Si të dalloni narrativat e koordinuara në mediat sociale?

Hyn në Facebook dhe sheh që të gjithë papritmas po flasin për të njëjtën ngjarje, me pothuajse të njëjtin mendim. E njëjta fjali përsëritet nën çdo tekst politik.

Shfaqen profile të reja që flasin sikur dinë gjithçka. Hashtag-et që askush nuk i përdorte dje, sot shfaqen në “çdo cep”. Dhe fjalë për fjalë brenda pak orësh, i gjithë rrjeti duket se po “vlon” me të njëjtat qëndrime.

Në shikim të parë, kjo mund të duket si pakënaqësi e vërtetë ose shqetësim i sinqertë. Por ndonjëherë ajo që shohim nuk është e natyrshme.

Shumë shpesh bëhet fjalë për një rrëfim të koordinuar, i krijuar nga grupe, rrjete ose aktorë të huaj që duan ta orientojnë opinionin publik në një drejtim të caktuar.

Për të kuptuar se si funksionon kjo, duhet të kuptojmë idenë themelore: një rrëfim i koordinuar është një histori që përhapet qëllimisht, me një plan, me organizim dhe me një qëllim. Nuk është spontane. Nuk është autentike. Nuk është e sinqertë. Synon të të bindë për diçka, jo sepse është e vërtetë, por sepse dikush do të përfitojë nëse e beson.

Çfarë është një “narrativë” kur flasim për manipulimin e informacionit?

Një narrativë është historia qendrore që e nxit fushatën. Është “ideja kryesore” që përsëritet vazhdimisht, me fjalë të ndryshme, por me të njëjtin kuptim. Për shembull:

"Të gjithë politikanët janë njësoj."
"Sistemi është i korruptuar, nuk ka shpëtim."
"Bashkimi Evropian nuk na do të mirën."
"Migrantët janë një kërcënim për shtetin."
"Ky grup etnik po e shkatërron vendin."
"Ne jemi heronj, ata janë tradhtarë."

Këto narrativa zgjidhen me shumë kujdes. Ato duhet të jenë të thjeshta, në mënyrë që të kuptohen lehtësisht. Ato duhet të jenë emocionale, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen tuaj dhe t’ju bëjnë të reagoni. Dhe ato duhet të jenë të përsëritshme, në mënyrë që të “nguliten” në mendjet e sa më shumë njerëzve të jetë e mundur.

Çfarë është „koordinimi“ në këtë kontekst?

Koordinimi do të thotë që profile, faqe, grupe, portale dhe madje edhe influencues të shumtë marrin të njëjtin material, ose të njëjtën matricë për të njëjtën histori, dhe e publikojnë atë në të njëjtën periudhë kohore ose të ngjashme.

Imagjinoni sikur është paralajmëruar një protestë. Përpara protestës, dhjetëra profile papritmas fillojnë të pretendojnë se tubimi do të jetë i dhunshëm, edhe pse nuk ka asnjë informacion zyrtar apo provë për një gjë të tillë.

Pastaj, dhjetëra profile thonë se policia “po planifikon diçka”, ndërsa portale të caktuara fillojnë të publikojnë informacione “ekskluzive” në lidhje me protestën. Këto mesazhe krijojnë frikë edhe para se të fillojë protesta.

Fazat e koordinimeve të këtyre narrativave

Çdo narrativë e koordinuar ka tre faza kryesore: ngjitjen, përhapjen dhe përshkallëzimin.

Faza1

„Ngjitja“

Kjo është faza më e rëndësishme. Këtu duhet të zërë rrënjë narrativa. Për të pasur sukses, ajo duhet të lidhet me diçka reale. Për shembull:

– një ngjarje e vërtetë kriminale
– një krizë e vërtetë ekonomike
– tension etnik ekzistues
– një tragjedi në shoqëri

Aktorët që “shtyjnë” këto operacione janë të vetëdijshëm se njerëzit reagojnë më shumë ndaj emocioneve: frikës, zemërimit, padrejtësisë, besnikërisë, shqetësimit për familjen. Prandaj, narrativat më të suksesshme lidhen me këto tema.

Një shembull i përdorur shpesh në rajon: aktorë të caktuar marrin dhe diskutojnë vështirësi të vërteta ekonomike dhe fillojnë ta përshkruajnë atë si “provë” se shteti po dështon. Edhe pse situata është e vështirë, ata e shndërrojnë atë në një katastrofë. Dhe kur publiku është tashmë i frikësuar ose i lodhur nga problemet, histori të tilla ngjiten lehtësisht.

Faza2

„Përhapja“

Pasi historia të ketë tërhequr vëmendjen e publikut, hapi tjetër është zgjerimi apo përhapja e saj.

Kjo bëhet, ndër të tjera, me:

– profile të krijuara rishtazi në mediat sociale
– profile që “zgjohen” pas vitesh pasiviteti
– portale që shfaqen papritur
– grupe në Facebook me mijëra anëtarë, por pa administratorë

Qëllimi është ta shihni narrativën në shumë vende njëkohësisht, duke i dhënë trurit tuaj ndjesinë se është një “temë e madhe”. Kjo është e njohur shkencërisht: kur e shohim diçka disa herë, truri e konsideron të vërtetë.

Faza3

„Përshkallëzimi“

Kur rrëfimi është tashmë gjerësisht i pranishëm, aktivizohen “shtresa shtesë”. Për shembull:

– video të reja që kinse “vërtetojnë” pretendimin
– deklarata nga ekspertë të rremë
– dokumente të dyshuara që janë gjithashtu pjesë e operacionit
– intervista me individë të dyshimtë ose të panjohur
– media tradicionale që e transmetojnë atë pa vetëdije

Për shembull, kur ndodh një incident në një vend fqinj, videot e disa viteve më parë shpesh postohen sikur të kenë ndodhur dje. Ose përdoren foto nga vende të tjera. Pastaj vjen “varianti” i së njëjtës histori: “Kjo thjesht konfirmon atë që kemi thënë prej vitesh”. Dhe kështu narrativa fiton legjitimitet, edhe nëse është plotësisht e rreme.

Si ta identifikojmë këtë në praktikë?

Le të imagjinojmë sikur një parti propozon një ligj të ri për pagën minimale. Një ditë më vonë, 50 llogari të reja shfaqen papritur në Twitter/X duke pretenduar se kjo do të shkatërrojë ekonominë. Të gjitha këto profile përdorin fjalor të ngjashëm. Disa profile kanë fotografi të personazheve të famshëm, dhe pothuajse asnjë nuk ka foto personale.

Pastaj në Facebook shfaqen grupe me emra që në pamje të parë tingëllojnë si iniciativa qytetare, por administratorët ose anëtarët e tyre janë të panjohur dhe nuk mund të identifikohen. Atje shpërndahen video dramatike duke pretenduar se vendi do të shkatërrohet.

Disa orë më vonë, disa portale publikojnë një tekst të ngjashëm si një lajm “ekskluziv”, duke pretenduar se ekonomistët po paralajmërojnë për një katastrofë. Por nëse e hapim tekstin, shohim se ata nuk përmendin asnjë emër të vetëm. Thonë vetëm kinse “ekspertët pretendojnë”.

Të nesërmen, TikTok është i mbushur me video të përdoruesve që përsërisin të njëjtat fjali me të njëjtin ton.

Në ditën e tretë, poshtë çdo postimi në media, ka qindra komente që pretendojnë se “të gjithë e dinë çfarë po ndodh”. I njëjti skenar, e njëjta strukturë.

Kjo është një narrativë e koordinuar.

Si ta mësoni që një profil është pjesë e një koordinimi?

Nëse profili:

– është shfaqur para 3 ditësh
– nuk ka fotografi me njerëz
– nuk ka asgjë personale
– komenton vetëm për politikë
– poston gjatë natës ose poston shumë shpesh
– përdor fraza identike sikur shumë profile të tjera

… me shumë gjasë ky nuk është një profil i vërtetë.

pile 3d popular social media logos

Si duken platformat kur ekziston një koordinim?

Në Twitter/X, koordinimi shpesh duket si hashtag-e që papritmas bëhen të famshme dhe papritmas kanë mijëra përdorime. Ose komente me fjali që tingëllojnë identike.

Në Facebook, shihet në komentet nën media, ku 20 profile me pothuajse të njëjtin stil shkrimi përhapin të njëjtin mesazh.

Në TikTok, janë video dramatike që përdorin të njëjtat klipe, të njëjtin tekst dhe të njëjtin tingull, shpesh të ndara nga një numër i madh pseudo-influencuesish.

Në Instagram, këto janë faqe që e prezantojnë veten si patriotike, por publikojnë vetëm përmbajtje politike.

Qëllimi është të krijohet një perceptim artificial se diçka është masive. Edhe pse nuk është.

Leksioni kryesor

Narrativat e koordinuara nuk funksionojnë sepse janë të zgjuara. Ato funksionojnë sepse janë të shpejta, emocionale dhe të zhurmshme. Dhe ata mbështeten në faktin se njerëzit rrallë kontrollojnë për të parë nëse diçka është e vërtetë.

Kur të mësojmë si të identifikojmë këtë, bëhemi rezistent. Nuk ka manipulim që mund të na mashtrojë lehtë.

Postimet e fundit

Edhe kur ta thonë të vërtetën (jo të plotë), mund të të manipulojnë

Si të kontrolloni nëse fotografitë apo videot janë autentike?

Pse më dalin video me doktorë të rremë në rrjetet sociale?

Zbatimi i kornizës DISARM përmes një shembulli të NHMI-së

Si t’i zbulojmë llojet e reja të dezinformimit?

Cila është prapavija e sfidave në TikTok?