhunë dhe ngacmime, për të realizuar të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore dhe për të realizuar potencialin e tyre si aktorë të barabartë në shoqërinë tonë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Fëmijët nuk duhet të jenë minj eksperimentalë të s...
Nga maksimizimi i përfitimeve nga pushteti te akum...
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E premte, 26 Shkurt 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq