fbpx

Revizionimi i historisë: midis ndryshimit dhe harrimit të së kaluarës

Politika

31.12.20

Прегледи

Ljubica Spaskovska

ljubica spaskovskaKjo deklaratë shpjegon pjesërisht revizionimin e historisë në të gjithë Evropën Lindore, në kuptimin e politikës së kujtesës, (abuzimit) përdorimit të së kaluarës për qëllime politike dhe legjitimitetit, relativizimit të fashizmit, krimeve dhe bashkëpunëtorëve, por gjithashtu shpjegon deri diku edhe deklaratat më të fundit befasuese të Bullgarisë në lidhje me Titon.

Në një intervistë me rastin e botimit të një biografie të re për Josip Broz-Titon: partizani i përjetshëm, profesoresha dhe historianja gjermane Marie-Janine Calic për revistën beogradase Vreme tha: "Revizionimi ka një qëllim tjetër, të bëjë një përballje përfundimtare me socializmin si një ideologji politike dhe rend shoqëror. Kjo përfshin distancimin nga Jugosllavia si një shtet shumëkombësh. Meqenëse Tito ishte një nocion i gjithçkaje që është përgjithësisht jugosllave, ai duhet të zhvlerësohet historikisht dhe moralisht. Kush shkatërron antifashizmin, partizanët dhe vetë Josip Broz Titon, e shkatërron bazën e legjitimitetit të shtetit jugosllav. Kështu, revizionimi fsheh mesazhe thelbësore politike ..."

Kjo deklaratë shpjegon pjesërisht revizionimin e historisë në të gjithë Evropën Lindore, në kuptimin e politikës së kujtesës, (abuzimit) përdorimit të së kaluarës për qëllime politike dhe legjitimitetit, relativizimit të fashizmit, krimeve dhe bashkëpunëtorëve, por gjithashtu shpjegon deri diku edhe deklaratat më të fundit befasuese të Bullgarisë në lidhje me Titon.

Për çështjet bullgare

Siç thekson Rumen Daskalov, debati nëse fashizmi ekzistonte vërtet në Bullgari po nxehet pas rënies së komunizmit dhe si në vendet e tjera të ish-Bllokut Lindor, ai synon revanshizmin, anti-komunizmin dhe rehabilitimin e të djathtës ekstreme. Por kjo nuk do të thotë që përdorimi i nocionit (monarko) fashizëm në historiografinë komuniste është joproblematik. Historiografia perëndimore flet më specifikisht për "lëvizjet fashiste në Bullgari" dhe grupe të caktuara si Lidhja e fashistëve bullgarë, Lëvizja sociale popullore, Legjionarët, Mbrojtja e atdheut bullgar, Hordhia bullgare, Luftëtarët për progresin e Bullgarisë, At Paisiusi. Në këtë kuptim, dallimet ideologjike midis konservatorizmit bullgar të luftës dhe fashizmit nuk janë plotësisht të qarta. David Fraser, i cili shkroi për trajtimin e hebrenjve në Bullgari dhe Belgjikë, në një farë mase zbërtheu mitin e hebrenjve të shpëtuar (deri në fund të muajit qershor 1943, ku 19.339 nga 25.132 hebrenj të Sofjes ishin dëbuar nga qyteti) dhe foli për "native Bulgarian fascists ".

Obsesioni i çuditshëm me Jugosllavinë dhe Titon, nga ana tjetër, pasqyron një qëndrim të paqartë ndaj të kaluarës së tyre komuniste. Dihet mirë se Todor Zhivkov është një instrument i politikës sovjetike dhe duke pasur parasysh se Bashkimi Sovjetik ka pasur dominim total politik, ekonomik dhe kulturor gjatë gjithë sundimit të tij, Bullgaria po bëhet "sinonim i pranimit dhe konformitetit me modelin sovjetik".

Për Evropën Perëndimore, nga ana tjetër, Tito dhe RSFJ identifikohen mbi të gjitha me politikën e neutralitetit, anti-stalinizmin dhe lëvizjen partizane dhe rolin e aleatit në Luftën e Dytë Botërore. Kontrasti midis dy vendeve është i madh - nga prestigji ndërkombëtar që Jugosllavia ka gëzuar që nga vitet 1960 dhe liria e lëvizjes përballë izolimit relativ të Bullgarisë në orbitën sovjetike; pluralizmi kulturor dhe kombëtar i Jugosllavisë dhe sistemi i të drejtave gjuhësore, kombëtare dhe të pakicave në krahasim me shtypjen e pakicave nga regjimi bullgar, veçanërisht ato të besimit islam dhe politikën e Todor Zhivkov të komunizmit kombëtar/nacionalist dhe "edukimit patriotik". Në gjysmën e dytë të viteve 1980, kur kishte një kulm të vërtetë të prodhimit kulturor të zakonshëm dhe alternativ në Jugosllavi, në Bullgari, Partia Komuniste u përpoq të shtypte të gjitha ndikimet muzikore perëndimore, të promovonte muzikën popullore dhe në kongresin e partisë në vitin 1986 foli kundër "denacionalizimit” të mjedisit muzikor.

Atë rrëfim historik e kritikoi poeti bullgar Hristo Radevski në vitin 1968, duke e quajtur atë marksizëm-shovinizëm. Sipas këtij shovinizmi marksist, Radevski shprehet, bullgarët ishin dhe do të jenë kombi më i madh në të gjithë botën - ndoshta vetëm pas rusëve. Ky hibrid i veçantë i socializmit real dhe nacionalizmit popullor arriti kulmin në vitin 1981 kur Bullgaria festoi 1300 vjet të ekzistencës së saj, dhe një nga objektivat e përcaktuar ishte të "paraqiste vendet bullgare si një nga burimet për origjinën dhe zhvillimin e qytetërimit njerëzor". Është e qartë se ky rrëfim historik është akoma i pranishëm dhe i gjallë dhe është e vështirë të shpjegohet se si ka mbijetuar tre dekada pas rënies së regjimit komunist.

Istoriskiot revizionizam pomegu menuvanje i zaboravanje na minatotoBurimi: ini.ukim.mk

Për shembull, brenda Komisionit të historisë, kolegëve bullgarë u tha se shkrim-leximi, kultura dhe trashëgimia sllave e Qirilit dhe Metodiut nuk mund të barazohen vetëm me Bullgarinë sepse atë e ndajnë shumë nga vendet e tjera sllave si Sllovakia, Republika Çeke, Kroacia, por ata qëndrojnë të vendosur në pozicionin e tyre se kjo trashëgimi duhet të shtetëzohet pavarësisht kundërshtimeve dhe interpretimeve të ndryshme historike.

Për çështjet maqedonase

Në Maqedoni kemi një lloj tjetër revizionimi, repsketivisht amnezi shoqërore dhe politike dhe shkatërrim të kujtesës institucionale të së kaluarës sonë socialiste. Këto ditë, aktuale janë lajmet në lidhje me reformën në arsim dhe epërsinë e modelit finlandez të arsimit i cili është i njohur kryesisht për barazinë e tij bashkëkohore, mësuesit e kualifikuar, mësuesit mirë të paguar dhe respektuar, vaktet falas për nxënësit. Në thelbin e modelit finlandez të arsimit është ideja se barazia është jetike për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, dhe prapa faktit që Finlanda ka një nga nivelet më të ulëta të varfërisë së fëmijëve në botë është një shtet i zhvilluar social dhe me sistem të zhvilluar të shëndetit publik.

Ky sistem arsimor, siç theksojnë vetë finlandezët, nuk mund të përsëritet sepse arsimi është thellësisht i varur nga konteksti shoqëror dhe sistemi socio-politik. Që arsimi ynë të arrijë ndonjëherë atë nivel, autoritetet tona duhet së pari të marrin në konsideratë përvojat pozitive të socializmit si një shtet i fuqishëm social, parimin e solidaritetit dhe barazisë, të cilat jo vetëm që janë braktisur, por janë fshirë plotësisht nga sfera e debatit intelektual në qarqet publike dhe akademike. Jugosllavia dhe Finlanda (si Tito ashtu edhe Urho Kekonen) kishin marrëdhënie shumë të ngushta gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk është rastësi që konferencat e para themeluese dhe të dyta të OSBE-së u mbajtën në Helsinki dhe Beograd në vitin 1975 dhe 1976-77.

Finlanda sot ka një koeficient shumë të ulët të pabarazisë prej 0.269 (dhe të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare tregojnë se pabarazia është e dëmshme për rritjen ekonomike afatgjatë) dhe renditet e 11-ta në botë sipas Indeksit për zhvillim njerëzor të Organizatës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (Human Development Index - 0.938), ndërsa Maqedonia është në vendin e 82-të me një indeks prej 0.774. Për krahasim, në vitin 1990 Jugosllavia kishte një indeks prej 0.913 dhe u rendit në grupin e vendeve me një indeks të lartë të zhvillimit njerëzor në vendin e 31-të në botë.

Rënia është e dukshme dhe të gjitha vendet në rajon mund të thuhet se po kalojnë një proces regresi, periferizimi të thellë, margjinalizimi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe deglobalizimi. Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë iu deshën njëzet vjet për të arritur nivelin e PBB-së që ishte në vitin 1989 dhe mund të thuhet se si Maqedonia ashtu edhe vendet në rajon humbën tre dekada zhvillimi. Shoqëritë post-jugosllave janë të shtresuara, të deindustrializuara dhe nuk kanë asnjë kujtesë ose njohuri për rolin e tyre në ekonominë botërore në vitet 1970 dhe 1980, në ndarjen ndërkombëtare të punës ose në iniciativat e Kombeve të Bashkuara përmes Lëvizjes të painkuadruarve për një rend të ri ekonomik që është përsëri aktual dhe shumë afër Agjendës së KB për Zhvillimin të Qëndrueshëm.

Në vitin 2016, Sekretari i Përgjithshëm i KB-së Ban Ki-moon falenderoi publikisht Lëvizjen e të painkuadruarve për kontributin e tyre në këtë dialog. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, prestigji dhe trajtimi i veçantë (përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes Preferenciale në vitin 1980) që Jugosllavia gëzonte në Bashkësinë Ekonomike Evropiane ishte pikërisht për shkak të mosinkuadrimit të saj.

Mosinkuadrimi dhe vetëqeverisja janë dy aspekte të asaj trashëgimie historike që meritojnë gjithnjë e më shumë vëmendje publike dhe akademike. Ekonomisti dhe politikani slloven Jozhe Mencinger ka të drejtë që është aktual dhe flitet shumë për të ashtuquajturën ndërmarrësi sociale ndërsa ne e kishim, por që e shkatërruam.

Në raportet e Bashkimit Evropian për Maqedoninë dhe Slloveninë për ndërmarrësinë sociale megjithatë theksohet lidhja me modelin jugosllav të vetëqeverisjes: "Historia e ndërmarrjes sociale në Republikën e Maqedonisë është e lidhur ngushtë me vetëqeverisjen socialiste nga koha e federatës jugosllave dhe lindjes së formave të ndryshme të bashkëpunimit ekonomik për promovimin e solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë. Nismat e identifikuara gjatë epokës socialiste (kooperativat, hapësirat e mbrojtura të punës dhe organizatat dhe shoqatat shoqërore) mund të shihen si një trashëgimi pozitive që hapi rrugën për lindjen e ndërmarrjeve të sotme sociale."

Vendet pasardhëse të RSFJ-së duket se kanë braktisur dhe harruar të gjitha përvojat pozitive nga periudha jugosllave që duhej të përmirësoheshin dhe avancoheshin, dhe mbajtën dhe "promovuan" ato aspekte që duhet t’i kishim braktisur të parat - rolin qendror të Partisë/partive, megjithëse në RSFJ numri i anëtarëve të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nuk i kishte kaluar kurrë 2.1 milion (më pak se 10 përqind e popullsisë) dhe paradoksalisht shumë nga shtetet pasardhëse sot janë thellësisht partizane.

Historia gjithmonë i nënshtrohet një shkalle të caktuar revizionimi dhe është e pashmangshme të rishikohen dhe azhurnohen rrëfimet historike të trashëguara, veçanërisht kur burimet e reja bëhen të disponueshme. Por, fshirja dhe ndryshimi i fakteve historike shpesh përdoret për qëllime politike dhe për të ndërtuar një rrëfim të ri dominues që është edhe i njësuar, por edhe jokritik. Derisa ka një tendencë në shoqërinë bullgare për të fshirë ose rishikuar periudhën e aleancës me Gjermaninë naziste, për të shtetëzuar trashëgiminë kulturore sllave dhe për të projektuar stalinizmin e brendshëm ndaj fqinjit, Maqedonia ka një lloj amnezie shoqërore në lidhje me aspektet e të kaluarës jugosllave siç është mosinkuadrimi, solidariteti, shteti social dhe vetëqeverisja, të cilat edhe sot mund të jenë vektorë që na lidhin me Evropën dhe botën.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.