Agjenda e zgjerimit të BE-së: Rikthim në rrugën e duhur, apo reprizë e asaj që kemi parë tashmë?

Erwan Fouéré

Politika

02.12.22

Прегледи

Kanceri i korrupsionit është ende endemik dhe qeveria aktuale po bie gjithnjë e më shumë në zakonet dhe shprehitë e këqija të regjimit të mëparshëm të Nikolla Gruevskit.

Teksa i afrohemi fundit të këtij viti të trazuar në të cilin rendi ndërkombëtar u shkatërrua brutalisht nga pushtimi brutal i Ukrainës nga Presidenti Putin, rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të shikojë mbrapa me kënaqësi, në mënyrë të moderuar por të hidhur që agjenda e zgjerimit më në fund është kthyer në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Këtë vit kemi qenë dëshmitarë të një numri më të madh të takimeve me liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vitet e kaluara, kurse numri i liderëve të BE-së që vizitojnë rajonin shënon rritje.

Negociatat e anëtarësimit vazhduan me Malin e Zi dhe Serbinë, ndonëse me ritëm kërmilli, ndërkohë që sapo kanë filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

A shënon ky dinamizim aktivitetesh një ndryshim cilësor në angazhimin e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, apo është më shumë një qasje e diktuar nga ndikimi që ka shkaktuar lufta e Rusisë?

Nuk ka dyshim se agresioni rus ka minuar të gjithë arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian dhe më gjerë. Kjo e ka bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe më të brishtë dhe të prekshëm ndaj dezinformatave të shtuara ruse dhe aktiviteteve të tjera keqdashëse. Refuzimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë për t’u bashkuar me BE-në në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë ka treguar kufijtë e ndikimit të BE-së që ka në fqinjësinë e saj të afërt. Serbia madje arriti edhe të zgjasë vlefshmërinë e marrëveshjes së furnizimit me gaz nga Rusia.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që siguria dhe energjia kanë qenë në qendër të diskutimeve të fundit midis BE-së dhe rajonit, në mënyrë që të inkurajohet diversifikimi i energjisë dhe reduktimi i varësisë nga Rusia dhe Kina.

Në të njëjtën kohë, mbetet një çështje e hapur nëse BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë vërtet të përkushtuara për zgjerimin dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në një mënyrë që do të respektojë plotësisht kriteret e anëtarësimit dhe pa asnjë parakusht që mund të imponohet nga ndonjë vend anëtar individual.

Fatkeqësisht, rasti i Maqedonisë së Veriut nuk jep një shembull të mirë në këtë kuptim.

Marrëdhëniet e ngatërruara mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Nëse ka një çështje për të cilën nuk mund të fajësohet qeveria maqedonase, ajo është këmbëngulja në vendosmërinë e saj për të arritur qëllimin e anëtarësimit në BE, pavarësisht pengesave të vazhdueshme që i qëndrojnë në rrugën e saj. Nëse kjo këmbëngulje është e mjaftueshme për të siguruar sukses në fund të atij rrugëtimi, mbetet për t’u parë. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të pyesë veten nëse për këtë pajtohen edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut? Hulumtimet e fundit të opinionit kanë treguar një rënie të mbështetjes për BE-në dhe një refuzim të fortë të kushteve të vendosura ndaj Maqedonisë së Veriut përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Konferenca e parë ndërqeveritare për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut u mbajt më 19 korrik, më shumë se trembëdhjetë vjet pasi Komisioni Evropian rekomandoi për herë të parë një datë për fillimin e negociatave.

Shumë gjëra kanë ndodhur në trembëdhjetë vitet e fundit – trazira politike dhe reforma të paqëndrueshme në vend. Ndërkohë, disa nga vendet anëtare e kanë kapur/robëruar procesin e zgjerimit në drejtim të ndjekjes së agjendave të tyre të brendshme, ndërsa BE-ja ka dështuar vazhdimisht në përmbushjen e premtimeve të saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, dhe Maqedoninë e Veriut në veçanti.

BE-ja ka prirur ta shikojë rajonin përmes prizmit të ngushtë të stabilitetit dhe menaxhimit të kufijve në mënyrë që të mund të kontrollojë valët e vazhdueshme të emigrantëve, e jo përmes kontekstit më të gjerë të sigurimit të reformave autentike dhe arritjes së qëllimit për anëtarësim në BE. BE-ja gjithashtu mbyll një sy ndaj prirjeve autokratike të disa prej liderëve në rajon dhe vazhdon ta bëjë këtë. Paqartësia e qëndrimit të BE-së ndaj rajonit i inkurajoi edhe më shumë ata që mendonin se BE-ja nuk është serioze në angazhimin e saj ndaj rajonit.

E gjithë kjo kontribuoi në ngecjen e mëtejshme të procesit të reformës, për të mos përmendur eksodin masiv të të rinjve që e kërkojnë lumturinë e tyre në një vend tjetër.

Ka shumë pak prova që sugjerojnë ndonjë ndryshim rrënjësor sa i përket këtij vlerësimi.

Përdorimi i tepruar i vetos dhe i ashtuquajturi Propozim francez i vitit 2022

Paqartësia dhe hipokrizia e vërtetë arriti kulmin me veton e Francës në vitin 2019 kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se vendit iu desh të gëlltiste një pilulë të hidhur duke rënë dakord të ndryshonte emrin e tij kushtetues sipas Marrëveshjes së Prespës që kishte negociuar me Greqinë vitin e kaluar. Kjo hapi derën për veton bullgare që pasoi. Bullgaria refuzoi të lejonte hapjen e negociatave të pranimit derisa qeveria maqedonase të përmbushte disa kushte që lidhen me historinë dhe identitetin.

agendata za prosiruvanje na eu vrakanje na vistinskiot pat ili repriza na veke videnoto featuredBurimi: freepik.com

I ashtuquajturi propozim francez që presidenti Macron paraqiti në fund të presidencës franceze të Këshillit Evropian në qershor të këtij viti u prezantua si një zgjidhje kompromisi.

Meqenëse ky propozim pranoi pothuajse të gjitha kërkesat bullgare, nuk ishte për t’u habitur që qeveria bullgare e pranoi propozimin dhe hoqi dorë nga vetoja.

Për Maqedoninë e Veriut, ishte një goditje tjetër për kombin e saj dhe shkaktoi dhimbje të thellë te qytetarët maqedonas, të cilët e panë atë si një tradhti të premtimeve të Bashkimit Evropian. Shumë e panë atë si një “mollë helmuese” që do të thellonte mosbesimin midis fqinjëve në një rajon ku e kaluara dhe historia është gjithmonë e pranishme. Kërkesa për ndryshimin e kushtetutës maqedonase në mënyrë që të njihet ekzistenca e një komuniteti bullgar në vend ishte një kërkesë veçanërisht skandaloze, sepse nuk kishte asnjë reciprocitet sipas të cilit Bullgaria do të njihte nga ana tjetër ekzistencën e një komuniteti maqedonas në Bullgari, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur në aktvendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Propozimi francez, i cili tashmë është bërë politikë zyrtare e BE-së, krijoi një precedent të rrezikshëm që do të rikthehet të ndjekë BE-në në agjendën e saj të zgjerimit. Kjo tregoi edhe një herë mungesën e BE-së për të kuptuar peshën e madhe që ka historia në rajon dhe ndjeshmërinë në lidhje me çështjet e pakicave, përfshirë edhe ato që janë objekt i aktvendimeve të marra nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Çështjet e pakicave si „armë“

Për të qenë fyerja edhe më e madhe, qeveria bullgare vazhdoi, gjatë këtij viti, të mbështesë hapjen e të ashtuquajturave klube kulturore në Maqedoninë e Veriut, të emërtuara sipas figurave kontroverse të Luftës së Dytë Botërore që kanë mbështetur regjimin nazist.

Ky përdorim i çështjeve të pakicave si “armë” nga qeveria bullgare, si dhe imponimi i versionit të saj të historisë, është krejtësisht në kundërshtim me sjelljen që pritet nga një vend anëtar i BE-së dhe është diçka që i shkakton dëme të mëdha kredibilitetit të BE-së. Kjo injoron vetë thelbin e projektit evropian, i cili duhet të jetë një projekt pajtimi.

Heshtja e BE-së për këto çështje është shurdhuese. Në vend që të krijonte kushte për pajtim në rajon, BE-ja padashur hapi dyert e konfrontimit, veçanërisht mes fqinjëve. Kjo krijon një precedent të keq për numrin e madh të mosmarrëveshjeve të tjera dypalëshe ende të pazgjidhura në rajon.

Për të kompensuar ndikimin negativ të këtyre zhvillimeve, BE-ja duhet të ofrojë mbështetje të shtuar financiare për projekte që synojnë afrimin e të dy komuniteteve, ngjashëm me atë që bëri BE-ja kur ish-presidenti Jacques Delors themeloi Fondin e Paqes të BE-së për të mbështetur marrëveshjen e të Premtës së Madhe në Irlandën e Veriut që nga viti 1998. Ai duhet të propozojë iniciativa të rëndësishme që janë për të mirën e shoqërisë në tërësi, si në fushat e arsimit të integruar në shoqëritë multietnike dhe programet e pajtimit, duke përfshirë edhe mësimin e historisë. Mos adresimi i këtyre çështjeve vetëm do të dëmtojë të gjithë procesin në planin afatgjatë.

BE-ja duhet të ndryshojë rrënjësisht qasjen e saj dhe ta bëjë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor më politik, më dinamik dhe më pak burokratik. Në fund të fundit, ky ishte një nga qëllimet e metodologjisë së rishikuar të negociatave të anëtarësimit të miratuar nga BE në vitin 2020. BE-ja duhet të përshpejtojë procesin në mënyrë që të negociojë me të gjithë rajonin sa më shpejt të jetë e mundur, me përfitimet e anëtarësimit që do t’u prezantohen vetë qytetarëve në vijë të drejtë me përparimin e negociatave dhe zbatimin e reformave, në vend që të presë përfundimin e negociatave.

Ndërkohë, qeveria maqedonase duhet të tregojë përkushtimin e saj real ndaj reformave, jo vetëm formalisht por edhe në jetën reale, si pjesë e ndryshimeve shoqërore. Kanceri i korrupsionit është ende endemik dhe qeveria aktuale po bie gjithnjë e më shumë në zakonet dhe shprehitë e këqija të regjimit të mëparshëm të Nikolla Gruevskit. “Bllokimi” i vazhdueshëm në Parlament mes subjekteve të hershme politike nuk është reflektim i një agjende që përfshin konsensusin, i cili është kusht i domosdoshëm për sukses në arritjen e synimeve të politikës së jashtme të vendit.

Nëse qeveria dëshiron të ketë sukses në përpjekjet e saj dhe të tregojë të njëjtën këmbëngulje si deri tani, do t’i duhet të bashkojë të gjithë shoqërinë dhe organizatat e shoqërisë civile, duke pasur kështu një rol shumë më të madh se sa ka qenë deri më tani gjatë gjithë këtij procesi.

 

Blogu është pjesë e serisë së teksteve “Pengesat e fqinjësisë në rrugën drejt BE-së” të Res Publika dhe Samo Prashaj për në marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, pas bllokadës të integrimit evropian të Maqedonisë nga ana e Sofjes zyrtare.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Erwan Fouéré

Ambasadori Erwan Fouéré është bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane (CEPS). Përpara se t'i bashkohej CEPS-it në vitin 2013, ai ishte Përfaqësues Special për procesin e zgjidhjes së Transnistrisë gjatë Kryesimit irlandez të OSBE-së në vitin 2012. Gjatë karrierës së tij 38-vjeçare në institucionet evropiane, ai ishte i pari që mori përgjegjësitë e përbashkëta të Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Shefit të Delegacionit në Shërbimin e Jashtëm të BE-së kur u emërua në këto poste me cilësi të dyfishtë në Maqedoninë e Veriut (2005-2011), Shef kryesor i Delegacionit në Afrikën e Jugut (1994-1998) dhe Shef kryesor i Delegacionit në Meksikë dhe Kubë (1989-1992). Atij iu dha Urdhri i Shpresës së Mirë, Oficer i Madh, nga Presidenti Nelson Mandela në vitin 1998.