fbpx

Edukimi për median dhe informacionin (EMI): Antidoti ndaj gënjeshtrave dhe propagandës

Dorentina Hisa

Arsimi

02.02.22

Прегледи

Dorentina Hysa

Dorentina Hisa 400x500

Ekspozimi ynë i vazhdueshëm ndaj informacionit të tepërt krijon bazën që gënjeshtrat të përsëriten mjaft shpesh derisa ato të bëhen të vërteta. E kemi të vështirë të përcaktojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Në një oqean përmbajtjesh ku praktikisht secili ka mundësinë të publikojë, bëhet i vështirë noti pa trajnimin e duhur.

Kur ka qenë hera e fundit që keni fituar një aftësi të re? Vetë koha mund të jetë po aq vendimtare sa edhe arsyet që ju kanë 'detyruar' të zhvilloni atë aftësi të veçantë. Si qenie njerëzore, ne priremi të zhvillojmë aftësi dhe kompetenca që janë të dobishme për ne në një rrafsh individual dhe shoqëror. Me pak fjalë, ne zhvillojmë ato aftësi që na ndihmojnë të përballojmë kërkesat dhe sfidat e përditshmërisë.

Lista e aftësive të jetës ndryshon gradualisht, duke ndjekur zhvillimet më të fundit që ndodhin rreth nesh. Në atë listë, ne duhet të përfshijmë shkrim-leximin apo edukimin për median dhe informacionin si aftësi thelbësore në jetë. Pse?

Shtrirja e masmedias nuk ka qenë kurrë aq masive sa është sot. Ne hasim, japim dhe marrim shumë informacione në baza ditore nga burime të ndryshme. Kështu bëjnë fëmijët, adoleshentët, studentët dhe të rriturit poashtu. Vazhdimisht konsumojmë përmbajtje përmes celularëve tanë, kompjuterit, televizionit, librave, mediave sociale etj., qofshin ato të shkruara, me zë apo të vizualizuara. Jemi të rrethuar nga media dhe informacioni në të gjitha format dhe mjetet.

Rreziqet e të qenit analfabet për median dhe informacionin

Ekspozimi ndaj një sërë informacionesh të tilla na bën të brishtë kundrejt tyre, duke pasur parasysh se ato vijnë "të ambalazhuara" me njëanshmëri, manipulime, propagandë, lajme të rreme, gjuhë urrejtjeje, lloj-lloj qëllimesh që mund të ketë autori/ja. Mendoni për informacionin e njëanshëm dhe teknikat e marketingut të cilat në një ose tjetër mënyrë ndikojnë në zakonet/shprehitë tona të blerjes, në mënyrë të pandërgjegjshme.

Ose manipulimi i informacionit i transmetuar në media që fsheh të vërtetat dhe krijon realitete të shtrembëruara. Shtrembërimet e informacionit (dizinformimi, keqinformimi) krijojnë konfuzion dhe keqkuptim rreth çështjeve shoqërore dhe politike. Përmbajtje të rreme, që ndikojnë në shëndetin fizik dhe psikologjik të njerëzve vetëm sepse dikush në internet vendosi të publikojë një përmbajtje për të marrë më shumë klikime, pa marrë parasysh pasojat.

Ekspozimi ynë i vazhdueshëm ndaj informacionit të tepërt krijon bazën që gënjeshtrat të përsëriten mjaft shpesh derisa ato të bëhen të vërteta. E kemi të vështirë të përcaktojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Në një oqean përmbajtjesh ku praktikisht secili ka mundësinë të publikojë, bëhet i vështirë noti pa trajnimin e duhur. Për të shpëtuar veten nga mbytja në këtë det mediash dhe informacioni, duhet të përvetësojmë aftësi dhe kompetenca bazë. Ne duhet të mësojmë dhe të përgatitemi se si funksionojnë media dhe informacioni. Cilat teknika përdoren, nga kush dhe me çfarë qëllimi? Ne duhet të zhvillojmë aftësitë e të menduarit kritik, kurse edukimi për median dhe informacionin mund të jetë i dobishëm në këtë drejtim.

Fuqizimi i edukimit për median dhe informacionin përmes arsimit

Një qasje premtuese për zhvillimin e edukimit për median dhe informacionin është qasja përmes arsimit, përfshi arsimin formal dhe joformal. Ndërsa arsimi formal zhvillohet në sisteme arsimore, si shkolla dhe universitete, arsimi/edukimi joformal ndodh jashtë këtyre mjediseve të mësimdhënies formale, zakonisht në mjediset e komunitetit, por është specifik (duke pasur parasysh rezultatin e të mësuarit).

Nga ana tjetër, të mësuarit joformal është mësim nga përvoja, dhe si i tillë i rastësishëm. Në Shqipëri, arsimi informal dhe joformal për edukimin mediatik dhe informacionit mbulohet kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile, por duke pasur parasysh që OJQ-të operojnë në bazë të projekteve, kontributi i tyre është afatshkurtër, i kufizuar në aspektin e shtrirjes dhe jo i qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, arsimi formal është kufizuar më së shumti në përdorimin e TIK-ut në shkolla dhe edukimin e përgjithshëm mediatik, megjithatë, kjo nuk plotëson nevojat ekzistuese për edukimin e brezave që kanë njohuri për median dhe informacionin. Në një studim fillestar që është bërë në vitin 2020 nga Instituti Shqiptar i Medias mbi strategjitë dhe politikat e EMI në Shqipëri, rezultatet tregojnë mungesën e qasjes gjithëpërfshirëse të EMI-t në arsimin formal, joformal dhe informal. Kishte elementë të edukimit mediatik apo TIK aty-këtu, por jo edhe për EMI. Edukimi për median dhe informacionin (EMI) është një term i ri që përfundimisht tërheq vëmendjen dhe është një fillim i mirë për një eksplorim të gjatë sfidues.

Pilotimi i EMI-t në arsimin parauniversitar në Shqipëri

Me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm, të cilët i kanë dhënë prioritet edukimit për median dhe informacionin, vëmendja dhe veprimet ndaj EMI në dy vitet e fundit janë shtuar. UNESCO për shembull, në kuadër të Projektit “Ndërtimi i besimit në media dhe Evropa Juglindore dhe Turqia, Faza II”, po mbështet përfshirjen e kurrikulës së EMI në sistemin e arsimit formal në Shqipëri.

Është hera e parë që EMI si një term term i plotë të përdoret në arsimin parauniversitar në vendin tonë. Me bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe ASCAP, u përzgjodhën 20 shkolla për të qenë pjesë e fazës pilotuese. Në fazën e parë të pilotimit në 10 shkolla të mesme gjatë vitit 2021, u trajnuan 120 mësues për zbatimin e planprogrameve dhe rreth 8546 nxënës të klasave të 6-ta deri në të 9-ta patën mundësinë të familjarizohen apo të mësojnë mbi EMI-n.

Mediumska pismenost: protivotrov za lagi i propagandaBurimi: freepik.com

Procesi i pilotimit nuk ishte i lehtë dhe ata hasën në sfida. Këto sfida kishin të bënin me infrastrukturën shkollore (p.sh. lidhjet me internetin, bibliotekat, laboratorët kompjuterikë, etj.); mësuesit ishin të mbingarkuar; klasat me numër të madh nxënësish, por edhe rrethanat e pandemisë. Në përputhje me vetë kurrikulën për EMI, kjo fillimisht ngriti pyetje dhe paqartësi te mësuesit, por ky dyshim ishte zbutur nga trajnimet dhe mentorimi i ofruar gjatë pilotimit.

Dhjetë mentorë u caktuan për të mbikëqyrur mësuesit e trajnuar të cilët përfshinin EMI në lëndët e tyre. Reagimet e mbledhura prej tyre tregojnë se mësuesit ligjëronin EMI-n në klasë në tre nivele: për të gjetur informacion shtesë, për të inkurajuar aftësi më të mëdha të të menduarit dhe për të shprehur/krijuar përmbajtje në mënyrë krijuese.

Mësuesit u shprehën se trajnimi dhe pilotimi për EMI ishin të dobishëm si në rrafsh personal, ashtu edhe në atë profesional. Nxënësit fituan një këndvështrim të ri mbi median dhe informacionin që u pasqyrua në të gjitha lëndët (p.sh. duke bërë pyetje sfiduese, duke përdorur burime të ndryshme për të krahasuar informacionin dhe duke shkuar përtej thjesht riprodhimit të përmbajtjes përmes analizës).

Me pak fjalë, kjo stimuloi nxënësit të përmirësojnë procesin e tyre të të mësuarit, ta bëjnë mësimdhënien më gjithëpërfshirëse dhe të inkurajojë aftësitë e tyre të të menduarit kritik. EMI ka një tjetër vlerë të shtuar në arsimin formal, ai sfidon mënyrat tradicionale të mësimdhënies ku nxënësit në një farë mënyre konsiderohen si “enë boshe” që duhet të mbushen me informacion në shkollë. Përkundrazi, EMI i konsideron si mësuesit ashtu edhe nxënësit si bashkëpunëtorë aktivë në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. EMI synon t'u mësojë nxënësve "si" të mendojnë, e jo "çfarë" të mendojnë.

Modelet e të menduarit, arsyetimit dhe sjelljes fillojnë të zhvillohen mjaft herët në jetë, pas një kalimi gradual nga modelet e thjeshta në ato më komplekse. Megjithatë, mjedisi mund të inkurajojë ose parandalojë zhvillimin e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për edukimin mbi median dhe informacionin, nëse veprimet vonojnë, rezultatet mund të jenë shkatërruese për të gjithë shoqërinë.

Kohëzgjatja e ekspozimit ndaj mediave dhe informacionit po zvogëlohet nga viti në vit dhe me zvogëlimin e saj, shqetësimet tona rriten. Edukimi për median dhe informacionin është një aftësi kritike jetësore dhe si e tillë duhet të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur përmes edukimit formal, joformal dhe informal.

 

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni
Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Dorentina Hisa

Dorentina Hisa është eksperte e komunikimit, aktualisht punon si koordinatore projekti në Institutin Shqiptar të Medias (AMI). Si pjesë e ekipit të AMI, ajo koordinon projektet në lidhje me shkrim-leximin mediatik, në veçanti "Ndërtimi i besimit në median e Evropës Juglindore, Faza II", i cili synon të përmirësojë aftësitë e të rinjve për edukimin për median dhe informacionin përmes përfshirjes së kurrikulave për shkrim-lexim mediatik në sistemi formal arsimor të Shqipërisë. Dorentina punon si asistente në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Para kësaj ka punuar si specialiste programi në Zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë.