fbpx

Çfarë do të thotë heqja e vetos në BE për integrimin e Maqedonisë?

Xhenur Iseni

Politika

14.12.22

Прегледи

Në Bashkimin Evropian po bëhen gjithnjë e më të zëshme kërkesat për heqjen e vetos së shteteve anëtare në politikën e jashtme. Kryesisht bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të ri në Union. A do të thotë kjo një mënyrë më e shpejtë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian?

Përballë sfidave të reja nga lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian po e ka të vështirë të marrë vendime se si t'i ballafaqojë ato. Tensioni mes anëtarëve kërcënon vazhdimisht me dështimin e aksioneve dhe me kompromise të dhimbshme, por edhe me kërkesa ekstreme të disa prej tyre, duke parë shansin për të realizuar interesat e tyre. Prandaj në Union po mendohet shumë për ndryshimin e rregullave në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme, ku më së shumti mendohen ato gjeostrategjike, si kërcënimet ushtarake apo zgjerimi i Unionit.

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë e ka vënë në provë sistemin e unanimitetit, në një kohë kur aksioni i shpejtë është edhe më i nevojshëm. Kohët e fundit, kancelari gjerman Olaf Sholz qëndroi me vendosmëri pas heqjes së vetos së BE-së mbi politikën e jashtme dhe taksat për të përshpejtuar vendimmarrjen e përbashkët. "Por aty ku tani kërkohet unanimiteti, rreziku që një vend të pengojë të gjithë të tjerët të përparojnë me veton e tij rritet me çdo shtet të ri anëtar.

Të besosh ndryshe do të thotë të mohosh realitetin evropian. Kjo është arsyeja pse unë propozova një kalim gradual në votimin e shumicës në politikën e përbashkët të jashtme, por edhe në fusha të tjera, siç është politika fiskale”, deklaroi Sholz. Kancelari gjerman u shpreh se kjo do t'ua lehtësojë rrugën vendeve që po bëjnë përpjekje për t'u bërë pjesë e familjes evropiane. "Unë jam i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian - në vendet e Ballkanit Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe Gjeorgji - një Bashkimi Evropian me 30 ose 36 vende, por i ndryshëm nga Unioni ynë aktual", potencoi Sholz. Ai premtoi mbështetje të fortë për këto vende që shpresojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, duke theksuar megjithatë se zgjerimi i bllokut në "30 ose 36" do të kërkonte reforma. Presidenca çeke e BE-së do të përgatisë një "pako Krishtlindjesh" me propozime për reformimin e bllokut, me synimin për të tërhequr ata anëtarë që nuk janë të bindur se reformat janë të nevojshme.

Mbetet e paqartë se cili do të jetë fati i pakos, tha ministri çek i Çështjeve Evropiane Mikulas Bek, duke shtuar se vendi i tij do të insiston për fleksibilitet në procesin e zgjerimit. Në qershor, eurodeputetët mbështetën gjithashtu një rezolutë që u bën thirrje qeverive të BE-së të krijojnë një konventë kushtetuese dhe vendeve anëtare u kërkohet ta deklarojnë atë deri në fund të vitit. Duke komentuar paketën, Bek tha se ajo mund të përfshijë, për shembull, një ndryshim në votimin e shumicës së cilësuar, ose një marrëveshje për të thirrur një konventë. Ai shtoi se pas përfundimit të presidencës çeke do të merren vendime më të rëndësishme.

Praga shpreson që çdo anëtar i "Pakos së Krishtlindjeve" të gjejë një propozim me të cilin janë dakord, duke rritur gjasat për mbështetje për të gjithë pakon. Kur bëhet fjalë për votimin e shumicës së kualifikuar, veçanërisht në politikën e jashtme, Bek tha se ai e ftoi në mënyrë eksplicite Hungarinë të paraqesë propozimet e saj se si të reformohet BE. Në të kundërtën, ne nuk do të shkojmë larg.

Çfarë do të thotë për Maqedoninë?

Gjatë rrugës për në BE, Maqedonia fillimisht u përball me veton nga Greqia dhe mosmarrëveshja u zgjidh duke ndryshuar emrin e shtetit në Maqedoninë e Veriut. Vendi më pas hasi në një tjetër bllokadë, këtë herë nga Bullgaria, megjithëse BE-ja vendosi në mars 2020 që Maqedonia të mund të fillonte negociatat. Ajo u tejkalua me propozimin francez me të cilin një pjesë e kërkesave bullgare hynë në kornizën e negociatave, pas së cilës më 19 korrik në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. A do të nënkuptonte heqja eventuale e vetos së shteteve anëtare në politikën e jashtme një rrugë më të shpejtë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian?

Burimi: eeas.europa.eu

Shumica e kualifikuar si opsion për marrjen e vendimeve në politikën e jashtme përmendet gjithnjë e më shpesh, ndonëse është një temë që ndoshta ka ekzistuar që nga themelimi i BE-së, e sidomos pas zgjerimit të fundit. Megjithatë, në këto konstelacione është tepër e vështirë të ndodh një gjë e tillë. Mendoj se është shumë vështirë të arrihet një konsensus i tillë për heqjen e vetos si instrument i BE-së, sepse kjo drejtpërdrejt godet në dokumentet themelore të BE-së. Sa i përket asaj se a do të përshpejtohej rruga jonë drejt Unionit, askush s'mund të përgjigjet me precizitet.

Megjithatë kjo varet absolutisht nga gatishmëria e shtetit ku jetojmë për ti zbatuar reformat që kërkohen gjatë kësaj rruge, reforma të cilat u potencuan edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Nëse zbatohen këto reforma, atëherë mund të presim ka viti 2030 të jemi anëtare, përndryshe do të presim edhe shumë kohë. Megjithatë, vlerësoj se vendet anëtare të BE-së nuk do të pranonin një ridefinim të rregullave të vetos për vendimet e zgjerimit, edhe kur ato abuzohen për interesa të ngushta kombëtare. E drejta e secilit prej vendeve për t'u deklaruar individualisht për marrjen e anëtarëve të rinj në Union është për ta një simbol themelor i barazisë dhe sovranitetit në BE. Problemet me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së tregojnë problemin themelor me zgjerimin. Shumica e këtij procesi është teknik dhe lidhet me plotësimin e kushteve të kapitujve të anëtarësimit në BE dhe pranimin e kuadrit ligjor të tij.

Por ka raste kur përdoret për interesa të ngushta kombëtare. Ne tashmë e kemi parë këtë situatë me Greqinë sa i përket çështjes së emrit. Tani e shohim me Bullgarinë në raport me historinë. Por e kemi parë edhe në raste të tjera, për shembull rruga e Shqipërisë u ndal nga një numër i vogël vendesh, si Franca, të cilat kishin rezerva.

Megjithatë mendoj se heqja eventuale e vetos gjatë zgjerimit do të ishte lehtësi e madhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për zgjerimin e ardhshëm qoftë me Kosovën ose me Bosnjë e Hercegovinën, sepse në këtë mënyrë shtetet anëtare nuk do të kishin të drejtën të bllokonin anëtarësimin në BE. Në anën tjetër të medaljes, me të drejtë pohohet se ndikimi në botë është më i madh kur vendimet merren unanimisht nga të gjithë anëtarët e BE-së. Nëse shtetet e vogla si Maqedonia e Veriut, Shqipëria ose në të ardhmen edhe Kosova, nuk do të kishin të drejtën e vetos, atëherë pesha e tyre brenda Unionit do të ishte vogël. Megjithatë, sa i përket procesit të zgjerimit, me pasjen e të drejtës së vetos, po dëshmohet se shumë shtete duhet të "sakrifikojnë shumë" deri sa të bëhen anëtare të BE-së, e kjo shpeshherë çon në vonim të proceseve të integrimit, dëshpërim dhe euroskepticizëm. E këtë më së miri e di Maqedonia e Veriut.

Pas konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, filloi procesi i skriningut, i cili i mundësoi vendit të njihet me të drejtat dhe detyrimet në BE. Skriningu zhvillohet në dy faza. Një fazë është një skrining shpjegues, i cili është një lloj seminari ku ekipi i BE-së i tregon administratës maqedonase se çfarë përmban kapitulli në negociata. Në fazën e dytë apo skrining bilateral, ekipi maqedonas do të përfshihet më drejtpërdrejt dhe do të tregojë se çfarë kemi bërë, ku ka dallime dhe çfarë planifikojnë të bëjnë. Mund të ketë gjithashtu një pyetje ose vërejtje nga secili vend anëtar.

Maqedonia anëtare e BE-së deri 2030?

VMRO-DPMNE është kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Për miratimin e tyre nevojiten edhe votat e deputetëve të opozitës. Përfshirja e bullgarëve në preambulë varet nëse vendi do t'i nisë negociatat me kapituj apo do të gjendet sërish në një situatë status quo në procesin e integrimit evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh deklaroi se sipas ritmit me të cilin po punohet, është reale që deri në vitin 2030 vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Sipas tij, aktualisht shteti ka 45 për qind të harmonizuar legjislacionin me BE-në, ndërsa Qeveria ka krijuar një strukturë negociuese dhe ka emëruar kryenegociator, ku në negociata janë përfshirë edhe komuniteti akademik dhe sektori joqeveritar.

“Mendoj se është realiste që për 14 muaj të përfundojë procesi i skriningut dhe të fillojë hapja e kapitujve. Deri në vitin 2030, sipas ritmit me të cilin po punohet, mendoj se është reale që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së”, tha kryeministri Kovaçevski. Nëse vërtet duam që viti 2030 të jetë një vit në të cilin do të jetë anëtare e BE-së, qeveria dhe opozita duhet të bashkojnë duart, që ta largojnë këtë temë nga grindjet dhe konkurrenca politike, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Sipas tij, nevojitet një marrëveshje e re kornizë për BE-në në të cilën partitë politike do të marrin përsipër të mbështesin njëra-tjetrën për çështjet që kanë të bëjnë me BE-në.

“Ne duhet të ndajmë edhe përgjegjësinë edhe meritat për këtë proces. Në fund të fundit, qytetarët dhe shteti duhet të jenë fitues në këtë proces”, tha Osmani. Ai shtoi se çdo ditë e humbur është një vonesë shtesë për anëtarësimin në BE.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Xhenur Iseni

Xhenur Iseni është politolog dhe ka kryer studimet master në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup. Interesat e tij kërkimore janë organizatat ndërkombëtare dhe situata politike në Maqedoni. Ai është redaktor përgjegjës në gazetën Koha, si dhe pjesëmarrës në një sërë trajnimesh, seminaresh dhe konferencash ndërkombëtare.