Luka Paviçeviq
Në Kuvend ku merren vendime universale, procesi duhet të jetë i hapur, transparent dhe plotësisht demokratik për qytetarin e zakonshëm. Si ta arrijmë këtë?
Asnjë vend nuk mund të mburret me politika të përkryera. Çdo zgjidhje ka të mirat dhe të metat e veta, por duket se demokracitë parlamentare moderne ndonjëherë dinë të devijojnë nga fillimet e tyre, duke harruar postulatin themelor, për të cilin revolucionarët amerikanë luftuan - no taxation without representation - nuk ka taksim pa përfaqësim! Në demokracitë e shekullit 21, çdo qytetar rregullisht paguan tatime dhe shumica e qytetarëve nuk marrin pjesë në asnjë mënyrë në proceset e vendimmarrjes.
Teknikisht, parimi i (vetë) përfaqësimit respektohet në sistemet aktuale: qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në zgjedhje, ndërsa grupet sociale janë të përfaqësuara në mënyrë të përshtatshme, ose në shumicën e rasteve nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm (jemi dëshmitarë të një numri të vogël të deputetë- gra, të rinj, etj.). Diversiteti i deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisht shoqëri gjithëpërfshirëse dhe politika cilësore: për shembull, në Kuvendin e Maqedonisë komuniteti etnik Rom përfaqësohet rregullisht, ndërsa i njëjti vazhdon të jetë më i varfri në vend me një shkallë të jashtëzakonshme papunësie. 49 përqind. Prandaj, parimi i (vetëm) përfaqësimit ka një kuptim më të thellë që nënkupton pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë qytetare si mishërimin suprem të një kuvendi gjithëpërfshirës.
Rasti i Maqedonisë
Vendi ynë ka përfunduar 29 vjet eksperimentim me demokracinë dhe pluralizmin. Rendi kushtetues i Republikës së Maqedonisë së Veriut është konceptuar i udhëhequr nga parimi i ndarjes së pushteteve, por pa respektim të verbër të tij. Sistemi është i përzier: nuk është plotësisht presidencial (p.sh. SHBA), as plotësisht parlamentar (p.sh. Britania e Madhe). Prandaj, e vetmja pjesë e qeverisë që qytetarët zgjedhin drejtpërdrejt është pushteti ligjvënës, përkatësisht Kuvendi.
Megjithëse kjo do të thotë që parlamenti duhet të jetë shtëpia e popullit, dhe si i tillë duhet vlerësuar dhe respektuar nga qytetarët, në vendin tonë nuk është kështu. Sipas hulumtim të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), vetëm 25 përqind e qytetarëve maqedonas i besojnë parlamentit, ndërsa 72 përqind nuk i besojnë. Vetëm gjykatat dhe zyrat e Prokurorit Publik "gëzojnë" besim më të ulët nga qytetarët. Kjo duhet të shqetësojë seriozisht dhomën ligjvënëse të Maqedonisë.
Çfarë është problemi këtu?
Çdo sistem politik bazohet në besimin midis qeverisë dhe qytetarëve, nëse dëshironi, midis qeverisësit dhe të qeverisurit. Mbi të gjitha, as Kushtetuta dhe as ligjet nuk kanë rënë nga qielli, por janë lëndë e marrëveshjes sociale, për mirëmbajtjen e të cilave besimi është thelbësor. Megjithëse besimi i ulët në institucione është pjesë e një fenomeni më të gjerë shoqëror, megjithatë Kuvendi ende zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, karakteristikë që duhet të rrisë besimin e tyre. Si pasojë, qytetarët i japin më shumë liri pushtetit ekzekutiv, i cili nga ana tjetër është më pak i nënshtruar ndaj mbikëqyrjes dhe kontrollit.
Parlamenti maqedonas shpesh shihet si frenë ose pengesë që duhet të kapërcehet me atë që deputetët do të shtypin butonin e gjelbër. Por historia nuk mbaron këtu. Rezulton në politika të këqija, siç ishte rasti me ndryshimet e fundit në ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, të dy ligjet u miratuan me procedurë të shkurtuar. Ata shkelën autonominë e komunave dhe morën kompetencat e parlamentit për t'ia dhënë Qeverisë.
Procedurat në pushtetin ekzekutiv mund të jenë të hapura dhe gjithëpërfshirëse vetëm deri në një farë mase pikërisht për shkak të natyrës së tyre. Por, në Kuvend ku merren vendime universale, procesi duhet të jetë i hapur, transparent dhe plotësisht demokratik për qytetarin e zakonshëm. Si ta arrijmë këtë?
Kuvendi duhet të drejtojë proceset e reformës në tre drejtime kryesore. Së pari, hapja e tij për qytetarët. Së dyti, elementet e rregullores për kontroll më të madh të qeverisë me qëllim, qeverisje të mirë. Më në fund, reformë thelbësore e mënyrës së miratimit të ligjeve.
Hapja
Kuvendi duhet të jetë shtëpia e popullit. Mund të tingëllojë filozofike, por parimi i hapjes është një mënyrë për të përmbushur këtë tezë. Megjithëse KOVID-19 mbylli Parlamentin Evropian për publikun, përpara shpërthimit të pandemisë, qytetarët e Bashkimit Evropian ishin të lirë të vizitonin dhe të merrnin pjesë edhe gjatë seancës plenare. Për krahasim, pak qytetarë e dinë që Kuvendi mund të vizitohet, dhe madje edhe më të rrallë janë ata që e vizitojnë atë. Ky opsion duhet të promovohet në publik në mënyrë që qytetarët të informohen. Nga ana tjetër, pandemia e bën të pamundur këtë, të paktën në të ardhmen e afërt. Parlamenti duhet të digjitalizohet, sepse në këtë moment nëse qytetarët duan të ndjekin Kuvendin duhet të përdorin Internet Explorer, kërkuesin i cili nuk do të ekzistojë më në vitin 2021.
Burimi: makfax.com.mk
Hapja e Kuvendit do të thotë gjithashtu hapje në debate, jo vetëm përmes prezencës. Rregullorja e punës parashikon instrument për diskutim publik mbi ligjet me interes më të gjerë. Ky mjet u jep komisioneve një shans të organizojnë diskutime më të gjera, ndërkaq realiteti duket ndryshe. Debatet publike shpesh mbështeten me ftesë, përkatësisht Kuvendi u dërgon ftesa shoqatave dhe organizatave të qytetarëve për të marrë pjesë në diskutimin publik. Vetë publiku rrallë di për mirëmbajtjen e tyre. Qytetari i zakonshëm ose personi i prekur që nuk është anëtar i organizatës nuk mund të marrë pjesë në këto diskutime "publike". Sigurisht, shoqatat e qytetarëve duhet të përfshihen si ekspertë relevantë, por duhet të ketë mundësi që disa nga pjesëmarrësit të marrin pjesë me iniciativën e tyre. Dhe a janë këto diskutime publike të frytshme?
Procedura legjislative
Funksioni kryesor i Kuvendit është të miratojë ligje si politika gjithëpërfshirëse që prekin të gjithë qytetarët. Procedura legjislative rregullohet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Procedura është gur themeli i parlamentarizmit dhe qen rojtar i demokracisë; procedura është rregullorja në një ndeshje sportive: pa të nuk mund të ketë ndeshje/ garë (politike). Procedura legjislative maqedonase, siç përshkruhet në Rregulloren, është mjaft ambivalente - ka disa anë pozitive, por gjithashtu ka dhe anë negative.
Një propozim - ligj hyn në Kuvendin e Maqedonisë në fazën e leximit të parë në komisionin amë dhe Komisionin Juridik -Ligjvënës, të cilët duhet të përcaktojë nevojën për miratimin e tij dhe pajtueshmërinë e tij ligjore. Pas komisioneve, propozim - ligji shqyrtohet nga Kuvendi në seancë plenare në leximin e parë. Nëse Parlamenti vendos kështu, propozim - ligji kalon në leximin e dytë së pari në komisione, dhe më vonë përsëri para tërë Kuvendit.
Komisionet tani duhet të propozojnë dhe t'i shqyrtojnë (propozim) amendamentet për tekstin e propozim - ligjit. Nëse komisionet pranojnë ndonjë amendament të propozuar, atëherë ata duhet të përgatisin propozim - ligj të ndryshuar që përfshin këto amendamente si pjesë integrale të tekstit. Propozimi i plotësuar kalon në leximin e dytë para gjithë Kuvendit dhe këtu ndodh kufizimi më i madh i të drejtave parlamentare:
"Në leximin e dytë në seance të Kuvendit debatohet vetëm për ato nene të propozim -ligjit që janë ndryshuar me amendamentet e trupave punues dhe vetëm për ato nene mund të paraqiten amendamente" (paragrafi (1), neni 156, Rregullorja e punës)
Në mënyrë efektive, leximi i dytë paraqet kufizim të diskutimit parlamentar vetëm për ato nene për të cilët komisionet kanë vendosur. Kjo krijon një paradoks politiko-juridik. Komisionet parlamentare ekzistojnë për të kufizuar fuqinë e pushtetit ekzekutiv dhe të shqyrtojnë me detaje propozimet e tij. Me Rregulloren tonë, komisionet në të vërtetë kufizojnë fuqinë e pushtetit legjislativ, përkatësisht të vetë Kuvendit. Kjo strukturë rrit fuqinë e pushtetit ekzekutivit - shumica parlamentare ka më shumë anëtarë sesa të gjitha partitë e tjera në komisione, dhe kjo nuk ka pse të jetë rasti në seancë plenare (për shembull, merrni parasysh shumicën aktuale të brishtë).
Ky defekt i rëndësishëm në Rregulloren e punës mund të sanohet duke zbatuar një element të procedurës parlamentare britanike: bëhet fjalë për një version të ashtuquajtur report stage (faza e raportimit). Gjegjësisht, pasi një komision shqyrton draftin e zgjidhjes ligjore, teksti kthehet në seancën plenare, ku të gjithë deputetët kanë të drejtë të paraqesin amendamente mbi të gjithë tekstin e ligjit. Përveç Mbretërisë së Bashkuar, dhe Kanada përdor fazën e raportimit në procedurën e tij. Duke ditur që instrumenti i amendamentit rregullisht keqpërdoret në Kuvendin e Maqedonisë, do të ishte më mirë të zbatohej faza e raportimit në leximin e dytë të ligjit, si më poshtë me modifikime minimale:
Së pari, komisionet nuk vendosin për amendamentet e propozuara, por ato përcaktojnë vetëm nëse propozim amendamentet e deputetëve të tjerë janë adekuat teknikisht dhe mund të propozojnë amendamente të tyre për propozim ligjin. Pas kësaj, Kuvendi hyn në fazën e raportimit të leximit të dytë dhe voton për secilin amendament të propozuar individualisht me debat të kufizuar mbi amendamentet e propozuara. Le të kthehemi gjithashtu në debatet publike: për secilin prej tyre duhet të përgatitet raport me amendamente specifike të propozuara, të cilat Kuvendi do t'i shqyrtojë. Më vonë përsëri në leximin e dytë mund të zhvillohet më shumë debat, por vetëm nëse u referohet neneve tashmë të ndryshuara. Reforma e propozuar do të rrisë të drejtat e secilit deputet, ndërsa komisionet parlamentare do të kenë më shumë kohë të përqendrohen në funksionin e tyre të kontrollit, përkatësisht mbikëqyrje mbi pushtetin ekzekutivit.
Përfundim
Ti përdor fjalët e kryetares së UNP-së "Demokracia është rrugë me dy kahje - dialog i vazhdueshëm midis shoqërisë civile dhe klasës politike." Si një vend me notë kaq të ulët për demokraci, për të cilën klasifikohemi si "regjim hibrid", fillimi i rritjes së pjesëmarrjes qytetare në procesin e vendimmarrjes duhet të bëhet në Kuvend të reformuar.
Masa do të rrisë pjesëmarrjen qytetare duke u dhënë qytetarëve dhe shoqatave qytetare shans për të marrë pjesë në diskutime të frytshme publike dhe do të bëjë të mundur që propozimet që dalin nga diskutimet të marrin vëmendjen e duhur nga Kuvendi në përbërjen e tij të plotë. Kuvendi i reformuar nënkupton pushtet legjislativ të barabartë me ekzekutivin, që do të thotë parlament, deputetët e të cilit gëzojnë autoritet dhe liri më të madhe, komisionet e të cilit ushtrojnë kontroll mbi Qeverinë dhe, më e rëndësishmja, qytetarët e të cilit participojnë në mënyrë aktive në punën e tij.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.