fbpx

Mediat në Serbi mes putinofilisë dhe realitetit të ri botëror

Dinko Gruhonjiç

Histori nga rajoni

Politika

01.04.22

Прегледи

Është e vështirë të hiqet përshtypja se ky kult është në një nivel shumë më të lartë se kulti i personalitetit të vetë Aleksandër Vuçiqit. Tingëllon absurde, por presidenti i një vendi të huaj është me të vërtetë politikani më i popullarizuar në Serbi.

"Goditje e rrufeshme e Putinit! Rusët erdhën në Kiev brenda një dite!", "Putini arriti në Kiev brenda një dite!", "Rusët pushtuan Ukrainën brenda një dite", ishin faqet e para të tabloideve të shtypura dhe online në Serbi një ditë pas pushtimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Dy ditë para fillimit të agresionit rus, tabloidi beogradas Informer, në faqen e parë publikoi titullin "Ukraina sulmoi Rusinë!".

Për të gjithë ata që jetojnë në Serbi, titujt e tillë bombastikë nuk janë befasi. Miti mbi "Rusinë vëllazërore" është ushqyer me kujdes në njëzet vitet e fundit, respektivisht kultivimi i rusofilisë, thënë më saktë - putinofilisë, ka kulmuar në dhjetë vitet e fundit, që kur në pushtet është Aleksandar Vuçiq, ish-zyrtar i lartë i ekstremistëve nacionalistë dhe Partisë Radikale Serbe pro-ruse e kriminileit të dënuar të luftës Vojisllav Sheshel.

Në thelb, megjithëse ai e prezantoi veten në Perëndim si një politikan që hoqi dorë nga rrënjët e tij radikale, Vuçiq vazhdoi dhe ngriti maksimalisht atë që autoritetet e mëparshme, "demokratike", mishëruan në ish-kryeministrin e krahut të djathtë klerik të Serbisë Vojislav Koshtunica dhe Presidentit jobinës evropian Boris Tadiç.

Në atë kohë kompania kombëtare e naftës, pra Industria e Naftës së Serbisë, iu shit “Gazpromit” rus. Çmimi ishte nën çmimin e tregut, në këmbim të premtimeve të paqarta se Rusia nuk do të lejonte që Kosova të bëhet e pavarur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pasojat e kësaj janë katastrofike për Serbinë sot: vendi është plotësisht i varur energjetik nga Rusia, e cila është nën sanksione të rënda nga Perëndimi.

Në krye të Kompanisë Publike “Srbijagas”, e cila ka monopolin e furnizimit dhe shpërndarjes së gazit, është politikani vendas Dushan Bajatoviç, një njeri që mban një fotografi të Vladimir Putinit në zyrën e tij. Dokumentari “Ide gas”, i prodhuar nga Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës, është realizuar së fundmi për varësinë e Serbisë nga gazi rus.

Kulti i personalitetit të Putinit në Serbi

Ndërkohë, që kur Vuçiq dhe Partia Progresive Serbe erdhën në pushtet në vitin 2012, propaganda pro-ruse në mediat me ndikim dhe në fjalimet e disa politikanëve të regjimit ka prodhuar një kult të personalitetit të Vladimir Putinit. Është e vështirë të hiqet përshtypja se ky kult është në një nivel shumë më të lartë se kulti i personalitetit të vetë Aleksandër Vuçiqit. Tingëllon absurde, por presidenti i një vendi të huaj është me të vërtetë politikani më i popullarizuar në Serbi.

“Rreth 100,000 qytetarë mbërritën në Beograd nga e gjithë Serbia, momente kalimi në qytet, të shtëna topash, rrugë të zbukuruara me ngjyrat e flamurit rus, mirëpritën Presidentin e Federatës Ruse Vladimir Putin më 17 janar”, shkruante gazetarja Antonela Riha në vitin 2019, për të ilustruar euforinë që ishte prodhuar në aspektin mediatik dhe politik në Serbi gjatë vizitës së Putinit. Shumë nga këta qytetarë janë sjellë në mënyrë të organizuar nga Partia Progresive Serbe, dhe llogaritet se në Beograd kanë mbërritur më shumë se një mijë autobusë nga e gjithë Serbia.

Shërbimi shtetëror i mediave publike, Radio Televizioni Serb, transmetoi vizitën e Putinit drejtpërdrejt gjatë gjithë ditës. Me atë rast, shefi i atëhershëm i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i këndoi presidentit rus këngën "Kaljinka" (Daçiq është kryetar i Partisë Socialiste proruse të Serbisë, kreu i mëparshëm i së cilës ishte i ndjeri Sllobodan Millosheviq). Vuçiq tha se do të “konsultohet” me Putinin para çdo zgjidhjeje të mundshme për çështjen e Kosovës. Një ditë pas vizitës, tabloidët raportuan në mënyrë euforike se qytetarët ishin aq të lumtur për vizitën e Putinit, saqë kishte shumë më pak thirrje në shërbimin e urgjencës se zakonisht.

Disa media serbe janë më pro-ruse se Sputnik

debatin e fundit “Raportimi mediatik për Ukrainën”, gazetarja e portalit beogradas KRIK, Marija Vuçiq, tha se Serbia është “më e forta në anën ruse”, gjë që shihet sidomos përmes raportimeve të mediave. Përveç “Sputnikut” në gjuhën serbe, në Serbi nuk ka asnjë media tjetër ruse serioze dhe me ndikim. Në fund të fundit, pse do t'ju duhej, kur ka kaq shumë gazeta dhe portale të përditshme me ndikim që deklarohen hapur si pro-ruse.

Hulumtuesi Vuk Velebit deklaroi në një sërë tekstesh në vitin 2019: “Nëse krahasoj mënyrën e raportimit për Rusinë në shtypin serb dhe në portalin Sputnik, arrij në përfundimin se shtypi vendas raporton në mënyrë më sensacionale, të njëanshme dhe emocionale për Rusinë dhe marrëdhëniet serbo-ruse, se sa atë e bën portali Sputnik", deklaroi Velebit. Ai vuri në dukje se një propagandë e tillë pro-ruse e mediave serbe bëri që qytetarët e Serbisë të mendojnë se Rusia është në krye të listës së donatorëve të huaj, edhe pse Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Japonia janë shumë përpara saj sipas sasisë së ndihmës financiare që i kanë dërguar Serbisë.

Sa për ilustrim, sa i përket ekonomisë, BE-ja renditet e para në listën e partnerëve tregtarë të Serbisë me një përqindje prej më shumë se 70 për qind, ndërsa pjesa e Rusisë është në nivelin e pesë për qind. Gjithashtu, vëren Velebit, kur i pyesni qytetarët e Serbisë se ku do të dëshironin të jetonin, të udhëtonin apo të studionin, pothuajse gjithmonë do të dëgjoni se këto janë vendet e Evropës Perëndimore apo Amerikës Veriore, ndërsa Rusia rrallë mund të gjendet në mesin e përgjigjeve.

Burimi: pixabay.com

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel, më 17 mars të këtij viti tha se opinioni publik në Serbi ishte "më i ekspozuar ndaj dizinformatave nga propaganda ruse". “Në Serbi, opinioni publik është më i ekspozuar ndaj dizinformatave nga propaganda ruse në përpjekje për të justifikuar agresionin kundër Ukrainës me akuza për gjenocid, se presidenti Zelenski është një fashist. Unë nuk mund ta kuptoj që dikush mund ta besojë këtë", tha Borel.

Helmimi mediatik i rajonit

Mediat nga Serbia po helmojnë jo vetëm qytetarët e tyre me propagandë pro-ruse, por edhe qytetarët në rajon, kryesisht në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, në entitetin e Republikës Srpska. Është një lloj lufte speciale mediatike kundër vendeve fqinje, me përzierje të konsiderueshme të përhapjes së ndikimit "të butë" rus në rajon.

Kjo mund të shihet veçanërisht gjatë protestës së organizuar në Mal të Zi në vitin 2020 nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dukshëm pro-ruse, së bashku me partitë politike pro-serbe dhe pro-ruse. Media pro regjimit nga Serbia ishte përfshirë maksimalisht në fushatë dhe disa analistë politikë dhe mediatikë malazezë deklaruan se pas saj qëndronte Moska zyrtare, e cila kishte vendosur të përhapë "fuqinë e butë" në Mal të Zi pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në vitin 2016, ku ishin përfshirë edhe shërbimet sekrete ruse.

Rezultati i protestës dhe fushatës mediatike nga Serbia ishte ardhja e qeverisë së re, e cila ishte nën ndikimin e fortë të Kishës Ortodokse Serbe dhe e cila për një vit e gjysmë destabilizoi dukshëm Malin e Zi. Qendra Digjitale Forenzike nga Podgorica në botimin e saj "Roli i Rusisë në Ballkan: Rasti i Malit të Zi" deklaroi se Rusia po përhap "influencën e saj malinje" në Mal të Zi përmes Serbisë: politikisht, mediatikisht dhe përmes Kishës Ortodokse Serbe, me qëllim që të destabilizojë një shtet anëtar të NATO-s.

Tabloidët po paralajmërojnë lëvizjet e Vuçiqit

Megjithatë, sulmi brutal i Putinit ndaj Ukrainës dhe reagimi i botës perëndimore dhe NATO-s e kanë komplikuar shumë pozicionin e Serbisë, e cila tani duhet të deklarojë se në anën e kujt është. Pas euforisë fillestare, tabloidet me tirazh dhe portalet pro regjimit e reduktuan disi festimin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Vetë Vuçiq ka shumë të ngjarë të ketë marrë një "grejs periudhë" nga Perëndimi deri në zgjedhjet e 3 prillit, kohë në të cilën ai do të jetë në gjendje të luajë me pozicionin aktual zyrtar të Serbisë: dënimin e agresionit rus, por pa vendosur sanksione ndaj Rusisë. Pas kësaj nuk do të ketë më vend për manovrim për të. Dhe jo vetëm për të, por edhe për shumicën dërrmuese të aktorëve të skenës politike, ndër të cilët janë protagonistët kryesorë të opozitës që nuk ndryshojnë nga Vuçiq në qëndrimin e tyre ndaj Rusisë, luftës në Ukrainë, Bashkimit Evropian, NATO-s.

Është një përpjekje për të bërë politikën e “uljes në katër karrige”, të cilën Vuçiq e huazoi nga Boris Tadiqi: të ketë marrëdhënie të mira me Moskën, Pekinin, Brukselin dhe Uashingtonin. Në rrethanat e reja globale - binare - gjeopolitike të prodhuara nga agresioni i Putinit ndaj Ukrainës, një politikë e tillë e pretendimit të "neutralitetit" në Evropë nuk ka më shanse të mbijetojë.

Dhe cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Serbisë dhe për këtë do të mund të lexojmë në tabloidet pro regjimit, si shumë herë më parë, detyra e të cilave është të përgatisin opinionin për vendimet e ardhshme të Vuçiqit.

Cilat janë shanset për të ndryshuar opinionin publik?

Më shumë se dy të tretat e qytetarëve serbë besojnë se vendet perëndimore, nën mbulesën e "lirive civile", promovojnë stile jetese moralisht të korruptuara dhe dekadente, treguan rezultatet e hulumtimit “Indeksi i cenueshmërisë - Serbia” nga nëntori i vitit 2021. Sipas rezultateve të këtij hulumtimi, shumica e qytetarëve serbë besojnë se Rusia, ashtu si Kina, janë partnerët më të rëndësishëm strategjikë. Rusia gëzon mbështetjen më të madhe në mesin e popullatës së re, midis moshës 18 dhe 24 vjeç: 71 për qind e të anketuarve ndajnë mendimin se Perëndimi fajëson padrejtësisht Rusinë për shumë probleme.

Kur bëhet fjalë për sistemin e vlerave, vërehet se popullata e re shpreh rezistencë ndaj BE-së, duke mbështetur qëndrimet konservatore. Hulumtimi tregoi se qytetarët serbë e shohin BE-në si një mundësi për të përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm, por vetëm 18% e të anketuarve e shohin Bashkimin Evropian si një partner strategjik. Sipas konkluzionit të hulumtimit, ata e shohin integrimin evropian më shumë si një çështje domosdoshmërie sesa një dëshirë të sinqertë.

A është e mundur të ndryshohen qëndrime të tilla, dukshëm pro-ruse, të qytetarëve të Serbisë? Disa prej nesh që janë mjaft të rritur për të kujtuar periudhën e sundimit të Millosheviqit e kujtojnë qartë vitin 1994, kur propaganda mediatike e Millosheviçit - fjalë për fjalë brenda natës - pasoi një kthesë në politikën e regjimit. Nën presionin e fortë të Perëndimit, Millosheviqi ua ktheu shpinën udhëheqësve serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç në luftën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u bë përkohësisht "garantuesi i paqes dhe stabilitetit në Ballkan".

Mediave pro regjimit iu dha detyra të ndryshonin imazhin e Millosheviqit dhe ata e kryen këtë detyrë në mënyrë efektive: rejtingu i Sllobodan Millosheviqit nuk pësoi rënie dhe ai e mbajti pushtetin pa asnjë problem.

Megjithatë, ajo që mbeti si pasojë e përhershme e propagandës së pamëshirshme të luftës të mediave shtetërore serbe nga vitet 1990 janë teoritë e shumta konspirative, emëruesi i përbashkët i të cilave është “rrezikimi i serbëve”. Kjo kuptohet si një e vërtetë e pamohueshme. Këto janë tema tabu, ashtu si temat tabu, miti i Kosovës, bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999, si dhe të gjitha luftërat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar, veçanërisht gjenocidi i Srebrenicës dhe shumë tema të tjera që vijnë nga korpusi i përballimit me të shkuarën.

Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut paraqiti një raport më 28 mars, duke deklaruar se mohimi i gjenocidit të Srebrenicës ishte i përbashkët për 80 për qind të listave zgjedhore që konkurronin në zgjedhjet parlamentare të organizuara për datën 3 prill.

Një problem shtesë është fakti se në Serbi në thelb nuk ka alternativë politike dhe shoqërore ndaj narrativës nacionaliste në pushtet, përveç në margjinat e skenës shoqërore dhe politike.

E njëjta gjë vlen edhe për median: në korpusin mediatik që nuk janë pro-regjimit, janë shumë pak ata që janë të gatshëm dhe kanë guximin gazetaresk për të artikuluar një diskurs që do të ishte në thelb kundër nacionalizmit agresiv të pushtetit.

 

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit "Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare " me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Ju lutemi lexoni rregullat para se të komentoni ose shkarkoni Vini re: Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime të Komunikimit ose donatorit.

Dinko Gruhonjiç

Dr. Dinko Gruhonjiç është kryeredaktor i portalit VOICE, zëvendës kryeredaktor i portalit Autonomija, drejtor programi i NDNV-së, drejtues i Agjencisë së Lajmeve Beta për Vojvodinën, korrespondent i Deutsche Welle, bashkëpunëtor i Al Jazeera Balkans. Njëherësh është profesor i asociuar në Departamentin e Studimeve të Medias pranë Fakultetit Filozofik në Novi Sad. Është një veprimtar i shoqërisë civile dhe një antifashist.