fbpx

Toleranca fetare: Një koncept i njohur, por rrallë i praktikuar

Sonja Stojadinoviq

E Vërteta

09.03.22

Прегледи

Toleranca fetare ndërtohet duke njohur të tjerët, duke qartësuar se të tjerët dhe diversiteti i tyre nuk janë kërcënim për ne, madje as për besimet/bindjet tona fetare.

Para disa javësh opinioni maqedonas u informua dhe paksa i shqetësuar nga ardhja e grupit fetar hebre Lev Tahor (Zemra e Hapur) në Kumanovë. Ky grup që po udhëton nëpër Maqedoni nuk do të shkaktonte ndonjë reagim në popullatën vendase dhe as në opinion, po të mos ekzistonin dy momente. Së pari, vetë polemika rreth këtij grupi fetar, i cili karakterizohet si një “sekt” që praktikon judaizmin në formë fondamentaliste dhe së dyti, reagimet e dhunshme të popullatës përreth ndaj tyre. Reputacioni i keq që shoqëron këtë grup fetar ka arritur deri në Maqedoni. Akuzat dhe dënimet me burg për liderët e tyre për martesa të detyruara me të mitur, ngacmim dhe rrëmbim të fëmijëve kanë arritur edhe tek qytetarët maqedonas. Mirëpo dhuna dhe intoleranca e bashkëqytetarëve tanë ndaj këtij grupi fetar nuk ishte aspak e nevojshme. Sipas ligjeve pozitive maqedonase, ata kanë një qëndrim maksimal prej tre muajsh në Maqedoni dhe është aprovuar nga institucionet tona sepse kanë deklaruar se janë vetëm udhëtimthi, pa pasur qëllim të qëndrojnë më shumë se afati i lejuar me ligj. Më parë ata kanë qenë në Sarajevë, në lagjen Ilidza, ku gjithashtu nuk janë mirëpritur me zemër të hapur. Intoleranca fetare është disi e rrënjosur thellë te njerëzit e Ballkanit, megjithëse na pëlqen të mburremi se jemi njerëz mikpritës dhe zemërhapur. Nga ana tjetër, ky grup fetar, i përbërë kryesisht nga fëmijë dhe disa të rritur (18 fëmijë dhe 19 të rritur) në deklaratat e tyre para kamerave televizive theksuan qartë se nuk kanë ndërmend të qëndrojnë në vendin tonë dhe të kërkojnë një shtet që do t'i pranonin ata dhe ku do të mund të praktikonin lirisht fenë e tyre.
Kush janë Lev Tahor?
I themeluar në fund të viteve 1980, ky grup fetar praktikon judaizmin në një mënyrë fundamentale në krahasim me judaizmin e praktikuar në Izrael. Judaizmi në Izrael praktikohet nga 4 grupe fetare: Haredi (ultra ortodoksë), Dati (religjiozë), Masorti (tradicionalistë) dhe Hiloni (laikë). Dallimet midis këtyre grupeve fetare nuk janë vetëm në aspektin e besimit në ekzistencën e Zotit (40% e Hilonëve laikë nuk besojnë në ekzistencën e Zotit), por edhe në pikëpamjet politike.

Pjesëtarët e grupit ultra-ortodoks Haredi nuk shërbejnë as në ushtri, ndërsa grupi Dati është më pro-sionist dhe beson se arabët duhet të dëbohen nga Izraeli. Lev Tahor pas veshjes anon drejt hebrenjve ultra-ortodoksë, veçanërisht sa i përket veshjes së burrave, ndërsa gratë zakonisht vishen tërësisht në të zeza, dhe kjo vlen edhe për fëmijët e gjinisë femërore.

Burimi: sdk.mk

Megjithatë, praktikimi i tyre i fesë është në mënyrë më ekstreme se ajo e hebrenjve ultra-ortodoksë, shqiptimet e lutjeve janë me zë të lartë dhe të gjatë, ata kanë një dietë/ushqim të kufizuar të vendosur nga ish-themeluesi i tyre Shlomo Helbran (ata nuk hanë mish pule sepse besojnë se pula është e modifikuar gjenetikisht dhe nuk është e njëjtë me atë të krijuar nga Zoti). dhëheqësi dhe themeluesi i tyre Helbran në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ku kishte themeluar këtë sekt) ishte persekutuar për rrëmbimin e një fëmije, kishte predikuar shkatërrimin e Izraelit, duke cituar tekste të supozuara biblike dhe kishte qenë i dyshuar për bashkëpunim me grupet fundamentaliste islamike, ndërsa grupi është i dyshuar për martesa me fëmijë dhe abuzim seksual të fëmijëve dhe anëtarëve të tyre. Me persekutimin e udhëheqësit të tyre, ata u shpërngulën në Guatemalë si sekt fetar dhe më vonë erdhën në Ballkan. Dallimi i tyre në praktikimin e judaizmit shihet edhe në faktin se gjatë pranisë së tyre në Maqedoni, ata nuk kishin qenë të kontaktuar nga komuniteti hebre në Maqedoni.
Ç’të themi për intolerancën tonë?
Sipas përkufizimit, toleranca fetare është pranimi i dallimeve fetare të një grupi tjetër fetar dhe respektimi i besimeve të tyre fetare në të gjitha sferat e shoqërisë. Ky grup fetar në Maqedoni nuk e ka përjetuar këtë nga bashkëqytetarët tanë. Përkundrazi, videot e reagimeve të bashkëqytetarëve tanë, të cilat ishin mjaft agresive dhe me frikë të pajustifikuar, dëshmuan edhe një herë se durimi dhe toleranca jonë fetare janë në nivel të ulët. Nga njëra anë është e kuptueshme frika e qytetarëve nga ky grup për shkak të informacioneve që përhapen për ta, veçanërisht të bashkëqytetarëve nga fshati i Ohrit Gorno Lakoçerej ku ky grup u shpërngul pas qëndrimit në Kumanovë por nga ana tjetër nuk njihen faktet. Ata janë këtu me dokumentacion të rregullt, sigurisht që janë nën vëzhgimin e policisë, nuk predikojnë bindjet e tyre, nuk janë të dhunshëm, janë të qetë dhe të heshtur. Vetë deklarata e njërës prej anëtareve të këtij grupi para kamerës se e kanë të vështirë të udhëtojnë me fëmijët, e të mos flasim se po rrëmbejnë fëmijët e të tjerëve. Kjo deklaratë duhet të ketë një efekt të vogël dhe kthjellues për qytetarët. Intoleranca dhe padurimi fetar bazohet gjithashtu në injorancën mbi grupet e tjera fetare dhe karakteristikat e tyre. Sa dimë për Islamin dhe fqinjët tanë? Pak më shumë se sa dimë për judaizmin, por vetëm për faktin sepse kemi fqinjë myslimanë. Sa dimë për hinduizmin apo budizmin? Do të dimë vetëm nëse kemi shprehur interesim për të lexuar dhe për t'u njohur me fetë e tjera, dhe një praktikë e tillë nuk është shumë e zakonshme tek qytetarët e Maqedonisë. Në arsimin tonë fillor kemi lëndët Etika e feve dhe Njohja e feve të cilat mësohen në klasën e gjashtë. Por në këtë rast nuk ishin fëmijët ata që shprehnin intolerancë dhe agresion ndaj një grupi tjetër fetar, por pikërisht të rrituri Mungesa e njohjes së feve të tjera dhe mungesa e dëshirës për të ditur të paktën në thelb krijon frikë dhe padurim. Nga njëra anë, frika e qytetarëve tanë nga polemikat e këtij grupi është e kuptueshme, por dhuna nuk është zgjidhja, veçanërisht nëse grupi nuk shkel asnjë ligj dhe nuk rrezikon jetën e dikujt. Intoleranca fetare në Maqedoni zhduket me edukimin dhe mësimin e feve jo vetëm përmes sistemit arsimor por edhe përmes institucioneve (policia, institucionet fetare). Qytetarët tanë kanë një praktikë të shkollimit të tyre përmes artikujve të dyshimtë dhe të turpshëm në internet dhe rrjete sociale që janë terren pjellor për përhapjen e urrejtjes dhe dhunës. Ne nuk kemi bërë përparim sa i përket tolerancës fetare brenda shoqërisë me fqinjët e parë të feve të tjera, aq më pak mund të kuptojmë fetë e tjera me të cilat nuk kemi pasur kontakte. Ky fakt konfirmoi edhe më tej rastin me grupin fetar Lev Tahor. Toleranca fetare ndërtohet duke njohur të tjerët, duke qartësuar se të tjerët dhe diversiteti i tyre nuk janë kërcënim për ne, madje as për besimet/bindjet tona fetare. Një rol të rëndësishëm në këtë lloj edukimi të qytetarëve tanë luajnë edhe liderët fetarë, sepse ata janë të parët që duhet promovuar publikisht diversitetin që është prezent dhe tolerancën që ata predikojnë, kurse ndjekësit e tyre nuk e praktikojnë atë. Toleranca fetare duhet të drejtohet edhe ndaj ateistëve dhe agnostikëve, të cilët, ashtu si dikush zgjedh të besojë në Allahun ose Jezusin, një tjetër zgjedh të besojë në energji ose nuk beson në asgjë. Përderisa jemi të mbyllur fetarisht në oborrin tonë dhe nuk e lejojmë veten të takojmë diçka të re, kurse në bazë të asaj injorance ndërtojmë frikën dhe shprehim agresionin, do të kemi raste si ky me grupin fetar Lev Tahor. Hapi i parë është të pranojmë se jemi intolerantë fetarisht, kurse hapat e mëtejmë për ta trajtuar atë situatë janë të njohura mirë. Edukim, diskutime, të njohurit e risive.  

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Sonja Stojadinoviq

Sonja Stojadinoviq ka lindur në vitin 1979 në Veles. Ajo është politikologe e diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë "Justiniani i Parë" në Shkup, ku përfundoi edhe studimet master në Politikë Ndërkombëtare me temë "Lufta jo e dhunshme në politikë: Faktorët për sukses dhe dështim". Ajo punon si autore e pavarur për portalet rajonale kroate Lupiga dhe Bilten dhe është aktiviste në lëvizjen e majtë Solidariteti.