fbpx

“Lufta” (jo)kulturore në rrugën drejt Evropës

Sonja Kramarska

Politika

14.11.22

Прегледи

Ekspozimet dhe daljet publike ekstremiste u shndërruan në një politikë shtetërore të Republikës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë, e cila i ka bllokuar autoritetet maqedonase të cilët nuk po arrijnë të formulojnë një përgjigje që do të ishte e pranueshme për opinionin e gjerë.

Si një dëshmitare fëmijërie i takimeve ndërkufitare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, më konkretisht mes banorëve të Maleshevisë dhe Bllagoevgradit, i ndjek me mosbesim zhvillimet aktuale të marrëdhënieve mes dy kombeve fqinje dhe liderëve të tyre.

Sa mbaj mend takimet mbaheshin një herë në dy vjet, një herë në këtë anë të kufirit në Berovë, pastaj në anën tjetër në Bllagoevgrad. Rrëke autobusësh, pastaj vetura "Moskviç", "Zastava", "Fiat", "Shkoda" dhe vetura të tjera të asaj kohe vinin në pikën kufitare herët në mëngjes për të mbërritur tek miqtë në anën tjetër të kufirit. Shkëmbeheshin dhurata, djathëra dhe hullahope... kishim mall për hallvën bullgare, për pëlhurat e pambukut në çantat e mëdha të udhëtimit pasi prindërit tanë ktheheshin nga këto takime kufitare. Muzikantët nga të dy anët e kufirit performonin kompozime bashkëkohore në të dyja gjuhët, ndërsa drejtuesit politikë të dy qyteteve uleshin pranë njëri-tjetrit të veshur me veshje zyrtare.

A u thoshte atëherë pala "bullgare" miqve të saj përtej kufirit se gjuha maqedonase nuk është autentike? Me siguri të madhe - jo! Askush nuk mund të paramendonte se do të mohoheshin apo rishikoheshin faktet historike të vërtetuara dhe të pranuara nga historiografia evropiane dhe ajo botërore.

Nga retorika në politikë shtetërore

Por, ekspozimet dhe daljet publike ekstremiste në Sofje (Karakaçanov), u shndërruan në një politikë shtetërore të Republikës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë, e cila i ka bllokuar autoritetet maqedonase të cilët nuk po arrijnë të formulojnë një përgjigje që do të ishte e pranueshme për opinionin e gjerë.

Tensionet u rritën veçanërisht pas hapjes së qendrave kulturore me shenjë etnike që nisi Bullgaria, dhe pasoi pakica etnike maqedonase në Bullgari. Por me një ndryshim të madh - gjatë hapjes së qendrës së parë të tillë në Manastir, Sofja dërgoi udhëheqjen politike dhe shtetërore, ndërsa Shkupi, në hapjen e klubit maqedonas në Blagoevgrad, shpalosi të gjitha mosmarrëveshjet e tij në politikën e jashtme dhe të brendshme: kryeministri shmangej, ministri i punëve të jashtme sulmoi drejtpërdrejt maqedonasit etnikë në Bullgari dhe financuesit nga diaspora maqedonase, ndërsa lideri i opozitës VMRO-DPMNE vendosi të shkojë personalisht për të promovuar klubin, gjë që së bashku kontribuoi në rritjen e pakënaqësisë së publikut për shkak të përçarjes për mbrojtjen e interesave strategjike të shtetit.

Nga ana tjetër, Bullgaria nuk kishte dyshime se si të reagonte. Këshilli i Komunës së Bllagoevgradit ka lëshuar menjëherë një deklaratë ku kundërshton hapjen e klubit maqedonas, duke pretenduar se Nikolla Vapcarov është poet bullgar dhe prandaj hapja e një klubi me emrin e tij është thjesht një provokim. Kjo në praktikë do të thotë ndalim i veprimitarisë së klubit. Por spiralja e imponimit politik nuk lë vend për tërheqje - kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi se autoritetet maqedonase do t'i dërgojnë një letër zyrtare Sofjes për hapjen e një klubi kulturor maqedonas në Bllagoevgrad, madje minoriteti maqedonas paralajmëron hapjen e një klubi në një garazh në afërsi të qytetit të Plovdivit.

Dhe më lejoni t'i kthehem kujtimeve të takimeve ndërkufitare midis lindjes së Maqedonisë dhe perëndimit të Bullgarisë. Nëse ne, brezat e rinj të viteve 70-80 të shekullit të kaluar, gërmonim çantat e udhëtimit të prindërve tanë kur ata ktheheshin nga takimet ndërkufitare në Blagoevgrad, kureshtarë se çfarë na kishin sjellë, sot si rezultat i propagandës së të dyja palëve, brezat e rinj të sotëm po gërmojnë në historinë e emrave tingëllues që qëndrojnë në tabelat e emërtimit të klubeve kulturore me shenjë etnike.

Burimi: sdk.mk

Dhe kjo është, do të thosha, një ndryshim i thellë në marrëdhëniet dikur dhe sot midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Miqësia u z hullahope, kurse ne mësuam se si të bëjmë djath (kaçkavall). Megjithatë, si dy shtete fqinje, ne dështuam në mënyrë dramatike të krijonim një politikë të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, për fajin e Sofjes zyrtare, e cila krejt papritur dhe pa arsye të argumentuar bllokoi fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Duke pasur parasysh se Bullgaria ishte vendi i parë që e njohu Maqedoninë pas shpalljes së pavarësisë së saj, kjo goditje e papritur goditi me një vrull të madh kumbues miqësinë e dikurshme, saqë veshët ende po na kumbojnë. Bullgaria vendosi të na japë një leksion historie, kurse për ne kjo është një leksion që në politikë nuk ka miqësi, por vetëm interes.

Një mësim i tillë historie ishte edhe vizita e zëvendëspresidentes bullgare Ilijana Jotova dhe ish-presidentit Georgi Prvanov në fshatin Capari të Manastirit, ku vendosën lule në varrezat e ushtarëve bullgarë të vrarë në Luftën e Parë Botërore. Nëse nuk do të ishte konteksti i ngjarjeve të vitit të kaluar, ardhja për vizitë e Jotovës dhe Prvanovit nuk do të kishte shkaktuar shumë vëmendje dhe deklaratat e tyre se ata kishin ardhur për të respektuar heronjtë që luftuan për bashkimin bullgar do të kishin kaluar pa u vënë re ose, të paktën, si akt pretence politike në shkallë rajonale dhe jo lokale. Por me fillimin, retorika është e vështirë të ndalet dhe mosbesimi ndaj politikës bullgare po thellohet çdo ditë të re pas vendosjes së bllokadës për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Maqedonia i meriton të gjitha kritikat se reagoi vonë për përdorimin e emrave nga historia që nuk shprehin, për ta thënë më butë, vlerat që u vendosën dekada më parë, vlera që i ndajnë të gjitha forcat demokratike dhe përparimtare në botë. Madje, nuk mund të thuhet se imazhi i Vanço Mihailovit është vendosur në heshtje në hapësirën publike të vendit, sepse atij i është dhënë një vend nderi në muzeun e figurave dylli në Novosellë të Shtipit në vitin 2014, kurse figura e tij nga dylli është edhe në Muzeun e luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi.

Prandaj, ndryshimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet dhe Ligjin për partitë politike, të cilat ndalojnë emrat fashistë dhe të tjerë të papërshtatshëm, dhe shoqatat bullgare kanë tre muaj kohë për të ndryshuar emrat e tyre, nuk do të mirëpriten nga Sofja sepse do të çojnë në një ndryshim drastik të atmosferës së krijuar pas hapjes së dy klubeve me shenjë etnike bullgare në Manastir dhe në Ohër, të cilat mbajnë emrat e Vanço Mihajlovit dhe Car Borisit të Tretë. Nëse emrat nuk ndryshohen, ligjvënësi ka parashikuar fshirjen e tyre nga Regjistri Qendror.

Do të jetë interesante të shikohet ky episod i marrëdhënieve maqedono-bullgare dhe si do të qëndrojë Evropa për këtë çështje, sepse është reale të pritet që fshirja e emrave të sjellë reagime të ashpra në Sofje. Në përpjekje për të zbutur situatën, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, i premtoi homologut të tij bullgar se do t'i dërgojë të dy ligjet për inspektim në Komisionin e Venecias, gjë që mund të jetë një sinjal për diplomacinë bullgare për nisjen e një ofensive të re. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga ana e tij tha se pavarësisht nëse ligji do të dërgohet për vlerësim apo jo, të gjitha ligjet tona do të kalojnë nëpër filtrin e skriningut bilateral me BE-në.

Për ministrin e Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, dërgimi i Ligjit në Komisionin e Venecias do të ishte parandalim i pasojave të mundshme të padëshiruara para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, megjithatë, konsideron se Ligji duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Fakti që kjo çështje është një nga të paktat për të cilat LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë bashkuar forcat në parlament është një tjetër pararojë se beteja për figura të tilla si Vanço Mihailov dhe Car Boris III sapo ka filluar. Në një shkrim për BGNES, Petar Kolev, kryetar i Unionit Civil Demokratik GDU, kritikon hapur vendin e tij, Maqedoninë e Veriut - për një komplot kundër klubeve bullgare, sepse, siç thotë ai, ndryshimet në ligjet për shoqatat dhe fondacionet dhe për partitë politike u miratuan për më pak se një muaj, gjë që nuk ka ndodhur me vendimmarrje të tilla, shton ai, madje edhe gjatë konfliktit të vitit 2001.

Maqedonia do të kalojë më së keqi

Dhe për të përfunduar, është e sigurt se duhet të kalojnë disa cikle politike si në Shkup ashtu edhe në Sofje, në mënyrë që të përmirësohen marrëdhëniet mes dy vendeve. Është zhgënjyese që politika e dikurshme e radikalëve këtu dhe atje, dalëngadalë u shndërrua në politikë shtetërore, fillimisht në Bullgari, e më pas, si rezultat i presionit të vazhdueshëm që vinte prej andej, infektoi edhe radikalët vendas. Kështu, dy vende që në tridhjetë vitet e fundit kishin marrëdhënie normale fqinjësore me disa batica dhe zbatica, tani i kanë reduktuar marrëdhëniet në minimum, ndonëse në mënyrë deklarative pretendojnë për miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Çmimin më të madh në këtë drejtim e paguan Maqedonia, pozicioni ndërkombëtar i së cilës si vend negociator për anëtarësim në Bashkimin Evropian e ka bërë atë të pambrojtur dhe të ndjeshëm ndaj kërkesave të paraqitura nga Bullgaria, si kusht që të mos rrezikohet procesi i negociatave që sapo ka filluar. Amendamentet kushtetuese do të jenë testi i parë i qëndrueshmërisë së Shkupit në një kontekst kontradiktor të një zgjedhjeje që do të jetë shumë e vështirë, madje edhe për qeverinë liberale pro-evropiane të Kovaçevskit.

Sidomos me presionin e opozitës konservatore, e cila po troket në derë për të marrë pushtetin dhe e cila reagon me zë kumbues ndaj ndërhyrjes bullgare në rrugën evropiane të Maqedonisë.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Kramarska

Sonja Kramarska është gazetare, autore e disa fejtoneve dhe publikimeve të tjera, ish kryeredaktore e gazetës “Utrinski Vesnik” dhe e portalit NovaTV. Në karrierën e saj është vlerësuar me çmimin gazetare e vitit dhe çmimin më të lartë “Mito Haxhivasilev Jasmin”. Ajo ka kaluar një vit akademik në Universitetin e Oklahomas në SHBA si pjesë e programit për zhvillim profesional. Ajo ka punuar gjithashtu edhe si këshilltare për çështje politike dhe komunikim në kabinetin e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.