fbpx

Eksperimenti Afgan dhe dështimi i liberaldemokracisë

Ridvan Peshkopia

Ridvan Peshkopia 400x500Por, përtej Afganistanit, kriza e shtetit Veberian dhe e sistemit politik liberaldemokrat ka filluar të ndjehet edhe në Perëndim. Humbja e aftësisë apo edhe vullnetit për mbrojtjen e kufinjve nga imigracioni i paligjshëm, humbja e kohezionit social, polarizim politik ekstrem dhe rënia e vetëbesimit në trashëgiminë, kulturën, traditat dhe vlerat janë vetëm simptomat e para të krizës.

Pamjet ikonike nga rrugët dhe aeroporti i Kabulit janë dëshmi jo vetëm të evakuimit kaotik të personelit ushtarak, diplomatik dhe civil amerikan dhe aleatëve te tyre afganë nga Afganistani. Përtej kësaj, ato tregojnë për dështimin e rradhës të demokracive perëndimore, sistemit të tyre politiko-ekonomik dhe modelit të tyre socio-politik, demokracisë liberale. Kjo nuk kishte pse të ndodhte nëse historia do kishte shërbyer si udhërrëfyes për të treguar se modeli shtetëror Veberian (sipas sociologut gjerman Maks Veber [Max Weber]) dhe sistemi politik liberaldemokat përjetojnë vështirësi në zbatimin e tyre përtej vendeve të qytetërimit Perëndimor.

Modeli shtetëror Veberian (një shtet me autoritetin më të lartë mbi territorin, legjitimitetin dhe dhunën) dhe liberaldemokracia janë zhvillime tipike të Qytetërimit Perëndimor, të cilat i takojnë një periudhe të caktuar të zhvillimit të atij qytetërimi, modernitetit, dhe përjetojnë vështirësi në funksionim përtej rajonit të tyre gjeopolitik dhe periudhës së tyre historike. E megjithatë, teksa modeli Veberian i shtetit është bërë gjatë dy shekujve të fundit modeli shtetëror mbisundues për shumicën e vendeve të botës (kryesisht për shkak të mbështetjes në atë tip shteti të sistemit ndërkombëtar), demokracia liberale si një sistem politik sfidohet përditë edhe në Perëndim, tani që shoqëritë e tij kanë kaluar nga moderniteti në postmodernitet dhe nga shoqëri industrial në shoqëri post-industriale.

Por kështu ndodhi që aventura ushtarake e NATO-s dhe aleatëve të tjerë të ShBA-ve në Afganistan në Tetor 2001 me qëllim që të hakmerreshin për sulmit terrorist të 11 Shtatorit dhe të shkatërronin Al Kaedën, përfundoi në një mision shtetndërtues për Aganistanin. Sistemi politik  që iu imponua afganëve (pa i pyetur, sigurisht) ishte demokracia liberale, ku të drejtat e grave, homoseksualëve dhe transgjinorëve ishin në qendër të vëmendjes, ndërsa traditat, ndjeshmëritë dhe aspiratat e dëshirat e popullsisë vendase për të ardhmen e vet u injoruan krejtësisht. Ashtu si edhe në rastet e pushtimeve të tjera ushtarake bazuar mbi ideologji, pandehma themelore ishte se, meqënëse liberalizmi ka funksionuar diku tjetër (në Perëndim), ai do të funksiononte edhe në Afganistan. Arroganca kolonialiste perëndimore, bazuar mbi pandehmën themeltare liberale se, në gjendjen natyrore, individi është një entitet i lirë dhe racional, nuk ka treguar ndonjëherë ndonjë respekt për kulturat lokale dhe aspiratat apo dëshirat e individëve në rajone të tjera të botës.

Kësisoj, misioni shtetndërtues perëndimor në Afganistan i hyri punës utopike për të ndërtuar në një vend ku një pjesë e popullsisë sapo ka dale nga epoka e gurit (fjalë për fjalë, me kontakte fillestare me metalet) një lloj Belgjike apo Danimarke. Shtetndërtimi i paplanifikuar më parë (sipas shkenctarit politik Dominic Tierney, “ekipi Bush-Rumsfeld besonte se ushtria amerikane do të ishte si një bisturi që do priste zemrat e armiku dhe pastaj ne nuk do kishim nevojë për ndonjë shtetndërtim”) evoluoi drejt idealizmit liberal të “përhapjes së demokracisë dhe mposhtjes së tiranisë” Obsesioni me çështje të të drejtave të njeriut (edhe tani që Afganistani ka rënë në duart e Talibanëve, një obsesion i tillë i bën analistët politikë dhe politikëbërësit të parashtrojnë pyetjen e çuditshme “Can the U.S. make the Taliban care about human rights?”) e la në hije nevojën për rindërtim dhe zhvillim ekonomik, duke e vendosur deri në fund ekonominë afgane nën vartësinë e ndihmave nga jashtë.

Struktura shoqërore fisnore e Afganistanit u shndërua në sfidën më të madhe të përpjekjeve për të ndërtuar shtetin Veberian, pasi shtetndërtimit të udhëhequr nga liberalizmi perëndimor iu desh të mbështetej për siguri mbi komandantët tribalë, duke zbrazur kështu shtetin nga koncepti Veberian i monopolit të dhunës. Teksa zhvillimi ekonomik do të kishte shërbyer si një shteg funksionues dhe realist për kanalizimin strukturor të afganëve drejt marrëdhënieve shoqërore moderne, përfshi edhe shpërbërjen e strukturave fisnore, ideologët perëndimorë  ndoqën shtegun moralist të “ndryshimit të mendjeve dhe zemrave” (një eufemizëm për inxhinerimin social) përmes mikromenaxhimit të çështjeve të të drejtave të njeriut, traininimeve rreth çështjeve sensitive (një eufemizëm për përqafimin e marrëdhënieve ndërgjinore, ndërseksore dhe ndërracore Perëndimore) dhe kuotave gjinore të pakuptimta dhe shpesh kundërprodhuese.

Nga kjo pikëpamje, eksperimenti social liberal në Afganistan nuk ishte i ndryshëm nga eksperimenti social sovjetik (apo shqiptar), ku përgjigja ndaj dështimit të zbatimit praktik të teorisë marksiste ishte inxhinerimi i Homos Sovieticus (apo Njeriut të Ri socialist në Shqipëri) sipas imazhit të parapandehur në teori. Kësisoj, nuk duhet të çuditemi aspak se pse eksperimenti liberaldemokrat në Afganistan dështoi në mënyrë po aq të palavdishme sa edhe eksperimenti socialist në Bashkimin Sovjetik (apo edhe Shqipëri). Kjo është kuptuar tashmë nga një udhëheqës pragmatik si Vladimir Putin-i i Rusisë, kur ai dukej se kishte mësuar nga përvoja e hidhur sovietike “se sa kundërprodhuese është të përpiqesh të imponosh forma jonatyrale të qeverisjes dhe jetës publike mbi Afganistanin” dhe këshilloi Perëndimin t’i japë fund “politikave të tij të papërgjegjshme të imponimit të vlerave të dikujt nga jashtë”.

Eksperimentot vo Avganistan i neuspehot na liberalnata demokratijaBurimi: pixnio.com

Me qëllim të përhapjes së ideologjisë liberale dhe stilit të jetesës që ajo propozon, një rrjet inefiçent organizatash jo-për-fitim (OJP) dhe organizata për-përfitim (OPP) u krijuan dhe stimuluan financiarisht me shuma kolosale. Teksa ne që kemi jetuar në një shoqëri tranzitore mundet lehtë ta kuptojmë inefiçensën e OJP-ve, shpesh trainime apo projekte të cilat në një kohë të shkurtër synonin transformime rrënjësore në një shoqëri që ka rreth 150 vite që u reziston reformave të imponuara nga perandori të huaja, e kthyen një pjesë të shoqërisë afgane kundër këtyre përpjekjeve. Si një pasojë negative e paparashikuar, OJP-të e financuara nga Perëndimi krijuan pabarazira sociale të papara më herët, ku një kategori shoqërore e cila i shtiu ato në dorë ia doli të ndërtojë një jetë luksoze, ndërsa përfitimi i shtresave të cilat ishin shënjestra e programeve zhvillimore njohën zhvillime të papërfillshme. Hendeku që vazhdimisht zgjerohej mes ofruesve të ndihmave dhe atyre që ata përpiqeshin të ndihmonin e uli rëndësinë e ndihmës, por po ashtu nxiti ndjenja mosbesimi dhe perceptim të korrupsionit mes publikut afgan.

Komentatorët e ditës po kërkojnë me imtësi shkaqet sociopolitike të dështimit të Perëndimit në Afganistan duke hedhur referenca të atykëtushme krahasimore me dështimin sovjetik për të imponuar komunizmin në atë vend. Por është vendi dhe koha për një vëmendje më të madhe ndaj këtyre referencave. Dështimi i pushtimit amerikan të Afganistanit nuk është aspak i ndryshëm nga dështimi i pushtimit sovjetik (madje ngjashmëritë janë verbuese). Në të dyja rastet, pushtimet, përtej interesave gjeostrategjike të keqperceptuara, mbartnin edhe tonet ideologjike të narrativave të mëdha të përbotshme për rindërtimin e Afganistanit sipas një modeli të caktuar ideologjik. Në të dy rastet, përpjekjet laboratorike për krijimin e një shoqërie sipas modeleve teorike të pushtuesve shpalosi një mungesë të plotë njohurie dhe respekti për popullsinë vendase, aspiratat, dëshirat dhe mundësitë e saj. Por sido që ato aspirata, dëshira dhe mundësi të ishin, ato rezultuan më të fuqishme se sa utopitë ideologjike në përcaktimin e fatit të Afganistanit. Ajo që po vërejmë tani është një replikë i asaj që vërejtëm më shumë se tre dekada më parë: dështimi jo ushtarak por ideologjik në Afganistan. Ashtu si edhe idetë komuniste më parë të sponsorizuara nga Bashkimi Sovietik, edhe idetë liberale të sponsorizuara nga Perëndimi nuk ia dolën të fitonin zemrat dhe mendjet e afganëve, çka shpegon pushtimin e shpejtë të vendit nga talebanët dhe shpërbërjen e plotë të ushtrisë afgane, ndonëse kishte luftuar mirë më parë kundër talebanëve.

Përpjekjet utopike perëndimore për të ndërtuar një sistem politik në një shoqëri që nuk i ka strukturat e nevojshme socioekonomike për ta mbështetur atë sistem tregoi se ideologët perëndimorë as ideologjinë e tyre liberale nuk e njohin si duhet. Edhe në Perëndim, demokracia liberale lindi si nevojë e kohës së vet, si një nevojë për të administruar një shoqëri në industrializim të shpejtë kah fundi i Shekullit XVIII dhe fillimi i Shekullit XIX. Këto transformime sollën në pah një kategori sociale të panjohur më parë, individin e lirë dhe racional, i cili sapo ishte shkëputur nga kolektiviteti i bujkrobërisë feudale dhe kishte gjetur individualitetin e vet në një punë në industri, ku paguhej individualisht. Vëtëm atëhere dhe atje idetë për liritë dhe të drejtat e këtij individi morrën jetë dhe kuptim. Por në një shoqëri me hierarki dhe ekonomi tribale si ajo afgane, të drejtat dhe liritë e njeriut janë fjalë pa kuptim. Ato janë liri dhe të drejta të parealizueshme.

Më shumë se dy trillion dollarë shpenzime nga ShBA-ja brenda dy dekadave nuk ishin mjaft për ta blerë shpirtin e një populli. Dështimi i eksperimenteve sociale për ndërtimin laboratorik të shoqërive tregon se, megjithë premtimet e gjithëbotëshme të ideologëve, ideologjitë nuk mundkan dot të jenë universale. Madje më ngushtë se kjo, ato janë thellësisht perëndimore. Pothuajse të gjitha ideologjitë që qarkullojnë sot në botë janë prodhime perëndimore, inkubuar në deliret dhe makthet ku industrializimi i shpejtë dhe i egër që Revolucioni Industrial solli në kapërcyell të shekujve XVIII dhe XIX. Utopitë e tyre sientiste të eksperimentimit praktik në formësimin e shoqërive sipas megateorive dhe metanarrativave kanë dështuar gjithandej dhe po kështu dështuan në Afganistan.

Por, përtej Afganistanit, kriza e shtetit Veberian dhe e sistemit politik liberaldemokrat ka filluar të ndjehet edhe në Perëndim. Humbja e aftësisë apo edhe vullnetit për mbrojtjen e kufinjve nga imigracioni i paligjshëm, humbja e kohezionit social, polarizim politik ekstrem dhe rënia e vetëbesimit në trashëgiminë, kulturën, traditat dhe vlerat janë vetëm simptomat e para të krizës.

Çindustrializimi që erdhi si pasojë e transferimit të industrisë drejt vendeve të Botës së Tretë ka sjellë hollimin e shtresës së mesme, e cila bazohej mbi punësimin dhe prodhimin industrial. Ky hollim po shpërbën me shpejtësi konsensusin social për sistemin liberaldemokrat, i cili mishërohej pikërisht te kjo shtresë e mesme. Polarizimi i shpejtë socioekonomik dhe politik në Perëndimin e sotëm që erdhi si pasojë e globalizimit dhe shpërndarjes shumë të pabarabartë të të ardhurave që ai solli, vetëm se dëshmon se sistemi liberaldemokrat e ka humbur tashmë bazën e vet sociale dhe qëndron në këmbë vetëm për hir të pasurive të mëdha që Perëndimi ka grumbulluar gjatë 400 viteve të fundit. Se sa gjatë këto kapitale të grumbulluara do ta mbajnë ende gjallë demokracinë liberale, kjo mbetet për t’u parë por ne që kemi përjetuar rënien e sistemit komunist mund të dëshmojmë se kur një sistemi politik i vjen fundi, ai paloset për çështje ditësh, pak a shumë ashtu siç u palosën përpjekjet për të ndërtuar një sistem politik liberaldemokrat në Afganistan.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

(mos)Interesimi i të rinjve për politikë
Si të përmirësojmë kulturën juridike në Maqedoni
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E hënë, 25 Tetor 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq