fbpx

Me fillimin e një epoke të re të mediave sociale, në Turqi po instalohet një kontroll i intensifikuar i mediave

Kaan Bajrakosan

Politika

15.01.21

Прегледи

Kaan Bajrakoshan

Kaan Bayirakosan 200x250Qeveria turke ka kërkesa të reja nga mediat sociale dhe platformat digjitale të tilla si Facebook, Whatsapp, Instagram dhe Twitter. Nëse platformat nuk i plotësojnë kërkesat, qeveria mund t'i mbyllë ato. Viti 2021 do të jetë viti kur do të shohim nëse këto platformat të t’iu përshtaten këtyre rregullave ose do të bllokohen në Turqi.

Tema e mediave sociale ishte një nga temat më të diskutuara në Turqi vitin e kaluar. Më 1 korrik, presidenti Erdogan tha se kishte në plan t’i mbyllte dhe kontrollojë mediat sociale, duke shtuar se, nga pikëpamja morale, ata janë kundër platformave të tilla si YouTube, Twitter dhe Netflix. "Këto platforma nuk i përshtaten këtij kombi. Ne duam t'i mbyllim dhe t'i kontrollojmë duke sjellë procedurën para parlamentit sa më shpejt të jetë e mundur." Ky fjalim provokoi një reagim të madh në Twitter dhe #SosyalMedyamaDokunma (# LargDuartNgaMediatEmiaSociale) menjëherë u bë tema më aktuale në vend.

Disa orë pas fjalimit të Erdogan, Drejtoria për komunikim e Kabinetit presidencial lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se fjalët e Presidentit për "përjashtimi/mbylljen" ishin marrë jashtë kontekstit, por deklarata konfirmoi faktin se po futeshin rregulla të reja. "Disa platforma të mediave sociale shkelin të drejtat e qytetarëve tanë sot. Në të njëjtën kohë, ato platforma në mënyrë të pakontrollueshme bëjnë fitime në vendin tonë dhe vazhdojnë funksionimin e tyre, të imunizuar ndaj çdo detyrimi tatimor. Ne jemi duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që kompanitë e internetit dhe mediat sociale të hapin përfaqësime ligjore dhe financiare në vendin tonë."

Projektligji i ri për mediat sociale paraqet rrezik për lirinë e fjalës

Në të njëjtin muaj, parlamenti miratoi një projektligj të ri për platformat e mediave sociale që kanë më shumë se 1 milion përdorues në Turqi. Sipas ligjit, ekzistojnë katër detyrime kryesore për këto shërbime. Para së gjithash, platformat e përmendura duhet të hapin një zyrë përfaqësimi në territorin e Turqisë dhe të caktojnë një përfaqësues zyrtar të kompanisë. Së dyti, këto platforma duhet të paguajnë taksa siç bëjnë personat e tjerë juridikë. Së treti, kur qeveria kërkon të dhëna përdoruesish, platforma duhet të sigurojë akses. Së fundmi, kur qeveria dëshiron që platforma të heqë ndonjë përmbajtje, përmbajtja duhet të hiqet brenda 48 orëve.

Nëse mediat sociale refuzojnë të hapin një zyrë përfaqësimi, do të ketë një sistem gjobash në 5 hapa. Në hapin e parë, kompania do të ketë 30 ditë afat për të përmbushur detyrimin ligjor, i cili hyn në fuqi nga data e paralajmërimit të parë nga Byroja e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (VTK). Nëse nuk e bën këtë, platforma do të duhet të paguajë një gjobë prej 10 milion lira turke. Në hapin e dytë, kjo gjobë do të arrijë në 30 milion lira. Në hapin e tretë, do të zbatohet një bllokim reklamash. Nëse platforma nuk ka caktuar ende një përfaqësues brenda 3 muajve, VTK-ja ka të drejtë të zvogëlojë fushështrirjen e internetit (bandwidth) të operatorit të rrjetit social deri në 50%, duke ulur aksesin. Dhe si hap i fundit, hyrja në platformë do të zvogëlohet nga VTK duke zvogëluar fushështrirjen e internetit (bandwidth) për 90%.

Ligji është në fuqi që nga 1 tetori, por këto nuk janë rregullat e vetme që zbatohen për mediat online në Turqi. Në muajin gusht, Këshilli i lartë i radios dhe televizionit (RTÜK) gjithashtu mori pozicionin e mbikëqyrësit të përmbajtjeve në internet, duke përfshirë Netflix, Amazon Prime dhe YouTube. Roli i tij është të kontrollojë programet për sa i përket vlerave morale dhe të heqë episodet e papërshtatshme nga platforma në vend. Për më tepër, secila platformë duhet të marrë një licencë që kushton 100.000 lira.

Netflix, Amazon Prime, TikTok dhe Dailymotion kanë përmbushur kushtet dhe kanë vendosur të caktojnë përfaqësues të tyre në Turqi, por duket se jo çdo kompani e rrjeteve sociale ka ndërmend të pranojë kërkesat. Në muajin dhjetor, Facebook, Instagram, Twitter, Periscope, Pinterest dhe LinkedIn u përballën me një raund të dytë gjobash, me një gjobë prej 30 milion lirash për secilën. Nëse këto platforma nuk e respektojnë ligjin brenda afatit kohor prej 30 ditësh, atyre mund t’iu ndalohet reklamimi këtë muaj.

Noviot zakon sto gi otvora branite na cenzurata vo TurcijaBurimi: newsweek.com

Spotify është një nga ato platforma që kohët e fundit rrezikonte të mbyllej për shkak të problemeve me licencën. Platforma përfundimisht ra dakord të paguante për licencën dhe të hapte një zyrë përfaqësimi në Turqi. Sipas ish-anëtarit të RTÜK-së dhe avokatit të popullit për media, Faruk Bildirixhi, arsyeja e presionit mbi Spotify ishin “podkastet”, duke shtuar se "ata synojnë atje të ushtrojnë kontrollin e policisë edhe mbi mendimet e tyre. Ata janë alergjikë ndaj hapësirave të lira". Më 16 dhjetor, YouTube njoftoi se ra dakord të caktojë një përfaqësues në Turqi, por gjithashtu theksoi politikën e saj kundër çdo ndërhyrje të qeverisë". Ky hap drejt respektimit të ligjeve nuk do të ndryshojë mënyrën se si YouTube trajton kërkesat për heqjen e përmbajtjeve, as nuk do të ndryshojë mënyrën se si YouTube trajton ose ruan të dhënat e përdoruesve." Dhe kjo mund të jetë baza për problemet e mundshme në të ardhmen midis platformës dhe qeverisë turke, pasi YouTube më parë ishte ndaluar në vend për arsye të ngjashme disa herë në të kaluarën.

Përpjekje e pasuksesshme për t'i kthyer njerëzit përsëri në mediat tradicionale

Si një arsye e përgjithshme për këtë ligj radikal, qeveria zakonisht tregon anën negative të mediave sociale si p.sh. gënjeshtrat, shpifjet dhe anomalitë. Në këtë drejtim, krijimi i një mjedisi më të sigurt në internet dhe shmangia e përpjekjeve për linçim mund të jenë një nga arsyet kryesore. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh gjendjen e dobët të ekonomisë turke, të ardhurat e rregullta të tatimeve nga platforma të tilla mund të ndihmojnë qeverinë të trajtojë më mirë problemet financiare. Përveç kësaj, mediat sociale sigurojnë një hapësirë ​​të pavarur për një larmi zërash, përfshirë edhe mbështetësit e opozitës. Ndryshe nga kanalet dhe gazetat tradicionale, platformat teë tilla u japin njerëzve më shumë mundësi për sa i përket lirisë së fjalës. Mund të thuhet se populli turk ka filluar të humbasë interesin dhe besimin në mediat tradicionale, duke kaluar më shumë kohë në internet. Për shkak të kësaj, qeveria mund të dëshirojë ta kthejë vëmendjen e njerëzve në mediat tradicionale. Sipas Qendrës për Progresin Amerikan (SAR), 70% e qytetarëve turq i konsiderojnë mediat tradicionale të njëanshme dhe jo të besueshme. Gjithashtu, 56% e të anketuarve besojnë se mediat janë nën kontrollin e qeverisë.

Megjithëse qeveria mohon pretendimet për censurë, duke përmendur Gjermaninë si një shembull, opozita thekson shkeljen e lirisë së fjalës. Në një intervistë për BBC në turqisht, Onursal Adigjuzel, nënkryetar i partisë kryesore të opozitës (CHP) përgjegjës për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, tha: "Ky propozim do të provokojë censurë. Mbyllja e një faqe në internet të lajmeve në Gjermani nuk është një punë e pazakontë, por ka qindra shembuj të tillë në Turqi." Sipas anëtarit të RTÜK Ilhan Tashçi, mediat ishin tashmë nën kontroll të rreptë të qeverisë dhe "ky implementim do të hyjë në histori si një rregullore që bllokon lirinë".

Për shkak se rregullorja e re ishte në procedurë e sipër në tetor, nuk ka pasur ende një bllokim të plotë të platformave dhe mediave sociale. Sidoqoftë, nëse ndodh, kjo mund të çojë në një ndryshim masiv për qytetarët e të gjitha moshave, pasi mediat sociale tashmë janë bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme në Turqi. Sipas të dhënave të muajit tetor 2020 nga We Are Social (Ne jemi socialë), Turqia është ndër 10 vendet e para në botë për sa i përket numrit të përdoruesve të mediave sociale. Për të përmbledhur numrat, Facebook ka rreth 40 milion, Instagram ka 44 milion dhe Twitter ka 16 milion përdorues në vend. Këto shifra gjithashtu e vendosin Turqinë në krye të listës së përdoruesve në Evropë.

Përveç këtyre përdoruesve, veçanërisht në vitet e fundit, YouTube është bërë pothuajse një sektor biznesi në vend, pasi tani ka shumë përdorues të YouTube (Jutjuberë) të njohur që fitojnë mbi miliona abonime dhe klikime. Për më tepër, ai është një vend i rëndësishëm për gazetarët që janë pushuar nga puna nga institucionet konvencionale të medias, duke i lejuar ata të krijojnë kanalet e tyre dhe të publikojnë lajme. Për shembull, “Sözcü” (Sozxhu), një nga gazetat më të shitura turke që lexohet kryesisht nga mbështetësit e opozitës, ka pritur për një licencë për të transmetuar zyrtarisht përmbajtje televizive për gati 10 muaj, por ende nuk është dhënë nga RTÜK-ja. Kjo është arsyeja pse ata aktualisht po transmetojnë përmbajtjet e tyre në YouTube.

Mendimi i pavarur konsiderohet si diçka negative

Një nga arsyet kryesore për riorientimin e qytetarëve drejt mediave sociale në një shkallë të madhe është klima politike në vend. Qeveria ka mbështetjen e mediave konvencionale, të tilla si gazetat dhe kanalet tradicionale televizive. Numri i kanaleve dhe gazetave që konsiderohen të pavarura është i kufizuar, gjë që i bën njerëzit të kërkojnë burime të reja të transmetimit. Mund të thuhet se ky riorientim është bërë i zakonshëm sepse gjithnjë e më shumë njerëz janë ankuar se jo të gjitha pikëpamjet dhe mendimet përfaqësohen në lajmet në kanalet televizive dhe gazetat. Kohët e fundit, për shembull, Olay TV, një kanal televiziv motoja e të cilit është lajmi i pavarur, arriti të mbijetojë për vetëm 26 ditë. Sulejman Sarillar, kryeredaktor i Olay TV, tha se presioni i qeverisë ndaj pronarit të kanalit ishte arsyeja kryesore për mbylljen e tyre.

Twitter aktualisht është platforma më politike sociale në Turqi, duke i dhënë mundësinë publikut të krijojë një axhendë dhe të flasë për një sërë çështjesh, nga kërkesat për rritjen e pagave deri te të drejtat e grave. Në të vërtetë, përveç aspekteve negative, siç janë rreziqet e lajmeve të rreme dhe frazave fyese, mediat sociale mund të jenë i vetmi vend që siguron një kanal komunikimi midis qytetarëve dhe politikanëve, duke mbështetur pjesëmarrjen qytetare e cila është një nga tiparet kryesore të demokracive.

Në Turqi, jo vetëm qytetarët, por edhe politikanët, përfshirë shumicën e anëtarëve të qeverisë, shpesh përdorin platforma të tilla. Edhe në të kaluarën, duke ndarë publikisht arsyet e shqetësimit dhe problemet që prekin shoqërinë, disa propozime specifike legjislative që shumica e njerëzve kundërshtuan u parandaluan me sukses. Duke pasur parasysh faktin që Twitter është më e papërgatitura nga të gjitha platformat për emërimin e një përfaqësuesi lokal, fikja ose zvogëlimi i fushështrirjes së internetit (bandwidth) të këtij kanali do të dëmtojë këtë komunikim të nevojshëm. Kjo gjithashtu do të zvogëlojë zërin e opozitës, e cila nuk mund të gjejë hapësirë ​​të mjaftueshme në mediat tradicionale.

Për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vitin 2023, votuesit e rinj konsiderohen vendimtarë, pasi Gjenerata Z do të ketë të drejtën e votës në zgjedhje për herë të parë dhe numri i tyre do të përbëjë rreth 15% të të gjithë votuesve në Turqi. Besohet gjithashtu se reagimi i tyre ndaj qeverisë aktuale nuk është shumë pozitiv. Të rinjtë janë grupmosha kryesore që përdor mediat sociale shumë shpesh në Turqi, dhe çdo mbyllje qeveritare e një rrjeti të njohur mund të shihet si një ndërhyrje politike në jetën e tyre të përditshme, kështu që edhe kjo mund të ketë një ndikim në paragjykimin e tyre politik.

Gjigantët e mediave sociale duhet të marrin një vendim

Në vitin 2021, mediat sociale do të duhet të marrin një vendim në lidhje me Ligjin për mediat sociale në Turqi nëse qeveria nuk zbut rregullat e përcaktuara si një formë kompromisi. Kanë mbetur rreth 4 muaj deri në hapin e fundit të ekzekutimit të gjobës. Ato platforma që nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin përballen me një hap të tretë, që do të ekzekutohet këtë muaj, me një ndalim të reklamimit. Kohët e fundit, disa nga kompanitë kanë pranuar ligjin, megjithëse në fillim ishin hezitues për të caktuar një përfaqësues dhe për të paguar taksat. Pra, mund të jetë një shenjë që do ta ndjekin edhe të tjerët. Gjithashtu, sipas disa burimeve, Facebook, Instagram dhe LinkedIn aktualisht janë duke i shqyrtuar kërkesat. Ata ka më shumë gjasa që zyrtarisht të vazhdojnë të ekzistojnë në Turqi. Sidoqoftë, Twitter pritet të jetë shumë më i rreptë për shkak të politikave të tij. Mund të duhet pak më shumë kohë për të parë nëse ata do ta pranojnë ligjin.

Për të dhënë një përmbledhje, këto kompani ndoshta nuk dëshirojnë të humbin miliona përdorues, kështu që ata do t’i respektojnë kërkesat dhe nuk do të tërhiqen nga tregu turk. Nga ana tjetër, ata mund të insistojnë në politikat e tyre institucionale duke ruajtur privatësinë e përdoruesve dhe të sfidojnë çdo ndërhyrje politike në përmbajtjet e tyre. Sipas këtij skenari, turqit mund të privohen nga platformat e tilla, veçanërisht nga Twitter.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Kaan Bajrakosan

Kaan Bajrakosan, është student në studime të magjistraturës për shkenca politike në Universitetin e Varshavës, Poloni. Ka kryer studimet post diplomike për gazetari në Universitetin Ege në Turqi. Ai, gjithashtu ka studiuar në Universitetin Vilnus në Lituani në këtë fushë, si pjesë e programit për shkëmbim të studentëve. Ai ka përvojë në gazetari në mediat lokale gjatë kohës së studimeve të tij në Izmir, Turqi.