fbpx

Pse është e vështirë për Serbinë që ta njohë Kosovën?

Katarina Tadiç

Katarina Tadic 400x500Qytetarët serbë pyeten rregullisht nëse janë të gatshëm të pranojnë njohjen e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në BE. Nuk është për t'u habitur, shumica dërrmuese thonë jo, sepse Kosova është një çështje emocionale, ndërsa BE-ja kurrë nuk ka arritur të fitojë zemrat e njerëzve.

Me qeverinë e re në Prishtinë dhe ndryshimin në administratën amerikane, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës po hyn në një fazë të re. Në tryezë janë shtruar shumë çështje të kontestuara: personat e zhdukur, asociacioni i komunave me shumicë serbe, mbrojtja e zonave përreth kishave dhe manastireve ortodokse, etj.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës vazhdon të përsërisë se marrëveshja gjithëpërfshirëse mund të sjellë vetëm njohje, ndërsa Serbia vazhdon të përsërisë se njohja nuk është një opsion. Negociatat kanë ngecur dhe është e vështirë të parashikohet se cilat janë lëshimet/koncesionet (nëse ka) që secila palë është e gatshme t'i bëjë. Pavarësisht përfshirjes dhe sinkronizimit të fundit të përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve, shumë pak njerëz janë optimistë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje së shpejti.

Kohët e fundit kam qenë në një punëtori ku më pyetën pse është kaq e vështirë për Serbinë që ta njohë Kosovën? Përshtypja është se shumë aktivistë dhe intelektualë nga rajoni besojnë se karakteri autoritar i regjimit të Aleksandar Vuçiq i jep atij pushtet absolut dhe liri të pakufizuar për t'u pajtuar me çdo lloj propozimi në lidhje me Kosovën, duke mos u përballur me asnjë oponencë në shtëpi.

Megjithatë, pavarësisht nëse dikush dëshiron ta pranojë apo jo, e vërteta është se njohja e Kosovës sot do të ishte vetëvrasje politike për çdo politikan në Serbi, përfshi edhe presidentin shumë të njohur Vuçiq. Kosova është para së gjithash një çështje simbolike dhe emocionale në Serbi, dhe jo një çështje juridike apo politike, prandaj ia vlen ta trajtojmë si të tillë.

Aktualisht ekzistojnë tre tipare të shoqërisë serbe që reciprokisht mbështesin njëra-tjetrën duke shprehur kundërshtim të fortë për çdo ide të një Kosove të pavarur. Unë vetëm do të shtjelloj shkurtimisht secilën prej tyre, plotësisht e vetëdijshme se jam duke i thjeshtuar fenomenet komplekse shoqërore, historike dhe politike.

Mitet e krijuara

Së pari, çdo komb ka mitet e tij të themelimit, të perceptuara si pika kthese në fatin kolektiv të kombit, dhe pjesa kryesore e identitetit kombëtar serb është e lidhur ngushtë me mitin e Kosovës. Beteja e Kosovës është themeli i nacionalizmit modern serb, i cili na mëson për historinë e luftës, vdekjes dhe ringjalljes kombëtare.

Kosova konsiderohet si një djep i kombit dhe kulturës serbe, me kisha dhe manastire të shumta mesjetare ortodokse që kanë “domethënie të madhe historike dhe kulturore për serbët”.

Fraza "Kosova është zemra e Serbisë" ndoshta ishte shfrytëzuar nga Sllobodan Millosheviqi, por ishte efektive vetëm sepse pati jehonë të mirë tek serbët dhe përfaqësoi një mjet mobilizues të bazuar në mitin e zakonshëm të pranishëm në kujtesën kolektive.

Komb i poshtëruar

Serbia (dhe serbët) po humbnin dhe akuzonin të gjitha palët në luftërat në ish-Jugosllavi. Millosheviqi nuk humbi në vitin 2000 për shkak të ndjenjave të papritura pacifiste të popullit serb. Ai humbi sepse Serbia ishte mposhtur dhe poshtëruar për më shumë se një dekadë, kulmi i së cilës ishte bombardimi i NATO-s në vitin 1999.

Zosto e tolku tesko za Srbija da go priznae KosovoBurimi: pixabay.com

Në mënyrë të ngjashme, në njëzet vitet e ardhshme shoqëria serbe nuk u mor kurrë me karakterin kriminal të regjimit të Millosheviqit dhe krimet e kryera në emrin tonë. Për shembull, varri masiv i Batajnicës me 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës nuk kishte gjetur kurrë rrugë në diskursin publik, duke i lënë kështu krimet kundër shqiptarëve të Kosovës në margjinat e shoqërisë (civile).

Si rezultat, ndjenja dominuese e trajtimit të padrejtë dhe të izolimit nga bashkësia ndërkombëtare që rrjedh nga vitet 1990 vetëm që është rritur në mesin e popullatës serbe, një ndjenjë që po rindizet në mënyrë shtesë nga kërkesat ndërkombëtare për njohjen e Kosovës.

“Tjetri shqiptar”

Tipari i tretë i shoqërisë serbe lidhet me karakterin e nacionalizmit serb dhe qëndrimin ndaj shqiptarëve. Në procesin e ndërtimit të çdo kombi modern, "Të tjerët" u ndërtuan si një domosdoshmëri për formimin e identitetit kombëtar dhe përvetësimin e interesave kombëtare. Dhe ndërsa për krijimin, qëndrueshmërinë dhe përfundimisht shpërbërjen e Jugosllavisë marrëdhënia midis nacionalizmit serb dhe kroat ishte vendimtare, kështu që mobilizimi nacionalist nga vitet 1980 e tutje e rriti pakënaqësinë veçanërisht ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Me gjuhë të ndryshme në krahasim me kombet e tjera jugosllave, shqiptarët e Kosovës përbëjnë një "Tjetër" veçanërisht të rëndësishëm dhe të padëshirueshëm në tokën e Kosovës. Për më tepër, gjatë viteve nëntëdhjetë, kur konflikti midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë u përshkallëzua, Tjetri Shqiptar u dehumanizua më tej, pastaj u‘ndërtua fraza ‘shqiptar kriminel’ për të justifikuar mizoritë e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.

A ka një rrugë si zgjidhje?

Në dekadën e fundit, që nga fillimi i dialogut të Brukselit, qytetarët serbë pyeten rregullisht nëse janë të gatshëm të pranojnë njohjen e Kosovës në këmbim të anëtarësimit në BE. Nuk është për t'u habitur, shumica dërrmuese thonë jo, sepse Kosova është një çështje emocionale, ndërsa BE-ja kurrë nuk ka arritur të fitojë zemrat e njerëzve. Gjithashtu, njohja e Kosovës dhe të qenit e vetmja republikë jugosllave që humbet një pjesë të territorit është e vështirë të kapërdihet për një shoqëri tashmë të poshtëruar.

Për të qenë e qartë, unë nuk po argumentoj se këto tipare të shoqërisë serbe dhe nacionalizmit serb janë të arsyeshme (a mund të jetë i arsyeshëm ndonjë nacionalizëm, në fund të fundit) ose se ato duhet të përdoren si një justifikim për një statujuo ose për retorikë nxitëse që shpesh dëgjojmë nga politikanët dhe mediat serbe. Arritja e një marrëveshjeje dhe pajtimi midis dy vendeve është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, unë mund të them se natyra e përshkruar e shoqërisë serbe duhet të merret parasysh në çdo shqyrtim të zgjidhjeve edhe hipotetike të këtij konflikti ose mosmarrëveshjeje, sido që të preferoni ta quani. Madje edhe shoqëria civile mund të luajë një rol në trajtimin e disa aspekteve të saj, në një afat të gjatë. Në një afat të shkurtër, ka pak mundësi që qëndrimet e serbëve të ndryshojnë, me një sondazh të fundit që tregon se edhe nëse Kisha Ortodokse pranon njohjen e Kosovës, ajo nuk do të ketë ndikim në qëndrimin e shumicës së të anketuarve.

Kontributi i shoqërisë civile

Ka gjëra që shoqëria civile duhet të fillojë t'i bëjë në mënyrë më aktive për të ndryshuar qëndrimet shoqërore dhe për të sjellë ndryshime në lidhje me pikëpamjet mbi statusin e Kosovës. Siç u tha më parë, Kosova mbetet një vend mitik në mendjet e popullit serb. Unë vetë për herë të parë udhëtova në Kosovë si pjesë e programit të vizitës së Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut. Përgjatë viteve mu desht të kaloj më shumë kohë në Kosovë, dhe pas çdo vizite arrij ta kuptoj më të mirën e anës "tjetër", por gjithashtu duke kuptuar se sa e çuditshme u duket shumicës së njerëzve në Serbi të thuash që ke qenë në Kosovë.

Prandaj programet e vizitave dhe shkëmbimeve kulturore do të ishin të rëndësishme për të paktën dy arsye. Programet e vizitave do të ishin të dobishme për procesin e humanizimit të shqiptarëve të Kosovës dhe tejkalimin e perceptimit për ta parë Kosovën thjesht si një copë tokë dhe shqiptarët si të Tjerë të padëshirueshëm. Të qenit fizikisht e pranishëme në Prishtinë, Gazimestan, ose Mitrovicë me bashkëqytetarët shqiptarë nxjerr elementin mitik të atyre vendeve duke sjellë një kontekst të ri në të kuptuarit e rrethanave aktuale.

Shkëmbimet kulturore do të ishin të rëndësishme për t'u njohur me njëri-tjetrin dhe për të pasur një bisedë të sinqertë për të kaluarën. Të qenit i ekspozuar ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare do të zvogëlonte distancën etnike dhe së paku do t'i bënte serbët më të afërt me të. Gjithashtu, për t'u marrë me të kaluarën, duhet të kesh njohuri për atë që ka ndodhur në një formë duke përfshi gjithashtu, për fat të keq, edhe publikun e painformuar. “Mirdita, dobar dan” është i vetmi festival në Serbi që një herë në vit për disa ditë promovon kulturën e shqiptarëve të Kosovës në Beograd. Është një event i pamjaftueshëm dhe gjithashtu i koncentruar vetëm në kryeqytet.

Në vend të përfundimit

Besimi dhe perceptimi i përgjithshëm është se vendet perëndimore po mbështesin të fuqishmin serb Vuçiq, sepse ai mund ta njohë Kosovën. Zgjidhja e statusit të Kosovës do të ishte simbolikisht një sukses i madh për një ndikim të kufizuar të politikës së jashtme të BE-së, por edhe për administratën amerikane. Sidoqoftë, për të gjitha arsyet e përmendura më lart, dhe pavarësisht nga presioni ndërkombëtar, është joreale të pritet që Serbia të nënshkruajë njohjen e Kosovës në këto rrethana. Dhe është një iluzion të argumentosh se Vuçiq ka kontroll të plotë mbi shoqërinë serbe që i lejon atij të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që e konsideron të përshtatshme dhe pranueshme.

Normalizimi i marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një proces i gjatë. Përpjekjet për ta njohur njëri-tjetrin më mirë janë vendimtare, dhe shoqëria civile duhet të kontribuojë në ndërtimin e asaj lidhje kyçe në zinxhirin e këtij procesi. Po, do të jetë një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por megjithatë është detyra kryesore e brezit tonë dhe një kontribut vendimtar për marrëdhëniet rajonale në të ardhmen.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Zjarret - një faktor surprizë pas tridhjetë vitesh...
Edukimi mbi mjedisin është zgjidhja e vetme
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E hënë, 25 Tetor 2021

  • Blogo +

    Bashkohuni me ekipin e bashkëpunëtorëve dhe sugjeroni një temë ose dërgoni një tekst, me foton tuaj dhe një biografi të shkurtër në info@iks.edu.mk.

    Lexo më shumë

  • Udhëzime +

    Tekstet duhet të përmbajnë ndërmjet 900 dhe 1300 fjalë dhe duhet të shkruhen në paragrafë të shkurtër, në një stil të kuptueshëm dhe joformal.

    Lexo më shumë

  • Shkarko +

    Ne dëshirojmë të nxitim një debat të shëndetshëm në lidhje me interesin publik dhe për këtë arsye t'i inkurajojmë lexuesit të lënë komente të arsyeshme dhe konstruktive në të gjitha blogјet tona, përfshirë edhe kritika të forta.

    Lexo më shumë

  • 1

Na ndiq