fbpx

Nga maksimizimi i përfitimeve nga pushteti te akumulimi i pasurisë, me fjalë të tjera – bëni atë që të tjerët kanë bërë para jush

Vladimir Xhorxheviq

Politika

22.01.21

Прегледи

Vlladimir Gjorgjeviq

Vladimir Djordjevic 200x250Kjo situatë tregon se nuk ka ose ka vetëm vullnet të pakët politik për të zgjidhur këtë problem, duke na kujtuar të gjithëve se Ballkani Perëndimor po shkon drejt "kontrollit të plotë të institucioneve shtetërore në shërbim të elitave, sesa zbatimit të standardeve të sjelljes institucionale".

Në blogun tim të fundit përmenda faktin që, siç theksojnë jo vetëm studimet e fundit, por edhe ato shumë më të vjetra, interesat private janë ndoshta një nga sfidat më të mëdha që e pengojnë rrugën e evropianizimit më thelbësor, dhe kështu më të suksesshëm të Ballkanit Perëndimor. Këto rrjete joformale të ndikimit dhe fuqisë, në një masë të madhe janë mjaft domethënëse për të ndikuar në evropianizimin e rajonit, respektivisht deri në pikën e bllokimit të aderimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Kur kjo kombinohet me faktin se Brukseli nuk ka miratuar një metodologji të re për aderimin e Ballkanit Perëndimor, duket se e ardhmja evropiane e rajonit mbetet vetëm retorike dhe si e tillë - e paarritshme.

Interesat private në politikën e brendshme përfaqësohen nga ata lojtarë shoqërorë të cilët si individë ose përmes partive të tyre politike (dhe dominancës së tyre) në mënyra joformale hyjnë në "marrëveshje" të ndryshme private, duke vendosur kështu një sistem të praktikave dhe institucioneve joformale që pastaj bëhen sinonim se si e drejtojnë vendin elitat politike.

Me praktika dhe institucione joformale, unë kam parasysh jo vetëm format e ndryshme të negociatave joformale, të cilat në pothuajse të gjitha rastet janë të fshehura nga publiku, duke anashkaluar institucionet zyrtare shtetërore dhe proceset e sundimit të ligjit, por edhe sistemin përkatës të vlerave që lidhet me "institucionet joformale të tilla si korrupsioni, klientelizmi, partikularizmi, respektivisht mbrojtja e interesave individuale në dëm të interesave kombëtare, nepotizmi, etj.", duke minuar kështu "kapacitetin zyrtar institucional" të këtyre vendeve. Prandaj, nuk është për t'u habitur që qytetarët kanë besim të ulët në institucionet shtetërore kur e dinë që praktikat joformale në të vërtetë mund t'i ndihmojnë ata të zgjidhin problemet me të cilat përballen kur kanë punë me institucionet zyrtare shtetërore dhe rregullat dhe normat e tyre. Si rezultat, siç sugjerohet nga hulumtimet e lartpërmendura, "institucionet joformale mund të rezultojnë të dobishme në përmirësimin e efikasitetit të institucioneve zyrtare duke lehtësuar koordinimin shoqëror përmes kontakteve personale".

Kjo, nga ana tjetër, në mënyrë të pashmangshme ndikon në mënyrën se si zhvillohet tranzicioni demokratik në çdo vend që përballet me të njëjtat probleme, me ç’rast praktikat zyrtare të sundimit të ligjit dhe institucionet e tij përkatëse në thelb janë të padobishme dhe të pavlefshme. Sipas një grupi studiuesish në botimin e tyre në vitin 2016, redaktor i të cilit është Sllobodan Cvejiq, natyra joformale e një sistemi të tillë "paraqet një tipar të rëndësishëm të shoqërive post-socialiste. Rrjetet joformale dhe personale që datojnë që nga periudha socialiste janë një trashëgimi e rëndësishme për zhvillimin e sistemeve demokratike dhe një ekonomie tregu", kurse Ballkani Perëndimor nuk është aspak një përjashtim nga ky rregull.

Interesi privat kundrejt interesit publik

Në shumë mënyra, rajoni në masë të madhe i ngjanë si çdo pjese tjetër post-komuniste e botës në tranzicion, e ndikuar nga e kaluara e saj socialiste. Së bashku me trashëgiminë e konflikteve të viteve të 90-ta, dhe të mbajtura gjallë në diskurset politike nacionaliste që herë pas here i kujtojnë pjesës tjetër të botës të kaluarën e dhunshme të Ballkan, "të nxjerrësh përfitimet maksimale nga pushteti" është hapi i parë drejt krijimit të një ndikimi dhe sistemi joformal të pushtetit në politikën e brendshme.

Elitat politike fillojnë të ndërtojnë pikërisht sisteme të tilla pasi të marrin kontrollin dhe pastaj fillojnë gradualisht të zgjerohen. Qëllimi i të gjithë procesit sillet rreth faktit që elitat politike janë të vendosura të "zgjerojnë fuqinë e tyre dhe të çimentojnë ndikimin e tyre", duke krijuar një sistem ku përparësi kanë interesat dhe përfitimet private të atyre që janë të përfshirë dhe zëvendësojnë në thelb nevojat publike.

Konceptimi i sistemit të përmendur nënkupton faktin se çimentimi i pushtetit, në mënyrë të pashmangshme çon te elitat që ata të grumbullojnë pasuri, duke i lejuar ata që janë në pushtet dhe ata që janë pranë tyre të përfitojnë jashtëzakonisht shumë duke përparuar për shkak të strukturës joformale dhe natyrës së sistemit të krijuar. Këto sisteme po zgjerohen me kalimin e kohës dhe, siç pritet, përfshijnë ato nga të cilat elitat politike mund të përfitojnë financiarisht, dmth. aktorë të brendshëm me ndikim të konsiderueshëm ekonomik, gjë që çon në mënyrë të pashmangshme drejt "modeleve të dëmshme të qeverisjes". Këto modele qeverisjeje janë shumë të vështira për t'u ndryshuar, siç tregon qartë tranzicioni i vendeve të tilla si Serbia ose Mali i Zi.

Akumuliranje na mok i bogatstvo tipicna Balkanska prikaznaBurimi: europeanwesternbalkans.com

Kur përmendim Serbinë, është e rëndësishme të thuhet se vendi që është një lider në procesin e aderimit në BE, përveç Malit të Zi, në të njëjtën kohë, shpesh has pengesa në luftën kundër konfliktit të interesit dhe korrupsionit në politikën e lartë, e cila është e dukshme nga fakti që "policia dhe gjyqësori serb nuk u janë përgjigjur disa rasteve në të cilat ministrat janë akuzuar për përfshirje në raste korrupsioni dhe krimi".

Rasti relativisht i fundit i Nebojsha Stefanoviç, ministri aktual i Mbrojtjes i Serbisë, i tregon të gjitha: në një kohë kur media e pavarur raportoi se babai i tij ishte i përfshirë në një marrëveshje kontrabande armësh, agjencitë shtetërore serbe mohuan fuqimisht përfshirjen e ministrit në këtë skandal. E kemi edhe rastin e Kosovës, i cili dëshmon se sa e vështirë është të zvogëlohet ndikimi i praktikave joformale që janë rrënjosur thellë në sistemin zyrtar të institucioneve, me "ndërhyrjet politike dhe emërimet e diskutueshme" duke u bërë rutinë në sistemin gjyqësor shtetëror. Vendimi relativisht i fundit i Qeverisë së Kosovës për të "shpërndarë grupin e punës kundër korrupsionit" është një tregues i qartë i kësaj çështje, duke treguar se vendi po lëviz në drejtimin e gabuar.

Sigurisht, ka mjaft dëshmi nga vendet e tjera në rajon që tregojnë në masë të madhe për këtë problem. Kroacia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian për disa vjet, përveç Maqedonisë së Veriut, është një nga të paktat vende në rajon ku (ish) politikanë janë dënuar për përfitime dhe korrupsion. Megjithatë, këto dënime çuditërisht nuk kanë lënë asnjë implikim mbi sistemet e mëdha të ndikimit dhe fuqisë private, ku politikanët e ndëshkuar kanë qenë në mënyrë të pashmangshme pjesë ose kanë udhëhequr derisa kanë qenë në funksione. Duke ditur se si funksionuan këto dhe politikat e tjera të brendshme në Ballkanin Perëndimor në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, është e vështirë të imagjinohet që të dënuarit kanë vepruar të vetëm.

Një studim për Kroacinë i botuar gati një vit më parë, i cili ilustron mirë situatën në të gjithë rajonin, sugjeron se që kur vendi iu bashkua BE-së në mesin e vitit 2013, Zagrebi në të vërtetë nuk kishte përparuar, por kishte mbetur prapa për sa i përket numrit të politikave dhe praktikave joliberale, që synonin kryesisht "kapjen e agjencive të pavarura, kontrollin e gjyqësorit dhe dobësimin e mediave të pavarura".

Çfarë (nuk) duhet të bëhet

Sa i përket kësaj, duket mjaft e çuditshme, absolutisht e parëndësishme dhe plotësisht joprofesionale për të gjykuar individë (lexo "vetëm disa ish politikanë") pa marrë parasysh kontekstin në të cilin ata kanë vepruar, pozicionet që kanë mbajtur në atë kohë dhe ndikimin që ata kanë pasur gjatë kohës që ishin në detyrë. Pikërisht ky lloj publiciteti i kohëpaskohshëm, i cili supozohet të trajtojë korrupsionin, zbulojnë se sa institucionalisht janë të dobëta dhe joefektive këto vende dhe sa të fuqishme dhe me ndikim janë bërë rrjetet joformale me kalimin e kohës, dhe në fund të fundit sa është pesha reale e interesave private të atyre që janë përfshirë krahasuar me interesat publike.

Nëse elitat e Ballkanit Perëndimor me të vërtetë dëshirojnë të transformojnë me sukses vendet e tyre, atëherë ata thjesht duhet të ndalojnë të gjithë aktrimin për luftimin e korrupsionit dhe përmirësimet e pretenduara në sundimin e ligjit, sepse zbatimi aktual i kornizës përkatëse legjislative nuk funksionon aspak. Nëse do të funksiononte, jo vetëm që nuk do të kishte një numër të vogël (dhe unë do të shtoj, zakonisht të një niveli më të ulët) individësh/politikanësh prapa hekurave, por aty do të kishte edhe anëtarë të elitës aktuale politike dhe ekonomike të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo situatë tregon se nuk ka ose ka vetëm vullnet të pakët politik për të zgjidhur këtë problem, duke na kujtuar të gjithëve se Ballkani Perëndimor po shkon drejt "kontrollit të plotë të institucioneve shtetërore në shërbim të elitave, sesa zbatimit të standardeve të sjelljes institucionale".

Në fund, është po aq e rëndësishme që këto shoqëri të përpiqen të ndryshojnë vlerat shoqërore që kanë mundësuar praktikat dhe institucionet joformale të shndërrohen kaq të fuqishme. Kjo nuk varet vetëm nga cilësia e arsimit ose elitat politike që duhet të bëjnë pjesën më të madhe të "punës" për këtë çështje, por edhe nga elitat kulturore dhe shoqërore të cilët gjithashtu kanë një përgjegjësi të madhe për tranzicionin dhe transformimin e këtyre shoqërive që do të vijojnë me ndryshimin e vlerave shoqërore.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Vladimir Xhorxheviq

Vladimir Xhorxheviq është asistent profesor në Departamentin e Studimeve Territoriale në Fakultetin e Zhvillimit Rajonal dhe Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Mendel në Brno, Republika Çeke. Ai është gjithashtu duke vizituar një Pedagog në Fakultetin e Studimeve Sociale, Universitetin Masaryk, Brno, dhe Studiues në Institutin e Politikave Strategjike në Bratislavë, Sllovaki. Specializimi i tij përfshin Ballkanin Perëndimor, integrimin në BE, Politikën e Jashtme të SH.B.A.-së dhe të Drejtat e Njeriut.