fbpx

Investimet kineze në Ballkan ndërmjet fitimeve dhe dispozitave ligjore

Sonja Stojadinoviq

Politika

13.05.24

Прегледи

Përderisa interesi i komuniteteve lokale dhe qytetarëve vendas është në vendin e fundit, të gjitha vendet që marrin investime të huaja pa respektuar ligjet e tyre, vijnë në atë nivel ku krijohet një përplasje mes banorëve nga njëra anë dhe shtetit së bashku me profiterët nga ana tjeter.

Edhe pse investimet kineze në Ballkan që nga fillimi i Iniciativës Brez dhe Rrugë në vitin 2014 kanë sjellë ndryshime dhe progres, ato nuk kanë qenë pa probleme ligjore, mjedisore dhe probleme të tjera legjislative. Pavarësisht nga vendet ku ishte prezente qeveria kineze me investimet e saj, ato nuk kaluan pa procese gjyqësore për shkelje të të drejtave të punës, ndotje enorme të mjedisit, marrëveshje të dyshimta të drejtpërdrejta dypalëshe midis qeverive të Ballkanit dhe kompanive kineze, miratimin e ligjeve lex specialis përmes së cilëve u japin përfitime të mëdha kompanive kineze.

Organizata joqeveritare Just Finance International kreu hulumtimе që synonin të hartonin çështjet gjyqësore në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë kundër kompanive kineze dhe institucioneve shtetërore që lejuan kompanitë kineze të operonin jashtë ligjeve të përcaktuara. Ky hulumtim mblodhi mbi 130 padi kundër kompanive kineze Linglong, Zijin, HBIS në Serbi, Sinohydro në Maqedoni dhe Mal të Zi, CRBC (China Road and Bridge Corporation) në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, Bankers Petroleum Ltd në Shqipëri.

Të gjitha paditë fokusohen në ndotjen dhe shkeljet e ligjeve vendore nga kompanitë kineze në vendet ku ato operojnë. Paditë e ngritura kundër kompanive kineze dhe institucioneve shtetërore për fat të keq vijnë kryesisht nga organizata joqeveritare lokale dhe qytetarë të cilët preken drejtpërdrejt nga operacionet dhe punimet e kompanive kineze.

Serbia është nikoqirja më e madhe e investimeve kineze

Në Serbi janë 11 lokacione ku ka kompani kineze kundër të cilave janë ngritur padi për shkelje të ligjeve të ndryshme vendore dhe llojeve të ndotjes. Më së shumti padi të parashtruara ka kundër kompanisë HBIS në Smederevë, e cila është pronare e Hekurores në Smederevë dhe e cila vazhdimisht ndot ajrin dhe ujin në fshatrat përreth dhe qytetin e Smederevës. Ndotja ka një ndikim të fortë në shëndetin e banorëve dhe po ashtu edhe në prodhimet bujqësore të fshatrave përreth. Kompania HBIS është paditur nga banorët vendas dhe organizatat joqeveritare për ndotje, shkelje të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, mungesë transparence në rastet e aksidenteve/havarive.

Në të njëjtën listë me një numër të madh padish është edhe kompania minerare Zijin, e cila në vitin 2018 bleu minierën e bakrit në Bor, në Serbinë lindore, si dhe minierat në qytetin e afërt Majdanpek. Pothuajse i gjithë pellgu minerar i Borit në Serbinë lindore është në pronësi të Zijin mining. Edhe pse kjo kompani konsiderohet si punëdhënësi më i rëndësishëm dhe më i madh në qytetin e Borit dhe rrethinat e tij, niveli i respektimit të standardeve mjedisore dhe respektimi i kushteve për mbrojtje në punë janë gjithashtu në nivel të ulët. Zijin mining po paditen nga organizata dhe banorë vendas për ndotje, gryerrje të pakontrolluara minerare në mjedis dhe rrezikim të habitateve të qytetarëve, uzurpim dhe sekuestrim të paligjshëm të tokave private me qëllim zgjerimin e gropave minerare, ndërtim të paligjshëm të komplekseve të reja përpunuese pa leje ndërtimi dhe analiza për ndikimin e zgjerimit të komplekseve prodhuese.

Në veri të Serbisë ndodhet qyteti i Zrenjaninit, ku është e pranishme kompania Linglong. Ky prodhues kinez i gomave të makinave është paditur nga organizata vendase për abuzim me punëtorët e huaj, kryesisht të importuar nga India dhe Vietnami, duke ndërtuar objekte të reja prodhimi pa leje ndërtimi.

Burimi: novamakedonija.com.mk

Mali i Zi dhe ndërtimet e përjetshme të autostradave

Edhe pse Mali i Zi ka vetëm tre lokacione ku janë të pranishme kompanitë kineze, ndërtimi i autostradës Bar-Boljare është bërë projekti më i shtrenjtë dhe më i gjatë në historinë e investimeve kineze në Mal të Zi.

Paditë e parashtruara kundër kompanisë kineze CRBC (China Road and Bridge Corporation) nga institucionet shtetërore dhe organizatat vendore i referohen mungesës së transparencës në procedurat e tenderit të kompanisë, bllokimit të aksesit në informacionin publik, shkatërrimit dhe ndotjes së kanionit të lumit Tara, ndërtimet pa lejet e duhura dhe pa analizë ndikimi ndaj mjedisit. Vetëm banorët e zonës që jetojnë pranë kantiereve të autostradës kanë ngritur 23 padi kundër kësaj kompanie për rrezikim të mjedisit dhe rrezikim të habitateve të tyre.

Bosnja dhe Hercegovina në luftën kundër termocentraleve me qymyr të financuar nga Kina

Në Bosnje dhe Hercegovinë, kompanitë kineze po investojnë në termocentralet me qymyr, Ugljevik, Tuzla 7 dhe Stanari. Për termocentralin në Stanari, kompania kineze Dongfeng është paditur për ndërtimin e objekteve pa analizë ndikimi, ndërsa kompania kineze Synohidro është paditur për ndërtimin e një hidrocentrali në lumin Neretva, i cili kërcënon biodiversitetin e lumit. Nga ana tjetër, kompania kineze Shangdong High Speed ​​​​International, e cila po ndërton autostradën Banja Luka-Prijedor, është paditur për korrupsion dhe ndryshim të paligjshëm të trasesë së autostradës.

Shqipëria dhe vendburimet e naftës

Nëse në vendet e tjera të Ballkanit kinezët janë të pranishëm në ndërtimin e autostradave, termocentraleve, minierave, në Shqipëri ata janë të pranishëm në sektorin e minierave dhe naftës. Kompania kineze Bankers Petroleum Ltd, e cila operon në vendburimet e naftës Patos Marinzë, është paditur për ndotje të ujërave nëntokësore, dëmtim të pronës private, konkurrencë të pandershme në tregun e naftës në Shqipëri dhe evazion fiskal.

Maqedonia me autostradat e saj të përjetshme

Edhe pse kompanitë kineze janë më pak të pranishme në Maqedoni, proceset gjyqësore nuk i kanë anashkaluar as këtu. Autostrada Kërçovë-Ohër ka mbetur e papërfunduar, me procese gjyqësore për korrupsion, shkelje të afateve të ndërtimit dhe dëmtim të pronave private dhe rrezikim të mjedisit. Këto padi janë ngritur kundër kompanisë Sinohydro dhe më së shumti kanë të bëjnë me autostradën Kërçovë-Ohër.

Pse kaq shumë padi?

Nevoja për investime të huaja në Ballkan ekziston prej dekadash, por kreditë kineze ishin më tërheqëse në krahasim me kushtet e bankave perëndimore. Megjithatë, rastet e miratimit të ligjeve lex specialis në Serbi dhe Maqedoni, të cilat u mundësonin akses të lirë kompanive kineze për të kryer biznesin e tyre, ishin një nga komponentët kryesorë për krijimin e parakushteve për shumë padi.

Vetë sjellja e autoriteteve vendore në terren në vendet që kanë qenë pjesë e analizës tregon se sidomos në Serbi ka pasur raste të ekstraterritorialitetit ku qeveria nuk ka pushtet, por kompania kineze. Rastet e Zijin në Bor dhe Linglong në Zrenjanin tregojnë gjendjen në terren. Jo larg këtyre rasteve janë rastet në Bosnje dhe Hercegovinë me shkatërrimin e lumit Tara dhe hidrocentraleve, ku shteti mungon për të zbatuar ligjet.

Ekstraterritorialiteti, i cili favorizon fitimin apo profitin e të dyja palëve, përfundon duke u thyer në kurrizin e banorëve vendas. Mbyllja e syve ndaj shkatërrimit të tokës, ujit, ajrit, shkeljeve të të drejtave të njeriut, ndotjes së mjedisit jetësor nga kompanitë kineze është gjithmonë faji i qeverisë qendrore dhe vendore.

Trajtimi i investitorëve të huaj si perëndi në tokë, çon vetëm në shkatërrim, edhe nëse ata vijnë nga vendi më miqësor, i cili ka marrëdhëniet dypalëshe më të mira me vendet tona. Investitori vjen për përfitim, jo ​​për të mbrojtur interesat e komuniteteve lokale.

Përderisa interesi i komuniteteve lokale dhe qytetarëve vendas është në vendin e fundit, të gjitha vendet që marrin investime të huaja pa respektuar ligjet e tyre, vijnë në atë nivel ku krijohet një përplasje mes banorëve nga njëra anë dhe shtetit së bashku me profiterët nga ana tjeter.

Kundër një të ardhme të tillë, duhet të luftojmë këtu dhe tani.

 
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Stojadinoviq

Sonja Stojadinoviq ka lindur në vitin 1979 në Veles. Ajo është politikologe e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani i Parë" në Shkup, ku përfundoi edhe studimet master në Politikë Ndërkombëtare me temë "Lufta jo e dhunshme në politikë: Faktorët për sukses dhe dështim". Ajo punon si autore e pavarur për portalet rajonale kroate Lupiga dhe Bilten dhe është aktiviste në lëvizjen e majtë Solidariteti.