fbpx

Maqedonia dhe nevoja për të ndryshuar tregun e energjisë në Evropë

Sonja Stojadinoviq

Politika

28.11.22

Прегледи

Duhet të kemi në konsideratë se të gjitha propozimet dhe ndryshimet që vijnë nga Brukseli nuk mund të zbatohen në mënyrë efektive në Maqedoni, të njëjtat duhet të ndikojnë në drejtim të mirëqenies së qytetarëve, jo vetëm të përfitimit.

Kriza energjetike që po trondit Bashkimin Evropian dhe vendet e Ballkanit nuk daton nga koha e fillimit të luftës në Ukrainë. Qysh në vitin 2019, 31 milionë njerëz në Evropë ishin të kërcënuar nga e ashtuquajtura varfëri energjetike. Kjo ndodh kur njerëzit nuk mund të ngrohin siç duhet shtëpitë e tyre gjatë dimrit dhe të freskohen gjatë verës.

Tashmë në vitin 2022, kjo shifër është rritur në 80 milionë. Kjo situatë ndikon më së shumti në cilësinë e jetës së njerëzve të shtresës së ulët dhe të mesme.

Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, ndërkohë që njerëzit jetojnë në varfëri energjetike, kompanitë energjetike po shënojnë rritje të madhe të fitimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe subvencioneve që marrin nga shtetet. Rreziku i deindustrializimit, i cili po ndjek kontinentin evropian për shkak të krizës energjetike, duket tashmë qartë edhe nga veprimet e prodhuesit më të madh të hekurit në Evropë, Arçelor Mital (Arcelor Mittal), i cili ka mbyllur dy fabrika në Gjermani dhe ka zhvendosur prodhimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një nga arsyet kryesore të shpërthimit të kësaj krize është shfaqur 20 vjet më parë në formën e liberalizimit të tregut të BE-së për energjinë elektrike dhe gazin. Ashtu si me çdo privatizim, përdoruesit nuk panë investime në shërbime dhe ulje çmimesh, por ka ndodhur krejt e kundërta. Çmimet e energjisë elektrike dhe gazit u rritën së bashku me varfërinë. Për ta bërë tragjedinë edhe më të madhe, termocentralet që prodhojnë energji elektrike (pavarësisht nëse punojnë me gaz apo qymyr) janë të fundit që përfshihen në përcaktimin e çmimit të tregut të energjisë elektrike.

Ky liberalizim ka sjellë rritjen e çmimeve dhe shfaqjen e të ashtuquajturave flluska spekulative, të cilat kanë ndikuar në rritjen enorme të çmimeve.

Një problem me përmasa globale

Edhe pse nuk kanë një treg të liberalizuar të energjisë elektrike që prodhon varfëri dhe fitim, India dhe Kina, nga ana tjetër, patën thatësira dhe përmbytje në vitin 2020 që ndikuan në uljen e prodhimit të qymyrit nga minierat dhe prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet. Në anën tjetër të planetit, lumi Parana në Brazil kishte një nivel të ulët uji në vitin 2020 që ndikoi negativisht në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet.

Lufta në Ukrainë, e cila ndikon në tregtinë e gazit rus në Bashkimin Evropian, ka rritur çmimin e energjisë elektrike me 211 për qind. Në Irlandë, çmimi i energjisë elektrike për megavat orë në vitin 2021 krahasuar me vitin 2019 është rritur me 313 për qind, në Portugali me 215 për qind, kurse në Spanjë me 214 përqind. Për të zbutur efektet e krizës, Spanja dhe Portugalia u përpoqën të vendosin një kufi në çmimin e energjisë elektrike dhe të rrisin taksën e fitimit për kompanitë e energjisë elektrike. Nga ana tjetër, inercia e Komisionit Evropian dhe orientimi drejt mbështetjes së fitimeve para cilësisë së jetës së qytetarëve, vërehet në mungesë të reagimit dhe mbrojtjes së njerëzve të cilëve u është ndërprerë energjia elektrike për shkak të faturave të papaguara.

Çfarë po bëjnë partitë evropiane për të mbrojtur qytetarët?

Anëtarët e partive politike të majta në Parlamentin Evropian (PE) paraqesin kërkesa për ndryshime në tregun e energjisë elektrike dhe mbrojtje më të madhe të qytetarëve që janë të prekur nga varfëria energjetike. Partia e majtë gjermane Die Linke propozon ndalimin e ndërprerjes së energjisë elektrike në shtëpi, kurse Aleanca Kuqe e Gjelbër (Red Green Alliance) propozon të ofrohet kompensim për faturat. Nga ana tjetër, Syriza greke (SYRIZA) dëshiron të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike dhe gazit nëpër bursa, ndërsa Partia Komuniste Austriake (KPO) kërkon një model të ri të tregut të energjisë elektrike.

Burimi: pixabay.com

I gjithë blloku i partive politike të krahut të majtë në PE dëshiron të ndalojë ndërprerjet e energjisë elektrike në shtëpi dhe të ofrojë mbështetje financiare për shlyerjen e faturave.

Gjithashtu, kërkesat janë që të vendoset një çmim maksimal për energjinë elektrike dhe gazin që të mos ketë manipulime në bursë, energjia elektrike të jetë një e drejtë themelore e njeriut dhe jo luks, kurse distribuimi i energjisë elektrike të kryhet nga një kompani publike.

Tranzicioni i kërkuar dhe i planifikuar drejt energjive të gjelbra (era dhe uji) kërkon gjithashtu investime më të mëdha. Që ky tranzicion të ishte i suksesshëm, Komisioni Evropian ka parashikuar 438 miliardë euro investime deri në vitin 2030. Megjithatë, që vendet e BE-së të kalojnë plotësisht në burimet e energjisë së gjelbër, ky tranzicion nuk duhet t'i lërë konsumatorët pa energji elektrike.

Tranzicioni nuk është i shpejtë, as i lehtë dhe i lirë. Propozimet e partive të bllokut të majtë përfshijnë edhe përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile, sindikatave dhe organizatave mjedisore në procesin e tranzicionit dhe ndikimin në formimin e çmimit të tregut të energjisë elektrike, si dhe krijimin e ndërmarrjeve sociale që do të prodhojnë dhe shpërndajnë energjinë elektrike te konsumatorët. Në të gjitha këto ndryshime tregu nuk duhet të harrohen edhe punëtorët për të cilët kërkohen paga më të larta, kushte normale pune dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin e marrjes së vendimeve brenda ndërmarrjes.

Maqedonia, vite dritë në të kaluarën

Kërkesat e parashtruara nga partitë e majta në PE nuk janë krejtësisht të panjohura për shtetin dhe shoqërinë maqedonase. Por për fat të keq, tranzicioni ynë shkoi në të kaluarën, diku para Luftës së Dytë Botërore, kur maqedonasit dinin vetëm për të pasurit dhe të varfërit.

Ndërkohë që në Bashkimin Evropian tashmë po diskutohet për kompanitë publike në sektorin e energjisë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të kontrolluar çmimet e “fryra” të energjisë elektrike dhe gazit, në vendin tonë i ashtuquajturi liberalizim i tregut ka sjellë prodhues preferencial të energjisë elektrike, të cilët e shesin me çmime preferenciale në tregun maqedonas. Është vërtetuar tashmë se hidrocentralet e vogla që u imponuan si burim i gjelbër i energjisë, prodhojnë shumë pak energji elektrike për nevojat e tregut maqedonas dhe në të njëjtën kohë e shkatërrojnë jashtëzakonisht natyrën. Nga ana tjetër, edhe pse instalimi i paneleve diellore fotovoltaike në çatitë e familjeve për nevoja private është në rritje, shteti ndan shumë pak fonde për të subvencionuar investime të tilla.

Qëllimi është të mbrohen prodhuesit dhe importuesit privatë të energjisë elektrike, ata të privilegjuarit, kurse të mos flasim për kthimin e energjisë elektrike në sistem nga personat privatë, ose më mirë shitjet. Ligji për Energjinë i kufizon këto mundësi duke e kushtëzuar shitësin potencial të energjisë elektrike me furnizuesin e tij. Pra nga kush e keni marrë energjinë elektrike për nevojat tuaja, nga EVN-ja apo nga një furnizues privat, atë energji elektrike që dëshironi ta shisni (tepricë), dhe e keni prodhuar nga fotovoltaikët, duhet t'ia ofroni vetëm furnizuesit tuaj. Nuk ka mundësi për të zgjedhur një ofertë më të mirë në treg për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga panelet fotovoltaike.

Kjo qasje proteksioniste e shtetit për të mbrojtur sektorin privat ka shkatërruar plotësisht liberalizimin e shumëpërfolur të tregut të energjisë elektrike në Maqedoni dhe e ka bërë atë të duket si një farsë.

Nëse marrim parasysh faktin se mbi 30 vjet nuk është bërë asnjë investim në REK Manastir dhe shteti është nën presionin e komunitetit të glorifikuar të biznesit - të hapë mundësi për prodhuesit dhe furnizuesit privatë të energjisë elektrike, edhe më shumë vërtetohet se liberalizimi i tregut të energjisë çon, me gjithë kuptimin e fjalës në errësirë ​​të ftohtë.

Nëse ende synojmë të ruajmë kursin drejt anëtarësimit në BE, është e nevojshme të shikojmë zgjidhje të tjera për krizat që ofrojnë partitë evropiane. Me ta dhe me ne është dëshmuar se liberalizimi i këtij tregu nuk është zgjidhje, sidomos kur gjendemi në kohë krize. Ndërmarrjet publike, kontrolli i çmimit të energjisë elektrike, pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në zgjidhjen e kësaj krize, por edhe rregullimi i tregut të egër të energjisë elektrike, janë disa nga zgjidhjet.

Duhet të kemi në konsideratë se të gjitha propozimet dhe ndryshimet që vijnë nga Brukseli nuk mund të zbatohen në mënyrë efektive në vendin tonë. Kjo qasje duhet të braktiset dhe të mendohet në drejtim të mirëqenies së qytetarëve dhe jo vetëm të fitimit.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Stojadinoviq

Sonja Stojadinoviq ka lindur në vitin 1979 në Veles. Ajo është politikologe e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani i Parë" në Shkup, ku përfundoi edhe studimet master në Politikë Ndërkombëtare me temë "Lufta jo e dhunshme në politikë: Faktorët për sukses dhe dështim". Ajo punon si autore e pavarur për portalet rajonale kroate Lupiga dhe Bilten dhe është aktiviste në lëvizjen e majtë Solidariteti.