fbpx

Gjykimet online – një ide e domosdoshme apo ide e stërmadhuar pa nevojë?

Jasmin Kallaç

goran janev 400 500Digjitalizimi dhe gjykimet online nënkuptojnë që gjykatat, zyrat e prokurorëve dhe autoritetet e tjera kompetente, madje dhe avokatët, të kenë të instaluar pajisje kompjuterike dhe teknike dhe punonjës që dinë të punojnë me to. Situata reale është larg nga diçka e tillë.

Ngadalë por me siguri, po krijojmë një pasqyrë më të qartë mbi efektet e shumta që pandemia me KOVID-19 ka shkaktuar në sistemin maqedonas të drejtësisë penale. Për një kohë të kufizuar, janë marrë masa shumë të ndryshme dhe të gjera për t'iu përshtatur rrethanave të reja. Gjykatat u mbyllën për një kohë të gjatë në vitin 2020 dhe zgjidheshin vetëm rastet e paraburgimit emergjent. Pandemia ka shumëfishuar problemet tashmë të mëdha në gjyqësorin maqedonas, por nuk janë krijuar ende as kushtet ligjore dhe as ato teknologjike që gjykatat të ndërmarrin hapa të mëdha në shekullin 21, siç janë digjitalizimi dhe „gjykimet online“.

Masat në sistemin gjyqësor në kohë pandemie

Masat e hyra në fuqi për të parandaluar përhapjen e KOVID-19 nuk kanë anashkaluar as gjykatat, prokuroritë, avokatët dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në sistemin gjyqësor në vend. Me pasiguritë që solli virusi, shteti dhe autoritetet kompetente, si dhe vetë gjykatat, kanë miratuar rekomandime dhe protokolle se si të punohet në kushte pandemie, që gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2020 të zhvillohen vetëm proceset gjyqësore që janë të domosdoshme, urgjente dhe që nuk tolerojnë vonesa.

Këtu mund dhe duhet të theksojmë se disa prej masave të tilla si mbajtja e maskave në ndërtesën e gjykatës, dhe matja e temperaturës në hyrje të gjykatës, të cilat janë ende në fuqi, ishin të nevojshme për sigurinë e qytetarëve dhe punonjësit e gjykatave, përmes të cilave kalojnë pranë qindra njerëz për çdo ditë. Në vitin 2020, më të shpeshtat ishin gjykimet për veprën penale „Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë kohës së një epidemie sipas nenit 206 paragrafi 1 të Kodit Penal, sepse ishte e rëndësishme që individët të respektonin masat për të parandaluar përhapjen e këtij lloji të koronavirusit.

Një nga masat, nëse mund të quhet fare një masë, e cila është një “ekuacion i panjohur“ dhe është jashtëzakonisht e pazakontë edhe për gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ishim për një kohë, është edhe organizimi i seancave gjyqësore online me ndihmën e platformave elektronike. Duke ndjekur masat dhe rekomandimet, në Gjykatën e Kavadarit u mbajt për herë të parë një seancë gjyqësore online në të cilin u ndërmorën veprime me ndihmën e përdorimit të mjeteve elektronike teknike përmes platformës elektronike për komunikim audio-vizual "Microsoft Teams". Shumë polemika u ngritën në publik e dhe u zhvillua një diskurs argumentues në të cilin, ne nga pikëpamja e profesionit të avokatit hasëm në mendime të ndryshme në lidhje me ligjshmërinë e këtij lloji të gjykimeve, të cilin unë do ta shtjelloj në tekstin e mëtejshëm. Gjykata e Kavadarit në raportin e saj njoftoi se kjo seancë kryesore "online" në vitin 2020 u mbajt me qëllim të implementimit të shpejtë të rekomandimeve për parandalimin e përhapjes së virusit, në dhe në mesin e personave të paraburgosur siguroi një gjykim të drejtë dhe të paanshëm me të gjitha garancitë e një gjykimi publik, madje edhe të pandehurit iu shqiptua "online" dënimi me burg.

Shtrohet pyetja, cilat janë mundësitë për deklarim të lirë në lidhje me aktakuzën dhe mbrojtjen efektive të të pandehurit që ofron kjo mënyrë e gjykimit online, kur i pandehuri nuk është fizikisht i pranishëm para gjyqtarit, por para rojes së paraburgimit, dhe shumë larg nga sytë e mbrojtësit/avokatit të tij?! Në çfarë mënyre do të zhvillohej procedura e prezantimit të provave, si do të prezantoheshin provat materiale, si do të parashtroheshin pyetje të drejtpërdrejta, pyetje të kryqëzuara dhe një numër pyetjesh të tjera që shqetësojnë publikun. Çfarë do të ndodhë nëse "bie" lidhja e internetit ose ndërpritet energjia elektrike. Disa nga të pandehurit me shaka thonë se nëse gjykata vepron në këtë mënyrë, atëherë të paktën dënimi i mundshëm që do të merrnin nëse janë fajtorë, siç është burgimi, duhet të mbahet online nga ana e tyre.

Sa për ilustrim, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar një shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në një rast ku i akuzuari ishte në një sallë gjyqësore, por ishte izoluar në një kabinë qelqi. Sipas mendimit të gjyqtarëve në Strasburg, kjo kishte cenuar mundësinë e të pandehurit për të komunikuar me mbrojtësin e tij, dhe si rezultat, ai është privuar nga e drejta për të pasur ndihmë praktike dhe efektive juridike nga avokati. Kjo shkel themelet e procedurës penale dhe godet në themel parimin e gjykimit të drejtë, sepse ishte shkelur barazia e palëve në procedurë.

Onlajn sudenja neophodnost ili jalova idejaBurimi: prizma.mk

Parimet themelore të Ligjit për procedurë penale

A parashikojnë Kodi ekzistues i procedurës penale dhe ligjet e tjera "gjykime online"? Sigurisht që jo, madje as në raste të gjendjes së jashtëzakonshme. Mbarëvajtja e "proceseve gjyqësore online" kundër personave që kanë shkelur "shtetrrethimin/orën policore" ose kanë kryer një vepër tjetër penale, ose një proces gjyqësor civil, të organizuar përmes lidhjeve video, me qëllim mbrojtjen e qytetarit, është automatikisht një shkelje procedurale e ligjit. Kuadri ekzistues ligjor dhe pengesat procedurale automatikisht pamundësojnë mbarëvajtjen e gjykimeve online. Pra, personi që po gjykohet nuk po vie në gjykatë, por po gjykohet përmes një lidhje video, ndërsa gjendet në shtëpi, diku tjetër ose për shembull, në një njësi paraburgimi.

Nenet 346 dhe 477 të Ligjit për procedurën penale parashikojnë shprehimisht se gjykimet mbahen në ndërtesën e gjykatës, dhe si përjashtim në një ndërtesë tjetër që do të përcaktohet paraprakisht nga kryetari i gjykatës, ose nëse është e nevojshme në vendngjarje ku është kryer vepra penale. Ligji ka parashikuar që personi i akuzuar duhet të jetë i pranishëm në ndërtesën e gjykatës gjatë gjykimit.

Në nenin 5 të LPP-së, një person i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë në një gjykim të drejtë dhe publik para një gjykate të pavarur dhe të paanshme që në një procedurë kundërshtuese të jetë në gjendje të kundërshtojë akuzat kundër tij dhe për të propozuar dhe prezantuar prova në mbrojtjen e tij. Në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është parashikuar që çdo i pandehur ka të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, respektivisht secili ka të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik brenda një kohe të arsyeshme, përpara një gjykate të pavarur dhe të paanshme të themeluar me ligj për të shqyrtuar dhe përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tij civile ose arsyeshmërinë e një gjykimi të drejtë dhe garantimin e një procesi gjyqësor publik. Shtrohet pyetja, nëse "gjykimi online" është dhe në ç'mënyrë mund të zbatohet në një procedurë përmes komunikimit audio dhe vizual dypalësh "online"?!

Në Ligjin për procedurën penale është parashikuar edhe parimi i prezencës. Ky parim nënkupton që personi që gjykohet duhet gjithashtu të jetë i pranishëm në gjykim. Ligji për procedurën penale parashikon përjashtime nga ky rregull vetëm nëse personi që gjykohet është në arrati ose nuk është i disponueshëm për autoritetet e zbatimit të ligjit. Midis këtyre përjashtimeve, nuk ekziston rreziku nga përhapja e virusit. Në "gjykimet online" personi që gjykohet është në paraburgim, për shembull, kështu që ai nuk është në arrati dhe është në dispozicion të institucioneve shtetërore.

Një parim tjetër nga i cili devijohet gjatë "gjykimit online" është parimi i gjykimit publik. Gjykimi publik mundëson që qytetarët, ndër të tjera, të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, në mënyrë që të njihen me rrjedhën e procedurës penale ose civile. Për një person që gjykohet, prania e qytetarëve do të thotë që sjellja gjatë gjykimit do të jetë nën vëzhgimin e publikut, gjë që ul ndjeshëm mundësitë e çdo abuzimi. Si rezultat, nuk mund të konkludohet se si të sigurohet një prani e drejtpërdrejtë e publikut gjatë procedurës?!

Duke pasur parasysh që edhe personi që gjykohet nuk është drejtpërdrejt i pranishëm në gjykim për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit për shembull, është shumë e vështirë që çfarëdo lloj publiku të lejohet të marrë pjesë në gjykim. Duhet të theksohet se Ligji për procedurën penale gjithashtu përshkruan raste se kur është e mundur të ketë përjashtime nga parimi i gjykimit publik, por edhe në këto raste nuk ka rrezik të përhapjes së virusit.

Gjykimi online është një ide e keqe

Digjitalizimi dhe gjykimet online nënkuptojnë që gjykatat, zyrat e prokurorëve dhe autoritetet e tjera kompetente, madje dhe avokatët, të kenë të instaluar pajisje kompjuterike dhe teknike dhe punonjës që dinë të punojnë me to. Situata reale është larg nga diçka e tillë. Situata në shumicën e gjykatave në vend është në nivel të ulët, respektivisht ato nuk kanë pajisje të mjaftueshme teknike dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të përdorur teknologjinë e informacionit për të qenë në gjendje të kryejnë seanca dëgjimore online. Gjyqtarët janë unanimë se nuk ka kushte për të zbatuar një gjë të tillë.

Nga ana tjetër, disa gjykata janë të mendimit se për të përdorur mjete elektronike, duhet të respektohen të gjitha aspektet e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të sigurohen kushtet teknike për zbatimin e tyre. Disa gjyqtarë kanë dilema lidhur me dëgjimin e një dëshmitari, pale ose pjesëmarrësit tjetër në procedurë i cili nuk ka kushtet për një gjykim online, si dhe mënyrën në të cilën do të kontrollohet nëse deklarata e dëshmitarit është personale apo ndoshta e shkruar nga dikush tjetër, dilema lidhur me prezantimin e provave me shkrim për kqyrje në gjykatë, mënyrën e caktimit të seancave dhe të ngjashme.

Disa kryetarë gjykatash besojnë se ekziston një mundësi e pjesshme për gjykime në rrugë elektronike, por jo për të gjitha rastet. Problemi buron nga mungesa e një procedure ose akti që do të rregullonte mënyrën e aplikimit të komunikimit elektronik në nisjen e veprimeve gjyqësore, me çrast ekziston mundësia që ajo të kundërshtohet në një procedurë ankimi për shkak të shumë mangësive dhe kundërthënieve ligjore. Ministri i Drejtësisë në fjalën hyrëse në debatin publik mbi ndryshimet e propozuara në Ligjin për procedurën civile tha se këto ndryshime hapin një mundësi ligjore për ndryshime në ligj në kontekstin e digjitalizimit të punës së gjykatave.

Unë konsideroj se të qenit në hap me "trendet," nuk është gjithmonë "trendy", sepse nëse këto ndryshime kalojnë, ato nuk do të jenë në gjendje të zbatohen. Për arsyen e thjeshtë se në gjykatat ku, pavarësisht nga fakti që ligjërisht gjykimet duhet të regjistrohen në audio, në 80% të gjykatoreve të vendit kjo nuk po bëhet. Futja e teknologjisë së informacionit në punën e gjykatave nuk do të thotë efikasitet dhe transparencë më e madhe e procedurave gjyqësore, por përkundrazi, ndërlikim i qasjes në drejtësi për qytetarët dhe mosbesim edhe më i madh në funksionimin e sistemit. Është shumë herët për një kërcim të tillë teknologjik. Gjykimi online nuk duhet të jetë pezullim i sundimit të ligjit!

 
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.
Përvoja e Bullgarisë me BE-në mund të jetë një lek...
Udhëzues për ndalues në Ballkan: botim i veçantë -...
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E shtunë, 04 Dhjetor 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq