fbpx

Goditja e Kryeministrit Plenković në mikrofonët e gazetarëve është një uverturë në dhunë fizike

Bojana Guberac

Politika

21.06.21

Прегледи

Bojana Guberac

Bojana Guberac 400x500Nëse nuk ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe mediave nga njerëzit më të fuqishëm në vend, si dhe presioni nga ana e Kryeministrit (as presidenti nuk është më i mirë), kam frikë se Kroacia po lëviz në drejtim të Hungarisë, Polonisë dhe Sllovenisë në lidhje me lirinë e mediave, e cila sigurisht nuk është një rrugë evropiane, por autokratike.

Megjithëse fyerja dhe nënçmimi i gazetarëve nuk është asgjë e re në Kroaci, publiku kroat duhet të mendojë më të keqen sa i përket lëvizjes së fundit të Kryeministrit Andrej Plenkoviç, sepse në momentin që fyerja ndaj gazetarëve kalon nga verbale në fizike, është e qartë se Kryeministri ka kaluar jo vetëm linjën e shijes së mirë por dhe kufirin përtej të cilit nga një kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike bëheni një autokrat. Dhe kur qytetarët kanë në pushtet një kryeministër me prirje autokratike i cili në mënyrë të paarsyeshme i vë në krye të shënjestrës gazetarët, pra atyre që punojnë për interesin publik - është mjaft e qartë se në një të ardhme të afërt një shënjestër e tillë mund të bëhet çdo qytetar ose grup në Kroaci.

Një detaj që e zbulon

Vetëm disa orë pasi shpalli fitoren e madhe të HDZ-së në zgjedhjet lokale, Kryeministri Plenkoviç sulmoi stacionet komerciale televizive, duke i akuzuar ata si "mercenarë që urrejnë një opsion politik" të cilët në debatet për raundin e parë të zgjedhjeve qëllimisht shqiptuan keq emrin e kandidatit të HDZ-së Davor Filipoviç për prefekt të qytetit të Zagrebit. Në episodin e tij jashtëzakonisht paranojak, Kryeministri arriti në përfundimin se ky ishte një veprim bashkë i organizuar i mediave komerciale dhe se, për këtë arsye, fajtorë ishin mediat për rezultatin e dobët të kandidatit të HDZ-së për Zagrebin, Davor Filipoviç. Megjithatë, duhet theksuar se gazetari i Novi List, Damir Kundiç, zbuloi se i pari që shqiptoi emrin e gabuar të kandidatit të tij në diksursin publik, ishte pikërisht HDZ-ja.

Në një lëvizje të paparë në skenën politike kroate, Kryeministri me zemërim "godiste" mbi mikrofonët e stacioneve televizive, duke i përmendur me radhë emrat e tyre - RTL, Nova TV dhe televizioni N1, të cilët, përveç Kryeministrit, duhet të "bëjnë një poster që tregon se çfarë televizione ideologjike na qenkan". Ky detaj shumë alarmant i goditjeve të sfungjerëve të mikrofonit mund të përkufizohet vetëm si një uverturë e dhunës fizike ndaj gazetarëve, e nxitur nga ana e Kryeministrit.

Dy ditë më vonë, pasi Kryeministri dha një intervistë për televizionin RTL, të cilin e kishte akuzuar më parë për sabotim të bashkuar mediatik. Drejtuesja Damira Gregoret e RTL-së i kujtoi se intervistën e tij të fundit për RTL e kishtë bërë një vit më parë edhe pse ishte ftuar në mënyrë të përsëritur. Kur u pyet nëse ai kishte parë ndonjëherë "goditje të tilla në mikrofonët e gazetarëve nga ndonjë kryeministër tjetër", Plenkoviç u përgjigj me një kundërpyetje cinike - a mendoni se sfungjerit të mikrofonit i shkaktohet ndonjë dhembje?

Gregoret më pas konstatoi saktë se një sjellje e tillë dërgon një mesazh të caktuar. Sepse kur jetojmë në një vend ku, për shembull, një anëtar i grupit të tifozëve Armada është aq i lirë sa të kërcënojë hapur një radio që është në kuadër të Radios dhe Televizionit Kroat për shkak të emetimit të një "këngë të gabuar", përçmimi fizik i Kryeministrit ndaj gazetarëve dërgon një mesazh dy herë më të tmerrshëm, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për njeriun më të fuqishëm në shtet i cili, me veprimin e tij, po thotë se është në rregull të përballesh fizikisht me gazetarë.

Reagimet e SKG-së dhe ShGK-së

Një deklaratë e përbashkët e nënshkruar nga kryetarja e Sindikatës Kroate të Gazetarëve (SKG), Maja Sever dhe Hrvoje Zovko, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë (ShGK), dënoi me forcë sulmin verbal të Plenkoviç ndaj medias, ndërhyrjen e tij në politikën editoriale të televizioneve komerciale kombëtare të RTL dhe kritikat ndaj gazetarëve dhe analistëve që kanë ndjekur fushatat e zgjedhjeve lokale në Kroaci.

Ata theksuan se SKG-ja dhe ShGK-ja, si organizatat më të mëdha profesionale dhe sindikale që bashkojnë gazetarët në Kroaci, i konsiderojnë të papranueshme kërcënimet e hapura të kryeministrit Plenkoviç nga pozicioni i njeriut më të fuqishëm në vend për kolegët dhe mediat që nuk janë "në një vijë ideologjike me të dhe HDZ-në." Deklarimi si mercenarë i të gjithë atyre që mendojnë në mënyrë kritike për kandidatët para zgjedhjeve dhe shënjestrimi i atyre "analistëve që i kanë qejf paratë" nuk është një diskurs që përdorin politikanët, e lëre më kryeministrat e vendeve të civilizuara dhe demokratike të Bashkimit Evropian.", deklaruan ata.

Sulmet e kryeministrit ndaj gazetarëve janë modus operandi

Ata shtuan se nuk ishte hera e parë që Andrej Plenkoviç "drejton gishtin e tij kërcënues hakmarrës ndaj gazetarëve që nuk janë sipas shijes dhe vullnetit të tij, duke i akuzuar ata se madje kishin bërë një luftë hibride kundër tij personalisht dhe HDZ-së, duke u përpjekur të imponohej si shefi i vetëm i mundshëm dhe redaktori i përgjegjshëm i të gjitha mediave kroate".

Premierot Plenkovic vo vojna so novinarite uvertira vo fizicko nasilstvoBurimi: balkaninsight.com

Po pra. Le të kujtojmë kur në qershor ai akuzoi gazetarin e televizionit N1, Hrvoje Kreshiç për agjitacion për opozitën, ose kur në muajin korrik Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) porositi: "Turp për ju, Andreja Plenkoviç" për sulmin e paprovokuar ndaj një gazetari të HRT-së dhe kryetares së SKG-së Maja Sever, të cilën ai e akuzoi në debatin me Davor Bernardiç të SDP-së se ishte ajo që kishte përgatitur Bernardiç-in për debat. Kur preku politikat editoriale të N1, HTV, Nova TV dhe RTL në muajin dhjetor, ai drejtoi gishtin drejt secilit prej gazetarëve të tyre, duke ju thënë: “Sa më shumë njerëz kuptimplotë të shfaqen në televizion, aq më shumë njerëz do të vaksinohen. PR-i kushton më pak se vdekja nga virusi Kovid”. Ose kur, në janar të këtij viti, ai sulmoi gazetarin Domagoj Novokmet për leximin e pyetjeve nga nën tavolina. Kështu, në vitin e kaluar, të cilin do të kujtojmë, ndër të tjera, për kufizimin e lirisë së qytetarëve, Kryeministri tregoi se situata e re e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit korrespondon me aspiratat e tij autokratike, të cilat janë veçanërisht të dukshme në sulmet ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për të ndikuar në politikën editoriale të mediave. Ne ishim dëshmitarë të aspiratave të tij me rastin e sulmit të ri të Kryeministrit ndaj mediave dhe gazetarëve kur ai shkoi një hap më tej duke goditur pajisjet e punës së gazetarëve.

Reagimi i Federatës Evropiane të Gazetarëve

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) iu bashkua degës së saj kroate, Shoqatës Kroate të Gazetarëve (ShKG), duke dënuar sulmet e fundit verbale dhe akuzat e Kryeministrit Andrej Plenkoviç kundër medias dhe gazetarëve pas zgjedhjeve lokale të 30 majit.

"Është plotësisht e papranueshme që gazetarët të sulmohen nga Kryeministri, dhe së fundmi nga Presidenti i Kroacisë. Fajësimi i gazetarëve në këtë mënyrë është një përpjekje për të minuar besueshmërinë e tyre dhe për të kufizuar rolin e tyre të balancimit. Fyerja ose kërcënimi i gazetarëve do të thotë të fyesh dhe të kërcënosh qytetarët dhe të minosh të drejtën e qytetarëve për të pasur informacion falas dhe të pavarur", tha sekretari i përgjithshëm i EFJ-së Rikardo Gutierez (Ricardo Gutiérrez).

"Nuk kishte asnjë reagim nga kryeministri, madje as nga presidenti ndaj reagimit të EFJ-së. Ndoshta Kryeministrin dikush e ka mësuar se këto janë institucione të Bashkimit Evropian me të cilat ai është i lidhur me gjithë zemër, dhe unë besoj se ai respekton idenë evropiane, dhe mbase kjo është arsyeja pse ai nuk kishte reaguar. Unë dyshoj se ai nuk e ka parë atë reagim", tha Maja Sever, një gazetare e HRT-së dhe kryetare e Sindikatës Kroate të Gazetarëve.

Milanoviç krah për krah me Plenkoviç

Marlon Brando, siç e quante veten Presidenti Zoran Milanoviç që kur mori detyrën, nuk ka ndalur së debatuari. Edhe pse vazhdimisht po debaton me Kryeministrin përmes mediave dhe rrjeteve sociale, ata ende identifikohen me njëri-tjetrin për nga një tipar karakteri - qasjen autokratike ndaj mediave dhe gazetarëve. Plenkoviç nuk është i vetmi në betejën me mediat, atë e ndihmon presidenti i shtetit sipas parimit gjysmë për gjysmë. Ndërsa kryeministri sulmon mediat komerciale, presidenti sulmon shërbimin publik, me disa përjashtime. "Dilni në tregun e lirë, le të shohim se cili televizion do t'ju punësojë. Ju jeni një televizion shtetëror, politik, programi juaj politik është një turp, një niveli të njëjtë me Bashkimin Sovjetik dhe këtë e them në cilësinë e presidentit kroat, dhe shumica e qytetarëve mendojnë kështu" - me një fjalor kaq të neveritshëm ai sulmoi gazetarët e HRT-së në muajin maj, dhe njëherësh u tha se "ata janë më keq se Yutel". Në muajin prill u shënua 76-vjetori e lirimit të burgosurve të fundit nga kampi i ustashëve Jasenovac.

Atje, presidenti u përlesh verbalisht me gazetarin Sashaa Kosanoviç, për të cilën, le të jemi të sinqertë, në hapësirën publike kroate kishte shumë pak debat, megjithëse akti i sulmit ndaj Kosanoviç është absolutisht për t'u dënuar. Kur flasim për çfarëdo sulmi ndaj gazetarëve, atëherë ndarja në të majtë dhe të djathtë është një qëllim në vetvete. Dikush nuk mund të "mbyllë një sy" kur fyen presidentin e majtë dhe të reagojë kur kryeministri i krahut të djathtë e bën këtë. Nëse presidenti i shtetit është tashmë "në një film", atëherë të paktën gazetarët duhet të zgjohen dhe të kuptojnë se sa i dëmshëm, kur flasim për qëndrimin ndaj medias dhe gazetarëve, është për demokracinë, nëse doni, "veprimi i përbashkët" i Kryeministrit dhe Presidentit të Kroacisë.

"Unë personalisht e kam denoncuar Milanoviç disa herë. Por ndryshimi midis Milanoviç dhe Plenkoviç është se Plenkoviç ka një mekanizëm në duart e tij si njeriu i parë i pushtetit që mund të miratojë ligje, strategji mediatike dhe një numër veprimesh të tjera që mund të përmirësojnë mediat dhe të mbrojnë gazetarët. Është fakt se fuqia dhe aftësia për të marrë vendime që mund të ndryshojnë gjërat në lidhje me lirinë e gazetarisë është në duart e Andrej Plenković", përfundon Maja Sever.

Si më tej?

Nëse nuk ndalen sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe mediave nga njerëzit më të fuqishëm në vend, si dhe presioni nga ana e Kryeministrit, kam frikë se Kroacia po lëviz në drejtim të Hungarisë, Polonisë dhe Sllovenisë në lidhje me lirinë e mediave, e cila sigurisht nuk është një rrugë evropiane, por autokratike. Ajo që na shqetëson është fakti se edhe BE-ja nuk mund të bëjë shumë për lirinë e medias. Në muajin mars, Parlamenti Evropian debatoi për lirinë e medias në Poloni, Hungari dhe Slloveni. Në atë kohë, nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jourova pranoi se "Komisioni Evropian ka një mundësi shumë të kufizuar për të vepruar" dhe se i mungojnë "mjete efektive politike dhe ligjore".

Pra, nëse gazetarët kroatë nuk mund të mbështeten në BE-në ose qeverinë për të bërë diçka konkrete për ta përmirësuar situatën me mediat, atëherë ekziston vetëm një mundësi tjetër që pasqyrohet më së miri në fjalët e gazetares hulumtuese të ndjerë kroate Jasna Babiç: "Askush nuk do të na japë lirinë, gazetarët kanë aq liri sa do ta bëjnë vetë. As më shumë e as më pak. Dhe unë nuk dua aspak që Parlamenti, ose dikush të më garantojë hapësirë ​​të lirë, sepse kjo do të thoshte se më është dhuruar. Kur diçka dhurohet, kur dhurohet liria, qoftë edhe liria e gazearisë - atëherë, i dashur vëlla, ajo mund edhe të merret. Ai që jep edhe merr”.

Pra, është e qartë që gazetarët do të duhet të luftojnë vetë për lirinë e medias, e cila është praktikisht e pamundur pa një sinergji të fuqishme dhe të menjëhershme në të gjithë Kroacinë - sepse vetëm gazetarët e bashkuar janë gazetarë të lirë. Unë nuk jam optimiste, por ende shpresoj që kolegët e mi do ta kuptojnë se kjo është e vetmja mënyrë e drejtë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Bojana Guberac

Bojana Guberac është një gazetare e pavarur kroate. Ajo aktualisht është duke shkruar si një “freelancer” e pavarur për portalet “Žene i mediji, Lupiga dhe CroL”. Ajo ka shkruar edhe në “Novi list, Riportal dhe Kvarner News”. Ajo ka punuar në televizionin e qarkut Kanal Ri, në Radio Rijeka dhe Radio Sova, radiot e Radio Televizionit Kroat. Puna e saj i kushtohet të drejtave të njeriut, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës ndaj grave. Në vitin 2019, ajo krijoi një performancë që merret me viktimizimin dytësor të grave viktima të dhunës, nga e cila u prodhua filmi eksperimental "Më i frikshëm se një grusht" (Strašnije od šake), i cili mund të shikohet në YouTube. Në kohën e lirë ajo shkruan poezi.