fbpx

Vuajtjet e Ukrainës rrugës për në BE, Bashkimi Evropian në panik

Mirçe Adamçevski

Politika

13.12.23

Прегледи

Ukraina me fqinjët çfarë i ka, me një luftë që po zhvillohet në territorin e saj, do të ketë ende shumë vështirësi për të arritur objektivin e saj dhjetëvjeçar. Madje do të ketë edhe shumë pengesa të tjera. Me Rusinë duke i marrë frymë në qafë, me BE-në që nuk di se çfarë të bëjë me veten, ajo mbetet këmbëngulëse, se si të zbatojë deri më tani kërkesat evropiane.

Më 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel do të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian ku do të duhet të merren vendime të ndryshme për të ardhmen e Bashkimit Evropian në drejtim të zgjerimit të tij. Do të duhet të merren vendime për fillimin e negociatave me vendet kandidate që kanë përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian. “Ylli” i samitit do të jetë Ukraina.

Jo vetëm për shkak të luftës në territorin e saj, por edhe për faktin se ajo arriti të bëhet kandidate për anëtarësim në vetëm dy vjet. Dhe nëse ajo është me fat, ajo mund të fillojë zyrtarisht negociatat në mars të vitit të ardhshëm. Por punët po ecin me shumë vështirësi.

Liderët e BE-së në panik

Kohët e fundit, në Ukrainë u shënuan 10 vjet të të ashtuquajturit Revolucioni i Dinjitetit. Atëkohë, më në fund, u hodhën themelet e zgjedhjeve në Ukrainë. Ajo ishte Evropa. Euforia pas Revolucionit pati pasoja.

Operacionet ushtarake filluan në lindje të vendit, kurse gadishulli i Krimesë ishte pushtuar nga Rusia. Sot në Ukrainë po zhvillohet një luftë e madhe. Kurse Ukraina po pret që të hapet dera për fillimin e negociatave me BE-në për anëtarësimin e saj.

Në Ukrainë, ekspertët ndajnë plotësisht mendimin se vendi më në fund është bërë "i veti" për Bashkimin Evropian, duke kapërcyer "barrierën psikologjike" në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Disa ekspertë theksojnë se institucionet e Brukselit tashmë e kuptojnë më mirë Ukrainën, në krahasim me shumë shtete anëtare, aq sa në disa kryeqytete besojnë se Komisioni Evropian është i angazhuar në favor të Ukrainës.

Kur u pyetën se si Ukraina ndikon në Bashkimin Evropian, ekspertët pranuan njëzëri se për sa i përket miratimit të normave, Bashkimi Evropian mbetet një burim dhe autoritet për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, ata identifikuan një sërë fushash ku Ukraina kishte ose ka një ndikim indirekt, por domethënës në Bashkimin Evropian.

Falë Ukrainës, pas pushtimit të madh të Rusisë, Bashkimi Evropian zgjeroi "kufijtë e tij të imagjinuar të së mundshmes". Në një nivel më konkret, disa ekspertë vërejnë se Ukraina nuk është më një marrëse, por një kontribuese në idetë dhe vendimet në lidhje me të ardhmen e BE-së - për shembull, në lidhje me bashkimin e mbrojtjes dhe autonominë strategjike. Madje, ata kanë rekomandime për Bashkimin Evropian në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm. Para së gjithash, të mos përsëriten gabimet nga fazat e mëparshme të (mos)zgjerimit.

Më 8 shtator të këtij viti, Ursula von der Leyen i rekomandoi Komisionit Evropian që të nisë negociatat me Ukrainën. Ukrainasve iu vendosën katër kushte që duhet të plotësohen deri më 15 dhjetor në mënyrë që Komisioni të miratojë rekomandimin për fillimin e negociatave. Von der Leyen, në fjalën e saj tha se “Ukraina i ka përmbushur kushtet me 90 për qind, pasi mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj ajo rekomandoi fillimin e negociatave.

E pyetur se sa do të zgjasin negociatat, presidentja e Komisionit Evropian tha se kjo do të varet nga “shpejtësia e reformave”.

Në lidhje me shpejtësinë e zbatimit të reformave, nënkryetarja e qeverisë përgjegjëse për integrimet evropiane dhe euroatlantike, Olga Stefanishina është shprehur shumë optimiste. Ajo tha në Kiev se puna mund të përfundojë në dy vjet nga fillimi i negociatave.

Cilat janë kushtet që i janë vendosur Ukrainës?

Së pari, të rritet numri i detektivëve të punësuar në Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit. Duhet të ketë 1000 persona dhe tani janë rreth 700. Së dyti, Agjencisë Kombëtare të Parandalimit të Korrupsionit t'i kthehet e drejta për të kontrolluar pasuritë që tashmë janë kontrolluar, si dhe për të kontrolluar pasurinë e fituar nga ata që duhet ta deklarojnë atë, deri në momentin e hyrjes në shërbimin civil. Këto të drejta të Agjencisë janë hequr nga parlamenti në të kaluarën. Ukraina, pra, parlamenti do të duhet të miratojë një ligj për lobimin "në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian".

Së treti, ndryshimet në ligj për t'i dhënë pavarësinë Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit.

Sfida më e madhe për ukrainasit është Ligji për pakicat kombëtare. Komisioni Evropian rekomandoi që të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias për ligjin tashmë të miratuar, por që nuk kënaq disa bashkësi etnike, për shembull hungarezët, kurse rusët thjesht janë fshirë si pakicë, rrjedhimisht edhe nga të drejtat minoritare. Atyre u parashikohej diçka, disa të drejta, pas pesë vjetësh pas përfundimit të luftës. Përndryshe, Stefanishina ka deklaruar se "nuk ka rusë në Ukrainë, dhe popullsia rusisht-folëse është ukrainase".

Autoritetet e morën seriozisht punën e tyre, sepse duan të fillojnë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu në konsultim me përfaqësues nga Bashkimi Evropian, një javë para ditës “D”, për të dhënë mbështetje për nisjen e negociatave, u ndryshuan ligjet në parlament, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Burimi: pixabay.com

Dhe ato u nënshkruan menjëherë nga Presidenti Vladimir Zelenski. Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit do ti shtohen edhe 300 persona. Agjencia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit do të jetë në gjendje të inspektojë pasuritë, kurse Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit bëhet ligjërisht e pavarur. Sigurisht që u miratua edhe ligji për minoritetet, gjë që u vu në dukje nga Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Evropës.

Pikërisht në këtë të fundit ngrihet një zhurmë e madhe. Rusët dhe gjuha ruse janë fshirë përgjithmonë nga ligji. Ka deklarime se kjo është bërë me pëlqimin e heshtur të zyrtarëve nga Evropa. Kjo është e vërtetë ndoshta. Kanali Euronews raportoi, duke cituar një zyrtar të lartë anonim nga Bashkimi Evropian, se situatës me gjuhën ruse nuk do t'i kushtohet vëmendje para hapjes së negociatave. Ndërsa Komisioni i Venecias kishte rezerva për ndalimin pesëvjeçar të çdo gjëje ruse, përsa i përket pakicave.

Telashet e fqinjësisë

Megjithatë, zhurma kryesore vjen nga fqinjët, konkretisht nga Hungaria. Vitet e kaluara, polakët, hungarezët, sllovakët, rumunët, madje edhe bullgarët i kanë dhënë Ukrainës disa telashe në rrugën drejt BE-së. Dhe jo vetëm në aspektin e mbrojtjes së pakicave. Por edhe në aspektin e historisë së “përbashkët”, e së fundmi edhe të ekonomisë. Bllokadat tregtare po i shkaktojnë dëme të mëdha Ukrainës, e cila tashmë po mbush pothuajse 70 për qind të buxhetit të saj me para të huaja - donacione ose kredi dhe hua.

Aktori kryesor që shkakton panik në Bashkimin Evropian për momentin është i ashtuquajturi "Kali i Trojës" i Rusisë në Bashkimin Evropian, Hungari. Viktor Orban, kryeministri i saj, sillet si një zot i vogël. Ai takohet me Vladimir Putinin, vë veton ndaj disa sanksioneve kundër Rusisë, nuk i intereson gjë tjetër veçse interesi i vendit të tij. Hungarezët kanë vite që shqetësohen për pakicën e tyre në Ukrainë.

Hungaria është e shqetësuar edhe për mobilizimin e hungarezëve në ushtrinë ukrainase. Epo, ka reagime të shpeshta në atë plan, se numri edhe ashtu i vogël i hungarezëve, po vdesin në luftë. Sipas disa shifrave, sot në Ukrainë jetojnë mbi 100,000 hungarezë.

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme Peter Szijjártó deklaroi në nëntor se liria e fjalës dhe e medias nuk respektohet në Ukrainë, nuk ka zgjedhje dhe nuk respektohen të drejtat e pakicave. Prandaj, është e parakohshme të flasim për pranimin e Ukrainës në BE. “Mënyra në të cilën Ukraina shkel të drejtat më themelore të BE-së në lidhje me të drejtat e pakicave kombëtare është veçanërisht skandaloze.

Dhe meqenëse, sipas vlerësimit të BE-së, Ukraina nuk i ka përmbushur kushtet për anëtarësim, ne nuk konsiderojmë se ndonjë përparim i mëtejshëm në çështjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën është në kohën e duhur. Ukraina është në gjendje lufte, kështu që ne mund të shohim se atje nuk respektohet as liria e fjalës, as liria e shprehjes dhe as zgjedhjet nuk mbahen”.

Le të kthehemi te Orban. Vegla kryesore e tij është interesi i Hungarisë. Që këtej rrjedh pikëpamja se Ukraina nuk është e gatshme për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Se Ukraina është vendi më i korruptuar. Se puna me Ukrainën është serioze dhe shkakton panik në Bashkimin Evropian, vërtetohet nga korrespondenca e presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel me Orbanin, dy letra në dhjetë ditë dhe kthimi i parakohshëm i Mishelit nga Kina. Më pas ftesa urgjente e presidentit francez Emmanuel Macron për Orban, për një darkë për dy në Paris.

Një arsye tjetër për kundërshtimin e fillimit të negociatave, sipas Orbanit, buron nga interesat e Hungarisë. Anëtarësimi i Ukrainës do të thotë pagesë shtesë në buxhetin e përbashkët. Gjithashtu, Ukraina është një vend i madh me një sektor të madh bujqësor. Hyrja e saj në Bashkim do të shkatërrojë sistemin aktual bujqësor-ekonomik evropian. Kjo duhet të ndryshojë. Orban beson se negociatat nuk duhen nisur – që të mos përsëritet gabimi me Turqinë. Prandaj propozimi i tij për të lidhur një marrëveshje me Ukrainën për një partneritet strategjik, duke përfshirë marrëveshje për çështje të ndryshme, bujqësi, dogana, siguri... Dhe pas disa vitesh, për të pranuar Ukrainën në BE.

Por nuk është vetëm Orban që është kundër fillimit të negociatave me Ukrainën. Mediat gjermane kanë qenë skeptike që kur von der Leyen u bëri rekomandimin për negociata ambasadorëve në Bruksel. Rekomandimi i Komisionit Evropian “i jep vendit shpresa të mëdha, të cilat ndoshta nuk do të realizohen”, shkruan komentuesi i Die Welt, Stefan Beutelsbacher.

Dëshira e Komisionit Evropian për t'u dhënë perspektivë qytetarëve ukrainas është "korrekte dhe e rëndësishme", vëren ai. "Por ndoshta nuk duhet të kërkojmë anëtarësimin e plotë menjëherë." a mënyra të tjera të afrimit dhe ndihmës reciproke midis Brukselit dhe Kievit. Për shembull, një bashkim doganor ose akses i pjesshëm në tregun e vetëm, me përjashtim të bujqësisë tani për tani”, përmbledh Beutelsbacher. “Ky është një premtim shumë i madh”, thotë komentatori i TV  ARD, Holger Beckmann.

Ai është i shqetësuar për korrupsionin, si dhe për faktin se askush nuk e di se si do të duket Ukraina gjeografikisht pas përfundimit të luftës, as sa do të kushtojë rindërtimi i saj. Një problem tjetër është sektori bujqësor i vendit: "Duke u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, Ukraina praktikisht do të thithë të gjitha subvencionet bujqësore nga Brukseli, duke mos lënë pothuajse asgjë për 27 vendet e tjera," vëren Beckmann. Gazeta Frankfurter Rundschau e konsideron plotësisht të logjikshëm vendimin e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. "Megjithatë, do të ishte më e sinqertë nëse ajo do të fliste edhe për kohëndhe afatet."

Këndvështrime të ndryshme

Gazetari i radios daneze, Ole Riborg, konsideron se mosgatishmëria e Orban për të pranuar Ukrainën në Bashkimin Evropian mund t'i sjellë fitoren Putinit. Sipas Riborg, Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në mes të dhjetorit duhet të marrë vendime historike dhe me ndikim të gjerë që do të lidhin Bashkimin dhe Ukrainën më afër se kurrë më parë.

Nëse kryeministrja daneze Mette Frederiksen, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe liderë të tjerë të Bashkimit Evropian marrin hapin zyrtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën, ndërsa premtojnë mbështetje shumë miliarda dollarësh për vendin gjatë disa viteve, kjo do të jetë një ngjarje historike dhe në të njëjtën kohë një pengesë serioze për presidentin Putin dhe autoritetet e Kremlinit.

Riborg shkruan: “Megjithatë, planet për një samit të madh të Ukrainës në dhjetor janë përballur me pengesa serioze. Dhe në vend të mbështetjes së paprecedentë evropiane, samiti mund të bëhet një dhuratë e madhe e Krishtlindjeve për Presidentin Putin dhe Kremlinin nga e gjithë Evropa. Jo sepse dikush nga liderët e BE-së e dëshiron këtë. Por sepse një grup liderësh politikë po rritet në qarqet evropiane, të cilët nuk besojnë se Ukraina është e aftë të fitojë një fitore ushtarake dhe për të cilët agjenda e tyre politike është më e rëndësishme se mbështetja e Kievit.

Por Orbán nuk është i vetëm në dyshimet e tij. E shprehin edhe vende të tjera, ndonëse pak më ndryshe. Për shembull, Austria i lidhi negociatat e anëtarësimit të Ukrainës me negociatat me Bosnjën dhe Hercegovinën. Sllovakia shprehu pakënaqësinë e saj, e cila e lidh çështjen e Ukrainës dhe Moldavisë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Polonia është e shqetësuar për pasojat e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Dhe në përgjithësi, shumë vende të BE-së konsiderojnë se vendimi për fillimin e negociatave me Ukrainën për anëtarësim është disi i parakohshëm. Gjithashtu, shtetet nuk duan të rrisin buxhetin e përbashkët të BE-së në 100 miliardë dollarë. Në Gjermani, Gjykata Kushtetuese ngriti dorën për kosto shtesë prej 60 miliardë eurosh.

Pas kësaj lind pyetja se cila do të jetë zgjidhja në samitin e Brukselit. Ka njoftime se vendimi për Ukrainën mund të shtyhet deri në muajin mars. Zvarritja e vendimeve nuk është e panjohur për KE-në. Dhe kështu një raport i ri i Komisionit mbi përparimin e Ukrainës në rrugën e anëtarësimit është planifikuar për në mars. Deri atëherë, liderët le të bien dakord për çështjet e shumta të diskutueshme. Për negociatat, paratë dhe sigurinë.

Ukraina me fqinjët çfarë i ka, me një luftë që po zhvillohet në territorin e saj, do të ketë ende shumë vështirësi për të arritur objektivin e saj dhjetëvjeçar. Madje do të ketë edhe shumë pengesa të tjera. Me Rusinë duke i marrë frymë në qafë, me BE-në që nuk di se çfarë të bëjë me veten, ajo mbetet këmbëngulëse, se si të zbatojë deri më tani kërkesat evropiane.

Nëse asgjë tjetër, të paktën në kohë lufte të vendosë norma evropiane në vend, i cili nesër kur të hyjë në Bashkimin Evropian, mund t'u thotë partnerëve se është absolutisht i gatshëm për anëtarësim të barabartë. Sigurisht, më së shumti me unitet të brendshëm, të cilin fatkeqësisht e shohim të plasaritur dhe mund të ketë pasoja shkatërruese.

Dhe kjo do të ishte më e keqja për të gjithë mbështetësit e saj, individë nga Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian, dhe për kënaqësinë e kundërshtarëve të rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Mirçe Adamçevski

Mirçe Adamçevski është gazetar dhe profesionist mediatik i vjetër. Ka diplomuar në Fakultetin Teknologjik në Shkup. Pjesën më të madhe të jetës së tij të punës (1979-2004) e kaloi në "Nova Makedonija" si gazetar, redaktor, korrespondent nga Moska (në periudhën 1993-1999) si dhe kryeredaktor (nga viti 2002 deri në 2004). Është autor i botimit “Bashkëpunimi maqedono-rus” (janar 2003). Një nga themeluesit dhe kryeredaktori i parë i revistës për ndërtim, arkitekturë, ekologji dhe investime "Porta 3". Nga viti 2006 deri në vitin 2008 ishte kryetar i Këshillit për radiodifuzion të Republikës së Maqedonisë. Ai është anëtar i Komisionit për Ankesa në Këshillin e Etikës në Media të Maqedonisë.