fbpx

Pse BE-ja nuk na jep një datë?

Samet Shabani

Politika

28.07.21

Прегледи

Samet Shabani

Самет Шабани

Është koha të përqendrohemi në çështjet thelbësore. Është koha të ndërtojmë një 'kontratë shoqërore' reale për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si shtyllat kryesore të vlerave evropiane. Diçka duhet ta kemi të qartë dhe ta themi: Pa "evropianizim", nuk ka integrim në BE.

Më 1-2 korrik, Ministria e Punëve të Jashtme organizoi Forumin e Prespës për Dialog, një event diplomatik që kishte në fokus prioritetet strategjike të vendit. Prioriteti për këtë vit ishte euro-integrimi i vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Rreth Forumit

Forumi ishte një sukses i rëndësishëm për diplomacinë e vendit. Nga pikëpamja organizative (përmbajtja, pjesëmarrësit, logjistika), ishte një nga eventet më të mëdha dhe të organizuara profesionalisht në historinë e vendit tonë. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të nivelit më të lartë nga rajoni, BE-ja dhe SHBA-të ishte një tregues tjetër i suksesit të diplomacisë maqedonase. Nuk ka dyshim se ky forum do të shndërrohet në një markë tradicionale me organizim të rregullt në bazë vjetore, si forume të tjera të ngjashme në të gjithë botën.

Forumi ishte domethënës nga disa aspekte. Theksi është vënë në Prespë për shkak të Marrëveshjes së Prespës si një zgjidhje pragmatike për të kapërcyer kontestin me bllokadën greke në skenën ndërkombëtare. Me këtë, Forumi njëherësh shënoi edhe përvjetorin e tretë të kësaj marrëveshje. Forumi gjithashtu shënoi edhe 20-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si relativisht më e suksesshme në krahasim me të tjerat në rajon (Dejtoni dhe Rambuje) për zgjidhjen e konflikteve ndëretnike dhe luftërave. Me këto dy tipare, Maqedonia promovohet si një "eksportuese e zgjidhjeve", e jo e konflikteve në rajon. Forumi ishte gjithashtu i rëndësishëm si një moment i rëndësishëm për rindërtimin e sinergjisë BE-SHBA në Ballkan në epokën pas presidencës së Trump. 

Pse nuk ka një datë?

Megjithatë, sado i rëndësishëm të jetë, Forumi kaloi nën "stuhinë" e vendimit të BE-së për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kështu, Forumi u përdor si një mundësi nga elita ballkanike për të fajësuar përsëri BE-në për vendimin. Theksi i autoriteteve maqedonase ishte më shumë në faktin se BE-ja veproi padrejtësisht duke kushtëzuar negociatat për shkak të një çështje bilaterale (me Bullgarinë) dhe përfaqësuesit e BE-së duhej të vazhdonin t'i bëjnë presion Bullgarisë për të ndryshuar pozicionin e saj.

Por a nuk na jep vërtet BE-ja një datë për shkak të Bullgarisë?! Nga 'sinjalet' e mëparshme dhe të ardhshme nga vendet me peshë/ndikim më të madh në politikat e BE-së si Franca dhe Holanda, plus OSBE-ja, shpesh deklarojnë se Maqedonia duhet të përqendrohet në tre prioritete: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe reforma e administratës publike. Një rast i tillë ishte edhe gjatë këtij Forumi, ku përfaqësues të këtyre dy vendeve theksuan se duhet investuar më shumë në këto fusha. Me fjalë të tjera, aktorët politik në BE tregojnë vazhdimisht problemet e vërteta, për të cilat elitat politike në Maqedoni për dekada kanë fshehur 'kokat e tyre në rërë'. Nga e gjithë kjo, ishte shqetësuese të shihje se si elita politike e Maqedonisë edhe në këtë Forum ndërtonte vazhdimisht një narrativë sikur e vetmja përgjegjëse për mos marrjen e datës është Bullgaria.

Zoshto EU ne ni dava datum blog

Burimi: Samet Shabani

Problemet thelbësore

Ishte shqetësuese të shihej se si shpërfilleshin sekretet publike të vendit, për të cilat BE-ja është e informuar mirë dhe për të cilat ka paralajmëruar vazhdimisht. Cilat janë ato sekrete publike?! Është sekret publik pasi nuk ka pothuajse asnjë dënim për një vepër penale (madje edhe ata të një kategorie të rëndë) që nuk mund të shmanget me para ose me ndihmën e ndonjë „personi“ në pushtet. Është sekret publik që ekzistojnë tarifa partiake për punësim në administratën publike, ose punësim përmes kushtëzimit me votë (klientelizëm). Është sekret publik pasi vazhdimisht ndër vite ndryshohen ligjet dhe planet urbanistike, shiten pronat kombëtare për ndërtimin e 'ndërtesave Titanik' në këmbim të 3-4 banesave për nënshkruesit me funksion. Është sekret publik që "taksa" për importet u paguhet funksionarëve dhe të afërmve të tyre kuazi-oligarkë, dhe jo thesarit të shtetit. Është sekret publik që njerëzit në pushtet kanë ndryshuar, por jo edhe mënyra se si ata qeverisin. 

Përmbajtja e raporteve vjetore të BE-së për Maqedoninë ka mbetur e njëjtë për vite me rradhë. Edhe në këtë të fundit, "sekretet publike" artikulohen me gjuhë të kujdesshme diplomatike. Disa prej tyre janë:

‘...Megjithatë, rritja e konsiderueshme e përdorimit të procedurave të shpejta (me rastin e prokurimeve) është shqetësuese dhe duhet të jenë të kufizuara....’

‘…Sigurimi i kushteve për respektimin e parimeve të transparencës, meritës dhe përfaqësimit të drejtë mbetet thelbësor. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vazhdon të adresojë pretendimet për nepotizëm, kronizëm dhe ndikim politik në procesin e rekrutimit të punonjësve në sektorin publik... ’

‘…Akoma nevojiten përpjekje për të siguruar zbatimin sistematik të Planit të azhurnuar të veprimit të Strategjisë për Reformën në Drejtësi...’

‘… duhet të sigurohet një qasje më proaktive nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit…’

Nëse autoritetet do të arrinin rezultate të qëndrueshme në lidhje me problemet thelbësore, vendet-aktorë të përmbajtur politikë të BE-së do të tregonin më shumë gatishmëri për të kapërcyer kushtëzimet politike, siç është bllokada aktuale e Bullgarisë. Kushtëzimi politik i Bullgarisë mbështetet plotësisht nga kriteret e Kopenhagës, përkatësisht stabiliteti i institucioneve për të garantuar demokracinë, sundimi i ligjit, kapaciteti institucional për të harmonizuar legjislacionin e BE-së me atë të vendit tonë, etj.

Duke pasur parasysh qasjen e funksionarëve pas marrjes së raporteve vjetore, krijohet përshtypja se finesat e gjuhës diplomatike për kritikat ndaj BE-së i perceptojnë si "vërejtje jo aq të rëndësishme"!’, ose; ata janë të vetëdijshëm se integrimi i një mënyre evropiane të të menduarit dhe veprimit do të thotë fundi i formës ekzistuese të qeverisjes dhe një ekuilibër midis asaj që pritet nga BE-ja dhe asaj që ata duan të mbajnë.

Të rinjtë po shpërngulen!

Në një rreth të tillë ku BE-ja vazhdon për vite me radhë të adresojë problemet thelbësore, kurse funksionarët veprojnë vetëm deklarativisht mbështetës të BE-së përmes një fasadë reformash dhe oligarkie të kamufluar, ne përballemi me fenomenin më të hidhur në vitet e fundit: eksodin masiv të qytetarëve, veçanërisht të rinjve. Me hyrjen në fuqi të Rregullativës për Ballkanin Perëndimor për qasjen e privilegjuar në tregun gjerman të punës për qytetarët e Maqedonisë, radhët e gjata për viza pune para Ambasadës Gjermane në Shkup vazhdojnë të jenë një realitet i përditshëm dhe i hidhur para syve tanë. Sipas hulumtimit të fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, 71% e të rinjve në Ballkanin Perëndimor planifikojnë të ardhmen në një vend të BE-së. Shakaja ngadalë, për çdo ditë po bëhet një e vërtetë e vrazhdë: nëse BE-ja nuk na pranon si shtet, atëherë ne do t'ju shkojmë një nga një.

Si të gjejmë një zgjidhje?

Është koha të përqendrohemi në çështjet thelbësore. Është koha të ndërtojmë një 'kontratë shoqërore' reale për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si shtyllat kryesore të vlerave evropiane.

Si ta arrijmë këtë? Duhet të investojmë në krijimin e politikave të bazuara në analiza. Nëse sipas hulumtimeve shumica e të rinjve do të dëshironin të punonin në sektorin publik, mjafton të sigurojmë meritokraci gjatë përzgjedhjes ose të investojmë në sinkronizimin e arsimit profesional me tregun e punës në sektorin privat dhe sektorë të tjerë në mënyrë që të rinjtë të mendojnë për alternativa të tjera të qëndrueshme. Nëse sipas hulumtimeve, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, gjykatat, Prokuroria Publike dhe Kuvendi janë institucionet me besimin më të ulët, nevojiten hapa seriozë për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit në ndarjen e drejtësisë.

Diçka duhet ta kemi të qartë dhe ta themi: Pa "evropianizim", nuk ka integrim në BE.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Samet Shabani

Samet Shabani është drejtues kryesor i Horizon Civitas - Shoqatë për aktivizëm qytetar dhe nxitje të përgjegjësisë shoqërore. Më herët ai ka punuae si hulumtues për politika të jashtme dhe të sigurisë pranë Analytica Think Tank. Fokusi i tij është i drejtuar mbi temën e ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka disa hulumtime të publikuara dhe punon në sërë projektesh mbi këtë fushë. Sameti ka përfunduar studimet deridiplomike mbi shkencë politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Stambollit, si dhe Shkollë për Politikë Publike nga Këshilli i Europës. Ai aktualisht është kandidat për Mastër mbi menaxhment në Universitetin Ndërkombëtarë Burç (Sarajevë), dhe pjesmarrës në dy programe: Shkolla për Politikë pranë Presidencës së Maqedonisë së Veriut, dhe Menaxhment publik të qëndrueshëm pranë Universitetit Malmö..