fbpx

Kosova po i kthehet teknologjive të gjelbra

Fjollë Caka

Histori nga rajoni

Politika

10.06.24

Прегледи

Qytetarët e Kosovës po preken rëndë nga ndotja e ajrit. Në të njëjtën kohë, shumë qytete dhe vendbanime po përjetojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret nëpër pyje. Institucionet kanë ndërmarrë veprime, por duhet bërë shumë më tepër.

Kosova prodhon 88% të energjisë së saj përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, të cilat gjithashtu renditen në krye të ndotësve në Evropë. Shumica e ndotjes rrjedh nga gjenerimi i energjisë dhe ngrohjes për familjet dhe sektorë të tjerë si industria, transporti, bujqësia dhe industria e mbetjeve. Afërsia e tyre me Prishtinën kontribuon në renditjen e saj të lartë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Në vitin 2020, nivelet mesatare vjetore të përqendrimit të PM10 dhe PM2.5 në Prishtinë tejkaluan rekomandimet e OBSH-së, respektivisht për dy dhe pothuajse pesë herë. Në vitin 2023, këto nivele u ulën, por prapëseprapë i tejkaluan nivelet e rekomanduara të OBSH-së.

Ajri i ndotur: Një problem që nuk zhduket

Përveç kryeqytetit, shumë qytete të tjera të mëdha, si Gjilani, Mitrovica, Peja dhe Prizreni, kanë gjithashtu përqendrime të larta të grimcave (PM). Ndërsa është një problem gjatë gjithë vitit, ndotja e ajrit është më intensive gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit për shkak të rritjes së kërkesës për ngrohje. Duke marrë parasysh mungesën e sistemeve të ngrohjes qendrore publike në shumicën e qyteteve të Kosovës (përveç Prishtinës, Gjakovës, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit), amvisëritë, institucionet dhe objektet komerciale janë kontribuesit kryesorë të grimcave me madhësi 2.5 mikrometra ose më pak (PM2.5), 10 mikrometrash (PM10) dhe emetimet e tjera të pluhurit. Një ndotës shtesë që është i dëmshëm për shëndetin e njeriut është dioksidi i azotit (NO2), i emetuar kryesisht nga sektori i transportit.

Një studim i fundit (2022)  tregon se ndotja e ajrit tashmë po ndikon negativisht në shëndetin e njerëzve edhe në Kosovë, duke kontribuar në rritjen e rasteve të problemeve të frymëmarrjes (duke përfshirë astmën dhe bronkitin), veçanërisht te fëmijët. Edhe pse vdekjet e parakohshme që i atribuohen grimvace PM2.5 në Kosovë ranë nga viti 2020 (4,000 vdekje të parakohshme) në vitin 2022 (3,059), ndotja e rëndë e ajrit dhe çështje të tjera mjedisore vazhdojnë të kontribuojnë në uljen e jetëgjatësisë (mesatarisht gati 10 vjet më pak krahasuar me vendet e tjera të BE-së).

Në të njëjtën kohë, temperaturat mesatare vjetore janë rritur gjithashtu veçanërisht gjatë 20-30 viteve të fundit, gjë që ndikon në shëndetin e njerëzve, rendimentet bujqësore, infrastrukturën fizike dhe ekosistemet. Kështu, cilësia e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit kanë pësuar ndkime negative. Shumë qytete dhe vendbanime në Kosovë po përjetojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike, duke përfshirë valët e të nxehtit, përmbytjet dhe zjarret nëpër pyje.

Si nënshkruese e Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Kosova është zotuar të heqë gradualisht thëngjillin dhe të rrisë energjinë e rinovueshme, si dhe inovacionin. Ajo po përgatit vullnetarisht Kontributin e saj të para Kombëtar të Pikësynuar (KKP)  dhe ka filluar zbatimin e masave për të rritur pjesën e energjisë së rinovueshme. Në të njëjtën kohë, ajo është duke përgatitur edhe një Strategji për Përshtatjen Klimatike; kështu, duke u angazhuar për të punuar drejt qëndrueshmërisë së saj.

Burimi: reuters.com

Mungesa e aksesit në mekanizmat ndërkombëtarë të financimit është një pengesë kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm dhe më të konsiderueshëm ndaj klimës, por ka edhe zhvillime pozitive dhe premtuese. Disa qytete kanë filluar të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa më të qëndrueshme. Për shembull, Prishtina ka zhvilluar një Plan Veprimi për Qytetin e Gjelbër (GCAP) me masa konkrete për aktivitetet përkatëse të gjelbra që do të ndërmerren, duke përfshirë efikasitetin e energjisë së ndërtesave, menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza, dhe integrimin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Prishtina, Mitrovica e Jugut, dhe Mitrovica e Veriut kanë zhvilluar gjithashtu Plane të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (PMQU) dhe kanë filluar zbatimin e masave të tyre, ndërsa disa komuna të tjera janë duke ndërmarrë masa të tilla të politikave dhe planifikimit.

PMQU-ja e Mitrovicës së Jugut, përtej promovimit të opsioneve të mobilitetit të qëndrueshëm (përfshirë stacionin ndër-modal, përmirësimet e transportit publik dhe infrastrukturën e çiklizmit dhe ecjes) për zonën funksionale urbane, u vlerësua gjithashtu nga Komisioni Evropian për vizionin e saj në promovimin e sigurisë së qendrës së qytetit dhe zonave rreth shkollave – rrjedhimisht, është nominuar finaliste për Çmimin e 10-të për Planifikimin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban (SUMP Award) duke u fokusuar në “Siguri dhe shëndet me mobilitet të qëndrueshëm” në nivel evropian, duke konkurruar kështu kundër Madridit (Spanjë) dhe Tamperes (Finlandë, fitues). Mitrovica e Jugut gjithashtu ka filluar të ndërmarrë iniciativa për rritjen e hapësirave të saj të gjelbra, si përmes investimeve kapitale publike për rigjenerimin e parqeve aktuale ashtu edhe përmes iniciativave të drejtuara nga komuniteti, veçanërisht në ndërtimin e disa kopshteve të komuniteteve urbane. Përfitimet nga hapësirat e gjelbra janë të shumëfishta, duke përfshirë performancën më të mirë shëndetësore dhe mjedisore deri te përshtatja dhe zbutja e klimës.

Nga ana tjetër, Prizreni ka pilotuar një inventar lokal të GS-ve, nga gjetjet e të cilit ka zhvilluar një plan ndërsektorial për reduktimin e GS-ve që synon shumë sektorë, si energjia, transporti, menaxhimi i mbeturinave dhe shërbimet publike. Disa komuna gjithashtu kanë filluar të zhvillojnë planet e tyre komunale për klimën dhe energjinë, ndërsa të tjera po zbatojnë projekte më të qëndrueshme, duke përfshirë instalimin e paneleve diellore në ndërtesat e institucioneve  dhe shkollat ​​publike, rritjen e efikasitetit energjetik dhe mbjelljen e pemëve.

Nevoja për veprime urgjente

Pavarësisht progresit të treguar në agjendën politike dhe përmirësimet e kornizës ligjore, planeve zhvillimore të zbatuara aktualisht u mungojnë masat efektive për adaptimin dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ekziston nevoja për një përfshirje më të gjerë dhe veprim të vazhdueshëm. Qytetet e Kosovës duhet të avancojnë agjendën e tyre, veçanërisht në zbatimin e masave që kontribuojnë në rritjen e përqindjes së prodhimit të energjisë së rinovueshme, përmirësimin e efikasitetit të energjisë së ndërtesave, transportin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe rritjen e hapësirave të gjelbra në zonat urbane.

Ata duhet të kenë prioritet objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të synojnë koncepte më të gjelbra dhe më elastike të zhvillimit, të cilat do të mbështesin shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve në përgjithësi. Përveç kësaj, ka nevojë për fushata publike shtesë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndikimet negative të ndotjes së ajrit dhe të nxehtit dhe ngjarjeve të tjera ekstreme të motit te njerëzit, si dhe burimet në dispozicion për t'i trajtuar ato.

Trajtimi i ndotjes së ajrit dhe ndikimeve përkatëse të ndryshimeve klimatike kërkon partneritet me shumë palë, njëherësh kërkohet përfshirja e një numri më të madh aktorësh dhe përfituesish në proceset e planifikimit dhe zbatimit. Si rezultat, të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë dhe të marrin përgjegjësinë për një të ardhme të përbashkët më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme.

 

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dezinformimin në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut" me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Fjollë Caka

Fjollë Caka është arkitekte, sociologe dhe planifikuese urbane nga Prishtina (Kosovë), duke punuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës, rezistent dhe pa karbon të qyteteve dhe komuniteteve. Ajo është në përfundim të studimeve të doktaratës dhe është ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore (Maqedonia e Veriut), si dhe ambasadore e GYCN për Klimën në Kosovë që nga viti 2021.