fbpx

Inteligjenca publike si mjet i politikës së jashtme

Alfred Marleku

Politika

01.11.23

Прегледи

Pra, për herë të parë në historinë praktikës së shërbimeve inteligjente kemi parë të zbatohet ajo që njihet si “twitter inteligjencë”: kur shërbimet inteligjente të shteteve përdorin rrjetet sociale si mjet për të ndarë informacione sensitive me qëllim të rritjes së ndikimit. Pra, agjencitë e inteligjencës shndërrohen në “influencues” të rrjeteve sociale.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, ishte i papritur për shumëkë. Jo pak studiues, politikbërës dhe praktikues të politikës ndërkombëtare ishin zënë në befasi gjithashtu. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kishin muaj që paralajmëronin opinionin publik dhe liderët e vendeve tjera për mundësinë reale të një pushtimi rus.

Saktësia e parashikimeve të shërbimeve të tyre të inteligjencës ishte aq e madhe sa synohej të qëllohej edhe data e saktë e fillimit të sulmit. Një qasje e tillë ku politikbërësit—qëllimshëm dhe gati në kohë reale—deklasifikojnë dhe bëjnë publike të dhënat që mbledhin nga shërbimet e tyre inteligjente, duke i përdorur ato si mjet të politikës së jashtme, konsiderohet inventive dhe me ndikim domethënës në strategjinë diplomatike të shteteve në krizat e ardhshme ndërkombëtare.

Fillimi i aplikimit të inteligjencës publike

Informacionet e para se Rusia po planifikon të nis një ofensivë ushtarake kundër Ukrainës filluan të publikohen në dhjetor të vitit 2021. Parashikohej se pushtimi mund të ndodhte në muajt e parë të vitit 2022. Një ndër mediat e para që publikoi të dhëna nga shërbimet inteligjente për mobilizimin e trupave ruse ishte The Washington Post. Në faqet e kësaj gazete, në fillim të dhjetorit të 2021, u botuan dokumente autentike të shërbimeve inteligjente që përfshinin imazhe të qarta satelitore mbi shtrirjen, pozicionimin dhe vendndodhjen e trupave ruse të cilat ishin rreshtuar përgjatë kufirit ukrainas. Mbështetur në këto të dhëna gazeta paralajmëroj se Rusia po planifikon një sulm ushtarak kundër Ukrainës me 175,000 trupa.

Në fund të janarit 2022 edhe Qeveria Britanike konstatoj se Moska synonte të rrëzonte qeverinë e Kievit dhe në vend të saj të instaloj një udhëheqje pro ruse. Duke raportuar para Parlamentit, ish Kryeministri Boris Jonson, theksoi se shërbimi inteligjent britanik kishte informacione bindëse që ekspozojnë qartë qëllimet e Rusisë për të instaluar një regjim kukull në Ukrainë. Paraprakisht, në fillim të janarit 2022, zyrtarët amerikanë njoftuan se kanë mbledhur të dhëna të besueshme që tregojnë qëllimin e Rusisë për inskenimin e sulmeve të rreme që do shërbenin si justifikim për të nisur pushtimin.

Derisa në fillim të muajt shkurt Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se Rusia ka grumbulluar në kufirin me Ukrainën forca të mjaftueshme për të kryer një operacion ushtarak dhe se mund të pushtoj një territor të konsiderueshëm, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. Duke qenë i sigurt dhe i mirinformuar nga shërbimet e inteligjencës amerikane për veprimet e ushtrisë ruse, ai me atë rast i bëri thirrje shtetasve amerikanë të largoheshin nga Ukraina.

Praktika e bërjes publike të informacioneve të marra nga shërbimet inteligjente për qëllime politike nuk është përdorur vetëm para fillimit të luftës. Kjo qasje ka vazhduar të zbatohet në mënyrë sistematike edhe përgjatë zhvillimit të luftimeve në Ukrainë. Informacione e deklasifikuara në baza ditore nga shërbimet inteligjente amerikane e britanike mbi zhvillimet në fushëbetejë, lëvizjet ushtarake dhe pozicionimet e tyre janë ofruar gati në kohë reale tek publiku vendor dhe ndërkombëtar përmes përdorimit të rrjeteve sociale.

Burimi: freepik.com

Derisa në të kaluarën shtetet i mbronin me xhelozi informacionet e tyre të mbledhura nëpërmjet shërbimeve inteligjente, në disa raste duke i klasifikuar edhe si dosje “top sekrete”, që ndaheshin vetëm me shtetet mike apo aleate, para fillimit të luftës Ukrainë-Rusi por edhe gjatë zhvillimit të saj shohim fenomenin ku jo vetëm shtetet aleate, por edhe shtetet kundërshtare dhe opinioni publik vendor e ndërkombëtar i ekspozohen në kohë reale informatave strategjike, operacionale edhe taktike të cilat shpërndahen me qëllime të caktuara politike.

Pra, për herë të parë në historinë praktikës së shërbimeve inteligjente kemi parë të zbatohet ajo që njihet si “twitter inteligjencë”: kur shërbimet inteligjente të shteteve përdorin rrjetet sociale si mjet për të ndarë informacione sensitive me qëllim të rritjes së ndikimit. Pra, agjencitë e inteligjencës shndërrohen në “influencues” të rrjeteve sociale.

Qëllimet e aplikimit të inteligjencës publike

Kuptohet se një strategji e tillë nuk është e rastësishme. Aplikimi i inteligjencës publike nga ana e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe në rastin e Ukrainës është bërë për të arritur disa qëllime jetike. E para, shtetet Perëndimore konsideronin se deklasifikimi dhe publikimi i të dhënave të marra nga shërbimet inteligjente do shërbente si mekanizëm parandalues për Rusinë që të mos pushtonte Ukrainën.

Vlerësohej se publikimi në opinionin publik ndërkombëtar të planeve dhe qëllimeve reale të qeverisë dhe ushtrisë ruse do t’i bënte ata të hezitonin dhe të ndryshonin mendje nga ideja e pushtimit. Me 19 shkurt 2022, vetëm pesë ditë para fillimit të pushtimit, Presidenti i ShBA-së Biden deklaroj se ne po bëjmë publike planet ruse, “jo sepse duam një konflikt, por sepse po bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të hequr çdo arsye që mund t’i japë Rusisë justifikim për pushtimin e Ukrainës”. Megjithatë, siç dëshmojnë edhe ngjarjet e zhvilluara pas 24 shkurtit 2022, përdorimi i inteligjencës publike si mekanizëm parandalues dështoj së funksionari.

Pavarësisht aftësive mbresëlënëse të demonstruara nga shërbimet inteligjente për të zbuluar aktivitetet ruse dhe gatishmërinë e tyre për të ndarë atë informacion të rëndësishëm me shtetet mike, jo të gjithë aleatët dhe partnerët arritën në të njëjtat përfundime. Për këtë motiv, një tjetër arsye e përdorimit të inteligjencës publike nga shtetet Perëndimorë ishte rritja e presionit tek shtetet aleate—sidomos tek Franca dhe Gjermania—të cilat në fillim ishin hezituese në marrjen e vendimeve të forta kundrejt veprimeve agresive të Rusisë, sidomos pas deklarimit të rremë të kësaj të fundit që kishte filluar tërheqjen e trupave nga kufiri.

Para se ShBA-ja dhe Britania e Madhe të intensifikonin raportimet e tyre mbi pozicionimet e trupave ruse dhe të deshifronin qëllimet e tyre malicioze kundrejt Ukrainës, në janar të 2021, Kalcelari Gjerman Scholz pretendonte se përmes një takimi të drejtpërdrejt me Presidentin Putin të rikalibronte raportet me Rusinë. Në janar të vitit 2022, në fjalimin e vitit të ri, ai nënvizonte rëndësinë e një “dialogu konstruktiv” mes Gjermanisë dhe Rusisë!

Arsye tjetër bindëse lidhur me motivet e përdorimit të inteligjencës publike nga ana e shteteve Perëndimore ishte ekspozimi i lajmeve të rreme dhe shpërndarjes së dezinformatave nga ana e institucioneve të inteligjencës, agjencive dhe mediave të kontrolluara nga Rusia. Pra, qëllimi ishte që të ndërtohej një kundër-narracion që neutralizon narracioni rus mbi arsyet dhe motivet e fillimit të luftës. Dihet se Rusia ka eksperiencë dhe ekspertizë në përdorimin e taktikave të luftës hibride, shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe dezinformatave—sidomos në hapësirën kibernetike dhe përmes rrjeteve sociale—që kanë synim krijimin e një mjedisi të favorshëm për ndërtimin e një “superioriteti narrativ” në opinionin publik.

Andaj, kundërvënia e vazhdueshme dhe me këmbëngulje e vendeve Perëndimore të kësaj fushate të mirëplanifikuar ruse e ngriti vigjilencën tek opinion publik ndërkombëtar dhe, në të njëjtën kohë, forcoj gatishmërinë në radhët e shteteve të NATO-s për një kërcenim potencial dhe pasojat eventuale që do prodhonte pushtimi i Ukrainës.

Në këtë drejtim, me kalimin e kohës, vërehet një transformim në taktiken e publikimit dhe komunikimit të inteligjencës nga ana e shërbimeve britanike dhe amerikane. Derisa nga nëntori 2021 deri në janar të 2022 fokusi ishte në “paralajmërimin strategjik” me qëllim të përdorimit të inteligjencës si mekanizëm parandalues, në momentin kur u kuptua se Rusia tashme kishte vendosur që të fillonte sulmin dhe se strategjia e parandalimit kishte dështuar, shtetet Perëndimore filluan ta shpeshtojnë frekuencën e ndarjes së informacioneve gati në baza ditore duke ofruar detaje të shumta dhe të hollësishme rreth përpjekjeve të Rusisë për të krijuar një pretekst dhe gjetur justifikim për pushtim.

Një ndryshim i tillë taktik synonte që të zhvendoste qasjen e përdorimit të të dhënave inteligjente nga synimi për të penguar agresionin rus, në krijimin e një “superioriteti narrativ” kundër fushatës masive dhe shumëdimensionale të propagandës ruse.

Jo rrallë gjatë historisë shtetet kanë deklasifikuar dhe përdorur të dhënat e marra nga shërbimet e tyre inteligjente për të mbështetur apo influencuar vendimet politike. Një veprim i tillë nuk përben ndonjë risi në sferën e funksionimit të shërbimeve inteligjente. Mirëpo, roli i inteligjencës para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe gjatë zhvillimit të luftimeve, përfaqëson një kapitull krejtësisht të ri në përdorimin politik dhe diplomatik të inteligjencës në çështjet ndërkombëtare si mjet i politikës së jashtme.

Shpejtësia me të cilën qeveritë Perëndimore deklasifikonin informacionet, modaliteti dhe mjetet që përdoreshin për transmetimin e këtyre informatave dhe audienca të cilës i drejtoheshin, janë elemente inventive në përdorimin e inteligjencës nga politikbërësit për qëllime politike.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.