Përdorimi i gjuhës së urrejtjes është një problem serioz dhe duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet shtetërore, por edhe nga shoqëria civile, përfshi edhe gazetarët.
Televizionet dhe produktet e tyre duhet të luajnë rolin e emancipimit të shoqërisë dhe heqjen e barrierave dhe steriotipeve etnike, fetare, kulturore dhe lokale. Sidomos në një vend multi-etnik dhe multi-kulturor siç është Maqedonia e Veriut. Ku nuk duhet t’i fryjen dhe të ndikojnë në “trashjen” e këtyre steriotipeve dhe urrejtjes mes qytetarëve që vijnë nga komunitete të ndryshme.
Fatkeqësisht, në vendin tonë shpesh janë televizionet ato që kontribuojnë që qytetarët e komuniteteve të ndryshme të ndihen edhe më të ndarë dhe të intensifikojnë urrejtjen mes tyre.
Rasti i fundit që bëri bujë në opinionin publik është rasti i profesorit Ismet Ramadani dhe drejtorit të Kanal 5, Ivan Mirçevski në emisionin “Samo Vistina”.
Kur profesori Ismet Ramadani shprehu shqetësimin e tij se ka një narrativë nacionaliste dhe deklarata të njëanshme te maqedonasit dhe politikanët e tyre pikërisht në momentin kur, sipas tij, ajo narrativë nuk ekziston tek shqiptarët, ai akuzoi edhe gazetarin Aleksandar Vidinovski që nuk kishte reaguar kur janë bërë deklarata të tilla në emisionin e tij.
Kjo deklaratë u pasua me një reagim të gazetarit që e mohoi një gjë të tillë. Qasja e gazetarit ishte profesionale, dhe ai u përpoq ta qetësonte situatën.
Por Ramadani vazhdoi duke thënë se edhe në opinionin publik maqedonas, kemi një narrativë kundër shqiptarëve dhe partive politike shqiptare dhe deklarata nacionaliste. Ai i’a përmendi Vidinovskit edhe një deklaratë të mysafirit të tij, i cili një muaj më parë kishte thënë se do t’i shkelim shqiptarët si kacabunj, ku sipas Ramadanit, udhëheqësi i emisionit nuk kishte reaguar aspak.
Por udhëheqësi i emisionit, e mohoi nj gjë të tillë duke thënë se ai gjithmonë reagon kur ka deklarata nacionaliste nga cila do palë në emision kur ai është duke udhëhequr emisionin. Është absolutisht e vërtetë që Ramadani kishte të drejtë, pasi ai iu referua disa programeve të fundit në Kanal 5 që promovonin intolerancën etnike. Shembull është raportimi me flamujt në Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe emisioni i përmendur nga Ramadani.
Kërkesë për t'u larguar nga emisioni
Por e gjithë katrahura filloi kur në emision u inkuadrua drejtori i Kanal 5, Ivan Mirçevski, i cili së pari akuzoi Ramadanin për segregacion ndaj gazetarit. Pas diskutimeve me Ramadanin, urdhëroi udhëheqësin e emisionit, Vidinovskin, që ta ndërpresë emisionin, kurse Ramadani të lëshojë studion.
Që fajtori kryesor i turbullimit të situatës është Mirçevski, e vërteton edhe kumtesa e SHGM-së, ku thonë se incidenti mori kthesë shqetësuese kur drejtori I televizionit Kanal 5, z. Ivan Mirçevski ndërhyri drejtpërdrejtë në televizion, me kërkesë që z. Ramadani të largohet nga studio menjëherë. SHGM shpreh shqetësim serioz për këtë ndërhyrje, sepse kjo cenon drejtpërdrejt parimin e pavarësisë redaktuese që është gurthemeli i gazetarisë së pavarur.
Ku sipas kodit etik, gazetari nuk duhet të nxisë dhunë dhe diskriminim mbi asnjë bazë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, politike, orientimi seksual etj...).
Burimi: freepik.com
Drejtori i televizionit nuk është aty për të ndarë drejtësi dhe të përjashtoi mysafirë nga emisioni. Ashtu sikur shteti që ka të ndarë pushtetet mes ekzekutivit dhe legjislativit edhe në media duhen të respektohet kjo ndarje mes redaksisë dhe menaxhmentit. Mund të mos pajtohesh për shumë çështje me dikë, por të përfshihesh në debat dhe ta dëbosh nga emisioni është reflektim i mungesës së vlerave demokratike dhe evropiane.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), përmes një kumtese të përbashkët me Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), kanë theksuar rëndësinë dhe nevojën për të ruajtur standardet gazetareske, për të garantuar një diskurs që respekton dhe mbron pavarësinë editoriale.
“Në një shoqëri ku televizioni gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë luan rol në formësimin e diskursit publik, është e rëndësisë së veçantë që të gjithë pjesëmarrësit të ruajnë standard të lartë të komunikimit dhe të flasin me respekt me bashkëbiseduesit e tyre si dhe me publikun. Sonte sjellja dhe komentet e z. Ramadani ndaj udhëheqësit të emisionit Vidinovski, në një pjesë të caktuar të debatit, fatkeqësisht ishin konfrontuese, duke krijuar mundësi që debati të marrë përmasa të padëshiruara”, thuhet në kumtesën e përbashkët.
Është me rëndësi të përmendet edhe qëndrimi i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ku theksojnë se debatet për çështje politiko-shoqërore duhet të kontribuojnë në realizimin e lirisë së shprehjes, në kulturën e tolerancës dhe në asnjë moment nuk duhet të nxisin intolerancë.
Ata theksojnë se në veçanti politikanët dhe bartësit e funksioneve publike duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e fjalës së shprehur publikisht dhe të përmbahen nga deklaratat, veçanërisht përmes mediave, që cenojnë dialogun ndërmjet grupeve të ndryshme etnike në shoqëri.
“Etiketimi i mediave dhe gazetarëve, siç u bë në emisionin e djeshëm nga Ismet Ramadani, këshilltari për vlerat euroatlantike të kryeministrit, ndikon negativisht në lirinë e mediave dhe cenon dinjitetin gazetaresk. Politikanët dhe bartësit e funksioneve publike kanë përgjegjësi të veçantë ndaj publikut dhe duhet të tregojnë respektin më të lartë për profesionin e gazetarit dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për t'i mundësuar mediave që ta kryejnë punën e tyre pa probleme”, shtuan ata.
Çlirimi nga senzacionalizmi
Në anën tjetër, mbështetja që Mirçevski e ka marrë nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (MAN) është joadekuate. MAN duhet të mbrojë lirinë e fjalës dhe të paktën të mos mbajë anë, por të ketë një qëndrim objektiv siç bën SHGM-ja. Ata përmes një kumtese kanë thënë se qëndrojnë plotësisht pas drejtorit të Kanal 5, gazetarit Vidinovski dhe mysafirit Momiroski. Sipas tyre, politikani dhe këshilltari në qeveri, Ismet Ramadani akuzoi pa bazë për shkaktimin e intolerancës etnike.
Sipas Kodit etik të gazetarëve, gazetari gjatë raportimit duhet të jetë i lirë nga sensacionalizmat. Por gjatë raportimit për rastin e përmendur, në disa media nuk kishte elemente të “çlirimit nga sensacionalizmi”.
Portali Zoom, raportoi me titull “Nxehtë në “Samo Vistina” të Kanal 5 – Ismet Ramadani, kërkoi të mos nxiten temat ndëretnike, televizioni kërkoi kërkim falje (“Жестоко во “Само вистина" на Канал 5 - Исмет Рамадани побара да не се подгреваат меѓуетнички тензии, телевизијата побара да им се извини). Edhe pse titulli mund të themi sa ka qenë i balancuar dhe neutral ku kemi një baraspeshë, të njëjtën nuk mund ta themi edhe për komentet. Aty kemi një numër të madh të komenteve me gjuhë të urrejtjes për Ramadanin. Ndër to janë “Зашто примате магариња во емисиите”; “Бркај вакви гомна срам се за држава”; “дефинитивно претераа Албанциве со ароганцијата и дрскоста”; “Ваков абдал мора да се послуша”, “Копиле планинарско”.
Portalet si lider.mk dhe inbox7.mk përdorin gjithashtu tituj sensacionalistë. Kurse nga ana tjetër, DW në gjuhën maqedonase i ka përfshirë të dyja palët në tekstin e tyre për këtë rast, dhe teksti i tyre është objektiv dhe i shkruar profesionalisht.
Prezenca e gjuhës së urrejtjes dhe këtyre dukurive janë të dëmshme për shoqërinë dhe të gjithë duhet të angazhohen që të kemi ulje të gjuhës së urrejtjes. Ndër pasojat e gjuhës së urrejtjes është Dëmtimi i imazhit të vendit është rritja e ekstremizmit, pengesa në dialogë dhe bashkëpunimin, diskriminimi i ndërsjelltë si dhe polarizimi i shoqërisë.
Përdorimi i gjuhës së urrejtjes është një problem serioz dhe duhet trajtuar me seriozitet nga institucionet shtetërore por edhe nga shoqëria civile, përfshi edhe gazetarët. Është e rëndësishme të promovohet toleranca, dialogu dhe respekti ndaj ndryshimeve në shoqëri dhe të luftohet aktivisht kjo dukuri e dëmshme për të ndërtuar një shoqëri që jeton në harmoni dhe që ka siguri.
Për këto arsye udhëheqësit e televizioneve dhe mediave, duhet të jenë më të përmbajtur dhe të veprojnë pa emocione, pasi që ndikimi të cilin kanë ata është i madh dhe një veprim i vogël mund të shkaktojë reagime të shumta dhe të nxisë urrejtje etnike.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.