fbpx

Res publica njofton: Tregime nga rajoni #2

Në edicionin e parë të "Tregime nga rajoni" ne adresuam sfidat e ndryshme me të cilat u përballen vendet në rajon gjatë muajve të parë të pandemisë. Lexuam shtatë "tregime" përmes të cilave mësuam se si vendet fqinje dhe sistemet e tyre shëndetësore u prekën nga vala fillestare e KOVID-19.

Ajo që është më e rëndësishme, konstatuam se një pjesë e vendeve të rajonit janë në "të njëjtin kazan". Politikanët dhe partitë politike i vendosën (vendosnin)  interesat e tyre politike mbi ato të qytetarëve. Në disa vende, numri i rasteve të reja pozitive me KOVID-19 jo vetëm që nuk u ul, por përjetoi "kulmin" në muajt e verës, kur pritej që virusi të qetësohej. Ndërkohë, qytetarët e këtyre vendeve në pjesën më të madhe nuk ishin të disiplinuar në respektimin e masave të rekomanduara për mbrojtje dhe parandalim.

Pas muajve të parë, ishim dëshmitarë të tubimeve të mëdha publike (koncerte, gara sportive, festime, etj.) pa asnjë respektim të masave mbrojtëse. Sidoqoftë, këto tubime nuk ishin vetëm të pakontrolluara, por në disa raste edhe të mbështetura nga qeveria.

Ndërkohë, ekonomia nuk i bëri dot ballë virusit. Si? Këtë e kuptuam përmes "tregimeve" të bashkëpunëtorëve tanë nga Kroacia (Prlija), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnjë dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN) dhe Bullgaria (Sega.bg) Ata tregojnë se ku është gabuar gjatë muajve të fundit, por gjithashtu tregojnë se çfarë duhet bërë në të ardhmen.

Në vigjilje të valës së dytë të pritshme, kërkojmë përgjigje në pyetjen vijuese: si të shmangim përsëri mbylljen e plotë të ekonomisë, ndërsa gjatë kësaj të sigurohet mbrojtje maksimale për qytetarët?

Këtë do ta zbulojmë në edicionin e dytë të "Tregime nga rajoni

Nisma "Tregime nga rajoni" zbatohet nga Instituti për Studime të Komunikimit në kuadër të projektit "Lidhni Pikat: Politika të Përmirësuara Përmes Pjesëmarrjes Qytetare" të implementuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ICS), me mbështetjen e Ambasadës Britanike Shkup.

Partnerët tanë

PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI
PCNEN LOGO PARTNERI

Shpëtimi i ekonomisë kroate nuk është në masat dhe mjetet e Bashkimit Evropian, por në reformat rrënjësore të të gjithë sistemit

Nikolina Lednicki

Jona Koprencka 200x250

Me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, futjen e masave epidemiologjike dhe mbylljen e kufijve, në shoqërinë kroate filluan të diskutohen reformat e nevojshme. Prej vitesh flitet se si nuk mund të mbështetemi te turizmi si dega më e rëndësishme e ekonomisë.

Kroacia ishte në rrugën e duhur për tu rikuperuar plotësisht nga kriza financiare e vitit 2008, e cila tronditi rëndë ekonominë dhe shkaktoi një valë pushimesh dhe emigracionin e një numri të madh të fuqisë punëtore të re. Në ndërkohë, ajo ju bashkua Bashkimit Evropian si anëtare dhe ekonomia tregoi përparim, që është reflektuar në rritjen e BPV-së. Sidoqoftë, pandemia e virusit korona papritur ndaloi gjithçka që po ndodhte, përfshirë rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Duhet gjithashtu të theksohet se kryeqyteti kroat, Zagrebi, u godit nga një tërmet i fortë, që përkeqësoi më tej situatën e përgjithshme.

Për shkak të masave epidemiologjike, kontaktet duhej të ishin të kufizuara, i gjithë vendi u ndal për disa muaj në çdo kuptim. Ambientet e hotelerisë u mbyllën, funksionimi i dyqaneve ishte i kufizuar dhe lëvizja e njerëzve kontrollohej rreptësishtë. Shumë biznese të vogla dhe zejtarë duhej të mbyllnin përkohësisht dyert e tyre. Meqenëse Kroacia është një vend turistik dhe një pjesë e konsiderueshme e BPV-së përbëhet nga industria e turizmit, pritej një rënie e madhe e të ardhurave.

Për shembull, kompanitë e transportuesve publik regjistruan rënie në të ardhura prej një përqindje të pabesueshme 95 deri 98 përqind dhe deri në 20,000 vende pune ishin në rrezik. Për shkak të ndalimit të tubimeve më të mëdha, ajo gjithashtu pësoi një goditje të madhe të event industrisë e cila çdo vit prodhon më shumë se 4.5 miliardë kuna (597,062,700 EUR) Shumë industri pësuan goditje të madhe, parashikimet ekonomike nuk ishin të favorshme për zhvillime pozitive dhe qytetarët kishin frikë për vendet e tyre të punës.

 Mbyllja absurde e Qarqeve dhe Komunave

Pas panikut fillestar dhe akumulimit të ushqimeve me afat të gjatë nga dyqanet (siç janë mielli, majaja, vaji, etj.), qytetarët u përshtatën me situatën që nga fillimi. Ata janë mësuar me maskat dhe dezinfektimin e vazhdueshëm të hapësirave në të cilat qëndrojnë. Sidoqoftë, problemet kryesore për qytetarët ndodhën kur Selia Kombëtare e Mbrojtjes Civile urdhëroi që kufijtë e qarkut dhe komunave të mbyllen dhe që të gjithë duhet të kenë leje për të hyrë në hapësirën e një qarku ose komune tjetër. Shumë linja të autobusëve, trageteve dhe hekurudhave ishin të kufizuara, gjë që ishte një problem kryesor për shumë punëtorë që punonin në qarqe dhe qytete jashtë vendbanimit të tyre. Ishujt ishin plotësisht të prerë nga qytetet bregdetare që janë qendra të rëndësishme administrative.

Pikërisht për shkak të mbylljes së kufijve të qarqeve dhe komunave, u dëshmua absurditeti i shumë qeverisjeve lokale në vend, i cili është një tjetër problem kryesor që duhet të reformohet sa më shpejt të jetë e mundur. Një nga shembujt është ishulli Vis, ku ndodhen qytetet Vis dhe Komizha. Nga ana administrative, të dy qytetet funksionojnë veçmas, por funksionalisht formojnë një tërësi. Pasi u futën masat, në stacionin e vetëm të karburantit të vendosur në Vis, qytetarëve të Komizhës iu desh të kishin leje për tu furnizuar me karburant ose që të shkonin në një dyqan më të madh.

Qytetarët, përveç që kishin probleme për të shkuar në punë për shkak të masave të mësipërme, kishin edhe probleme me organizimin e punës. Përkatësisht, vetëm disa kompani u ofruan mundësinë punëtorëve të punojnë nga shtëpia. Hulumtimi i kryer nga portali Moj Posao (Puna ime) tregoi se ata që më shpesh mund të punojnë nga shtëpia janë punonjësit e ndërmarrjeve të mëdha dhe punonjësit në sektorin e TI-së. Kompanitë më të mëdha që veprojnë në Kroaci, siç janë Atlantic Grupa, Erste&Steiermärkische Bank, A1 (kompania e telekomunikacionit), INA (kompania kroate e naftës) dhe Laboratori i Komunikimit (agjencia për marrëdhënie me publikun) panë përfitimet e punës nga shtëpia për shumë punonjës.

Nga ana tjetër, ka shumë punë që thjesht nuk mund të bëhen nga shtëpia, që do të thotë se shumë punëtorëve u është dashur të bëjnë pushime për shkak se nuk mund të punonin. Puna duhej të organizohej me ndërrime, për shembull shumë njerëz punuan dy javë në muaj, ndërsa dy javët e tjera ishin në shtëpi. Në shumë industri, puna u ndalua fare. Për shembull, ndalimi i tubimeve të mëdha praktikisht ndaloi punën e të gjithë event industrisë, e cila punëson mbi 10,000 punëtorë. Këta janë muzikantë, fotografë, profesionistë dhe kompani pa të cilat koncertet, manifestimet dhe ngjarjet nuk do të ishin të mundshme.

Përveç kësaj, ndalimi i fundit pas mesnatës në klubet e natës dhe baret ka rrezikuar një mori vende të punës. Hoteljerët kanë protestuar për javë të tëra mbi ndalimin e vendosur dhe kërkuan ulje taksash për t'i mbrojtur punëtorët. Të gjitha këto probleme kanë nxitur debat në shoqërinë kroate rreth ndryshimit të Ligjit të Punës, sepse është e qartë se të gjithë do të duhet të përshtaten me kushtet e reja dhe se këto janë ndryshime afatgjata.

Përveç ndryshimeve të lidhura me punën, shumë qytetarë gjithashtu janë përballur me mungesën e kujdesit shëndetësor adekuat. Shumë pacientë onkologjik dhe me përparësi janë lënë pas dore, për të cilët ende është duke u ballafaquar Ministria e Shëndetësisë. Meqenëse janë lëshuar shumë masa dhe udhëzime epidemiologjike, ka mosmarrëveshje brenda vetë profesionit të mjekëve, duke çuar në atë që pacientët të vuajnë pasojat.

Pasoja të mëdha për ekonominë

Masat ekonomike për ta shpëtuar ekonominë janë ende në fuqi, që do të thotë se do të kemi të dhëna të sakta në fund të vitit. Supozohet se fuqia blerëse e qytetarëve do të dobësohet ndjeshëm, me të dhënat e Eurostat nga viti 2019 që gjatë periudhës së "mirë" Kroacia kishte fuqi blerëse e një të tretës më pak se ajo e një rezidenti mesatar të BE-së. Fatkeqësisht, Kroacia është në pjesën e prapme të Bashkimit Evropian në pothuajse të gjitha çështjet ekonomike. Kriza sigurisht që do të ketë pasoja të mëdha në ekonomi dhe në xhepat e qytetarëve.

Në fund të gushtit, morëm lajme që të gjithë ja patëm frikën. Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se në tremujorin e dytë të vitit 2020, BPV ra me një përqindje pabesueshme prej 15.1 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Skenarët më të këqij të rastit parashikuan rënie prej 13 përqind, por të dhënat treguan se Kroacia ka një nga ekonomitë më të prekura në Bashkimin Evropian. Kriza financiare ka lënë pasoja të mëdha nga të cilat jemi rimëkëmbur për shumë vite. Në vitin 2009, BPV-ja ra me 8.8 përqind, e cila sot duket shumë mirë në krahasim me të dhënat e fundit.

Qeveria e Andrej Plenkoviç iu përgjigj krizës me masa për sipërmarrësit dhe punonjësit duke paguar pagat minimale prej 4,000 kuna (530 EUR) dhe duke paguar kontribute në atë shumë. Megjithëse duket se bëhet fjalë për mjete të rëndësishme, duhet theksuar se paga mesatare kroate është 6,796 kuna (900 EUR). Gjithashtu, Qeveria dha masë me të cilën ata fshinë ose shtynë pagesat e detyrimeve tatimore.

 Kolku poloso zdravstvo tolku polosa ekonomija 1Burimi: vecernji.hr

Duhet gjithashtu të theksohet se Kroacia mbajti zgjedhjet parlamentare në korrik, të cilat mbajtën në ankth shumë sipërmarrës dhe qytetarë. Meqenëse masat për të shpëtuar ekonominë u përshkruan në prill, askush nuk mundi të parashikojë se çfarë mund të ndodhte pas zgjedhjeve parlamentare. Sidoqoftë, Bashkimi Demokratik Kroat përsëri mori besimin e qytetarëve dhe Andrej Plenković përsëri bashkoi Qeverinë.

Në fillim të shtatorit, Kryeministri Plenkoviç njoftoi vazhdimin e masave për sipërmarrësit dhe punëtorët. Përkatësisht, puna me kohë të pjesshme do të bashkë-financohet deri në një maksimum prej 2,000 kuna për punonjës me kontributet përkatëse, nëse sipërmarrësi do të kishte rënie në qarkullim prej më shumë se 50 përqind. Gjithashtu, për aktivitetet që janë veçanërisht të prekshme, mbështetja e 4,000 kunave për punëtor do të vazhdojë deri më 31 dhjetor të këtij viti. Sipërmarrësve gjithashtu u sigurohet vazhdimi i lëshimit të kredive "Covid" përmes HAMAG-BICRO (Agjencia Kroate për Biznes të Vogël, Inovacione dhe Investime) dhe programit HBOR (Banka Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim).

Përkatësisht, këto janë kredi jashtëzakonisht të favorshme me një normë interesi prej 0,1 deri në 0,5 përqind dhe një periudhë të shlyerjes së borxhit prej tre deri në pesë vjet. Meqenëse interesi i sipërmarrësve për këtë lloj ndihme ishte i madh, tenderët u mbyllën në maj. Në mes të korrikut, pas përpunimit të aplikimit, filluan të publikohen emrat e kompanive dhe sipërmarrësve që morën hua. Siç është përmendur tashmë, tenderët janë rihapur dhe janë në dispozicion të sipërmarrësve.

Megjithëse këto masa tingëllojnë mirë në letër dhe kur Qeveria i paraqet ato si "ndihmë" për ekonominë dhe qytetarët, duhet qenë të vetëdijshëm për faktin se jo gjithçka është aq e thjeshtë. Qeveria u përgjigj me kohë në mars, por problemet me burokracinë dhe zbatimin e vetë masave ishin të dukshme që nga fillimi. Sipërmarrësit dhe artizanët shumë shpesh nuk mund të mbanin shënim se cilat kushte kishin ndryshuar ose thjesht nuk merrnin informacione kthyese në kohë.

Megjithëse kreditë "Covid" duken si një mundësi e shkëlqyeshme për sipërmarrësit, fakti është që nga aplikimi në pranverë kemi pritur deri në korrik për informacion nëse mund të merret një kredi. Gjithashtu, të gjithë ata që donin të aplikonin duhej të mblidhnin dokumentacion të gjerë, e cila është një dhimbje e vazhdueshme e mënyrës kroate e të bërit biznes. Besoj se Kroacia nuk do të bëjë kurrë përparim nëse nuk përmirëson mënyrën e saj të të bërit biznes dhe nëse nuk digjitalizohet. Në të gjitha vendet e zhvilluara, kompanitë dhe bizneset hapen brenda një ore, ndërsa në Kroaci duhen disa ditë.

Digjitalizimi i detyruar

Masa që askush nuk e priste ose planifikonte (as qeveria dhe as qytetarët) ishte "digjitalizimi i detyruar". Kroacia ka një nga burokracitë më të shtrenjta dhe më të këqija në Bashkimin Evropian, siç tregohet nga sondazhe të shumta vendore dhe Evropiane. Lëshimi i dokumenteve, certifikatave dhe dorëzimi i aplikacioneve ishte një proces mjaft i vështirë që u qetësua me kalimin e viteve. 

U prezantuan disa sisteme për të përshpejtuar procesin, por duhej bërë shumë më tepër që digjitalizimi të kishte sukses dhe të sillej në jetë. Sidoqoftë, pandemia e virusit korona ka treguar se gjithçka mund të bëhet në internet, edhe në institucionet që më parë kishin kërkuar vizita personale. Qytetarëve shpesh u është thënë që ky është një projekt i shtrenjtë dhe shumëvjeçar, por duket se ishte i nevojshëm vetëm një virus për ta ngritur dhe vënë në funksion sistemin.

Ndihmë ekonomisë kundrejt ndihmës për qytetarët

Kërkimet tregojnë se rreth 61 përqind e qytetarëve mbështetën masat fillestare dhe i konsideruan ato si masa të përshtatshme. Qytetarët kishin frikë nga skenari i vitit 2008 kur papunësia filloi të rritet dhe arriti kulmin në 2014 kur Kroacia regjistroi 384,376 persona të papunë (17.7%). Rritja për mbështetjen e masave të Qeverisë ngeci pasi ato u paraqitën si ndihmë për ekonominë sesa si ndihmë e drejtpërdrejtë për qytetarët. Duhet të theksohet se masat e paralajmëruara fillimisht rritën besimin e qytetarëve dhe sipërmarrësve, por doli se situata me ndihmën ekonomike nuk është aq e thjeshtë. Masat u paguan rregullisht në mars, prill dhe maj. Sidoqoftë, me arritjen e verës ndryshoi situata.

Në gusht u paraqitën sipërmarrës dhe zejtarë të cilëve Enti për Punësim i Kroacisë nuk u kishte paguar masat që nga qershori. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se sipërmarrësit kanë pasur shumë probleme me aplikimin për masa për faktin se procedurat dhe kushtet kanë ndryshuar disa herë. E gjithë kjo ka bërë që gjithnjë e më pak sipërmarrës dhe zejtarë të aplikojnë për pagimin e masave. Duhet gjithashtu të theksohet se sipërmarrësit dhe zejtarët fillimisht mbështetën masat ekonomike sepse ata shpresonin se ato do të çonin në reformat e nevojshme gjithëpërfshirëse që do të krijonin ndryshime të vërteta. Është pikërisht kjo gjë pozitive që ka dalë nga masat ekonomike - shoqata e sipërmarrësve dhe zejtarëve. Masat nuk janë të qëndrueshme në planin afatgjatë, por është e nevojshme të gjenden mënyra për ta filluar ekonominë dhe për t'i zvogëluar taksat, të cilat nga ana tjetër do të inkurajojnë zhvillimin e sipërmarrjes dhe të tërheqin investitorë të huaj.

Tani për tani, masat kanë ndaluar valën e pushimeve nga puna dhe shembjen e shumë sipërmarrësve dhe zejtarëve, por ato nuk janë zgjidhje e përhershme. Duhet gjithashtu të theksohet se Kroacia, si një anëtare e Bashkimit Evropian, ka fituar qasje në fonde të konsiderueshme. Bëhet fjalë për dy megapaketa financiare të veçanta. Instrumenti i "BE-së i gjeneratës tjetër" u krijua për shkak të pandemisë së virusit korona dhe vlerësohet në 9.4 miliardë euro për Kroacinë. Paketa e dytë është Buxheti shumëvjeçar Evropian (VFO) prej 12.7 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Megjithëse Qeveria i paraqiti këto fonde për publikun Kroat si paketë "e pasur" që do të "shpëtojë" ekonominë, kjo nuk është as afër së vërtetës. Shumë shtete kanë marrë paketa më të rëndësishme ndihme që me të vërtetë do të bënte ndryshim të rëndësishëm.

Kroacia nuk përdori fondet evropiane që kishte në dispozicion në periudhën e mëparshme dhe ato që përdori ishin në fokus të vazhdueshëm publik për shkak të korrupsionit. Shumë sipërmarrës, ekonomistë dhe ekspertë kroatë janë të shqetësuar për mënyrën se si qeveria do të alokojë fondet në dispozicion, për shkak të përvojave të mëparshme.

Me shpërthimin e pandemisë, futjen e masave epidemiologjike dhe mbylljen e kufijve, në shoqërinë kroate filluan të diskutohen reformat e nevojshme. Prej vitesh flitet se si nuk mund të mbështetemi te turizmi si dega më e rëndësishme e ekonomisë. Rritja e BPV gjithashtu varet nga suksesi i sezonit turistik. E gjithë ekonomia dhe të gjitha aktivitetet mbështeten shumë te kjo degë e ekonomisë.

Kroacia ka një problem me tërheqjen e investimeve të huaja, për shkak të taksave të mëdha dhe burokracisë së komplikuar që e bën konkurrencën më të vështirë. Besoj se Qeveria duhet të konsultohet shumë më tepër me ekspertë dhe me sipërmarrës që kanë rezultatet pas tyre. Një shembull është dhe viza nomade digjitale, një projekt i filluar nga sipërmarrësi holandez Jan de Jong, i cili jeton dhe punon në Kroaci. Përveç kësaj, u shfaq shoqata Zëri i Sipërmarrësve, e cila në një kohë shumë të shkurtër mblodhi një numër të madh të sipërmarrësve (mbi 12,000) dhe qindra mijëra simpatizantë.

Këto janë bërë një burim i rëndësishëm informacioni për sipërmarrësit, por edhe faktor në krijimin e politikës ekonomike në këtë periudhë krize. Shumë nga propozimet e tyre për masa u pranuan nga partia në pushtet, kryesisht për shkak të presionit nga media.

Vijon koha e ndryshimeve rrënjësore

Zgjidhja më e mirë e mundshme për Kroacinë do të jetë bashkëpunimi i Qeverisë dhe institucioneve me qytetarët dhe sipërmarrësit. Ajo që duhet të bëhet tani është rregullimi i ekonomisë për të ardhmen. Fakti është që për shkak të krizës, shumë sipërmarrës dhe zejtarë do të duhet të mbyllin dyert e tyre dhe mënyrën se si do t'i pushojnë punëtorët. Sidoqoftë, ne do të duhet të përshtatemi si treg dhe të gjejmë mënyra për ta filluar ekonominë.

Kroacia ka një burim dhe potencial të madh në njerëzit e saj. Kërkimet e Eurostat për shembull, tregojnë se të rinjtë në Kroaci kanë aftësitë më të mira digjitale (informacion, komunikim, zgjidhje të problemeve dhe softuerit) në krahasim me të rinjtë nga pjesa tjetër e Evropës. Sipërmarrësit dhe zejtarët do të duhet të përshtatin biznesin e tyre me situatën e re që do të zhvillohet në treg dhe të kërkojnë burime të reja të të ardhurave.

Qeveria do të duhet të gjejë mënyra për të siguruar që Kroacia të jetë konkurruese në tregun global. Sigurisht që nuk do të jetë në gjendje të jetë prodhues masiv, por zhvillim të ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë dhe investimeve në bujqësi. Ka shumë potencial të pashfrytëzuar, madje edhe në sektorin e turizmit që duhet të punohet në periudhën e ardhshme. Përveç kësaj, ajo që do të përcaktojë në mënyrë të konsiderueshme suksesin e Kroacisë është politika e taksave, reforma në arsim dhe reforma në drejtësi. Për Kroacinë, vijon një kohë e ndryshimit rrënjësor në çdo kuptim.

Iniciativa "Tregime nga rajoni #2" zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit – IKS (Maqedonia), në bashkëpunim me Analizo.ba (BeH), Sbunker (Kosovë) nisma qytetare Ne davimo Beograd“ (Serbi), ABCnews.al (Shqipëri), Prlija (Kroacia), SEGA (Bullgaria) dhe PCNEN (Mali i Zi).

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni apo shkarkoni
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose të dhuruesit.

Përgjigja bullgare ndaj pandemisë: Hedhja e parave...
Kujdes me kë komunikoni onllajn
 

Komente

Për momentin nuk ka komente. Bëju i pari me komentin tënd!
Anonim
E enjte, 21 Janar 2021