fbpx

A është paraburgimi dënim i fshehur para vendimit gjyqësor?

Jasmin Kalaç

E Vërteta

30.10.19

Прегледи

MK

Jasmin Kalaç

Jasmin Kalac 200x250Në institucionet e paraburgimit në shtetin tonë ka më tepër persona të ndaluar, ndonjëherë madje edhe shumë më tepër se kapacitetet ekzistuese. Shtrohet pyetja nëse paraburgimi u shndërrua në dënim të feshur para vendimit gjyqësor, sepse mundësia personi i cili ka kaluar muaj, ndonjëherë edhe vite në paraburgim të shpallet i pafajshëm, çdo herë ekziston.

 

Çfarë paraqet paraburgimi?

Paraburgimi është masë e cila shërben si mjet ndihmës për sigurimin e prezencës të personit të dyshuar ose të akuzuarit (de jure person i pafajshëm) në gjykatë gjatë procedurës penale e cila mbahet kundër tij. Paraburgimi dallon nga burgu, sepse burgu është sanksion – dënim të cilin e përcakton gjykata nëse konstatohet se ekziston faj te ndonjë person për vepër të kryer penale. Numër i madh i qytetarëve nuk e dinë dallimin ndërmjet paraburgimit dhe burgimit dhe për këtë shkak te publiku shpesh herë krijohet huti. Shpesh herë nëpërmjet medieve qytetarët fitojnë përshtypje dhe paraqitje të gabuar se ndonjë person është liruar nga akuza sepse është liruar nga paraburgimi. Gjithashtu, ekzistojnë edhe situata të kundërta kur dikujt do t'i përcaktohet masa paraburgim, në publik paraqitet se personi tani më është dënuar.  

Duhet theksuar se, fakti që personi i dyshuar është në paraburgim, nuk do të thotë edhe se i njëjti do të akuzohet dhe dënohet, ose lëshimi nga paraburgimi në liri nuk është konfirmim se ndonjë person do të lirohet nga akuza. Prandaj duhet të bëhet dallim ndërmjet paraburgimit dhe burgut. Gjithashtu, i madh është dallimi ndërmjet personit të dyshuar dhe të akuzuar. I dyshuar është personi kundër të cilit mbahet procedurë (paraprake) hetimore, ndërsa person i akuzuar është personi kundër të cilit është konfirmuar akuza.  Në mënyrë që një personi të dyshuar ose të akuzuar për vepër penale t'i caktohet kjo masë, duhet të jetë plotësuar një nga disa kushtet e parashikuara në nenin 165 të Ligjit për procedurë penale, siç janë rreziku nga arratisja, mos shkatërrojë gjurmë, dëshmi ose të përsërisë veprën penale.

Paraburgimi është masa më e rëndë, sepse me këtë kufizohet e drejta e lirisë së njeriut. Edhe përskaj asaj se ekzistojnë masa alternative të parashikuara me LPP, si heqja e dokumentit për udhëtim, garanci me pronë të patundshme dhe të tundshme se i dyshuari nuk do të arratiset, ndalim për largim nga vendbanimi ose arrest shtëpiak, gjykatësit shumë shpesh vendosin të shqiptojnë këtë masë. E drejta e lirisë dhe sigurisë së njeriut është e garantuar plotësisht në nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por gjykata përsëri pothuajse çdo herë e pranon propozimin e prokurorisë për paraburgim, gjatë kësaj pa kërkuar nga prokuroria fakte dhe dëshmi konkrete për përcaktimin e kësaj mase.

Paraburgimi, gjatë procedurës penale sipas LPP përdoret në tre faza. Faza e parë është gjatë hetimit para paraqitjes së akuzës, faza e dytë është pas paraqitjes së akuzës dhe faza e tretë është pas shqiptimit të vendimit gjyqësor deri në plotfuqishmërinë e tij, respektivisht deri në fillim të vuajtjes së dënimit me burg.  Paraburgimi, madje edhe nëse i është caktuar ndonjë personi, duhet të jetë për kohën më të shkurtë të mundshme, të nevojshme. Për vetë faktin që ndonjë personi të dyshuar i është caktuar masa paraburgim, të gjitha organet që marrin pjesë në procedurën penale, detyrimisht duhet të veprojnë me urgjencë.

Kohëzgjatja e paraburgimit është rregulluar në Ligjin për procedurë penale, konkretisht në nenet 171 deri në 174. Paraburgimi zgjat deri sa ekzistojnë shkaqet për të cilin është caktuar. Paraburgimi mund të zgjatë më së shumti 30 ditë nga dita e privimit nga liria. Pastaj, vendimi nëse personit përsëri do t'i caktohet ose anulohet masa e njëjtë, rishqyrtohet nga gjykata. Për organet kompetente, gjatë vendimmarrjes për përcaktimin e masës paraburgim, mund të thuhet se primare është lloji i veprës penale dhe dënimi i parashikuar për veprën penale. Sa më i lartë është dënimi i parashikuar, as më i gjatë mund të jetë paraburgimi, por jo më tepër se dy vjet për vepër penale për të cilën është parashikuar dënim me burg të përjetshëm. Nëse i akuzuari, për shembull, arratiset nga paraburgimi, që pothuajse asnjëherë nuk ka ndodhur, afatet fillojnë të rrjedhin nga e para.
kpdom
Burimi: radar.mk
Dënim apo masë?

Përgjigjja e pyetjes nëse paraburgimi është dënim ose masë, para së gjithash, mund të fitohet dhe drejtpërdrejtë rezulton nga përgjigjja në pyetjen si janë kushtet në të cilat një person i cili nuk është dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, qëndron në paraburgim. Kushtet në institucionet ndëshkuese – korrigjuese në Shutkë janë johumane dhe tekstualisht tepër të vrazhda. Sipas Reportazhit të MIA, të vitit 2018, pa pastërtia, kushtet substandarde, kujdesi i pa mjaftueshëm mjekësor, janë vetëm një pjesë e trajtimit johuman dhe jo përkatës të personave të arrestuar, që rezulton me atë që thonë personat në paraburgim, se më mirë është të jesh në burg sesa në paraburgim. Kritikat arrijnë vazhdimisht dhe janë në adresë të qeverive të deritanishme, për gjendjen e burgjeve maqedonase.  I tillë është edhe raporti i fundit i Komitetit të Helsinkit të publikuar në shtator 2019, në lidhje me gjendjen dhe kushtet në institucionet ndëshkuese - korrigjuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.  Në rekomandimet kryesore të raportit thuhet se shteti duhet të vazhdojë përpjekjet për rikonstruktimin e objekteve të vjetra të institucioneve ndëshkuese – korrigjuese për të mundësuar kushte humane në burgjet.  Sa për ilustrim më 08.02.2019 ekipi i Komitetit të Helsinkit realizoi vizitë njëditore në INK Burgun Shkup Shutkë dhe është konstatuar se burgu ka kapacitet për 350 shtretër  për personat që vuajnë masën paraburgim, ndërsa për momentin ka pasur 254 persona në paraburgim. Numri i personave të arrestuar ndryshon vazhdimisht dhe ndonjëherë arrin deri në 460 persona, që është absolutisht e pa pranueshme. Sa i përket kapaciteteve hapësinore, kushteve materiale dhe higjienës, hapësirat ku janë të vendosur personat të cilët vuajnë masën arrest kanë qenë në gjendje kritike.  

Lagështi, kundërmim, tualete brenda hapësirave, ushqim jo përkatës, ventilim jo përkatës është dukuri e pranishme në pjesën më të madhe të hapësirave të cilat i kanë vizituar përfaqësuesit e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Për një pjesë të hapësirave të cilat janë rinovuar, respektivisht janë ngjyrosur para disa kohe, drejtori ka informuar se këtë e kanë bërë personat e dënuar.  Për shkak se “qelia” ku qëndron i arrestuari është e vogël, e errët, e shkatërruar, ka dritare të vogël nga e cila mezi hyn dritë, të arrestuarit kanë menduar të lidhin shishe plastike me ujë në mënyrë që të kontrollojnë qarkullimin e ajrit në hapësirën.  Vetëm një orë kanë të drejtë të qëndrojnë jashtë qelisë.  

Më alarmante është gjendja në njësinë famëkeqe “V” për paraburgim ose në mesin e policisë së burgut e njohur si “C”.  Atje, shtresa e parë e suvasë në shumë vende mungon, ndërsa kabllot rreth prizave për korrent janë zhveshur dhe lehtë mund të ndodhë të ketë goditje elektrike.  Për shkak të gjithë kësaj, drejtoresha ekzekutive e Koalicionit "Të gjithë për gjykim të drejtë", tërhoqi vërejtjen se paraburgimi është treguar fatal për shëndetin e shumë të arrestuarve. Thjesht, personi (i arrestuari) i cili qëndron në atë hapësirë me ato kushte, ndjen sikur është dënuar dhe jo sikur i është përcaktuar masë nga gjykata me qëllim që të mos arratiset. Sipas kësaj INK Shutka nuk mund të lavdërohet me respektimin e të drejtave të njeriut, në pajtim me Konventën Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Veprimin jo njerëzor dhe ofendues. Sjellja ofenduese ndaj të arrestuarve në raport me akomodimin është ekuivalente sikur janë “të gjykuar dhe të dënuar” me vetë faktin që ju caktohet ajo masë, edhe pse nuk kanë dënim të plotfuqishëm gjyqësor.

Personave kundër të cilëve mbahet procedura penale, jo rrallë herë pjesën më të madhe të dënimit me burg, tani më e kanë “vuajtur”, në paraburgim. Në Reportazhin e televizionit Telma, në gusht të vitit 2019, drejtori aktual i burgut INK Shutka, flet hapur se në burg mbretëron korrupsioni dhe se kjo paraqet problem plotësues i cili zgjidhet vështirë edhe përskaj përpjekjeve për çrrënjosjen e korrupsionit.  Duhet të përmendet se paraburgimi ka edhe implikime fiskale për shtetin. Një ditë në paraburgim kushton 1.000 mkd. 

Masa alternative në vend të paraburgimit

E drejta domicile, respektivisht vendore por edhe legjislacioni ndërkombëtar mundësojnë një spektër të gjerë të masave të tjera alternative më të buta të cilat mund të zbatohen për realizimin e qëllimit absolutisht të njëjtë.  Në bazë të Ligjit për procedurë penale, në nenin 144 janë parashikuar masa alternative, siç janë për shembull masat për kujdes, në të cilat bëjnë pjesë: Ndalim për largim nga vendbanimi, respektivisht vendqëndrimi, obligim i akuzuari të paraqitet kohë pas kohe te person i caktuar zyrtar ose te organi shtetëror kompetent,  heqja e përkohshme e dokumentit për udhëtim ose dokument tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, respektivisht ndalim për lëshimin e dokumentit dhe ngjashëm.  

Më pas, janë parashikuar edhe masa alternative siç janë garancia, arresti shtëpiak dhe ngjashëm. Masat alternative janë shumë më ekonomike në krahasim me paraburgimin dhe me ato nuk kufizohet liria e personit të dyshuar ose të akuzuar, në mënyrë aq të rreptë siç ndodh me masën e paraburgimit. Sipas Doracakut për zbatimin e masës paraburgim, të hartuar nga ekspertë vendas, gjatë vendimmarrjes në lidhje me (mos) përcaktimin e masës paraburgim, duhet të mbahet llogari për indikatorët të cilët ndikojnë mbi mundësinë personi i akuzuar të arratiset, (fillimisht lloji i veprës penale) siç janë gjendja pronësore e dobët ose solide e personit të akuzuar, nëse bëhet fjalë për person i cili është në marrëdhënie pune të rregullt ose nuk është i punësuar, nëse ka ose jo familje, nëse ka të afërm jashtë shtetit ose jo,  çfarë reputacioni ka qytetari dhe ngjashëm.  Duhet të theksojmë se qytetarët dhe mediet kohën e fundit janë dëshmitarë të rasteve të shpeshta të aferave të mëdha të cilat e dredhin shtetin dhe të cilat ndoshta janë prodhim i gjendjes politike aktuale, me çka individë arrestohen, vendosen në paraburgim, akuzohen, ndërsa më vonë procedurat prolongohen, kështu që organet kompetente nuk e dinë çfarë të bëjnë me personat e arrestuar sepse afatet për vazhdimin e masës paraburgim, skadojnë.  

Është jo humane, njëkohësisht jo ligjore të mbahen njerëz në paraburgim, sepse çdo herë ekziston rrezik edhe përskaj  provave të pa mjaftueshme të shqiptohet vendim gjyqësor me dënim, në mënyrë që të “mbulohet” paraburgimi dhe në këtë mënyrë shteti të shpëtojë nga kompensimi i dëmit ndaj personit në paraburgim. Avokatët, shpesh herë në media ankohen se vendimet për përcaktimin e masës paraburgim nuk janë mjaftueshëm të mbuluara me dëshmi.  Unë personalisht mund të jap shembuj nga praktika, kur isha mbrojtës i personit të dyshuar për vepër penale, me çka i caktuan masë paraburgim për shkak të rrezikut nga arratisja, në bazë të pohimeve të prokurorisë se personi ka të afërm jashtë vendit dhe për këtë shkak mund të arratiset pa treguar se cilët janë të afërmit ose ku jetojnë ata.  

Një nga postulatet e të drejtës penale është se çdo person është i pafajshëm, derisa me vendim të plotfuqishëm gjyqësor nuk konstatohet e kundërta.  Nga ana tjetër, i saktë është edhe fakti se ekzistojnë raste ku disa personave u janë caktuar masa më të lehta alternative dhe të njëjtit i kanë keqpërdorur, dhe janë arratisur ose ngjashëm. Ndoshta ky është një nga shkaqet për qëndrimin e këtillë të gjykatave, por e njëjta nuk guxon të jetë pikë referimi për të gjithë.  Prandaj, gjatë marrjes së vendimit në lidhje me atë se cilit person duhet t'i përcaktohet masa më e rëndë - paraburgim, nga organet kompetente nuk duhet të ketë qasje të lehtë dhe nuk duhet të harrohen serioziteti, pasiguria dhe ashpërsia të cilat në vete i ngërthen paraburgimi, por edhe burimet financiare të nevojshme për zbatimin e tij.

Ju lutemi të lexoni rregullat para se të komentoni ose të shkarkoni  
Mendimet dhe qëndrimet e këtij artikulli janë të autorit dhe nuk i reflektojnë pozicionet e Institutit për Studime Komunikuese, as të donatorit

Jasmin Kalaç

Jasmin Kalaç është student i doktoratës në Departamentin e së Drejtës Penale në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Ankarasë në Turqi. Punon si avokati dhe fushat kryesore të tij të interesit janë e drejta penale, kriminologjia, penologjia dhe të drejtat e njeriut.