fbpx

Kultura nuk duhet të bëhet luks për qytetarët

Elena Gagovska

Interesi publik

02.02.23

Прегледи

Është tragjike që ne duhet të luftojmë për ruajtjen e një institucioni që ka qenë gjithmonë një strumbullar i jetës kulturore në Maqedoni.

Më 18 janar të këtij viti, Qendra Kulturore Rinore (QKK) njoftoi se Qyteti i Shkupit ka shkurtuar për 92% të buxhetit programor të QKK-së dhe në mënyrë të kundërligjshme ka zëvendësuar ushtruesin e detyrës, drejtorin e këtij institucioni kulti, i cili për më shumë se gjysmë shekulli paraqet një hapësirë ​​për pasurimin kulturor të qytetarëve në Maqedoni.

I provokuar nga ky zhvillim i ngjarjeve, rrjeti i pavarur muzikor Gola Planina Kolectiv organizoi një tubim qytetarësh nën moton #SiteZaMKC. Më 22 janar, në shenjë revolte për zhvillimet aktuale, grupet e kolektivit si Lufthansa dhe Hajka, si dhe artistë si Dina Jashari, performuan për katër orë të tëra në sheshin e Qendrës Kulurore Rinore.

Tubimi ishte plot art, muzikë dhe frymë rinore, vlera të përbashkëta të institucionit për të cilin po luftojmë aktualisht. Gjithashtu, në këtë aktivitet u nënshkrua edhe një peticion, me të cilin kërkohej rritja e buxhetit të QKK-së dhe të tërhiqet institucioni nga lojërat politike, në kuadër të të cilit u mblodhën 1190 nënshkrime fizike.

“Kjo protestë nuk është Gola Planina (Pyll i zhveshur), problemi për të cilin ne protestuam është më i madh se çdo organizim, kolektiv, në cilëndo sferë të jetë. Gola Planina u shpreh e revoltuar në një situatë ku të gjithë flisnin për veprim, por askush nuk ndërmori veprime, kurse ne nuk mund të heshtim kur një legjendë e tillë kulturore gjendet në rrezik të madh. Ne zgjodhëm një lloj proteste jokonvencionale, përmes muzikës, sepse QKK-ja është art, QKK-ja është rini dhe energji, QKK-ja është shtëpia jonë”, deklaruan për publikun Kolektivi Gola Planina.

Vend për optimizëm

Më 24 janar, dy ditë pas eventit #SiteZaMKC, u publikua peticioni, me të cilin kërkohet kthimi i buxhetit programor në 25 milionë denarë dhe zbatimi i konkursit të ndershëm për zgjedhjen e drejtorit. Për një ditë të vetme u mblodhën 5000 nënshkrime (deri në çastin e publikimit të këtij teksti nisma është nënshkruar nga gati 6000 qytetarë). E inkurajuar nga ky sukses, iniciativa në ndërkohë filloi të planifikojë aksionin gueril, aksion të cilin e realizoi gjatë mbajtjes së seancës së Këshillit të Qytetit të Shkupit më 26 janar.

Në atë aksion pa pritur kanë ardhur edhe punëtorët e sindikatës së shoferëve privatë të autobusëve në Shkup, të cilët me muaj të tërë nuk paguhen nga Qyteti i Shkupit.

Aksioni tërhoqi vëmendjen e mediave, por vetëm gjysmë ore para aksionit, kryetarja Danela Arsovska mbajti një konferencë për media ku pohoi se buxheti i Qendrës Kulturore Rinore nuk është shkurtuar fare. Të nesërmen, kolegjiumi i QKK-së hodhi poshtë pretendimet e saj në detaje në deklaratën e tyre për shtyp. Ndonëse është e vërtetë që buxheti për kostot xhiruese i QKK-së nuk është shkurtuar, fakti është se buxheti i programit është shkurtuar me 92%.

Menjëherë pas veprimit tonë, kemi marrë një reagim nga këshilltarët. Këshilli i Qytetit të Shkupit votoi amandamentin për rritjen e mjeteve nga buxheti programor i QKK-së për 2 milionë denarë shtesë. Kjo shumë, megjithatë, nuk është aspak adekuate, sepse buxheti programor i QKK-së për vite të tëra ka qenë rreth 25 milionë denarë – shumë që mendojmë se duhet të kthehet sepse edhe buxheti prej 4 milionë denarë paraqet reduktim enorm prej 84%.

Burimi: radiomof.mk

Për më tepër, këto mjete në fakt sigurohen nga zëri për thirrje publike për shoqata dhe individë për projekte kulturore të Qytetit të Shkupit. Në fakt, ky amendament nuk paraqet rritje të buxhetit për kulturën, por vetëm rishpërndarje të fondeve në Programin e Kulturës. Qëllimi i #SiteZaMKC nuk është që QKK-ja të marrë një buxhet më të madh programor në kurriz të institucioneve dhe punëtorëve të tjerë të kulturës, por të inkurajojë autoritetet që të japin prioritet dhe financojnë në mënyrë adekuate kulturën në vendin tonë, duke filluar nga Qendra Kulturore Rinore.

Të mos lejojmë të shuhet kultura në qytet

Duke pasur parasysh gjithë këtë, është e rëndësishme të kuptohet se çfarë do të ndodhte nëse buxheti programor nuk kthehet në 25 milionë denarë. Duhet ta shikojmë QKK-në nga pikëpamja ekonomike: çfarë përfaqëson ky institucion për artistët dhe punonjësit e kulturës dhe çfarë për audiencën. Qendra Kulturore Rinore është praktikisht vendi i fundit në Shkup ku muzikantët dhe artistët e rinj mund të shprehen dhe të performojnë lirisht.

QKK-ja është një vend ku ata mund të nisin karrierën e tyre dhe të fillojnë të fitojnë para nga arti i tyre. Pa QKK-në, shumë artistë do të vuanin pasoja të rënda krijuese dhe ekonomike.

Shikuar nga këndvështrimi i audiencës, QKK-ja përfaqëson një vend ku kultura është lehtësisht dhe relativisht e lirë në dispozicion për shkak të financimit nga shteti. Biletat e ngjarjeve/eventeve shpesh shiten me çmime të ulëta, madje shumë ngjarje janë edhe falas. Nëse buxheti i programit të QKK-së nuk rikthehet në një nivel adekuat, shumë prej këtyre ngjarjeve nuk do të ndodhin apo mbahen.

Kultura thjesht nuk duhet të bëhet luks për qytetarët. Gjithçka për QKK-në është një luftë për qasje të barabartë në kulturë, pavarësisht statusit social dhe ekonomik.

Është tragjike që duhet të luftojmë edhe për të ruajtur një institucion, për të cilin vështirë se dikush ka mendim negativ. Por ka edhe arsye për optimizëm. Nisma është jopartiake dhe as nuk merr ndonjë mbështetje financiare – përdoren vetëm fondet monetare nga donacionet e mbledhura në eventin #SiteZaMKC, për nevojat e aksionit gueril dhe për shtypjen e afisheve që përmbajnë një kod QR që ridrejton njerëzit te peticioni.

Lëvizja nisi spontanisht dhe vetëm nga dëshira për të ruajtur një nga institucionet më të rëndësishme kulturore publike në vendin tonë. Grupet nga Gola Planina Kolektiv janë ngritur dhe zhvilluar duke mbajtur koncerte në QKK, madje edhe nga ne që nuk jemi muzikantë, por jemi një audiencë besnike, ku krijuam miqësi në këto rrethana. Ne po luftojmë për mbijetesën e skenës së pavarur kulturore, por edhe për miqësitë dhe shoqërimet që nuk do të ishin krijuar kurrë nëse nuk do ta kishim QKK-në si hapësirë ​​publike kulturore të përbashkët. Në fund, dua ta mbyll me mesazhin që bateristi nga Trio Vlatko Stefanovski, Jan Stefanovski, u dërgon lexuesve të Res Publika.

“Për mua, QKK-ja është një institucion në të cilin shpirti rinor ende jeton në lulëzim. Qendra është një vend ku mbretëron një energji ndryshe. Miqësia është thjesht e ndryshme. Që nga koncertet e grupeve të mëdha dhe të vogla, deri te shfaqjet e filmave, ekspozitat artistike, shfaqjet teatrore dhe llojeve të tjera të panumërta të eventeve, QKK-ja është një vend i domosdoshëm kulturor i Shkupit që ka një rëndësi të madhe për edukimin dhe kulturën e përgjithshme që përvetëson rinia në ditët e sotme. Unë besoj se ajo që QKK-ja është për mua, është edhe për të gjithë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Elena Gagovska

Elena Gagovska është shkrimtare, studiuese dhe gazetare e cila ka diplomuar në Bard College Berlin, ndërsa aktualisht jeton në Shkup. Ajo është e interesuar dhe shkruan për tema të ndryshme politike si feminizmi ndërsektorial, politika majtiste, antiracizmi, të drejtat e punëtorëve dhe LGBTI- komunitetit. Ajo publikon rregullisht artikuj në platformën feministe "Meduza" ndërkaq është publikuar edhe në shumë media të tjera vendase dhe të huaja si Women's Media Center, Summer of Solidarity dhe Jacobin.