fbpx

Vështrim: regjistrimi i pasurive/pronave të paluajtshme shtetërore

Politika

09.12.20

Прегледи

Tinka Kiteska

Tinka Kiteska 200x250Si i regjistron dhe kujdeset shteti për pasuritë/pronat e tij?

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë lloj pasurie të paluajtshme posedon vendi ynë, sa vlejnë, kush i përdorë ata dhe si kujdeset vetë shteti për regjistrimin në kohë dhe të plotë të objekteve në pronësi të shtetit? A ekzistojnë objekte që janë jashtë këtij regjistrimi, a ekzistojnë objekte të braktisura, boshe, të rrënuara që nuk i kanë shërbyer qëllimit të tyre për dekada dhe paraqesin një kërcënim për mjedisin dhe rrezik për qytetarët.

Përkundër faktit se ekziston një kornizë e mirëfilltë ligjore dhe faktit se janë të njohura kompetencat e secilit institucion shtetëror sa i përket regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ne akoma nuk mund të mburremi se kemi avancuar në këtë sferë. Ekziston një numër i madh objektesh të paregjistruara ose të panjohura, pa status të përcaktuar ligjor, pa një bilanc të holëësishëm ose pa Vendime legjitime të Qeverisë për dhënien e tyre në përdorim. Numri i saktë i atyre objekteve as që mund të supozohet, sepse Zyra e Avokatit të Shtetit, e cila është ligjërisht përgjegjëse për regjistrimin e objekteve shtetërore që kanë mbetur të paregjistruara, nuk ka madje të dhëna të tilla. Një shtet serioz duhet në çdo kohë të ketë informacion për pasuritë e paluajtshme dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.

Si është gjendja në institucione të ndryshme shtetërore

Midis ministrive ekzistojnë dallime të mëdha, nga njëra anë ka ministri me regjistra të rregulluar dhe të përditësuar të objekteve, nga ana tjetër ka regjistrime kaotike dhe të paplota ose nuk ka të dhëna fare.

Një shembull pozitiv është Ministria e Financave, e cila kryeson sa i përket regjistrave të saj të përditësuar ligjërisht – e cila ka gjithsej 33 objekte, nga të cilat madje për 29 objekte kanë të drejta të regjistruara. Nga ana tjetër, një shembull negativ është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e cila ka gjithsej 35 objekte, nga të cilat vetëm për 3 objekte kanë të drejta të regjistruara, kurse objektet e tjera janë të panjohura ose të paregjistruara.

Është interesante gjendja e organeve në përbërje të Ministrisë së Financave.

  • Drejtoria e Doganave është shembull që ka një regjistër më të përdotësuar, e cila ka gjithsej 243 objekte dhe të gjitha me të drejta të regjistruara, madje të cituara saktë edhe numrat dhe datat e Vendimeve të Qeverisë për dhënie në përdorim.
  • Drejtoria e të Hyrave Publike është shembull që ka regjistra më të parregulluara - nuk ka as Certifikatë pronash (fletëpronësi), madje as për ndërtesën kryesore të Drejtorisë. Respektivisht, ky organ ka 147 objekte në regjistrat e tij, nga të cilët vetëm për 4 objekte ka cituar Vendimet e Qeverisë për dhënie në përdorim. Vërtet pronat e tyre janë specifike, por kjo nuk është arsyetim për mos t’i përditësuar. DHP-ja ka 60 prona të paluajtshme të përvetësuara në procedura falimentimi, 28 të sekuestruara në procedura tatimore, ndërtesat e tjera janë të trashëguara nga ish Enti i Qarkullimit të Pagesave ose i përkasin komunave dhe për to nuk ka asnjë të dhënë. Madje 10 objekte janë të shënuara se DHP-ka nuk i përdor ato, kështu që kanë mbetur boshe dhe të papërdorura.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kryeson, por në një konotacion negativ sa i përket ndërtesave të lëna në rrënim dhe të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të vandalizmit dhe shkatërrimit. Kjo ministri ka gjithsej 23 objekte në të gjithë vendin, nga të cilat vetëm për 14 sosh kanë Certifikatë pronësie (fletëpronësi). 5 prej tyre janë vendpushimore për fëmijë që autoritetet i kanë harruar se ekzistojnë. Situata në terren është alarmante, nga vendpushimoret kanë mbetur vetëm muret e zhveshura me shkurre të dendura. Të ndërtuara në vendet më tërheqëse, në natyrë të pastër dhe të paprekur, në mes të pyjeve me pisha, në mal ose buzë liqenit, këto objekte të lëna anësh dëshmojnë për papërgjegjshmërinë tonë të madhe.

Pod lupa evidencijata na drzavniot nedvizen imotBurimi: sdk.mk

Nëse kërkoni informacion në lidhje me regjistrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të merrni një përgjigje se për rreth 60 objekte, për vite me radhë nga Ministria e Transportit po pritet për një Vendim për të përcaktuar statusin e tyre ligjor, kurse ka edhe objekte për të cilat akoma nuk është filluar procesi i legalizimit – siç është kazerma në Gjorçe Petrov. Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amë ka gjithsej 129 objekte, prej të cilëve vetëm 3 të regjistruara, kurse për të tjerat nuk ka të dhëna.

Jo gjithçka është aq e zezë, ekzistojnë edhe shembuj të rrallë pozitivë, siç është Regjistri Qendror, i cili është një nga institucionet e pakta me regjistra të rregulluar. Ky institucion ka gjithsej 33 objekte në të gjithë vendin dhe për të gjithë ka Certifikata pronësie.

Probleme që mund të lindin në praktikë për shkak të regjistrimeve joefikase

Pasojat e mosrespektimit të detyrimeve ligjore të institucioneve shtetërore për të mbajtur regjistër të brendshëm të pronave mund të jenë afatgjatë dhe të parashikueshme. Kjo është veçanërisht rasti me njësitë rajonale të ministrive nëpër qytete, të cilat funksionojnë pa përcaktuar se cili çfarë hapësire përdor, me çfarë përqindje merr pjesë në shpenzimet e përbashkëta dhe kush kujdeset për mirëmbajtjen e rregullt të pjesëve të përbashkëta të objekteve të përdorura nga ana e të gjithëve. Ekzistojnë organe shtetërore që posedojnë objekte boshe, ndërsa një organ tjetër merr me qira hapësira afariste në kurriz të buxhetit, e gjithë kjo për shkak të koordinimit të dobët të organeve shtetërore. I tillë është rasti me Entin Shtetëror të Statistikave, i cili paguan qira në Manastir, megjithëse se Drejtoria e të Hyrave Publike atje posedon disa objekte të lira.

Shembuj të ngjashëm ka edhe në Shkup dhe qytetet e tjera. Në qendrën e Shkupit te vendi i quajtur “Rampa” për vite me rradhë qëndron e zbrazët ish-ndërtesa e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Një ndërtesë e madhe, të cilën asnjë institucion nuk e ka të regjistruar në regjistrat e tyre, pasi shteti me dekada ka zhvilluar një proces gjyqësor dhe për të cilën ka një aktvendim të Gjykatës Supreme në favor të Republikës së Maqedonisë, por përkundër kësaj ndërtesa akoma nuk është e regjistruar në Agjencinë e Kadastrit. Të paregjistruara janë edhe objektet e Shoqërisë aksionare Ekonomia e Ujërave në pronësi shtetërore, megjithëse ka gjithsej 63, nga të cilat 49 objekte janë akumulime (diga) me infrastrukturë, praktikisht nuk kemi të dhëna për digat.

Një disavantazh i madh është mungesa e regjistrave, por një lëshim edhe më i madh janë objektet e regjistruara që nuk kanë pronarin (titullarin) e tyre, për t'u lënë nën dry për vite, duke qenë të përdorura dhe të menaxhuara nga askush. Një objekt i tillë është ish Kombinati i duhanit në Shkup, dikur e dhënë në përdorim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila nuk është zhvendosur në këtë objekt për vite me rradhë. Në anën tjetër kemi institucione që paguajnë qira: Byroja për Zhvillimin Rajonal, Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit dhe Agjencia e Emigracionit.

Nëse do të kishte një bazë të dhënash të objekteve (pronave) shtetërore, do të ishte shumë më e lehtë edhe për autoritetet shëndetësore në këto kohë të vështira duke u përballur me situatën e rrezikshme me KOVID-19. Shumë prej këtyre objekteve, me ndërhyrje më të vogla, do të aftësoheshin dhe do të viheshin në shërbim të përmbushjes së nevojave për trajtimin e epidemisë të një përmase globale, siç kanë vepruar vendet e tjera në rajon.

Një përpjekje e sektorit civil për ta ndihmuar pushtetin

Duke u nisur nga ideja se kjo çështje nuk është adresuar si duhet për shumë vite, një grup i vogël i nëpunësve civilë profesionistë dhe shumë të kualifikuar të punësuar në pushtetin ekzekutiv qendror, dy vjet më parë kanë themeluar Shoqatën e qytetarëve për mbrojtjen e të punësuarve në administratën shtetërore dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore - "TË DREJTË DHE PROFESIONISTË" nga Shkupi. Aktualisht është duke u realizuar projekti i parë i madh i tyre - "Forcimi i kapaciteteve për menaxhimin dhe regjistrimin e mirë të pasurive të paluajtshme shtetërore".

Konstatimi i përgjithshëm është se regjistrimet tona akoma nuk janë rregulluar në formën e parashikuar me ligj dhe është i vogël numri i institucioneve shtetërore që janë angazhuar seriozisht në udhëheqjen e mirëfilltë dhe profesionale të regjistrimit të brendshëm të objekteve.

Më e rëndësishme është që organet shtetërore fillimisht të njohin nevojën dhe të kuptojnë domosdoshmërinë e posedimit të një regjistri të vetëm dhe të centralizuar të objekteve shtetërore.

Lajmi më i ri në këtë drejtim është informacioni i shpallur publikisht i miratuar në seancën e 18-të të Qeverisë të datës 9 nëntor 2020, pika 18, "Për futjen e një regjistri të vetëm bazuar në NUI - numrat unikë të identifikimit".

Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës iu dha një detyrë specifike nga Qeveria për t’i vënë në dispozicion të dhënat e saj digjitale nga regjistri i institucioneve shtetërore që së shpejti do të lidhen me bazën e të dhënave elektronike të Agjencisë së Kadastrit dhe përfundimisht ta shohin regjistrin fillestar të unifikuar të pasurive të paluajtshme.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.