Zbatimi i kornizës DISARM përmes një shembulli të NHMI-së
Ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit përbëjnë një proces kompleks që realizohet përmes disa fazave të njëpasnjëshme. Një nga mjetet analitike më të përdorura për të kuptuar në mënyrë sistematike këto procese është korniza DISARM, e cila i kategorizon aktivitetet e aktorëve keqdashës në katër faza kryesore: planifikim, përgatitje, ekzekutim dhe vlerësim.
Në vijim paraqitet një shembull hipotetik i një operacioni manipulues të huaj, i orientuar drejt ndikimit mbi diskursin publik në një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në një periudhë kur zhvillohet një debat intensiv publik për reformat e lidhura me procesin e integrimit evropian.
PLANIFIKIMI
Faza e planifikimit përbën pjesën fillestare dhe strategjike të operacionit, në të cilën përcaktohen objektivat kryesore, efektet e dëshiruara dhe audiencat e synuara.
1. Përcaktimi i një qëllimi strategjik
Në kuadër të kësaj faze, aktori i huaj përcakton rezultatin e dëshiruar të operacionit. Në shembullin konkret, qëllimi përfundimtar është krijimi i një ambienti shoqëror në të cilin reformat e lidhura me integrimin evropian perceptohen si jo legjitime, të imponuara nga aktorë të jashtëm dhe në kundërshtim me interesat kombëtare.
Qëllimi përfundimtar nuk shprehet përmes një vendimi konkret politik, por përmes një ndryshimi afatgjatë të diskursit publik, ku mosbesimi ndaj institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë bëhet një dukuri normale në shoqëri.
2. Formulimi i qëllimeve operacionale
Pas përcaktimit të qëllimit strategjik, aktori vendos objektiva konkrete që duhet të çojnë drejt rezultatit të dëshiruar. Në shembullin specifik, ato përfshijnë:
- Rritjen e diskursit negativ online lidhur me reformat e BE-së.
- Rënien e besimit në institucionet që zbatojnë reformat
- Krijimin e perceptimit se ekziston një “rezistencë popullore” e fortë ndaj integrimit evropian
Këto qëllime maten përmes indikatorëve si vëllimi i narrativave negative, niveli i angazhimit të audiencës dhe toni dominues në debatin publik.
3. Analiza e audiencës së synuar
Një pjesë kryesore e fazës së planifikimit është analiza e hollësishme e grupeve të synuara. Ky shembull identifikon:
- Votuesit e rinj që nuk kanë siguri ekonomike
- Qytetarët me euroskepticizëm të shprehur më parë
- Përdoruesit aktivë të rrjeteve sociale që marrin pjesë në debatet politike
Kjo analizë mundëson që komunikimi i ardhshëm të orientohet drejt grupeve që janë më të ndjeshme ndaj narrativave të caktuara dhe mesazheve emocionale.
Faza “Planifikimi” nuk përfshin krijimin e përmbajtjes, por vendosjen e themeleve strategjike, objektive dhe analitike të operacionit të ardhshëm. Njohja e këtyre aktiviteteve, veçanërisht përcaktimi i rezultatit përfundimtar, formulimi i objektivave të matshëm dhe analiza e detajuar e audiencave të synuara, mundëson identifikimin e hershëm të ndërhyrjes së huaj, që në fazat para se operacioni të kalojë në përgatitje dhe zbatim. Zbulimi i këtyre hapave, zakonisht është rezultat i aktiviteteve të inteligjencës, të cilat nuk janë gjithmonë të mundshme, prandaj është e nevojshme të qasemi me kujdes ndaj të gjitha temave të ndjeshme që janë objekt i një operacioni NHMI.
PËRGATITJA
Në fazën e përgatitjes, strategjia e paracaktuar shndërrohet në një infrastrukturë konkrete për komunikim dhe ndikim.
1. Mikrotargetimi i audiencës
Audiencat e synuara segmentohen në disa nëngrupe sipas qëndrimit të tyre ndaj integrimit evropian. Për shembull:
- Qytetarët të zhgënjyer nga procesi i ngadaltë i aderimit
- Të rinjtë që nuk i shohin përfitimet ekonomike nga integrimi evropian
- Grupet që e perceptojnë BE-në si një kërcënim për identitetin kombëtar.
Ky segmentim lejon zhvillimin e mesazheve dhe përcaktimin e kanaleve të komunikimit sipas specifikave demografike, emocionale dhe politike të secilit grup.
2. Zhvillimi i përmbajtjes
Bazuar në analizën e audiencës, aktori fillon me krijimin e përmbajtjes që do të përdoret në fazën e ekzekutimit. Duke ndjekur shembullin, zhvillohet përmbajtja në lidhje me integrimin evropian, por në formate të ndryshme të dizajnuara për të arritur çdo shtresë të audiencës:
- Postime tekstuale dhe materiale vizuale që e paraqesin BE-në si një partner ekonomik të padrejtë
- Video dhe meme që sugjerojnë se reformat “diktohen nga Brukseli”
- Komente që vënë në pikëpyetje kërcënimin kulturor dhe të identitetit
Përmbajtja shpesh nuk përmban dezinformim të drejtpërdrejtë, por mbështetet në paraqitje selektive të fakteve dhe kornizim emocional, me qëllim që të minojë besimin në integrimin evropian.
3. Përzgjedhja e kanaleve dhe mundësive
Paralelisht me zhvillimin e përmbajtjes, bëhet një zgjedhje strategjike e platformave dhe kanaleve të komunikimit. Në këtë rast, aktori përzgjedh me kujdes platformat që ofrojnë potencialin më të madh për përhapjen e mesazheve euroskeptike.
- Rrjetet sociale dhe mediat online, ku debatet për integrimin evropian janë tashmë të polarizuara, identifikohen si kanale prioritare.
- Merren parasysh karakteristikat algoritmike që favorizojnë përmbajtjen kontroverse, si dhe hapësirat me moderim të kufizuar ku qëndrimet kritike dhe negative ndaj BE-së mund të përhapen pa rezistencë të konsiderueshme.
- Njëkohësisht, planifikohet prani edhe në hapësirën e komenteve nën lajmet zyrtare për negociatat me BE-në, me qëllim ndikimin në perceptimin e “opinionit publik”, për të krijuar një perceptim të legjitimitetit të rremë.
4. Zhvillimi i narrativave
Ky hap specifikon narrativa koherente që duhet të mbijetojnë në planin afatgjatë. Në këtë shembull konkret, në vend të mesazheve të fragmentuara, zhvillohen narracione si:
- “Integrimi në BE nënkupton lëshime të vazhdueshme pa garanci për anëtarësim”,
- “Reformat janë një mjet për kontroll nga jashtë”
- “Elitat përdorin agjendën e BE-së për përfitime personale”
Këto narrativa janë mjaft fleksibile, me qëllim që të përshtaten me ngjarje të ndryshme, si hapja ose bllokimi i kapitujve, raportet nga Brukseli apo krizat politike të brendshme, gjë që u mundëson përdorim afatgjatë, konsistencë, por edhe përshtatshmëri.
5. Krijimi i mjeteve sociale
Aktori krijon mjete sociale dhe mediatike që lidhen tematikisht me Evropën dhe reformat.
- Profilet e mediave sociale për mbikëqyrjen qytetare të proceseve të BE-së
- Blogje pseudo-analitike të “ekspertëve” për politikat evropiane
- Faqe interneti të komuniteteve “patriotike” që ndjekin procesin e integrimit
Bëhet fjalë për mjete që nuk janë haptazi anti-BE, por pozicionohen si zëra kritikë, por të shqetësuar, gjë që u mundëson qasje më të lehtë te një publik më i gjerë dhe besueshmëri më të madhe gjatë shpërndarjes së mëvonshme të mesazheve manipuluese.
6. Krijimi i legjitimitetit
Përmes kanaleve të krijuara shpërndahen lajme zyrtare për integrimin evropian, citohen deklarata nga përfaqësues evropianë dhe bëhet thirrje për debat publik. Në këtë mënyrë, këto platforma gradualisht ndërtojnë besueshmërinë dhe krijojnë një përshtypje legjitimiteti dhe ekspertizë.
Kjo mundëson që më vonë interpretimet kritike ose manipuluese të të njëjtave tema të pranohen si pozicione kredibile dhe “të arsyeshme” në diskursin publik.
Faza “Përgatitja” paraqet një pjesë thelbësore, por shpesh e padukshme e operacioneve manipuluese të huaja. Përmes mikrotargetimit, zhvillimit të përmbajtjes, përzgjedhjes së kanaleve, formësimit të narrativave dhe krijimit të mjeteve sociale që duken legjitime, aktori krijon një infrastrukturë të qëndrueshme për ndikim të ardhshëm. Identifikimi i këtyre aktiviteteve në këtë fazë mundëson ndërhyrjen e hershme institucionale, përpara se operacioni të kalojë në një fazë të performancës aktive dhe ndikimit masiv.
EKZEKUTIMI
Faza e ekzekutimit përfaqëson një moment kur fushata kalon nga përgatitja në manipulimin aktiv të hapësirës së informacionit.
1. Mesazhe fillestare testuese
Fushata fillon me shpërndarje të kufizuar të përmbajtjes përmes një numri të vogël profilesh ose mediash. Këto publikime zakonisht shtrojnë pyetje ose shprehin dyshime të lidhura me integrimin evropian, në shembullin konkret:
- A do të pranojmë përsëri kushte të reja pa garanci?
- Sa kushtojnë reformat dhe çfarë marrim në këmbim?
Reagimet e publikut ndiqen me kujdes, ndërsa mesazhet përshtaten në bazë të angazhimit dhe komenteve, me qëllim që të optimizohen përpara shpërndarjes më të gjerë.
2. Shpërndarja e përmbajtjes
Pas testimit fillestar, fillon shpërndarja masive e përmbajtjes përmes më shumë kanaleve.
- Narrativat euroskeptike shpërndahen përmes të gjitha kanaleve të krijuara: portale online, rrjete sociale, grupe dhe blogje
- Përmbajtja shpesh sinkronizohet me ngjarje të rëndësishme politike, si raportet nga institucionet evropiane ose vendimet politike të lidhura me negociatat
Kjo krijon përshtypjen se një qëndrim negativ ndaj integrimit evropian është një reagim i drejtpërdrejtë dhe logjik ndaj ngjarjeve reale.
3. Nxitja e aktiviteteve offline
Duke pasur parasysh se një nga qëllimet e fushatës është që ajo të shtrihet edhe përtej hapësirës digjitale, në këtë fazë stimulohen edhe aktivitete offline:
- Mbështetësit inkurajohen të marrin pjesë në tribuna publike, protesta ose tubime të lidhura formalisht me “mbrojtjen e interesave kombëtare”
- Një pjesë e përmbajtjes riciklohet në mediat tradicionale, si radio emisione, kolumna të shtypura ose billboarde
Në këtë mënyrë, fushata krijon një përshtypje të një mbështetje më të gjerë shoqërore dhe e normalizon pozicionin euroskeptik në hapësirën publike.
4. Mbijetesa në hapësirën informative
Për të shmangur zbulimin ose largimin, aktori ndërmerr masa për të ruajtur një prani afatgjatë. Kjo përfshin:
- Rotacion të profileve
- Përdorim të shumë platformave
- Ndryshim të rregullt të formatit dhe tonit të përmbajtjes
Një pjesë e mesazheve paraqiten si kritikë legjitime ose debat publik, gjë që u mundëson të qëndrojnë online për një periudhë më të gjatë dhe të shmangin sanksionimin nga platformat ose institucionet.
5. Maksimizimi i ekspozimit
Një moment kyç në fazën e ekzekutimit është rritja agresive e dukshmërisë.
- Përmes ndarjes, pëlqimit dhe komentimit të koordinuar nga rrjeti i profilit, përmbajtja euroskeptike shpërndahet në hapësirën informative.
- Kros-postimi midis platformave të ndryshme krijon ndjesinë se të njëjtat mesazhe janë kudo, gjë që rrit legjitimitetin e tyre të perceptuar dhe e shtyp diskursin kundërshtues pro-evropian.
6. Nxitja e dëmit online
Në pjesën përfundimtare, fushata kalon në një aktivitet ofanziv online të drejtuar drejt diskreditimit të aktorëve pro-evropianë. Gazetarë, ekspertë dhe funksionarë publikë që mbështesin hapur procesin e integrimit evropian bëhen objekt i sulmeve të koordinuara, ngacmimeve dhe përpjekjeve për t’i heshtur në hapësirën online.
Këto aktivitete kanë efekt të dyfishtë:
- Zvogëlojnë drejtpërdrejt dukshmërinë e qëndrimeve kundërshtuese
Në mënyrë indirekte krijojnë një “efekt të ftohtë” te kritikë të tjerë potencialë, të cilët shmangin shprehjen publike të qëndrimeve pro-evropiane.
Është e rëndësishme të theksohet se gjatë zbatimit të fazës “Ekzekutimi”, fushata euroskeptike e NHMI-së bëhet e dukshme dhe me ndikim shoqëror. Kombinimi i shpërndarjes së kontrolluar të mesazheve, distribuimit masiv, kalimit në hapësirën offline, qëndrueshmërisë afatgjatë dhe shkaktimit aktiv të dëmit online i mundëson aktorit të huaj jo vetëm të forcojë diskursin euroskeptik, por edhe në mënyrë sistematike të shtypë narrativën pro-evropiane. Njohja e këtyre taktikave është thelbësore për reagim institucional në kohë dhe për mbrojtjen e procesit demokratik dhe integrues.
VLERËSIMI
Faza e fundit e operacionit përfshin analizën e efektivitetit të tij, me qëllim që aktori keqdashës të përcaktojë në çfarë mase janë arritur efektet e planifikuara dhe si këto njohuri mund të shfrytëzohen për aktivitete të ardhshme manipuluese.
1. Analiza e arritjes dhe angazhimit
Aktori analizon treguesit kuantitativ si:
- Numri i shikimeve, shpërndarjeve, komenteve dhe ripostimeve të mesazheve kryesore
- Bëhet krahasim me gjendjen para fushatës për të përcaktuar nëse narrativat euroskeptike shënojnë rritje, përkatësisht nëse po fitojnë dukshmëri
Vëmendje e veçantë i kushtohet faktit nëse përmbajtja është marrë nga përdorues autentikë ose media, gjë që tregon për një depërtim të suksesshëm në diskursin më të gjerë publik.
2. Vlerësimi i dominimit narrativ
Analizohet se cilat narrativa kanë pasur jehonën më të fortë te shtresat e ndryshme të publikut. Matet se cilat shprehje konkrete të lidhura me integrimin evropian (për shembull, “BE pa garanci”, “humbje e sovranitetit”, “elitat kundër popullit”) kanë qenë më të pranueshme te audiencat e ndryshme të synuara.
Narrativat me jehonë të dobët identifikohen si joefikase dhe hidhen poshtë ose ridizajnohen, ndërsa ato të suksesshme shënohen për ripërdorim ose përforcim të mëtejshëm në operacione të ardhshme.
3. Analiza e reaksionit institucional
Ndiqet reagimi i kundërshtarëve dhe institucioneve, përkatësisht vlerësohet nëse aktorët pro-evropianë, institucionet ose mediat kanë reaguar në mënyrë defanzive:
- A janë përpjekur të demantojnë?
- A e kanë injoruar diskursin euroskeptik?
Mungesa e një përgjigjeje të koordinuar institucionale interpretohet si tregues i suksesit të operacionit, ndërsa një kundër-reagim i fortë mund të shkaktojë përshtatje dhe korrigjim të taktikave në ciklin e ardhshëm.
4. Përgatitja e ciklit të ardhshëm
Rezultatet e vlerësimit përdoren për përshtatjen e strategjive të ardhshme dhe për zgjerimin e mundshëm të fushatës në kontekste të tjera politike ose gjeografike.
Në bazë të analizës, aktori vendos nëse fushata duhet:
- Të vazhdojë me të njëjtin intensitet
- Të riorientohet drejt aspekteve të reja të integrimit evropian (për shembull, kapituj ekonomikë ose çështje kulturore)
Të zbatohet në një kontekst tjetër kombëtar me kushte të ngjashme politike dhe shoqërore.
Faza “Vlerësim” përfaqëson një lidhje të drejtpërdrejtë midis operacionit të përfunduar dhe operacionit të radhës NHMI, duke mbyllur ciklin e kornizës DISARM.
