Pensilvania, pak para fundit të shekullit të 19-të: gazeta Pittsburgh Dispatch" botoi artikullin "Për se janë të dobishme vajzat?". Sipas tekstit, ato janë të dobishme për pak gjëra, kryesisht të jenë amvise dhe të lindin fëmijë. Menjëherë pas botimit, ekipi redaktues mori një letër revolte nga një lexuese. Letra u shkrua nga një grua e re me emrin Elizabeth Cochran. Redaksia ishte aq e impresionuar me temperamentin e saj, sa që asaj i ofruan punë. Ky është fillimi i një karriere gazetareske që do të formësojë botën e medias, veçanërisht për gratë.
Në vitet në vijim, Elizabeth Cochrane shkroi nën dy emra të rinj: ajo e ndryshoi Kokran në Kokrejn thjesht sepse i pëlqente më shumë, ndërsa artikujt e saj i shkroi nën pseudonimin Nellie Bly.
Nellie Bly
Burimi: H.J. Myers, fotograf, domen publik, nëpërmjet Wikimedia Commons
Me emrin Nellie Bly, ajo trajtoi tema që ishin të pazakonta për gazetarët e asaj periudhe, megjithëse ishte shumë e re – në të njëzetat e hershme. Në atë kohë, shumë gazeta kishin të ashtuquajturat "faqe të grave" që ishin të mbushura me tema që konsideroheshin interesante për gratë. Më shpesh, këto faqe trajtonin tema që lidhen me familjen, kopshtarinë dhe fëmijët. Gazetaria që përqendrohej në tema kritike shoqërore ishte në fushën e burrave. Pavarësisht kësaj, tekstet e para të Bligh ishin për gratë punëtore, për shembull në industrinë e çelikut, në të cilat ajo kritikonte kushtet e punës së grave.
Për shkak të këtyre teksteve, ajo ishte në shënjestër të kritikave, por në vend që të ndryshonte fokusin e saj, ajo hoqi dorë nga puna e saj në "Pittsburgh Dispatch" për t'u bërë një profesioniste e pavarur. Si gazetare e re, ka udhëtuar nëpër Meksikë dhe ka dërguar korrespondencë gazetës së saj për kushtet e jetesës së të varfërve dhe pasojat e korrupsionit në politikë dhe agjencitë qeveritare. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo zemëroi qeverinë meksikane, kështu që iu desh të largohej nga vendi.
Hulumtim sekret në repartet psikiatrike të grave
Bly ishte në fillim të karrierës së saj. Në vitin 1887, udhëtoi për në New York dhe është angazhuar nga Joseph Pulitzer në "New York World". Në atë kohë, gazeta ishte një nga gazetat më të mëdha të përditshme në Shtetet e Bashkuara dhe kjo e ndihmoi Nellie Bly të dilte para syve të publikut.
Duke raportuar fshehurazi nga reparti psikiatrik i grave në ishullin Blackwell , ajo krijoi një histori të formuluar si një përzierje e tekstit gazetaresk dhe një shënim ditari personal. Në të, ajo tregon se si falsifikoi një sëmundje mendore për t'u pranuar në institucion. Flet për trajtimin dhe abuzimin e pacientëve, si dhe për pacientët te të cilët kushtet janë përkeqësuar në mënyrë drastike pas pranimit. Nga vëzhgimi, Bly mori përshtypjen se kushdo që nuk kishte qenë më parë i sëmurë, ishte sëmurë pas një qëndrimi në institucion. Teksti hasi në reagime të bujshme nga publiku dhe rezultoi më hetim gjyqësor. Së fundi, u vunë në dispozicion fonde për të përmirësuar kushtet në institucionet psikiatrike.
Me "Dhjetë ditë në çmendinë", Bly jo vetëm që ndryshoi shoqërinë, por gjithashtu krijoi një nga shembujt e parë të gazetarisë hulumtuese.
Që atëherë, Nellie Bly shpesh ka punuar me një identitet të fshehtë, ndonjëherë si prostitutë, ndonjëherë si paciente në një tavolinë operacioni. Ajo vazhdimisht e vinte veten në situata të rrezikshme dhe si grua ndonjëherë arrinte të zbulonte gjëra që një gazetar mashkull nuk do të ishte në gjendje t'i zbulonte. Pasi mblidhte informacione, raportonte në lidhje me to, në një mënyrë të saktë dhe interesante. Ajo u bë pioniere e lëvizjes së grave e të ashtuquajtur "gazetare kaskadere"* (girl stunt reporters).
Një mënyrë e re e tregimit
"Gazetaret - kaskadere" ishin gra si Bligh, të cilat shpesh kryenin kërkime sekrete për të ekspozuar padrejtësitë sociale dhe për të bërë ndryshime. Kështu, krijuan një drejtim të ri në raportim që tani shpesh quhet "disiplina supreme" në gazetari, që tani është gazetaria hulumtuese. Jo vetëm që kërkimet sekrete ishin një risi, por edhe toni i shkrimit ndryshonte nga ai i zakonshmi. Artikujt ishin shpesh me humor, të shkruar në vetën e parë dhe trajtonin tema tabu. Ajo që mund të duket sensacionale nga këndvështrimi i sotëm në atë kohë hapi mundësi të reja për rrëfimin që tërhoqi vëmendjen e lexuesve. Inovacioni stilistik ishte fillimi i "gazetarisë së re", një term i popullarizuar nga gazetari Tom Wolff në vitet 1970, të shekullit 20.
Përveç kësaj, tekstet e gazetarëve ishin të njohura për lexuesit dhe ofruan një mundësi që gazetarët të dëgjoheshin në botën e mediave të dominuara nga meshkujt. Në të njëjtën kohë, situatat shpesh të rrezikshme në të cilat e gjetën veten tregojnë se sa larg duhej të shkonin për të pasur sukses. Por fakti që artikujt e tyre ishin popullore nuk do të thotë që vetë gazetaret gëzonin një popullaritet të tillë.
Për shkak të metodave të tyre ekstreme të hulumtimit dhe manovrave të guximshme, në një kohë kur hulumtimi në ujërat e errëta konsiderohej diçka që "nuk i përshtatej një zonje", ato humbën respektin në pjesë të shoqërisë pavarësisht suksesit të tyre. Termi "gazetare - kaskadere"girl stunt reportersështë një tregues i qartë i kësaj dhe shpesh është përdorur me një kuptim të shëmtuar. Ato nuk ishin vajza, por gra të rritura, megjithëse shumë të reja. Termi "kaskader" kishte për qëllim gjithashtu të nënvlerësonte punën e tyre, përkatësisht gazetarinë e fshehtë që shpesh zbulonte padrejtësitë shoqërore.
Helen Cusack shkroi serinë "Skllevëret e qytetit" për Chicago Times në vitin 1888 nën pseudonimin Nell Nelson, në të cilën dokumentoi dhe kritikoi kushtet e punës dhe pagat jashtëzakonisht të ulëta të punëtoreve në fabrika. Për të pasur sukses, ajo vetë u infiltrua në industri si punëtore. Në vitin 1890, Winifred Sweet shkroi si Annie Laurie për trajtimin e grave në një spital publik në San Francisko. Mjeku që abuzonte fizikisht me gratë pasi i diagnostikonte si "histerike" u pushua nga puna. Sweet simuloi një kolaps qarkullues të gjakut ose tronditje në rrugë për shkak të historisë së saj, dhe u pranua në spital si paciente. Gratë e tjera mbetën anonime në shkrimet e tyre dhe kështu të panjohura deri më sot. Megjithatë, puna e tyre gazetareske ka ndikuar në mënyrë të pamohueshme në botën e medias.
Me "Dhjetë ditë në një çmendinë", Nellie Bly filloi lëvizjen që ndryshoi gazetarinë. Sukseset e saj në karrierë vijojnë më pas. Historinë e plotë rreth Bly mund ta dëgjoni nëpodkastinFrauensachen (ose "Tema femërore). Podkasti prodhohet nga studentët në Universitetin Teknik të Dortmundit dhe transmeton, ndër të tjera, në radion e kampusit Eldoradio*. Autori i këtij teksti është një nga producentët e “Frauensachen”.
Të drejtat autoriale: European Journalism Observatory (EJO)
Instituti për Studime të Komunikimit (ISK) është anëtar i Observatorit Evropian për Gazetari (EJO). Pikëpamjet e shprehura në këtë faqe janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë gjithmonë pikëpamjet, politikat dhe qëndrimet e EJO dhe ISK.