fbpx

Kosova nuk është imune ndaj propagandës ruse në rajon

Petrit Zogaj

Politika

07.09.22

Прегледи

Prandaj, përkundër faktit që shumica e qytetarëve të Kosovës e kuptojnë që Rusia është një kundërshtare e shtetësisë së Kosovës dhe se interesi i këtij shteti është që të krijojë probleme në Ballkan, është e rëndësishme që institucionet publike të jenë të vetëdijshme për një luftë të sofistikuar mediatike të Rusisë në vend.

Është e pamundur të shpërfillësh një luftë, kudo që zhvillohet ajo. Nuk ka rëndësi nëse je në rrjedhë të ngjarjeve mbi shkaqet e atij konflikt dhe se cila palë ka sulmuar e para. Në botën e medias së sotme dhe teknologjisë, ofrohet mundësia që të marrësh informacione të përditësuara dhe të krijosh një gjykim fillestar e parimor ndaj një lufte. Shumë shpejt do të krijosh bindjen se kush është viktimë, e kush agresor. Nuk mund të qëndrosh neutral. Patjetër do të marrësh anë.

Dhe, si individ që nuk përfaqëson ndonjë institucion apo nuk je pjesë e shtetit/kombit që është në luftë, animi natyrshëm shkon në drejtim të viktimës.

Agresioni rus në Ukrainë nuk bën përjashtim në këtë rast. Kjo luftë që po zhvillohet në Ukrainë nga 24 shkurti i këtij viti, ka ndarë kombet dhe njerëzit në nivel global. Më se e qartë që shumica e shteteve në botë janë shprehur kundër agrasonit rus. Në këtë kuptim, Kosova është rreshtuar përkrah Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë, pa asnjë vonesë. Miratimi i sanksioneve kundër Rusisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, ishte hapi i parë me të cilin Kosova tregoi mbështetje të menjëhershme për Ukrainen dhe popullin e saj. Kjo nuk ishte e tëra. Në një seancë të veçantë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë kundër invazionit rus dhe në mbështetje të shtetit ukrainas. Dhe vetëm pak ditë më vonë, kishte një manifestim publik i organizuar nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile për të kundërshtuar pushtimin rus në Ukrainë.

Pra, kishte një sinkronizim të qartë në mes reagimit institucional dhe atij shoqëror. Thënë ndryshe, kishte një reagim racional dhe të mirëmenduar nga ana e institucioneve shtetërore, por njëkohesisht pamë edhe një mbështetje morale nga ana e qytetarëve të Kosovës.

E gjithë mbështetja dhe pozicioni i Kosovës në lidhje me këtë konflikt erdhi përkundër faktit që Ukraina ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Për më tepër, në disa deklarata, ambasadori ukrainas në Beograd nuk ka hezituar që të ritheksojë poziciionin e shtetit të tij, se Ukraina ia njeh sovranitetin dhe integritetin Serbisë, përfshi këtu edhe Kosovën si pjese të saj. Përkundër këtij qëndrimi, kohë më parë, u zhvillua një komunikim ndërmjet Kreshnik Ahmeti, zëvëndës ministër i jashtëm i Kosovës dhe homologes së tij ukrainase znj. Emine Dzhaporova, ku kjo e fundit falënderon Kosovën për qëndrimin parimor dhe të drejtë në mbështetje të Ukrainës, megjithëse, qëndrimi ukrainas në lidhje më njohjen e shtetit të Kosvës mbetet i pandryshuar.

Paralelisht me përgatitjet për luftë që Federata Ruse po zhvillonte përreth kufirit ukrainas, kishte nisur një fushatë dezinformimi në Ballkan, ku përfshihej edhe Kosova. Kështu, ministri i jashtëm rus, Sergey Lavror, kishte akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë për rekrutimin e mercenarëve shqiptarë përkrah ukrainasve. Këto deklarata ishin bërë vetëm pak ditë përpara agresionit rus në Ukrainë dhe se qëllimi i tyre ishte krijimi i tensioneve në Ballkan. Mirëpo, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Qeverisë së Kosovës kundër këtyre deklaratave, duke thënë që kjo është vetëm një përpjekje e Rusisë për të dezinformuar opinionin publik dhe dëmtuar Kosovën. Për më tepër, Kosova prej disa vitesh ka një ligj i cili sanksionon qytetarët e saj që marrin pjesë në luftra jashtë territorit të vendit. Lufta në Ukrainë nuk përbën përjashtim sipas përkufizimeve të këtij ligji.

Burimi: freepik.com

Në perceptimin kosovar, Rusia është një vend kushdërshtar i Kosovës dhe se cfarëdo që të vijë nga ky shtet shihet më një dyshim të madh. Sipas një studimi të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë në vitin 2020, mbi 80% e qytetarëve të Kosovës besojnë që Rusia është një shtet armiqësor ndaj Kosovës. Ky qëndrim i qytetarëve të Kosovës nuk është aspak befasues duke ditur faktin që Federata Ruse ka më shumë se dy dekada që është një kundërshtare e ashpër e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë. Ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të zëshëm të Serbisë në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës. Ka bllokuar në mënyrë të përsëritur çdo iniciativë të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në përpjekje për të arsyetuar sulmin rus në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz e risolli intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë gjatë viteve 1999 si një paralele me atë që do të ndodhte vetëm pak ditë më vonë në Ukrainë.

Me vazhdimin e luftës në Ukrainë, zyrtarët rusë kanë intensifikuar deklaratat që ndërlidhnin luftën atje me luftën e Kosovës. Kështu, ministri Lavrov në mënyrë të përsëritur po vazhdon me deklaratat e tij që masakra e Reçakut ishte një inskenim nga ana e shteteve perëndimore. Ky qëndrim i Lavrovit vjen përkundër faktit që Rusia ishte pjesë e misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë vitit 1999, ku kishte konfirmuar masakrën e Reçakut në janar të atij viti. Duket qartë që i gjithë insistimi i Federatës Ruse që të krahasojë agresionin në Ukrainë me luftën e Kosovës është që të krijojë një alibi në arenën ndërkombëtare për pushtimin e Ukrainës dhe pasojat që ky pushtim po sjellë atje.

Mirëpo, kjo fushatë aktuale e Rusisë nuk është diçka e panjohur për Kosovën. Që nga viti 2014, kur edhe është aneksuar Krimea, në disa raste zyrtarët rusë kanë bërë krahasime në mes të drejtës së Kosovës për t’u pavarësuar nga Serbia dhe të drejtës së Krimesë për t’iu bashkuar Rusisë.

Duke qenë të vetëdijshëm për rritjen dhe përhapjen e lajmeve të paverifikuara dhe dezinformatave, Komisioni i Pavarur i Mediave ka ndalur transmetimet e lajmeve nga kanalet zyrtare ruse. Ky vendim ka bërë që mediat ruse, si Sputnik dhe Russia Today të mos lejohen të transmetohen në territorin e Kosovës. Sidoqoftë, përkundër këtij vendimi, shpërndarja e lajmeve të rreme në mediat online dhe ato sociale ka vazhduar pa asnjë ndonjë pengesë. Gjatë kësaj periudhe, jo në pak raste, kemi parë që mediat kryesisht në gjuhën serbe që funksionojnë në Kosovë kanë shpërndarë lajme të paverifikuara, duke dezinformuar komunitetin serb në Kosovë. Është më se e qartë që serbët e Kosovës janë të ndikuar jashtëzakonisht shumë nga Beogradi zyrtar dhe qëndrim i shtetit serb në raport me luftën në Ukrainë ka qenë hapur pro-rus.

Siç është e konfirmuar, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, me përjashtim të Bjellorusisë, është shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ky qëndrim i Serbisë përkitazi me agresionin rus në Ukrainë, ka ndikuar shumë që qytetarët serbë dhe mediat në gjuhën serbe të kënë një qëndrim në favor të Rusisë dhe se shpërndarja e dezinformatave në lidhje me luftën në Ukrainë bëhet edhe më i lehtë.

Prandaj, përkundër faktit që shumica e qytetarëve të Kosovës e kuptojnë që Rusia është një kundërshtare e shtetësisë së Kosovës dhe se interesi i këtij shteti është që të krijojë probleme në Ballkan, është e rëndësishme që institucionet publike të jenë të vetëdijshme për një luftë të sofistikuar mediatike të Rusisë në vend.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Petrit Zogaj

Petrit Zogaj është një nga aktivistët më të zëshëm të shoqërisë civile, komentues aktiv i politikave publike dhe drejtor i Lëvizjes FOL. Nën drejtimin e Petritit, Lëvizja FOL është bërë një nga organizatat më të besueshme të shoqërisë civile, që ndikon politikën publike. Petriti ka studiuar shkencën politike në Universitetin e Prishtinës dhe është autor i një sërë publikimesh që trajtojnë transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.