fbpx

Inovacion apo lojë me ligjet europiane

Svetlana Jovanovska

Politika

05.12.24

Прегледи

Ndërsa Meloni është krenare që numri i emigrantëve që vijnë në Itali ka rënë, në 8 muajt e parë të këtij viti kalimet ilegale janë rritur me 56 për qind në Greqi, me 66 për qind në Spanjë dhe madje me 126 për qind në Ishujt Kanarie spanjolle.

Pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni kishte rënë dakord me Shqipërinë për eksternizimin e emigrantëve në këtë vend tonin fqinj, kolegët e saj evropianë filluan të ndiqnin si shembull politikën e saj.

Mediat në BE shpesh e citojnë këtë shembull si një mënyrë e mirë për të menaxhuar politikën e migracionit. Një numër politikanësh evropianë vizituan Melonin për të dëgjuar sekretin e menaxhimit të emigrantëve.

Kështu, Holanda tashmë po shqyrton dërgimin e emigrantëve të saj në Ugandë. Danimarka në Kosovë.  Kopenhaga dëshiron të dërgojë emigrantë, kërkesat për azil të të cilëve janë refuzuar dhe tashmë është arritur një marrëveshje midis dy vendeve për të dërguar 300 emigrantë të dënuar me burg në Danimarkë. Ata nuk kanë të drejtë për azil dhe duhet të dërgohen në një burg të Kosovës. Në këmbim, Kosova do të marrë 210 milionë euro në vitet e ardhshme.

Por dështimi i parë i kësaj politike trokiti në derën e kryeministres Meloni, duke treguar se respektimi i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare nuk është vetëm një lodër në duart e shteteve anëtare për t'u përdorur kur u përshtatet atyre.

Kështu më 18 tetor, një gjykatë italiane kishte rrëzuar ndalimin e 12 emigrantëve në qendrat shqiptare për azilkërkuesit e parë që Roma kishte transferuar javën e kaluar. Kryeministrja kishte reaguar menjëherë në rrjetin social X: “Italianët më kërkuan të ndaloja emigracionin ilegal dhe unë do të bëj gjithçka për të mbajtur fjalën”. Për momentin kjo do të thotë që qeveria do të apelojë këtë vendim.

Zgjidhje innovative apo akrobacione juridike

Përpara samitit, Komisioni Evropian u kërkoi vendeve anëtare të propozonin zgjidhje "inovative" për problemet e migracionit. Roli kryesor në inovacion ishte marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Në letrën e saj drejtuar udhëheqësve të BE-së përpara samitit, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen bëri thirrje që të nxirren "mësime" nga marrëveshja Romë-Tiranë. Mësimet negative apo pozitive dhe nëse inovacionet do të shkelin ligjet evropiane, koha do ta tregojë.

Në vitin 2023, Komisioni Evropian i dha dritën jeshile dy akrobacioneve ligjore. E para është se emigrantët e shpëtuar në det të hapur nuk duhet të hyjnë në ujërat territoriale të BE-së ose të përballen me refuzim dhe se në qendrat shqiptare të migrantëve do të zbatohen liget italiane, e jo ligjet e BE-së. Nëse kjo akrobaci do ta kalojë testin e Gjykatës Evropiane është një pyetje për të cilën për momentin nuk ka përgjigje.

Në letrën e saj prej pesë faqesh, von der Leyen propozon marrëdhënie "strategjike" me vendet e origjinës dhe transferimit, sipas asaj që është bërë tashmë me Turqinë, Libinë, Tunizinë, Egjiptin dhe Mauritaninë. Këto marrëveshje kanë bërë të mundur reduktimin e hyrjes së parregullt të emigrantëve në BE nëpërmjet Mesdheut qendror me rreth 66 për qind.

Marrëdhëniet strategjike dhe shkelja e të drejtave të njeriut

Turqia bëri një marrëveshje me Gjermaninë në vitin 2016, kur ish-kancelarja Angela Merkel i kërkoi Ankarasë të mos lejonte emigrantët të dilnin nga kufijtë e saj, kurse Turqia mori një shumë prej 6 miliardë eurosh në këmbim. Organizatat joqeveritare kanë ngritur zërin kundër kësaj marrëveshjeje. Për ta, ishte e paligjshme dhe e pamoralshme, dhe ata paralajmëruan edhe atëherë se Evropa rrezikonte të shkelte ligjin ndërkombëtar.

BE-ja ka bërë marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera në Afrikë, pavarësisht kritikave të organizatave joqeveritare se këto vende nuk janë mjaftueshëm demokratike dhe në këtë mënyrë do të shkelin të drejtat e emigrantëve dhe ligjin evropian.

I hyrë në fuqi në korrik të vitit 2023, pakti i migracionit BE-Tunizi, me një buxhet prej 150 milionë euro, synon të parandalojë njerëzit të arrijnë në Evropë, pasi ky vend po bëhet gjithnjë e më represiv, kurse policia e këtij vendi vepron kryesisht pa u ndëshkuar.

Në raportin e tij, të publikuar më 23 tetor të këtij viti, Avokati i Popullit, Emily O'Reilly, kritikoi Komisionin Evropian për fshehjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut përpara se të shpallte marrëveshjen, duke thënë se ajo marrëveshje duhet të ishte më transparente.

Le të kthehemi te letra e von der Leyen në të cilën ajo pranon se numri i emigrantëve që vijnë nga Mesdheu perëndimor dhe Atlantiku drejt Spanjës është rritur ndjeshëm. Gjegjësisht, ndërsa Meloni është krenare që numri i emigrantëve që vijnë në Itali ka rënë, në 8 muajt e parë të këtij viti kalimet ilegale janë rritur me 56 për qind në Greqi, me 66 për qind në Spanjë dhe madje me 126 për qind në Ishujt Kanarie spanjolle.

Burimi: pixabay.com

Vështirë se një ditë kalon në Ishujt Kanarie pa mbërritjen e një varke të vogël të mbushur me qindra emigrantë nga Afrika. Por kjo është edhe rruga më e rrezikshme për në Evropë dhe mijëra emigrantë humbasin jetën në rrugën për në BE. Sipas deklaratës së zëdhënësit të qeverisë së Ishujve Kanarie, çdo 45 minuta një emigrant vdes në ujërat e Atlantikut. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Spanjës, në Ishujt Kanarie në 9 muajt e parë të këtij viti kanë mbërritur 30 808 emigrantë. E cila është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

A janë zgjidhja qendrat e kthimit?

Në BE, e cila gjithnjë e më shumë po “melonizohet”, duket sikur nuk ka më tabu për çështjet e emigracionit dhe azilit.

Gjermania, Austria, Danimarka, Franca, Italia, Sllovenia, Suedia dhe Finlanda kanë rivendosur ose forcuar kontrollet kufitare. Polonia njoftoi pak ditë më parë se nuk do të pranojë më kërkesa për azil. Kjo lëvizje është një shkelje e rregullave evropiane dhe ndërkombëtare, por BE-ja gjithsesi i ka dhënë dritën jeshile Polonisë. E drejta ndërkombëtare mund të jetë pengesë për qendrat e kthimit pasi nuk është plotësisht e qartë se kush do të kujdeset për të drejtat e njeriut për migrantët dhe konfliktet e mundshme.

Vendet e Bashkimit Evropian nuk morën asnjë mësim nga planet e Britanisë së Madhe e cila përfundoi një marrëveshje me Ruandën, por qeveria e re britanike, në korrik, i dha fund asaj pikërisht për shkak të rezistencës së publikut ndaj dërgimit të emigrantëve në një vend që është jo demokratik, por edhe vendimi i Gjykatës së Lartë britanike, e cila e cilëson planin të paligjshëm. Ruanda dhe vende të tjera me regjime të ngjashme kërkojnë mbështetje dhe bashkëpunim me BE-në për të “larë” veten nga imazhi negative.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së nuk arritën të bien dakord se çfarë dhe si të procedohet me migracionin në samitin e tetorit. Debati ka mbetur I hapur edhe për samitin e dhjetorit. Konkluzionet e miratuara për politikat e migracionit tregojnë shtrëngimin e masave, mbylljen e kufijve të Bashkimit Evropian dhe metodat e reja për “qendrat e kthimit” të lartpërmendura, si dhe rishikimin e konceptit të një vendi të sigurt për dëbimin edhe të personave që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare. Megjithatë, BE nënvizon se "mënyrat e reja për të parandaluar dhe luftuar migrimin e parregullt duhet të jenë në përputhje me ligjet e BE-së dhe ligjin ndërkombëtar".

Por duket se BE-ja ka nisur të ndjekë politikat e ekstremit të djathtë me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme do të kenë sukses të marrin votues nga e djathta ekstreme. Deri më tani, kjo strategji ka prodhuar rezultatin krejtësisht të kundërt. Ndjekja e politikës së migracionit nga e djathta ekstreme (si dhe politika të tjera) në vend që t'u sjellë vota partive tradicionale, ka sjellë vota për të djathtën ekstreme. Sot është në pushtet apo pjesë e një koalicioni qeveritar në shumë vende të BE-së.

Spanjollët, fëmijët e migrimit

Në gjithë panikun evropian, kryeministri i Spanjës, socialisti Pedro Sanchez, ka një mesazh krejtësisht të ndryshëm. Më 9 tetor të këtij viti, ai deklaroi se spanjollët janë “fëmijët e migrimit”, duke iu referuar periudhës së diktaturës së Frankos, në të cilën periudhë shumë spanjollë u larguan nga vendi.

“Ne spanjollët jemi fëmijë të migrimit dhe nuk duam të bëhemi prindër të ksenofobisë. Le të krijojmë një politikë imigracioni për të cilën të moshuarit tanë mund të krenohen. Le të krijojmë një politikë imigracioni që garanton të ardhmen e nipërve të tyre”, tha Pedro Sanchez.

Por Sánchez është i vetëdijshëm për sfidat që sjellin emigrantët në disa nga qytetet e mëdha. Për këtë qëllim, ai bëri të ditur se Spanja do t'i kërkojë Komisionit Evropian të përshpejtojë hyrjen në fuqi të Paktit për Migracionin dhe Azilin, në mënyrë që dispozitat e tij, që i referohen kontrollit kufitar dhe shpërndarjes së emigrantëve, të zbatohen nga vera e ardhshme dhe jo në vitin 2026.

Statistika e migracionit 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët vëren në mënyrë specifike se në fund të vitit 2022, 108.4 milionë njerëz ishin zhvendosur për shkak të luftës, konfliktit ose persekutimit. Midis tyre, 35.3 milionë janë refugjatë, 5.4 milionë azilkërkues që presin shqyrtimin e rasteve të tyre dhe 62.5 milionë persona të zhvendosur “brenda” në vendin e tyre. Një shifër që ishte përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë me plus 19 milionë, veçanërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Në pothuajse një vit, pothuajse 6 milionë njerëz ishin larguar nga Ukraina.

Nga 448.4 milionë banorë të BE-së më 1 janar 2023, ka 27.3 milionë qytetarë joevropianë në të 27 vendet anëtare të BE-së, ose 6% të popullsisë së Bashkimit Evropian. Një pjesë e madhe e personave që nuk kanë shtetësi (nga një shtet tjetër anëtar ose jo), jetojnë në Gjermani, 12.3 milionë, në Itali, Francë dhe në Spanjë 5 deri në 6 milionë.

Për sa i përket popullsisë kombëtare, shumica e joshtetasve gjenden në Luksemburgun e vogël dhe përfaqësojnë 50.4% të popullsisë së përgjithshme. Përqindja më e ulët është shënuar në Poloni (2.5%), Bullgari (2.6%) dhe Rumani (2.8%). Në Francë, të huajt përfaqësojnë pothuajse 8% të popullsisë.

Svetlana Jovanovska

Svetlana Jovanovska është gazetare dhe ka qenë korrespondente për një kohë të gjatë nga Brukseli për "Dnevnik" (1999-2011), "Deutsche Welle" (1994-2002), "Zëri i Amerikës" (2002-2007) dhe për ueb. portali "Nova TV" (2013 -2019). Jovanovska ishte edhe zëdhënëse e Misionit të Maqedonisë së Veriut në BE në Bruksel (2019-2022). Karrierën gazetareske e filloi në “Nova Makedonija” në vitin 1984 në Shkup, deri në vitin 1999 kur e vazhdoi karrierën në “Dnevnik”, gazeta e parë e pavarur në Maqedoni. Ajo është autore e analizave për disa organizata si Instituti i Maqedonisë për Shoqëri të Hapur, Raportimi i Institutit për Luftë dhe Paqe dhe portalin WAZ/EU Observer për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Jovanovska është fituese e Çmimit Special të Delegacionit të Komisionit Evropian për raportim nga institucionet evropiane nga Brukseli.