Modeli 5D: Të kuptuarit e qëllimeve strategjike të Ndërhyrjes së huaj dhe manipulimit të informacionit (NHMI)

Modeli ABCDE na ndihmoi të shihnim se si përhapen përmbajtjet e dyshimta. por, për të kuptuar qëllimin e vërtetë që qëndron pas këtyre fushatave, duhet të zhytemi më thellë.

Dhe, për këtë do të na ndihmojë Modeli 5D.

Modeli 5D është zhvilluar nga Bashkimi Evropian si një kornizë analitike për të shpjeguar pse kryhen fushatat e informacionit dhe manipulimit të huaj (FIM). Ndërsa modeli ABCDE tregon se si përhapet përmbajtja e dëmshme, modeli 5D zbulon objektivat strategjike që fshihen pas fushatave të tilla.

Me fjalë të tjera, në vend që thjesht të gjurmohet nëse diçka është e vërtetë apo e rreme, modeli 5D ndihmon për të kuptuar pse aktorët duan të ndikojnë në publik dhe çfarë efekti duan të arrijnë.

fimi analysts

Pesë „D“

Në vijim, do të analizojmë pesë pikat në kornizën analitike 5D.

1. Refuzo/Hiq (Dismiss)

Qëllimi është të diskreditojë njerëzit që flasin kundër narrativës. Në vend që të debatohet me to me fakte, ata portretizohen si “gënjeshtarë”, “të korruptuar” ose “armiq”.

2. Shtrembëro (Distort)

Këtu, informacioni i vërtetë shtrembërohet ose përdoren fragmente faktesh për të krijuar një imazh mashtrues.

fimi 5d b
fimi 5d a
3. Shpërqendro (Distract)

Qëllimi është që hapësira të vërshohet me histori të panevojshme ose sensacionale, në mënyrë që njerëzit të humbasin fokusin në faktet e rëndësishme.

4. Përçaj (Divide)

Fushatat janë krijuar shpesh për të krijuar konflikt midis grupeve. Në vend që njerëzit të bashkohen, ata fillojnë të debatojnë me njëri-tjetrin.

5. Zhgënje (Dismay)

Qëllimi përfundimtar është të ngulitet një ndjenjë pashprese. Nëse njerëzit besojnë se asgjë nuk ka kuptim, ata do të pushojnë së kërkuari të vërtetën ose të luftojnë për një zgjidhje.

Modeli 5D në praktikë: incidente të lidhura me Rusinë dhe Kinën

Analiza e 100 incidenteve të NHMI-së (tetor-dhjetor 2022) nga ana e Komisionit Evropian tregon se Rusia dhe Kina më shpesh përdorin shpërqendrimin e vëmendjes (Distract) dhe zhvendosjen e fajit diku tjetër si qëllimin kryesor të operacioneve të tyre.

Në kanalet ruse, 42% e incidenteve kishin për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga pushtimi rus i Ukrainës; 35% shërbyen për të shtrembëruar dhe sulmuar qeverinë ukrainase dhe institucionet e BE-së. Të gjitha incidentet që kanë të bëjnë me krizën energjetike janë të lidhura me këto dy qëllime.

Në kanalet kineze, 56% e incidenteve synonin të promovonin Kinën si një “partner/lider botëror të besueshëm” dhe të degradonin Perëndimin, veçanërisht pretendimet se SHBA-të po “destabilizojnë BE-në”, për të tërhequr vëmendjen ndaj një narrative pro-Kinës.

Incidentet që lidhen me Rusinë përdorin më shpesh motivin “Divide” (Përçaj) – duke theksuar të ashtuquajturën “Rusofobi në Perëndim” ose duke promovuar ndikimin global rus – me qëllim thellimin e përçarjeve brenda/midis komuniteteve dhe shteteve. Ndër subjektet më të synuara me incidente të tilla janë Qeveria e Kosovës (në kontekstin e tensioneve me Serbinë) dhe Polonia.

Në përgjithësi, Ukraina është vendi më i shënjestruar (33 herë), i ndjekur nga BE-jja (15), SHBA-të (11), Forcat e Armatosura të Ukrainës (10), NATO (8).

Për kontekst, raporti thekson më tej se kanalet diplomatike shpesh shërbejnë si përforcues për operacionet NHMI dhe se dominojnë formatet e imazhit/videos, një sinjal i rëndësishëm se si këto narrativa krijohen dhe normalizohen në sferën publike.

Burimi: European External Action Service (EEAS), 1st Report on Foreign Information Manipulation and Interference Threats (shkurt 2023).

Shembuj të përdorimit të taktikave 5D

D Qëllimi Si realizohet Shembull Efekti në publik
Dismiss (Refuzo) Heshtja ose diskreditimi i kritikëve Sulme ndaj ekspertëve, gazetarëve, aktivistëve “Mjekët paguhen nga kompanitë farmaceutike” Humbja e besimit te zërat e pavarur
Distort (Shtrembëro) Shtrembërimi i fakteve për të krijuar një perceptim të ri Përdorimi i termave të duhura, por në kontekstin e gabuar „Vaksinat modifikojnë ADN-në“ Krijimi i frikës dhe konfuzionit
Distract (Shpërqendro) Shpërqendrimi i publikut nga faktet Mbingarkim me teori dhe senzacione në sferën publike „Vaksinat janë plot me çipa“ Fokusi humbet, vëmendja shpërqendrohet
Divide (Përçaj) Nxitja e konflikteve midis grupeve Mesazhe të ndryshme për komunitete të ndryshme “Vaksinat janë të rrezikshme” kundrejt “Anti-vaksinuesit janë armiq” Rritje e polarizimit dhe humbje e besimit
Dismay (Zhgënje) Përhapja e ndjesisë së pashpresë dhe frikës Prezantimi i problemeve si të pazgjidhshme „Pandemia nuk do të përfundojë kurrë“ Njerëzit demotivohen dhe humbasin vullnetin për të vepruar

Postimet e fundit

Edhe kur ta thonë të vërtetën (jo të plotë), mund të të manipulojnë

Si të kontrolloni nëse fotografitë apo videot janë autentike?

Pse më dalin video me doktorë të rremë në rrjetet sociale?

Zbatimi i kornizës DISARM përmes një shembulli të NHMI-së

Si t’i zbulojmë llojet e reja të dezinformimit?

Cila është prapavija e sfidave në TikTok?