fbpx

Vallë pakënaqësia ndaj Perëndimit nxit ndjenjat antidemokratike në Maqedoninë e Veriut?

Vlora Reçica

Politika

19.06.23

Прегледи
Pa një shtytje të jashtme dhe të besueshme nga BE-ja, mungesa e besimit në vizionin e politikanëve lokalë mund të luajë një rol të rëndësishëm në dobësimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një nga objektivat më të ekspozuar në luftën e vazhdueshme për ndikim. Rajoni është objektiv qendror i ndikimit rus, i cili është intensifikuar që prej pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar. Rajoni po tregohet si një terren pjellor për ndikim politik dhe shoqëror, dezinformim dhe kapital korroziv për shkak të shkallës së ndryshme të kapjes së shteteve dhe medias, tensioneve etnike midis dhe brenda shteteve dhe një historie të nparagjykimeve kognitive ruse.

Rusia përdor fushata dezinformuese dhe financime të paligjshme si një armë të fuqishme për të sabotuar institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor. Këto instrumente gjithashtu ia kanë lehtësuar punën Kinës dhe kombeve të tjera autoritare që të përhapin ndikimin e tyre.

Pengesat në rrugën drejt BE-së

Në Maqedoninë e Veriut, aktorët e jashtëm kanë gjetur terren pjellor për ndikim ekonomik, politik dhe shoqëror; por kjo hapësirë, e cila në të kaluarën shoqërohej kryesisht me preferenca politike populiste dhe autokratike në mesin e popullatës, kohët e fundit ka ndryshuar fytyrë. Në vitin 2005 vendi fitoi statusin e kandidatit për në BE, por nuk i filloi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2022.

Vetoja e papritur bullgare në vitin 2020 thelloi edhe më shumë zhgënjimin, euroskepticizmin dhe ndjenjat antiperëndimore në mesin e qytetarëve. Për më tepër, ndërsa vendi po lufton me reformat e brendshme demokratike, disa shtete anëtare të BE-së e kanë bërë të vështirë, nëse jo të pamundur, festimin e progresit në rrugën drejt BE-së.

Vetoja e Greqisë në samitin e NATO-s të vitit 2008 dhe pamundësia e vendeve anëtare të BE-së për të arritur një marrëveshje për fillimin e negociatave të anëtarësimit, pavarësisht rekomandimeve për mbështetje nga ana e Komisionit Evropian, treguan se si vendimet strategjike jokonsistente mund të rrezikojnë demokracitë e reja dhe të brishta si ajo e Maqedonisë së Veriut.

Në më pak se dhjetë vjet, Qeveria e udhëhequr nga Nikolla Gruevski u shndërrua nga një sistem teknokratik dhe reformist në një sistem populist gjysmë-autoritar. Klima politike nga viti 2008 deri në vitin 2016 u lejoi vendeve të treta të ofronin një platformë gjeopolitike, të cilën aktorët politikë vendas do ta përdornin për ta prezantuar si një alternativë të pranueshme për qytetarët, pavarësisht se pozicioni zyrtar mbetet pro-euroatlantik.

Deri në fund të sundimit të Gruevskit, skandali i përgjimeve po shkaktonte demonstrata mbarëkombëtare dhe trazira politike. Këto demonstrata do të rezultojnë në një ndryshim të qeverisë në favor të socialdemokratëve.

Votuesit e pavendosur ia mësynë qendrave të votimit të joshur nga atmosfera demokratike, ndërkohë që për herë të parë një pjesë e konsiderueshme e votës së shqiptarëve u hodh për një parti etnike maqedonase.

Ndërsa mosmarrëveshja e emrit me Greqinë u zgjidh në vitin 2018 me Marrëveshjen e Prespës dhe rezultoi në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, socialdemokratët nuk arritën të përmbushin plotësisht premtimin e tyre për përparim në integrimin në BE, me optimizmin që filloi të zbehej dhe zhgënjimin që po vazhdon të rritet.

Vetoja franceze dhe holandeze e vitit 2019 shërbeu si trampolinë për "zemërimin politik" vendas, duke u dhënë zë lojtarëve politikë ekstremistë. Në zgjedhjet e vitit 2020, E Majta, një parti me orientim pro-rus fitoi dy vende dhe fitoi me sukses më shumë mbështetje në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Perceptimi i rremë i potencialit demokratik të Maqedonisë së Veriut

Përveç kësaj, vetoja e papritur bullgare në vitin 2020 nxiti një shkallë më të madhe zhgënjimi dhe euroskepticizmi. Mosmarrëveshja duhej të zgjidhej në vitin 2022, gjatë presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes një propozimi të njohur si “Propozimi Francez”. Megjithëse ky propozim kishte për qëllim të ndihmonte vendin në përparimin e tij drejt anëtarësimit në BE, ndjenja e padrejtësisë në Maqedoninë e Veriut u rrit.

Rishikimet kushtetuese të propozuara konsiderohen nga shumë njerëz si ndërhyrje e papërshtatshme bullgare në punët e brendshme të shtetit. Në vitin 2022, hulumtimi vjetor i Institutit për Demokraci tregoi se pas ndryshimit të emrit të vendit në vitin 2018, perceptimi për BE-në ishte përkeqësuar. Përderisa në vitin 2018, 72% e qytetarëve kanë mbështetur procesin e integrimit në BE, në vitin 2022 kjo mbështetje ishte 64%, me një rënie të vazhdueshme që nga viti 2014 (80%).

Burimi: pixabay.com

Thelbi i vetos së Bullgarisë është kontestimi i historisë së Maqedonisë së Veriut, konkretisht - si mësohet nëpër shkolla pushtimi bullgar i vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, statusi i gjuhës maqedonase dhe problemi i pazgjidhur i pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Politizimi i procesit të integrimit në BE nga aktorët e brendshëm dhe të huaj ka nxitur idenë tashmë të përhapur se vullneti politik për të pranuar Maqedoninë e Veriut në BE është më i rëndësishëm sesa zbatimi i reformave të brendshme të përfshira në kushtëzimin e BE-së.

Në fakt, një anketë e kohëve të fundit tregoi se 49% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se arsyeja pse vendi nuk është në gjendje të anëtarësohet në BE është sepse vendet fqinje po bllokojnë rrugën e saj drejt BE-së, ndërsa vetëm 31% besojnë se kjo është për shkak të mungesës së reformave të brendshme, që në fakt krijon një perceptim të rremë të potencialit të brendshëm demokratik dhe hapësirë ​​për zhvendosjen e fajit, dhe manipulim politik të reformave të domosdoshme demokratike.

Ndikimet e huaja si një kërcënim domethënës për stabilitetin dhe demokracinë

Pakënaqësia nga qeveria aktuale, të cilën qytetarët e konsiderojnë se nuk mund të ndikojë në punët e jashtme të vendit, dhe besimi në përgjithësi në rënie në BE, ndikojnë në proceset politike dhe shoqërore, duke hapur dyert për aktorët e jashtëm si Rusia, Kina, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik - për të ushtruar ndikim.

Zhgënjimi që shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut ndiejnë ndaj BE-së, lejon hapësirë për Rusinë dhe aktorë të tjerë të jashtëm të veprojnë në shoqërinë maqedonase.

Rusia ka qenë veçanërisht aktive në përpjekjen për të ushtruar ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut, duke përdorur taktika si dezinformimi dhe propaganda, duke ofruar mbështetje financiare për partitë politike dhe duke u përfshirë në sulme kibernetike.

Ndikimi rus është fokusuar veçanërisht në institucionet politike dhe ekonomike të vendit për të minuar proceset demokratike dhe për të realizuar interesat e saj. Mbështetja e Rusisë për qeverinë e VMRO-DPMNE-së gjatë skandalit të përgjimeve dhe fushatave të saj mediatike gjatë mosmarrëveshjes së emrit dhe referendumit të anëtarësimit në NATO, acaruan marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.

Në një deklaratë, Oleg Shcherbak, ish-ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, lëshoi një paralajmërim pas vendimit të vendit për t'iu bashkuar NATO-s. Ai deklaroi se: “nëse do të ketë një konflikt ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, ju [Maqedonia e Veriut] do të keni rolin e një objektivi legjitim”.

Ndikimi i Kinës në Maqedoninë e Veriut është kryesisht ekonomik, duke u fokusuar në tregti dhe investime, përmes iniciativave si "Një rrip, një rrugë " dhe "Bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore". Megjithatë, investimet kineze janë shoqëruar me skandale korrupsioni dhe ende nuk kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin ekonomik të vendit. Projektet kineze, veçanërisht projektet e infrastrukturës, zakonisht shpërfillin qëndrueshmërinë socio-ekonomike dhe financiare dhe rregulloret e BE-së, duke çuar në nivele të larta borxhi dhe shkelje të mekanizmave të vendosur kundër korrupsionit në vend.

I tillë ishte rasti me autostradën Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër, një investim kinez, i cili u shoqërua me skandale korrupsioni të lidhura me zyrtarë të lartë, përfshirë ish-kryeministrin Gruevski.

Opinioni publik tregon një preferencë për vendet e BE-së dhe G7 si partnerë ekonomikë krahasuar me Kinën. Kina i mungojnë platformat e rëndësishme për të promovuar ideologjinë e saj dhe përballet me dallime kulturore që kufizojnë ndikimin e saj.

Turqia, një vend me lidhje historike dhe kulturore me Maqedoninë e Veriut, po përpiqet gjithashtu të zgjerojë ndikimin e saj, veçanërisht në mesin e popullatës etnike shqiptare, duke përdorur kryesisht teknika të fuqisë së butë përmes bursave, shkëmbimeve arsimore, investimeve në institucione kulturore dhe monumente historike. Turqia u ka dhënë mbështetje financiare dhe politike partive dhe organizatave të ndryshme politike shqiptare për të çuar përpara interesat e saj rajonale.

Ndikimi i Turqisë në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi është më i vogël, siç dëshmohet nga mungesa e reagimit nga qeveria maqedonase në lidhje me "gylenistët", por nuk ka dyshim se vendi është i pranishëm përmes qasjeve të tij të shumta.

Përveç këtyre aktorëve, grupe të ndryshme ekstremiste gjithashtu përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht duke përhapur ideologji ekstremiste dhe duke radikalizuar grupet vulnerabël.

Ndikimi i huaj në Maqedoninë e Veriut paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin dhe demokracinë e vendit dhe për ta frenuar këtë ndikim, duhen përpjekje të përbashkëta si nga aktorët vendas ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë. Pa një shtytje të jashtme dhe të besueshme nga BE-ja, mungesa e besimit në vizionin e politikanëve lokalë mund të luajë një rol të rëndësishëm në dobësimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

Investimet në ndërtimin e mbështetjes nga poshtë-lart për demokracinë janë vendimtare për Maqedoninë e Veriut. Aleatët perëndimorë duhet të shfrytëzojnë vakumin e krijuar nga lufta në Ukrainë. BE-ja duhet të zhvillojë një strategji më të mirë komunikimi në lidhje me investimet, ndihmën dhe mbështetjen e saj për Maqedoninë e Veriut. BE-ja gjithashtu duhet të rikthejë besimin e saj në Maqedoninë e Veriut përmes angazhimit thelbësor nga të dyja palët për të zgjidhur mosmarrëveshjen maqedono-bullgare.

Megjithëse sondazhet e opinionit publik tregojnë se BE-ja është një lojtar jetik dhe mund të vazhdojë të ofrojë një mundësi reale kundrejt përparimeve të vendeve autoritare, mbështetja po bie gjithnjë e më shumë. BE dhe shtetet anëtare të BE-së duhet të ndihmojnë në krijimin e një dialogu konstruktiv. Forcat demokratike duhet të investojnë në ndërtimin e demokracisë brendapartiake për të zbutur ndikimin e mundshëm nga aktorët e tretë nëpërmjet politikanëve lokalë.

Nevojitet financim dhe mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për të ndërtuar imunitet ndaj kapitalit korroziv.

Në fund të fundit, nevojiten përpjekje të brendshme për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, në mënyrë që shteti të kundërshtojë me sukses ndikimet potencialisht keqdashëse. Në të dyja fushat, reformat po bëjnë më së paku progres. Për më tepër, të dyja fushat janë thelbësore për ndërtimin e besimit në sistemin politik. Progresi mund të reduktojë kërkesën populiste, një ndjenjë që lehtë shfrytëzohet nga aktorët politikë radikalë.

Ndikimi i aktorëve të huaj joliberalë mund të zbutet me zvogëlimin e korrupsionit dhe forcimin e drejtësisë, dhe për këtë arsye është e nevojshme të ushtrohet presion i vazhdueshëm mbi aktorët politikë për të vazhduar reformat.

Mbetet një pyetje: vallë përpjekjet e BE-së po japin rezultatet e dëshiruara në drejtim të demokratizimit? A po bëjmë sa duhet për të zhvilluar demokracinë tonë? Opinioni publik dhe zhvillimet e deritanishme tregojnë se përgjigja e kësaj pyetjeje është negative. Ndjenjat antidemokratike në mesin e qytetarëve janë ende të forta edhe pas tre dekadash demokracie, kurse shpresa për zhvillimin e një shoqërie demokratike dalëngadalë po shuhet.

 

Teksti është shkruar si pjesë e projektit "Ballkani Perëndimor në udhëkryq: regresi demokratik dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm", projekt i udhëhequr nga Instituti i Pragës për Studimet e Sigurisë, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED)

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Vlora Reçica

Vlora Reçica është hulumtuese dhe drejtuese e Qendrës për Mbështetje Parlamentare dhe Demokratizim (CPSD) pranë Institutit për Demokraci (IDSCS). Ajo ka kryer studimet master (Politikë komparative), e specializuar për demokraci dhe demokratizim, nga Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (LSE). Hulumtimi dhe avokimi saj përqendrohet në parlamentet dhe demokracinë parlamentare, ndërtimin e institucioneve, populizmin dhe demokracinë, dhe proceset e demokratizimit në demokracitë e reja.