fbpx

Pse lufta në Ukrainë ka tendencë të zgjas për shumë vjet?

Alfred Marleku

Politika

02.08.23

Прегледи

Luftërat ndërshtetërore janë ndër kërcënimet kryesore me ndikim transformues në sistemin dhe rendin ndërkombëtar. Kur palë e përfshira ndërluftuese janë shtetet e fuqishme efektet e këtyre lloj luftash multiplikohen duke e rritur paparashikueshmërinë dhe kohëzgjatjen e tyre.

Shkaqet që qojnë në nisjen e këtyre luftërave janë të shumta dhe të ndryshme. Ato mund të burojnë nga një mori faktorësh dhe aktorësh, duke filluar nga mosmarrëveshjet territoriale; gara dhe konkurrenca për mundësi ekonomike e hapësira gjeopolitike; interesat divergjente; përplasjet ideologjike etj.

Lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës është lufta ndërshtetërore më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Tashmë është konstatim i shumë studiuesve se efektet e saj do jenë multidimensionale, të thella dhe transformuese, sidomos për sistemin e sigurisë në Evropë dhe jo vetëm. Janë bërë shtatëmbëdhjetë muaj që nga fillimi i kësaj lufte dhe ende nuk ka shenja për formën, modalitetin dhe përfundimin potencial të saj. Është e kuptueshme se askush nuk mund të parashikoj një gjë të tillë me saktësi. Megjithatë, edhe në këto kushte mund të ofrohet një perspektivë shpjeguese teorike e cila merr në konsideratë dy faktorë: situatën e forcave në teren, të gërshetuar me qëllimet përfundimtare të palëve të përfshira, dhe të dhënat empirike mbi kohëzgjatjen mesatare të luftërave ndërshtetërore në të kaluarën.

Kontesti territorial si faktor i kohëzgjatjes së luftës

Pas shtatëmbëdhjetë muajsh luftime të ashpra duket se asnjëra palë nuk ka mundësi reale që të arrij fitore absolute në fushëbetejë. Kjo lloj fitoreje arrihet atëherë kur shteti fitues është në gjendje që të asgjësoj në mënyrë permanente kërcënimin që mund të paraqitet në të ardhmen nga shteti kundërshtar. Për më tepër, qëllimet e Rusisë—palës që e filloj agresionin—me kalimin e kohës janë transformuar në mënyrë të konsiderueshme.

Në fillim të luftimeve zyrtarët rus deklaronin se synimi i vetëm dhe përfundimtar ishte që, përmes një “operacioni special” dhe të mirëplanifikuar, të arrihej një fitore e shpejtë dhe përfundimtare e cila si synim kishte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Të ballafaquar me rezistencën e ushtrisë dhe popullit ukrainas—të cilët u mbështeten pa rezervë edhe nga vendet perëndimore si në aspektin ushtarak, financiar dhe të inteligjencës—lidershipi rus ndryshoj qasje, duke i modifikuar gjatë rrugës edhe qëllimet e luftës. Si rezultat, nisi të aplikohej taktika e bombardimeve masive, duke goditur pa asnjë kriter e parim edhe objektiva të popullsisë civile.

Kurse, nga tetori i vitit 2022 Rusia filloj zbatimin e politikës së pushtimit territorial dhe aneksimit. Aktualisht Rusia ka arritur që zyrtarisht të aneksoj Krimenë dhe katër rajone tjera të cilat, të marra së bashku, përbëjnë mbi 20% të territorit të përgjithshëm ukrainas të para shpërthimit të krizës në 2014.

Udhëheqja ruse e ka bërë të qartë në disa raste se nuk e ka ndërmend që të dorëzoj atë territor. Në anën tjetër edhe liderët ukrainas vazhdimisht përsërisin se do vazhdojnë të luftojnë derisa të rikthejnë nën kontrollin e Ukrainës të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia. Madje Presidenti Zelensky thekson faktin se këtu nuk bëhet fjalë për rikthimin vetëm të rajoneve të pushtuar së fundmi, por edhe Krimenë e aneksuar me 2014. Në një paraqitje të tij në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ai deklaroj se “Krimea është toka jonë, është territori ynë”.

Burimi: pexels.com

Ndërsa, në një takim me Presidentin e Kinës Zelenski kishte nënvizuar se është e paimagjinueshme që të ketë paqe që bazohet në kompromise territoriale. Të njëjtin qëndrim e kanë edhe qytetarët ukrainas. Në një sondazh të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, në shkurt dhe mars të 2023, konstatohet se 87% e ukrainasve e konsiderojnë të papranueshëm çdo lëshim territorial për të arritur paqen. Studimi konstatoj se janë vetëm 9% të qytetarëve që deklarojnë se do të pranonin lëshime edhe sa i përket aspektit territorial me kusht se kjo do nënkuptonte arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Duke marrë në konsideratë këto rrethana—ku palët ndërluftuese kanë dallime të papajtueshme sa i përket territorit të pushtuar; shpërfaqin qëllime përfundimtare kontradiktore mbi përfundimin e luftës; ka mungesë evidente të vullnetit politik për t’u përfshirë në një proces negociator dhe kanë botëkuptime papërputhshme sa i përket raporteve që Ukraina duhet të ketë në të ardhmen me Perëndimin—gjasat që kjo luftë të zgjasë edhe për shumë vjet janë shumë të mëdha.

Historia sugjeron luftë shumëvjeçare

Për më tepër, përveç qëllimeve territoriale që kanë palët ndërluftuese—element kryesor ky që na bënë të konkludojmë se lufta në Ukrainë ka premisa të zgjasë—për fat të keq edhe gjetjet historike e mbështesin të njëjtin supozim. Bazuar në të dhënat e mbledhura në një periudhë mbi 75 vjeçare nga Universiteti Uppsala—respektivisht nga Departamenti për Kërkime të Paqes dhe Konfliktit—mbi numrin e konflikteve/luftërave, përmasat e tyre, formën e luftimit dhe kohëzgjatjen, konstatohet se 26% e luftërave ndërshtetërore përfundojnë në afat kohor në më pak se tridhjetë ditë.

Kohëzgjatja mesatare e luftërave që përfundojnë brenda tridhjetë ditësh është tetë ditë. Mirëpo, nëse lufta e caktuar i kalon tridhjetë ditë në kohëzgjatje, atëherë, sipas këtyre të dhënave, 25% e tyre përfundojnë brenda një viti. Në të shumtën e rasteve përfundimi i këtyre luftërave ka formën e arritjes së një marrëveshjes të paqes, apo të armëpushimit në mes të palëve. Kurse, nëse luftërat zgjasin më shumë se një muaj, por me kohëzgjatje më pak se njëvjeçare, në 24% të rasteve përfundojnë me armëpushim.

Mirëpo, çfarë është e rëndësishme të theksohet, këto të dhëna tregojnë se nëse luftërat ndërshtetërore zgjasin më shumë se një vit, atëherë ka të ngjarë që kohëzgjatja e tyre të shtrihen në një periudhë kohore deri një dekadëshe.

Duket se këto të dhanë empirike japin një perspektivë të zymtë për luftën në Ukrainë. Po kalon një vit e gjysmë qysh ky konflikt ka filluar dhe ende në horizont nuk shihet asnjë iniciativë serioze për të arritur ndonjë marrëveshje të armëpushimit. Vendet perëndimore—në krye me ShBA-në—kanë premtuar se do mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Mirëpo, ato ende nuk e kanë ndonjë ide të qartë se si dhe kur do të përfundoj lufta. Ka disa iniciativa të zbehta nga shtete si Brazili apo Kina të cilat me raste takojnë lidershipin ukrainas dhe atë rus me qëllim të afrimit të palëve. Megjithatë, pa arritur ndonjë sukses domethënës.

Pala ukrainase vazhdon e këmbëngul se bisedimet mund të fillojnë vetëm kur forcat ruse të largohen nga i gjithë territori i saj, duke përfshirë Krimenë. Sipas tyre garancia më e mirë e paqes është një fitore ushtarake që i detyron trupat ruse të largohen nga Ukraina. Ndërsa pala ruse përgjigjet se Ukraina duhet së pari të pranojë “realitetin e ri”—kontrollin e mbi gati një të pestës së territorit ukrainas—dhe pastaj të ulët në tryezën e bisedimeve.

Është evidente se lufta në Ukrainë është një konflikt mjaft kompleks në të cilin gërshetohen interesa divergjente jo vetëm palëve të përfshira drejtpërdrejtë në luftime. Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë shfaqur qëndrime kontradiktore lidhur me zgjidhjen e konfliktit, duke e bërë vështirë të parashikueshëm një përfundim të shpejtë të luftës. Për më tepër, të dhënat historike sugjerojnë gjithashtu se luftërat që zgjasin për më shumë se një vit, priren të vazhdojnë deri në një dekadë.

Megjithatë, përkundër vullnetit të palëve të përfshira në konflikt dhe konkluzioneve që mund të nxjerrim nga kohëzgjatja e luftërave të ngjashme në të kaluarën, ekzistojnë faktorë rrethanor të paparashikueshëm që mund të ndikojnë përfundimin e luftës në Ukrainë. Duket qartë se Rusia synon një luftë të gjatë. Presidenti Putin mund të shpresoj se një rikthim në Shtëpinë e Bardhë e ish Presidentit Trump në 2025 mund të ndryshoj mbështetjen e ShBA-së për Ukrainën.

Mirëpo, revolta e udhëheqësit të grupit të mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili akuzoj ushtrinë ruse se kishte sulmuar forcat e tij dhe si hakmarrje synonte të kthehej në Moskë për të kërkuar drejtësi, ishte dëshmi se Putin-i nuk dukët më i paprekshëm dhe i gjithëfuqishëm sa i përket kontrollit të rivalëve dhe grupeve politiko-ushtarake edhe brendapërbrenda Rusisë.

Përveç kësaj, besohet se nëse kundërofensiva ukrainase, e nisur para pak muajsh, do jetë e suksesshme sa duhet mund të detyroj Putinin të ulët në tryezën e bisedimeve me qëllim që të gjendët një modalitet për t’i dhënë fund luftës. Kuptohet se të gjitha këto variabla mund të ndikojnë në rrjedhën e luftës në Ukrainë, duke përfshirë edhe kohëzgjatjen e saj.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Alfred Marleku

Alfred Marleku është Doktor i Shkencave Politike dhe Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Komparative në Kolegjin UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike. Ai është autor dhe bashkëautor i shumë punimeve shkencore në fushën e shkencës politike në revistat përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai është bashkëautor i një seri dokumentesh strategjike, kryesisht në fushën e arsimit të lartë. Interesat e tij kërkimore përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet e vogla dhe procesin e ndërtimit të shtetit. Për më shumë se 8 vjet ai ka punuar si menaxher i projekteve në programe të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID, Ambasada e SHBA-së dhe të tjera, kryesisht në reformën e arsimit të lartë në Kosovë, duke u përqëndruar në: kërkimin dhe zhvillimin; ikja e trurit; zhvillimi i kurrikulave mësimore, etj.