fbpx

Dilemat dhe pyetjet e hapura rreth të ardhmes së Ballkanit të Hapur

Stefan Ristevski

Politika

16.11.22

Прегледи

A mund t'i kthejnë shtetet e rajonit premtimet politike në realitet për qytetarët dhe kompanitë?

Përveç detyrimeve për bashkëpunim rajonal dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore që rezultojnë nga Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit, këto çështje janë përfshirë edhe në kornizat e negociatave në procesin e anëtarësimit në BE. Ato përfaqësojnë një kriter unik sipas të cilit vlerësohen vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Megjithatë, bashkëpunimi dhe integrimi rajonal nuk duhet parë si një proces apo kusht i imponuar për anëtarësimin në BE, por si një mundësi për përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe kompanitë nga rajoni.

Në fund të fundit, 69% e kompanive konsiderojnë se cilësia e bashkëpunimit rajonal është e rëndësishme për biznesin e tyre, ndërsa 76% e qytetarëve e mbështesin këtë proces në drejtim të përmirësimit të situatës politike, ekonomike dhe të sigurisë në vendet e tyre. Organizata CEFTA shërben si shembull se marrëveshjet rajonale prodhojnë rezultate më të mira se marrëveshjet dypalëshe tregtare.

Prandaj, iniciativat që promovojnë dhe lehtësojnë bashkëpunimin rajonal janë të një rëndësie të veçantë për vendet e rajonit - Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit. Komplementariteti i këtyre proceseve, por edhe në përgjithësi mbi nevojën për të pasur dy procese paralele është temë e debatit këto ditë.

Kjo çështje është ndoshta më e rëndësishme për nismën e Ballkanit të Hapur, veçanërisht pas zhvillimit të Samitit të Procesit të Berlinit. Nënshkrimi i marrëveshjeve për njohjen e kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale u karakterizua si tejkalim i ngërçit në të cilin u gjend zbatimi i planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Por Ballkani i Hapur është një shembull unik ku vendet e rajonit kanë treguar se mund të marrin përgjegjësi dhe të kryejnë aktivitete për bashkëpunim rajonal me vetë iniciativën e tyre. Përpjekjet e vendeve pjesëmarrëse i dhanë shtysë projektit të integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesit e sektorit civil, të cilët morën pjesë në Samitin e Berlinit, me të drejtë i dhanë mirënjohje dhe merita nismës “Ballkani i Hapur” për progresin e bërë në Procesin e Berlinit dhe për nënshkrimin e tre marrëveshjeve. Hedhja poshtë kësaj nisme do të ishte e gabuar pa marrë në konsideratë dhe pa analizuar sfidat me të cilat përballet

Ky tekst trajton tri dilema, të cilave, nëse do t'u jepej përgjigje, nisma e Ballkanit të Hapur ndoshta do të arsyetonte ekzistencën e saj.

Objektiva të përcaktuara qartë, pastaj realizimi i tyre për nismën Ballkani i Hapur

Ballkani i Hapur u promovua si një nismë që premton kufij të hapur dhe lëvizje plotësisht të lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve në rajon. Edhe pse liderët e vendeve pjesëmarrëse në nismë siguruan se do ta realizojnë këtë premtim deri në fund të vitit 2023, nisma nuk është as afër realizimit të këtij qëllimi.

Në fund të fundit, marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani parashikojnë mekanizma që konfirmojnë të kundërtën – tregtia me mallra mbetet subjekt i kontrolleve kufitare dhe formaliteteve të importit, ndërsa qasja në tregjet e punës mund të jetë e kufizuar, madje edhe e ndaluar, për qytetarët nga vendet e tjera nënshkruese. Gjithashtu, Ballkani i Hapur nuk ka paraqitur një pasqyrë të qartë të aktiviteteve që duhet të zbatohen, për vizionin e një tregu të vetëm në Ballkanin Perëndimor, sipas shembullit të tregut evropian, të bëhet realitet.

Deklaratat e Ohrit dhe Tiranës të vitit 2019, të cilat shërbejnë si sinjalistika e vetme rrugore e kësaj nisme, nuk e përpunojnë planin për arritjen e këtij qëllimi ambicioz.

Ajo që është ndoshta më shqetësuese është fakti se Ballkani i Hapur nuk ka një mandat të përcaktuar qartë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për bashkëpunim në fusha në të cilat Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më të avancuara përsa i përket zbatimit të rregullave evropiane (shembull: operatorët ekonomikë të autorizuar) apo në fushat ku nuk ka pasur konsensus politik në nivel rajonal (shembull : njohja e diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale), marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani, e që i referohen 4 lirive, janë aktivitete që janë parashikuar ose inkorporuar në planin për Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor.

Për sa kohë që nisma e Ballkanit të Hapur mbështetet në fusha tashmë të përcaktuara bashkëpunimi në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, dhe veçanërisht pas nënshkrimit të tre marrëveshjeve në Berlin, dilema e nevojës së ekzistencës së saj do të jetë akoma e pranishme.

Burimi: ata.gov.al

Dhe së fundi, edhe pse nisma deri më tani ka prodhuar shtatë marrëveshje, zbatimi i tyre është ende i pasigurt. Marrëveshjet nuk janë ratifikuar ende, dhe zbatimi i tyre po vonohet. Kjo situatë dëmton besimin në këtë iniciativë, por krijon edhe një imazh negativ - a mund t'i kthejnë shtetet e rajonit premtimet politike në realitet për qytetarët dhe kompanitë e rajonit.

Nga ana tjetër, në vitet e fundit, fushat në të cilat vepron iniciativa janë shtuar vazhdimisht. Vendet pjesëmarrëse, zakonisht përpara samiteve të iniciativës së ballkanit të Hapur, na befasonin me iniciativa të reja për bashkëpunim në fusha krejtësisht të reja. Një qasje e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e keqe në vetvete. Bashkëpunimi i paralajmëruar në fushën e furnizimit me energji dhe ushqime është një përgjigje e duhur ndaj krizës që lindi si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Megjithatë, (mos) respektimi i sanksioneve kundër Rusisë ka tensionuar marrëdhëniet politike në rajon. Mbajtja e Samitit të Ohrit u vu në pikëpyetje për shkak të mosmarrëveshjeve për vizitën e paralajmëruar të shefit të diplomacisë ruse në Beograd në qershor të vitit 2022. Ky është vetëm një shembull se sa e brishtë mund të jetë nisma e Ballkanit të Hapur kur prioritetet e qeverive të vendeve pjesëmarrëse ndryshojnë në realitetin e ri gjeopolitik.

Mungesa e kufijve të qartë në lidhje me fushat në të cilat (do të) veprohet rrit rrezikun që mosmarrëveshjet e reja të kërcënojnë stabilitetin e vetë nismës.

Gjithashtu, kjo mënyrë veprimi e bën iniciativën më pak tërheqëse për vendet e tjera të rajonit dhe për palët e treta. Pa një plan të qartë afatgjatë me fusha të përcaktuara veprimi, aktorët e vendeve pjesëmarrëse, si dhe te ato që mendojnë të bashkohen, nuk do të ishin në gjendje të vlerësonin vlerën e shtuar nga pjesëmarrja në këtë nismë.

Ballkani i Hapur duhet të shfrytëzojë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë

Nisma Ballkani i Hapur është më e suksesshme në sigurimin e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë sesa mbështetjen politike në rajon. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë nismë që në vitin 2021. Komisioni Evropian për herë të parë në paketën e zgjerimit për vitin 2022 tregoi zyrtarisht rolin pozitiv të Ballkanit të Hapur në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe dha mbështetje për zbatimin e aktiviteteve, për sa kohë që nisma bazohet në rregullat e BE-së dhe mbetet gjithëpërfshirëse për të gjitha vendet e rajonit.

Por për të qenë një projekt i suksesshëm, nisma duhet të përfitojë nga mbështetja që gëzon nga partnerët ndërkombëtarë. Deri më tani, mbështetja teknik e ofruar nga SHBA për koordinatorët kombëtarë është shembulli i vetëm i bashkëpunimit praktik me një palë të tretë.

Prania e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe CEFTA-s nuk solli ndonjë vlerë shtesë, përveç promovimit të idesë së integrimit rajonal. Përveç Hungarisë, deri më tani asnjë shtet tjetër anëtar nuk i është përgjigjur politikës së dyerve të hapura. Edhe pse ministri hungarez i Punëve të Jashtme mori pjesë në samitin e Beogradit, ky takim nuk rezultoi me një epilog pozitiv në drejtim të thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

Ajo që mungon është një rol i përcaktuar qartë i partnerëve evropianë në realizimin e objektivave të Ballkanit të Hapur.

Mbështetja nga vendet e rajonit duhet të jetë një predispozitë për sukses

Presidentët e Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi morën pjesë në samitet e OBI-së këtë vit, por ende nuk janë nënshkrues të asnjë dokumenti që rezulton nga nisma, ndërsa Kosova mbetet ende kundër anëtarësimit.

Aktorët politikë dhe sektori civil vunë në dukje pozicionin e pabarabartë të të gjitha vendeve pjesëmarrëse dhe ndikimin e supozuar dominues të Serbisë, dhe (jo)plotësimin me procesin e Berlinit dhe procesin e anëtarësimit në BE si arsye kundër kësaj nisme.

Edhe pse nuk ka mbështetje politike, nisma gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët e rajonit. Hulumtimi i IRI tregon se 75% e të anketuarve në Serbi mbështesin nismën Ballkani i Hapur. Nisma ka më shumë mbështetje në vendet jo-pjesëmarrëse, Bosnjë dhe Hercegovinë (68%) dhe Mal të Zi (66%) sesa në Maqedoninë e Veriut (61%). Edhe në Kosovë, edhe pse shumica (49%) janë kundër, 42% e të anketuarve e mbështesin iniciativën.

Ballkani i Hapur mund të përfitojë nga mbështetja që gëzon nga qytetarët e rajonit. Në atë drejtim, duhet t'u japë përgjigje dilemave kryesore që kanë "kundërshtarët" e kësaj nisme. Përveç një fushëveprimi të përcaktuar qartë, iniciativa mund të rrisë transparencën e saj, veçanërisht në drejtim të procesit të menaxhimit.

Roli i Këshillit për Implementim, procedurat e punës së Këshillit dhe organeve përgjegjëse për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara duhet të komunikohen publikisht, kurse zbatimi dhe rezultatet duhet të monitorohen rregullisht dhe të bëhen raporte vjetore (që nuk ka ndodhur në praktikën e deritanishme).

Bashkëpunimi rajonal është gjithashtu i rëndësishëm në drejtim të pajtimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura dypalëshe. Por pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve, ky synim është i vështirë për t'u arritur, nëse fare mund të thuhet se Ballkani i Hapur në konstelacionin aktual kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve në rajon. Nënshkrimi i tre marrëveshjeve në Berlin duhet të shërbejë si shembull se mund të gjendet një zgjidhje për të kapërcyer dallimet.

Ballkani i Hapur është pikërisht një mundësi që vendet e rajonit të tregojnë pjekuri dhe gatishmëri për të bashkëpunuar edhe pa praninë (ose presionin) e partnerëve evropianë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Stefan Ristevski

Stefan Ristevski është hulumtues në EPI që nga dhjetori i vitit 2019. Stefan ka magjistruar në College of Europe në Bruge, Belgjikë. Ka magjistruar në drejtimin Studime ekonomike evropiane me specializim në lëminë e biznesit. Ai ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Shkup në drejtimin Tregti ndërkombëtare. Stefan bën monitorimin e procesit të aderimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe politikave sektoriale. Deri më tani, ka marrë pjesë në shkruarjen e disa billteneve lidhur me COVID-19 dhe gjendjen në Evropën qendrore dhe lindore. Para se të bëhet pjesë e EPI, ai ishte i angazhuar në EuroEvents – Instituti për hulumtime të tregut, në veçanti në projekte që kanë të bëjnë me transparencë dhe harmonizim me rregullativat, si dhe mbrojtjen shëndetësore ndërkufitare me fokus të veçantë në acquis Evropian.