Pse epërsia ushtarake e ShBA-së nuk garanton fitore ndaj Iranit?

Alfred Marleku

Politika

07.09.26

Прегледи

ShBA-ja vazhdon të jetë pala ushtarakisht më e fuqishme, por ende nuk ka arritur ta detyroj Iranin të pranoj kushtet që do ta përfundonin luftën sipas objektivave të Uashingtonit. Pikërisht këtu qëndron fuqia shpjeguese e teorisë së “konflikteve asimetrike”.

Kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet kundër Iranit në shkurt të këtij viti (2026), epërsia ushtarake ishte qartësisht në anën e tyre. Operacioni ushtarak synonte shkatërrimin e kapaciteteve raketore të Iranit, të marinës, programit bërthamor dhe infrastrukturës ushtarake në përgjithësi. Presidenti Donald Trump e paraqiti operacionin edhe si një mundësi për të nxitur ndryshime më të gjera politike në Iran dhe në rajon.

Më shumë se pesë muaj më vonë ky avantazh ushtarak i ShBA-së kundrejtë Iranit mbetet i pandryshuar. Megjithatë, ndërsa lufta vazhdon, Uashingtoni ende nuk ka arritur ta përkthej atë në një rezultat politik që do t’i jepte fund luftës.

Kjo mospërputhje ndërmjet fuqisë ushtarake dhe rezultatit politik mund të shpjegohet përmes teorisë së “konflikteve asimetrike” të Ivan Arreguin-Toft.

Në studimin e tij “Si i fitojnë luftërat të dobëtit” (ang: “How the Weak Win Wars”) ai argumenton se dallimi i madh në fuqinë materiale nuk e përcakton domosdoshmërisht rezultatin e luftës. Për të rëndësi të veçantë ka mënyra se si ndërveprojnë strategjitë e dy palëve kundërshtare në luftë. Kur aktori më i fuqishëm dhe ai më i dobët luftojnë drejtpërdrejt, avantazhi material zakonisht favorizon të fortin. Por, kur aktori më i dobët shmang këtë lloj përballjeje dhe zgjedh një strategji tjetër, epërsia e aktorit më të fortë bëhet më e vështirë për t’u shndërruar në fitore.

Në analizën e tij të konflikteve asimetrike ndërmjet viteve 1800 dhe 1998, Arreguin-Toft gjen se aktorët që ishin më të fortë fituan në 76% të rasteve kur të dyja palët përdorën qasje të ngjashme strategjike. Kur strategjitë ishin të kundërta, aktorët më të dobët fituan në 63% të rasteve.

zosto voenata nadmokj na sad ne garantira pobeda nad iran naslovnaBurimi: Envato

Kjo logjikë ndihmon për të kuptuar edhe mënyrën se si Irani po i përgjigjet epërsisë ushtarake amerikane. Teherani nuk mund të krahasohet me ShBA-në për nga fuqia ajrore, teknologjia dhe kapacitetet ushtarake. Mirëpo, për të arritur një rezultat të favorshëm politik, Irani nuk ka nevojë ta mposht ushtrinë amerikane në kuptimin klasik. Mjafton të ruaj aftësinë për kundërpërgjigje, ta zgjasë konfliktin dhe t’ia rrisë Uashingtonit koston e vazhdimit të luftës.

Në këtë drejtim, strategjia iraniane nuk është kufizuar vetëm në kundërpërgjigjen ndaj sulmeve ushtarake amerikane. Teherani është përpjekur që koston e luftës ta shtrij përtej territorit të vet, duke sulmuar bazat amerikane në rajon dhe infrastrukturën energjetike të vendeve të Gjirit. Megjithatë, instrumenti më i rëndësishëm i presionit mbetet Ngushtica e Hormuzit.

Para fillimit të luftës, përmes kësaj ngushtice kalonte rreth një e pesta e transportit botëror të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Kufizimi i trafikut në këtë korridor nuk i shkakton ShBA-së humbje ushtarake në kuptimin tradicional, por rrit kostot ekonomike të konfliktit, prek partnerët e saj rajonalë dhe zgjeron numrin e aktorëve që kanë interes në përfundimin e luftës. Kështu, avantazhi gjeografik i Iranit shndërrohet në instrument presioni ndaj një kundërshtari ushtarakisht shumë më të fuqishëm.

Por, elementi më i rëndësishëm në teorinë e “konflikteve asimetrike” është koha. Sipas kësaj teorie, strategjia e aktorit më të dobët nuk synon domosdoshmërisht shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake të kundërshtarit, por zgjatjen e konfliktit deri në atë pikë kur kostot e luftës ndikojnë në vullnetin e aktorit më të fuqishëm për ta vazhduar luftën.

Kostot e luftës për ShBA-në tashmë janë të matshme. Deri në fillim të gushtit, lufta i ka kushtuar buxhetit amerikan mbi 30 miliardë dollarë, ndërsa 18 pjesëtarë të forcave amerikane kanë humbur jetën. Në të njëjtën kohë, një sondazh i opinionit publik tregoi se vetëm 35% e amerikanëve e mbështesnin luftën.

Zgjatja e luftës po reflektohet edhe në rezervat ushtarake amerikane. Sipas Reuters, ShBA-ja ka përdorur pjesën më të madhe të kapacitetëve të saj të raketave me precizitet të lartë si ATACMS, ndërsa rreth 65% e interceptorëve Patriot janë shpenzuar tashmë. Një zvogëlim i tillë i resurseve ushtarake ka ngritur shqetësime për gatishmërinë e ShBA-së për t’iu përgjigjur krizave të tjera globale në një kohë kur Uashingtoni vazhdon ta konsideroj Kinën si sfidën kryesore strategjike.

Dihet se këto kosto nuk e ndryshojnë raportin e fuqisë ndërmjet ShBA-së dhe Iranit. Megjithatë, ato ndikojnë në kalkulimet politike të vazhdimit të luftës. Sa më shumë që konflikti zgjatet, aq më pak rezultati i tij përcaktohet vetëm nga raporti fillestar i fuqisë.

Në një konflikt të tillë rëndësi ka edhe pesha që secila palë i jep rezultatit të luftës. Për ShBA-në, objektivat në Iran janë të rëndësishme strategjikisht, por për Teheranin lufta lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën e regjimit, ruajtjen e kapaciteteve ushtarake dhe pozitën e Iranit në rajon. Kjo e rrit gatishmërinë e tij për të përballuar kosto më të mëdha dhe për një periudhë më të gjatë, duke e bërë kohën një element gjithnjë e më të rëndësishëm.

ShBA-ja vazhdon të jetë pala ushtarakisht më e fuqishme, por ende nuk ka arritur ta detyroj Iranin të pranoj kushtet që do ta përfundonin luftën sipas objektivave të Uashingtonit. Pikërisht këtu qëndron fuqia shpjeguese e teorisë së “konflikteve asimetrike” e cila nënvizon faktin se epërsia ushtarake mund të përcaktoj se kush dominon përballjen në fushëbetejë, por jo domosdoshmërisht se kush arrin rezultatin politik për të cilin ka hyrë në luftë.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.