Ivan Durgutov
Ringjallja skandaloze e të ashtuquajturës "Dhoma Publike" dëshmoi se kalimi i një viti, përveç një pandemie dhe skadimi i 365 ditëve kalendarike, nuk solli asgjë tjetër dhe të re në institucionet kompetente në lidhje me (mos)veprimin e tyre. Nga muaji janar i vitit 2020, deri në këtë moment, çështja është ende në fazën e procedurës para-hetimore dhe është e paqartë se kur mund të priten të intensifikohen aktivitetet dhe vendimi i ardhshëm i prokurorit publik.
Kohë më parë, Instituti Demokratik Kombëtar në Shkup filloi një fushatë që synon të përcjellë mesazhin se burrat, duhet domosdo të bëjnë më shumë (Men Must Do More). I pajtimit me këtë më lartë, unë me përgjegjësi pohoj se përpjekja shekullore për barazi midis burrave dhe grave padyshim që sjell përfitime për të dy. Sa për ilustrim, pikërisht kryeministri kanadez, në një rast në vitin 2016, publikisht deklaroi se është një feminist. Midis tjerash, ai dërgoi një mesazh të qartë se burrat dhe gratë nuk duhet të kenë frikë nga përdorimi i fjalës feminist. Përkundrazi, kjo fjalë duhet të përdoret gjithnjë e më shpesh kur përshkruhet personaliteti i dikujt dhe kontributi i tij në luftën për barazinë gjinore.
Se si një shoqëri e caktuar e trajton çështjen e barazisë gjinore është, në fakt, një nga treguesit më të qartë të arritjeve civilizuese që ka arritur po e njëjta ajo shoqëri. Ringjallja e dhomës së paligjshme publike, në një nga rrjetet ekzistuese sociale, është një kujtesë e zhveshur e pikëpamjeve primitive, të cilat, për fat të keq, disa nga bashkëqytetarët tanë ende i ushtrojnë ndaj grave. Të luash me fotografi në atë dhomë virtuale, jo vetëm që tregon gjithë lakuriqësinë e vetëdijes së ulët të shumë bashkëqytetarëve tanë, por gjithashtu tregon edhe kapacitetin institucional dhe vullnetin për të luftuar fenomene të tilla.
Një shuplakë për shoqërinë tonë
Në çdo dhomë publike ka diçka të kalbur, por kjo, maqedonasja, është një shuplakë e nxehtë për të na zgjuar secilin prej nesh. Si një individ, kam kohë që e kam mbështetur dhe provuar tendencën, sipas së cilës, nëse nuk kemi përjetuar diçka, dmth ka më pak shanse për të përjetuar fenomenin negativ, në atë rast të mendojmë se kjo prek dikë tjetër, por jo edhe ne. Kjo është e pasaktë, edhe atë për disa arsye. Në mbështetjen e kauzës së një iniciative, ne nuk duhet dhe nuk guxojmë të fillojmë gjithmonë nga vetja jonë. Fakti që të gjithë jetojmë së bashku, me një "marrëveshje shoqërore" të arritur midis nesh dhe institucioneve të sistemit, flet mjaft se në fakt të gjithë jetojmë në një dhomë të madhe publike. Ne nuk duhet ta vendosim veten në një situatë, kur duhet të jemi të detyruar, personalisht dhe eksperimentalisht, të ndiejmë dhunën, në mënyrë që ta kundërshtojmë fuqimisht atë. Dhuna është një problem i komunitetit më të gjerë dhe shumë lehtë mund të rritet në një vijë karakteri e një shoqërie të caktuar. Të jesh i qetë nuk duhet të jetë një opsion i pranueshëm në të ardhmen dhe kjo është arsyeja pse, në një zë, duhet të bërtasim dhe të theksojmë se nuk është e turpshme të jesh viktimë, por është një turp i vërtetë, të jesh një dhunues!
Nga ana tjetër, ne duhet të shikojmë me sy edhe atmosferën reale në rrjetet sociale dhe disa nga pikëpamjet, sipas të cilave, gratë dinë të reduktohen në një makineri riprodhuese dhe kumarxhinj moralë. Përmes qëndrimeve të tilla, gratë shpesh drejtohen me gisht si shkaku i pretenduar i ekzistencës së dekadencës morale me të cilën përballemi. Fatkeqësisht, pikëpamjet e tilla regresive vazhdojnë fort në dekadën e tretë të shekullit 21, dhe "policia morale" me gjithëpranueshmërinë e saj, duket se i zë hapësirën policisë së vërtetë, e cila është e detyruar të ngre mëngët dhe të na garantojë siguri.
Sidoqoftë, abuzimi dhe ngacmimi seksual që e dëgjuam përsëri, nuk është një fenomen i ri. Devijime të tilla datojnë shumë më herët sesa epoka kur u shfaqën rrjetet sociale dhe në asnjë mënyrë kostumet e detit, fundet e shkurtra dhe seancat fotografike nuk mund të jenë një justifikim për dikë për sjelljen kriminale të mësipërme ndaj viktimave të ndryshme. Disa nga ato viktima janë të gatshme të flasin publikisht, por në çdo rast nuk është e mjaftueshme, e që është më e keqja ata përballen me akuza drejtuar atyre. Vërejtje të tilla dashakeqe mbeten ato që janë - një përpjekje pa shije dhe e pasuksesshme për relativizim dhe një "gjueti e panevojshme shtrigash". Idealizimi për ekzistencën e një modeli perfekt të sakrificës vazhdon të jetë pikërisht ai, një fantazi e pastër e ndjekur nga mungesa e ndjeshmërisë.
Në këtë drejtim, të folurit nga disa lartësi problematike morale, të paktën, çon në një hap përpara dhe sjell të gjitha ato viktimizime shtesë, të dyfishta të viktimave. Përpjekjet për të fituar pikë me ndonjë kontribut të pretenduar të viktimës në kryerjen e krimit, padyshim që vonojnë dhe ekstremisht shpërqendrojnë. Mos të harrojmë se shteti është i detyruar të sigurojë risocializim, ri-integrim ose aftësim arsimor për personat e dënuar ligjërisht, autorët e krimeve më të rënda, dhe për këtë arsye, është plotësisht e paqartë pse të gjithë do të kishim ndonjë qasje tjetër ndaj një viktime të pafajshme, përveç mbështetjes së hapur dhe të drejtpërdrejtë.
Burimi: makfax.com.mk
Viktima NUK është fajtore
Në këtë mënyrë, ndihma dhe mbështetja publike dhe jo-institucionale është një lëvizje e mirëpritur dhe pozitive, por është e pamjaftueshme. Lufta kundër narrativës "viktima është fajtore" duhet të ngrihet në piedestal dhe duhet të ndihmohet dhe drejtohet nga avokatë që ushtrojnë profesionin e prokurorit publik përmes veprimeve konkrete. Nuk ka asnjë justifikim për apatinë, sepse si shtet, problemet tona rrallë gjenden në legjislacion, por shumë më tepër në zbatimin e dispozitave ligjore që kemi. Marrja dhe ribotimi i paautorizuar i fotove të personave të ndryshëm, të mitur dhe të rritur, shumica e tyre femra, është e dënueshme me ligj. Publikimi, parafrazimi dhe lidhja e tyre në një kontekst pornografik është një veprim që është inkriminues përmes disa veprave penale në Kodin Penal (KP) – të emërtuara si „Keqpërdorim i të dhënave personale“ në nenin 149 të KP dhe „Prodhim dhe shpërndarje e materialit pornografik të fëmijëve“ në nenin 193-а paragrafi 3, dhe është paralajmëruar edhe futja e një vepre të re penale „Ndjekje/përcjellje “.
Skandali i opinionit nga funksionimi i vazhdueshëm i dhomës publike, duhet të zgjojë edhe organin/institucionin me shenjën "publike" pas emrit të tij. Kjo është Prokuroria Publike, si i vetmi organ shtetëror i autorizuar për ndjekje penale. Ky institucion i rëndësishëm në sistemin ligjor, të mos harrojmë, financohet nga fondet e taksapaguesve, ndër të tjera, pikërisht nga taksat e viktimave të ngjarjeve si grupi pornografik, i quajtur simbolikisht si "Dhoma Publike". Është koha që prokuroritë themelore publike të jenë plotësisht funksionale dhe të fillojnë të veprojnë sipas parimit – zëri i dëgjuar, dhe jo gjithmonë të presin një iniciativë nga vetë viktimat.
Përsëritja është nëna e dijes, por le të shpresojmë se kësaj here do të jetë edhe nëna e veprimit. Le të përsërisim se prokurorët publikë nuk kanë luksin të qëndrojnë pasivë edhe më tutje, duke pasur parasysh që anëtarësia e madhe e grupit famëkeq nuk përfaqësohet nga asnjë algoritëm ose analitikë. Padyshim, shumica e tyre nuk janë as profile të rreme. Këta janë njerëz të gjallë, votues, bashkëqytetarë tanë, disa prej të cilëve, ka shumë të ngjarë, janë në afërsinë tonë. Ajo që kanë të përbashkët të gjithë është se ata janë aq të dhënë pas përcjelljes së fotografive intime të njerëzve të tjerë, përfshirë edhe ato me të mitur, të cilët padiskutim kanë një kontekst dhe koment pornografik. Ky realitet jashtëzakonisht i hidhur duhet menjëherë të na kthjellojë si komunitet dhe të ngrejë alarmin e prokurorisë. Procesimi dhe epilogu i shpejtë janë zgjidhja e vetme e mundshme për të parandaluar shfaqjen në të ardhmen të dhomave dhe grupeve të tilla, fizike dhe virtuale.
Institucionet duhet të reagojnë
Nëse nuk duam të lejojmë që e gjithë shoqëria maqedonase, në mënyrë të pashmangshme, të barazohet me një dhomë të madhe publike të soditësve, ne duhet të ndjekim penalisht ata që shkelin pa mëshirë të drejtën e dikujt për privatësi dhe të drejtën për të zgjedhur - në profilin e tyre, në çdo rrjet social, për të postuar gjëra dhe foto që personi thjesht do të vendosë. Abuzimi psikologjik dhe seksual drejtuar qytetarëve të pafajshëm duhet të ndiqet penalisht, në mënyrë që grabitqarët të ndërgjegjësohen - heshtja dhe pasiviteti tashmë janë zhdukur. Çdo gjë në kundërshtim me këtë do të thotë vetëm një lloj frymëzimi dhe inkurajimi për autorët e krimit. Si pasojë, nuk duhet të habitemi si bora e vitit të kaluar, nëse kultura e pandëshkueshmërisë së vazhdueshme, sasiore dhe cilësore, nuk çon në një rritje të vazhdueshme të ngjarjeve dhe fabrikave të tilla të pakëndshme, që faktorizojnë kulturën e dhunës.
Dhuna nuk është biznes privat i askujt, por është një disavantazh serioz shoqëror. Riaktualizimi i grupit gjysmë sekret pornografik dhe soditës që ka me bishtërues të ndryshëm, tregoi dhe provoi se në këtë jemi të gjithë së bashku. Na çoi në përfundimin se dhoma publike jo që nuk u përsërit, por asnjëherë nuk u mbyll. Zëri i publikut është këtu, disa inkurajues dhe disa mjaft zhgënjyes. Situata është ashtu siç është, shoqëria maqedonase është thellësisht e polarizuar për shumë arsye, ashtu edhe për këtë çështje. Por, është e qartë se si qytetar dhe sistem, ne kemi humbur dhe nuk kemi privilegjin e "mbulimit" dhe vënies nën qilim të episodeve të tilla famëkeqe, ku luhet me privatësinë e individit. Vazhdimi i epokës së mosveprimit ose veprimit të pjesshëm, nënkupton një bombë të re me kohëmatës, e cila kurdoherë, do të krijojë dhunues të ardhshëm dhe përmes së cilës ne do të dëshmojmë një nga humbjet tona më të rënda si qytetarë.
Mbroni vajzën tuaj apo edukoni djalin tuaj? Ose mbroni vajzën pikërisht përmes edukimit të djalit? Apo të dyja? Fenomenet shoqërore negative konfirmojnë se shtypja dhe kapërcimi i tyre është i mundur vetëm përmes forcave të përbashkëta. Agjentët e vërtetë të ndryshimit përfaqësojnë ndërthurjen e institucioneve që janë të gatshme dhe të shkathëta, por edhe një publik të bashkuar, i cili me zë të lartë i thotë jo dhe ofron mbështetje të pastër. Protesta kohë më parë për barazinë gjinore dhe thirrjet për veprim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike, konfirmojnë se kësaj here publiku me të vërtetë do të bëjë presion deri në fund. Këto dy institucione, së bashku me gjykatën, duhet të vazhdojnë të identifikojnë njerëzit, për të cilët baza dhe shkalla e përgjegjësisë penale do të përcaktohet më tej përmes një procedure përkatëse. Syri vigjilent i qytetarit padyshim pret përgjigjet për veprimtaritë e krijuesit të grupit, administratorit të tij dhe anëtarëve të tjerë.
Summa summarum, leksioni që ne si qytetar duhet të marrim është se “efektet e tilla anësore” dhe incidentet flasin për ndryshimin e nevojshëm të matricës tonë kolektive mendore. "Ekspozimi" i grave nga të gjitha, për ta, pritjet dhe kufizimet e imponuara historikisht, nënkupton një betejë të vazhdueshme, e cila nëse e fitojmë, përfundimisht do të çojë në një shoqëri më të mirë për të gjithë ne. Dhe në të njëjtën betejë, ne burrat duhet të jemi njëlloj të pranishëm dhe të zëshëm. Prandaj, të mos e humbasim këtë mundësi për të ecur përpara, e cila mund të jetë një nga të fundit që do të na ofrohet.
Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni tekstin
Shënim: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.